Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 4 Shkurt 2013

RTP lajmet 4 Shkurt 2013

Mbrëmë në rrugën e karposhit afër autoshkollës “Toni” është plaçkitur një servis kompjuterësh. Pronari i lokalit në mëngjes ka njoftuar policinë të cilët më pas kanë bërë evidentimin e rastit.
Plaçkitësit fillimisht kanë demoluar derën e lokalit duke plaçkitur 8 laptopë dhe disa pajisje kompjuterike. Dëmi i shkaktuar konsiderohet të jetë mbi 1200 euro. Ndërkaq sipas banorëve gjatë këtij muaji në këtë lagje kanë ndodhur edhe 3 grabitje të tjera, mirëpo policia ende nuk ka arrit ti arrestoj plaçkitësit.
——————
Varrezat shqiptare në fshatin Osllarë të komunës së Bujanocit janë dëmtuar në mëngjesin e djeshëm nga persona ende të panjohur. Bëhet fjalë për rrënimin e mbi dhjetë përmendoreve të familjes Shabani ,Selmani dhe Rashiti. Ata janë shprehur të trishtuar me këtë akt dhe kanë kërkuar gjetjen e menjëhershme të autorëve. Ndërkaq dëmtimin e varrezave e ka dënuar kryetari i Bashkësisë Lokale (BL) të Osllarës Naser Bajrami I cili ka kërkuar zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve. Në anën tjetër kryetar i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi në reagimin e tij ka thënë se ky është një akt qyqar i turpshëm. Ndërsa kreu I Lëvizjes së Progresit Demokratik Jonuz Musliu ka akuzuar qeverinë serbe duke thënë se ngjarjet e tilla janë vazhdimësi e skenarëve të Beogradit. Ndaj aktit të djeshëm ka reaguar edhe kryetari Bashkësisë Islame në Preshevë Fikret Limani duke thënë se dëmtimi i varrezave është një akt barbar dhe jo civilizues. Në vend ngjarje kanë dalë edhe organet e hetuesisë dhe policia mirëpo ende nuk është konfirmuar për ndonjë të dyshuar. Fshati Osllarë në komunën e Bujanocit është i banuar me rreth 70 për qind shqiptarë dhe 30 për qind serbë.
—————
Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc gjykon ashpër dëmtimin e varrezave shqiptare në fshatin Osllarë, fshat multietnik i banuar me shqiptarë dhe serbë, nga persona ende të panjohur. KBI në Bujanoc vlerëson se ky veprim është i shëmtuar dhe në kundërshtim me normat fetare islame dha njerëzore, dhe nuk i kontribon paqës dhe bashkëjetesës në komunën e Bujanocit. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që të marrin masa sa më të shpejta që të zbulohen aktorët e këtij krimi dhe të dalin para drejtësisë, kurse nga Qytetarët kërkohet maturi dhe gjakëftohtësi . E lusim Zotin e madhëruar që të mos përsëriten raste të tilla, njofton KBI – Bujanoc.
—————–
Në tre komunat e Luginës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje, në jug të Serbisë, sipas statistikave të regjistrimit numri i shqiptarëve është dyfish më i madh se i serbëve në veriun e Mitrovicës e të Kosovës. Autoritetet lokale të Preshevës kanë shtruar kërkesën para Ministrisë së Drejtësisë në Beograd për legalizimin e pllakës përkujtimore, largimi i së cilës nxiti tensione në Luginë. Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtarë i Krizave, siç bën të ditur sesioni shqip i Zërit të Amerikës, thotë se atje duhen veprime të shpejta. Në një shkrim të tij, ai thotë se kundërthëniet rreth pllakës përkujtimore janë një shkëndijë shtesë, meqë shqiptarët në rajonin më të varfër të Serbisë kanë shumë ankesa. Ndonëse konflikti në zonë ka marrë fund më shumë se dhjetë vjet më parë, ky rajon ka një prani të madhe ushtarake e policore që ndikon në krijimin e ndjenjës së frikës. Ndjenja e diskriminimit dhe izolimit është shume e thellë. Rajoni ka qasje të kufizuar në investime, punësim e arsimim, ndërsa udhëheqësit shqiptarë nuk kanë besim ne qeverinë e Serbisë dhe kërkojnë ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan zotri Prelec. Ndonëse pjesë e Serbisë, Lugina është e lidhur me Kosovën. Dhe sa herë që Kosovës i kërkohen në bisedime më shumë autonomi dhe më shumë të drejta për serbët në veriun e saj, Presheva reagon dhe shqiptarët pohojnë se kanë shumë më pak të drejta sesa serbët në Kosovë. Kur udhëheqësit e Serbisë hedhin idenë e ndarjes së veriut të Kosovës dhe bashkimit me Serbinë, Presheva tërheq vërejtjen se ajo do të kërkojë bashkim me Kosovën, thotë ai. Duke përmendur reagimet në Kosovë por edhe Shqipëri pas tensioneve në Preshevë, Prelec shkruan se Beogradi duhet t’u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve në Preshevës për dialog dhe të angazhohet për shtendosjen e situates.

————–

Vitrinat e librit të bibliotekës së qytetit Mehmet Jusufi në Preshevë edhe këtë vit do të begatohen kryesisht me titujt e ri të librave të autorëve vendës. Ky institucion mbetet me problemin kyç lidhur me furnizim të titujve të rinjë të autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë që sigurohen nga shteti kosovarë. Biblioteka e qytetit I ka në dispozicion vetëm 200 mijë dinarë për furnizim me tekste të reja në dallim me vitin e kaluar që kishte në buxhet 330 mijë dinarë. Zvogëlimi I mjeteve financiare do të ndikojë në mungesë të furnizimit me libra të reja, ka deklaruar për Radiotelevizionin Presheva,drejtori I bibliotekës, Vaxhid Mehmeti. Në mbledhjen e fundit të këshillit drejtues është aprovuar raporti I punës dhe ai financiarë për vitin 2012 si dhe për këtë vit kalendarik. Në bazë të raportit të punës, viti 2012 është përmbyll me 2012 lexues ku 50 përqind e numrit të përgjithshëm ishin lexues të moshës së re.
—————-
Rundi i ri i dialogut teknik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel do të vazhdojë të martën, më 5 shkurt, i deklaroi agjencisë serbe Tanjug shefi i ekipit teknik serb për negociata, Dejan Paviqeviq. “Temë do të jetë aranzhmani teknik lidhur me oficerët për lidhje (ambasadorët) ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kurse paralelisht me këtë do të hapen edhe temat e ardhshme në dialog – telekomunikacioni dhe energjetika”, deklaroi Paviqeviq. Prishtina tashmë ka caktuar ambasadorin e saj Lulzim Peci për shef të zyrës së Kosovës në Beograd, kurse sipas disa paralajmërimeve të mëhershme, pikërisht Paviqeviq do të duhej të emërohej oficer serb i ndërlidhjes në Prishtinë.
—————–

Emisioni sportiv tashmë çdo të hëne vjen në ekranin e Radio Televizionit Presheva. Përmbledhje golash, spektakël, grindë e emocione do të transmetohet në këtë emision të veçantë që vie për adhuruesit e sportit. Padyshim se në mënyrë të veçantë do të trajtohet edhe Kombëtarja shqiptare, por edhe të gjithë talentët shqiptarë dhe paraqitjet e tyre në arenën vendore dhe ndërkombëtare. Radio Televizioni Presheva paralele këtij edicioni sportiv në ekranin e vetë do tu sjell edhe ndeshjet më interesante evropiane e botërore por edhe të gjitha sfidat eliminatore e miqësore të kombëtares Kuq e zi.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch