Home » Lajme » RTP lajmet 4 maj 2012

RTP lajmet 4 maj 2012

Sot rreth orës gjashtë të mëngjesit në fshatrat Tërrnoc i Madh dhe në Breznicë të Komunës së Bujanocit janë kryer aksione për arrestimin e shqiptarëve nën akuzat për gjoja krime lufte kundër serbëve. Në një konferencë për shtyp që u mbajt sot në Vranjë, Ministri i Brendshëm serb Ivica Daqic tha se janë kryer disa bastisje në shtëpitë e shqiptarëve ku janë arrestuar Elhami Salihi, Mustafë Limani,Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emërllahu ndërsa Blerim Duraku nga fshati Breznicë është arrestuar për armë mbajtje pa leje. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në aksionin e sotëm është sulmuar edhe një pjesëtarë i xhandarmërisë serbe.

————————-

Ndërsa prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, ka thënë se policia ka arrestuar pesë shqiptarë “të dyshuar për krime lufte” gjatë konfliktit të vitit 2001. Ai gazetarëve në Beograd u tha se arrestimet po vazhdojnë, por nuk ka dashur të cek se për çfarë “krime lufte” bëhet fjalë.

————————–

Pas arrestimeve dhe bastisjeve në Bujanoc , Tërnoc dhe Breznic në Bujanoc është mbajtur konferencë për media ku janë prononcuar kryetari i Bujanocit Shaip Kamberi ,deputeti Riza Halimi , kryetari i këshillit nacional Galip Beqiri , kryetari i kuvendit Jonuz Musli dhe kryetari i këshillit për të drejta e njeriut Belgzim Kamberi.

Kreu i Bujanocit Shaip Kamberi ka thënë se akti i sotëm i policisë dhe forcave speciale tregon për politikën represive që Beogradi po aplikon ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke rikonfirmuar rrugën e diktatorit Serb Sllobodan Milloshevi që po ndjek tashmë ministri i punëve të brendshme Ivica Daçiç. E në anën tjetër deputeti Riza Halimi ka thënë se aksioni i sotëm është vazhdimësi e dhunës shtetërore serbe që ka për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë. Deputeti Halimi ka potencuar se Ivica Daçiç po përdorë metoda edhe më drastike se ato të ish liderit të tij Milosheviç , dhe tashmë në prag të zgjedhjeve po tenton të krijoj poena politik ,duke rrënuar edhe procesin zgjedhorë në Bujanoc. Ndërsa kryetari i kuvendit Jonuz Musliu ka thënë se Ivica Daçiç nga marrja postit si ministër i punëve të brendshme k treguar dhëmbët se do ti dëboj shqiptarët nga Lugina. Sipas tij qeveria serbe po tento që me dhunë të marrë pushtetin në Bujanoc para syve të ndërkombëtarëve. Kryetari i Këshillit Nacionalë Galip Beqiri ka thënë se qeveria shqiptare duhet të mbajë seancë të jashtëzakonshme pasi me kushtetutë obligohet që të përkujdeset për shtetasit e saj jashtë territorit . Ndërkaq kryetari i këshillit për të drejtat e njeriut Belgzim Kamberi ka thënë në aksionin e sotëm nuk janë respektuar normat ligjore dhe procedurale. Në fund u potencua se Qeveria serbe po arreston shqiptarët e Luginës edhe pas amnistisë duke shkelur mbi marrëveshjet e firmosura. Ndërkaq pas aksionit të sotëm pritet që të Mblidhet kuvendi i këshilltarëve shqiptarë , ku siç mësojmë do të organizohet protestë popullore por edhe do të diskutohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës.
————————-

Aksioni i sotëm i xhandarmërisë serbe në komunën e Bujanocit ku janë kryer së paku tetë bastisje në mesin e të cilëve është edhe një përkthyes i OSBE-së ka ngjallur reagime tek kryetari I komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Sipas zotit Mustafa është shumë e dhimshme sepse proceset e montuara politike për shqiptarët nuk po kanë të mbaruar. Me vetë faktin se nga viti 2008, edhe më tutje procedura gjyqësore e të arrestuarve po udhëheqet në Beograd e që ka shkaktuar shpërngulje enorme nga vendbanimet e tyre. Këto janë metodat më të moderuara të Partisë Socialiste serbe tha ndër të tjera I pari I komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Arrestimet e sotme kryetari Mustafa I quan procese të montuara politike sepse territori ku lufta është zhvilluar nga ana e UÇPMB-së është regjion ku nuk ka patur kurrë serbë dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur mundësi të zhvillohen krime ndaj serbëve dhe ndonjë jo shqiptari. Ekzekutivi preshevarë bën thirrje tek faktori ndërkombëtarë që vepron në Serbi me theks të veçantë tek OSBE dhe ambasada amerikane që të marrin hapa konkret në parandalimin e arrestimeve të shqiptarëve. Poashtu nga organizmat evropiane dhe ameriake kërkon mundësimin e lirimit të pa kusht të të gjithë të arrestuarve nga xhandarmësia. Tani si kur më parë është momenti kyç për zhgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës me metoda demokratike, ka theksuar Mustafa. Ai kërkon nga qytetarët e Luginës së Preshevës që të qëndrojnë stoik ndaj situatave të montuara, sepse ne duhet të mbrojmë vendin ku na ka lënë të parët tanë.

—————————

Edhe zëvendës kryetari I kuvendit në Preshevë, Orhan Rexhepi perms informatës për media ka dënuar aksionin e ditës së sotme të xhandarmërisë serbe. KRIMINELËT AKUZOJNË PËR KRIME LUFTE. Një numër i madh i pjestarëve të xhandarmërisë serbe, orëve të hershme të mëngjesit të sotëm, bastisi tetë lokacione dhe arrestoi gjashtë Shqiptarë të komunës së Bujanocit, sigurisht plotësisht të pafajshëm. Këto arrstime u bënë nën akuzën për krime lufte, kinse të kryera ndaj Serbëve. I njejti skenar, e njejta sjellje, e njejta akuzë, mu ashtu si ajo e datës 26 Dhjetor 2008 që ndodhi në Preshevë. LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE, kërkon decidivisht, nga të gjitha subjektet politike Shqiptare të Luginës së Preshevës, që menjëherë të marrin qëndrime politike adekuate përballë Qeverisë së Beogradit. Nuk guxojmë të hamendemi më, nuk guxojmë e të mos veprojmë, duhet menjëherë të reagojmë se populli Shqiptar i Luginës së Preshevës është i lodhur e i stërlodhur përballë këtyre padrejtësive të mëdha, ai kërkon lirinë e vetë.

————————-

Heshtja parazgjedhore ka filluar në Serbi dhe do të zgjasë deri sa të mbyllen vendvotimet, gjegjësisht ditën e diel me 6 maj në ora 20:00. Sipas ligjit mbi zgjedhjet, heshtja parazgjedhore fillon 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve. Gjatë kësaj periudhe ndalohen propaganda zgjedhore si mënyrë e njoftimit publik, tubime pubike si dhe publikim të përqindjeve të rezultateve të zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe, në vendvotimet dhe në largësi prej 50 metrave nga vendi i votimit ndalohet publikimi i listave zgjedhore, partive politike, koalicioneve, grupeve të qytetarëve si dhe materialeve tjera propaganduese. Në ditën e votimit është e lejuar që të publikohen raportet se ku kanë votuar kandidatët e jo edhe deklaratat e tyre. Me 6 maj, me rëndësi është që qytetarët të dalin të votojnë, se vetëm atherë është momenti kur ata vendosin.
———————-
Vozitësit në Serbi nga 4 maji 2012 do të duhet ti rrespektojnë rregullat e reja në komunikacion që kanë të bëjnë me kualitetin, korrektësinë dhe vendosjen e karrigës së fëmijës, errësimin e xhamave si dhe pozitën e timonit. Sipas koordinatorit për siguri në komunikacion, Milan Bozhoviq, xhami i përparëm i veturës sipas rregullores së re nuk duhet të errësohet shtesë pasi në të kundërtën vetura do të jetë jo e rregullt teknikisht. Sipas tij, xhamat anësor mund të errësohen deri 30% ndërsa ata të tjerët nuk kanë limit. Me rregulloren e re, edhe ulëset për fëmijë duhet të jenë homologjenisuara, të atestuara dhe të provuara me kriteriume të caktuara.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch