Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 5 Dhjetor 2012

RTP lajmet 5 Dhjetor 2012

Ambasadori i Serbisë në NATO, Branisllav Milinkoviq, ka vdekur tragjikisht, ka njoftuar ministria e jashtme e Serbisë. Mediat serbe raportojnë se ai ka bërë vetëvrasje në aeroportin kryesor ndërkombëtar në Bruksel, duke kërcyer nga parkingu, para syve të ndihmës ministrit të punëve të jashtme të Serbisë, Zoran Vujiq, që e udhëheq sektorin për politikën e sigurisë. Raportohet se i ndjeri Milinkoviq ishte diplomat i respektuar dhe jurist.
—————–
Takimi i tretë, i zhvilluar në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Dacic, ka qenë takimi më i gjatë, por në të cilin janë arritur dy marrëveshje të rëndësishme. Pas darkës së përbashkët me kryeministrin serb, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me homologun serb Ivica Dacic janë pajtuar që më 10 dhjetor të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe për hapjen e përfaqësive diplomatike të dy vendeve, zyrave ndërlidhëse, në Prishtinë dhe Beograd. Thaçi ka thënë se fillimisht marrëveshja IBM do të zbatohet në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinë dhe Merdare. Ai gjithashtu ka deklaruar se në takimin e sotëm janë marrë vesh që Kosova dhe Serbia të hapin zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd, selia e të cilave do të jetë në objektet ku janë të vendosura misionet e BE-së, në dy kryeqytetet. Në takim me gazetarë Thaçi ka thënë se Kosova do ta dërgojë në Beograd ambasadorin e saj më të mirë. Ndërsa, Dacic ka konfirmuar fillimin e implementimit të marrëveshjes IBM. Por, për dallim nga Thaçi, ai ka insistuar se nuk do të ketë pikë kalime kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, por vetëm vendkalime administrative. Madje, ai ka deklaruar se serbët nga veriu nuk do të jenë të obliguar të paguajnë taksë doganore për mallrat që do t’i fusin në Kosovë. Ai ka kërcënuar se nëse nuk iu mundohet një gjë e tillë serbëve, atëherë do ta vë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes IBM. “Dy kryeministrat konfirmuan se pikat kufitare në Jarinjë dhe Merdare do të jenë të gatshme me 10 dhjetor. Ndërsa, pika kufitare Dheu i Bardh dhe ajo në Bërnjak do të jenë funksionale me 31 dhjetor”, ka thënë Ashton. Takimi i ardhshëm mbahet me 17 janar të vitit 2013.

——————

Në komunën e Preshevës ka filluar grumbullimi i qenëve të shumtë endacak që qytetarët thuajse çdo ditë hasin nëpër rrugët e qytetit të Preshevës. Këtë aksion e ka filluar inspekcioni komunal e cila ka kontraktuar kompaninën Komrad nga Vranja. Kjo kompani së bashku me punëtorët e inspekcionit komunal gjatë tërë ditës sot kanë bërë evidentimin e këtyre qenëve të cilët pas kapjes do të transportohen në qytetin e Vranjës aty ku grumbullohen të gjithë qenët endacak. Inspektori Komunal Shenasi Aliu apelon tek të gjithë qytetarët që hasin në qenët endacak të lajmërojnë në këtë institucion e cila më pastaj do të bëjë kapjen e tyre. Aksioni për kapjen e qenëve endacak në komunën e Preshevës do të vazhdojë deri në atë kohë sa të gjithë qenët të kapen dhe most ë paraqesin probleme për qytetarët e komunës së Preshevës.
—————
Kryetari i Trupit Koordinues i Qeverisë të Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, sot për herë të parë që nga emërimi i tij në këtë post ka vizituar komunën e Medvegjës. Stankoviq gjatë vizitës së tij fillimisht është takuar me kryetarin e komunës Sllobodan Drashkoviq, me zëvendëskryetarin Florim Sahiti dhe me kryetaren e Kuvendit Komunal Natasha Filliq. Pastaj, Stankoviq është takuar edhe me përfaqësuesit e këshillave komunalë të partive politike në Medvegjë. Në këto takime ndër të tjera është diskutuar për mjetet e pakthyeshme që ka ndarë Trupi Koordinues për biznese të mesme dhe të vogla për komunën e Medvegjës në shumë prej 8 milion dinarë. Jemi dakorduar se nëse ka lëshime, dhe nëse ato vërtetohen, personat kompetentë të sankcionohen, por kam thënë se vitin e ardhshëm do të ipen 60 milion mjete për ndërmarrje të mesme dhe të vogla dhe se ato do ti ndajmë në bashkëpunim me njerëzit që udhëheqin ekonominë”, ka deklaruar Stankoviq. Më tej ai ka shtuar se në takime është diskutuar edhe për funksionalizimin e vendkalimit në komunën e Medvegjës në kufi me Kosovën. “Kemi biseduar edhe për atë që vendkalimet që ekzistojnë në territorin e komunës së Medvegjës, të jenë jo vetëm vendkalime për njerëz por ato të jenë edhe vendkalime ku do të kryhen punët doganore, ku do të kalojë edhe malli përtej vijës administrative. Domethënë, nuk do duhej që një kamion nga Medvegja të shkojë nëpërmes Konçulit, gjegjësisht nëpërmes Merdarës, por ky vendkalim të aftësohet për funksionim. Gjithashtu, vendkalimet përgjatë vijës administrative të jenë të caktuara ashtu që njerëzit që kanë prona nga njëra dhe ana tjetër të vijës administrative ti shfrytëzojnë ato në mënyrë të duhur, që të mos shkojnë 50 apo 60 kilometra për të punuar tokën e tyre”, ka thënë Stankoviq. Prefekti i komunës së Medvegjës, Sllobodan Drashkoviq, pas takimit me kryetarin e Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, e ka bërë të ditur se pret nga Trupi Koordinues të ndihmojë sa më shumë në fushën e infrastukturës.
—————–
Një delegacion i Lëvizjes për Bashkim, i përbërë nga Valon Murati dhe Kushtrim Sheremeti, të mërkurën janë takuar me përfaqësuesin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, Andi Xhoi. Me këtë rast, Ambasadës shqiptare iu dorëzuan fletaplikacionet e para për shtetësi shqiptare të plotësuara nga qytetarët e Kosovës në aksionin e Lëvizjes për Bashkim për pajisjen e qytetarëve me pasaporta simbolike shqiptare me moton “Një komb, një pasaportë”, aksion ky i zhvilluar më 28 nëntor 2012, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Valon Murati, sekretar organizativ i Lëvizjes për Bashkim, në këtë takim e njoftoi përfaqësuesin e Ambasadës lidhur me aksionin dhe interesimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë dhe njëkohësisht e përshëndeti qëndrimin e djeshëm të Kryeministrit shqiptar lidhur me procedimin në Parlamentin shqiptar të projektligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët. Nga ana tjetër, Xhoi tha se e ka përcjellë aksionin dhe se e mori përsipër dorëzimin e fletaplikacioneve institucioneve kompetente shqiptare. Pas pak ditësh, Lëvizja për Bashkim do ta vizitojë edhe Parlamentin shqiptar, me ç’rast deputetëve të këtij institucioni do t’ua dorëzojë kartolinat e nënshkruara nga qytetarët e Kosovës si dhuratë për 100-vjetor, e të cilat përmbajnë tekstin e preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në të cilën përcaktohet synimi i shqiptarëve për bashkim kombëtar.
——————-
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në një intervistë të dhënë dje për televizionin “Al Xhazira” ka theksuar se “ndryshimi i kufijve në rajon është një çështje e mbyllur” dhe se sipas tij “nëse kjo do të rihapet atëherë do të bënte rrezik”, shkruan shekulli. Duke shpjeguar nocionin e “Shqipërisë së madhe”, Nishani ka theksuar se ky term është përdorur nga politikanët për të justifikuar veprimet e tyre. Intervista e numrit një të shtetit shqiptar u fokusua mandej edhe tek 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, ku ka vënë në dukje sakrificat e shqiptarët për të qenë të lirë si dhe arritjet e tyre, duke nënvizuar faktin e të qenit anëtar i NATO-s. Vetëm pak ditë më parë, në një intervistë të dhënë për Top Channel, Nishani nuk e quajtur agresiv nacionalizmin shqiptar duke i qetësuar fqinjët se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale si edhe se nuk ka turp të tregojë historinë e saj. “Flamuri shqiptar nuk i ka prirë pushtimit të tjerëve. Nacionalizimi natyrisht është një vlerë, por jo që të pretendojmë territoret e të tjerëve”, ka thënë kreu i shtetit shqiptar. I pyetur madje lidhur me deklaratat e kryeministrit Berisha se, “nga Preveza deri në Preshevë janë toka shqiptare”, Nishani tha se “deklaratat kanë qenë mëse korrekte”. “Kanë qenë në kontekstin e festimeve, ku flitet për historinë e shqiptarëve. Gjithmonë në festime flitet për historinë, ecurinë dhe rrugët që ka ndjekur kombi shqiptar. Askush nuk mund të na pengojë që të tregojmë historinë tonë, por ne nuk kemi pretendime territoriale. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon, për harmoni mes kombeve, ndaj fqinjët tanë mbeten miqtë tanë dhe besoj se do të kemi momente të tjera për të festuar së bashku”, u shpreh ai.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch