Home » Lajme » RTP lajmet 5 dhjetorë 2011

RTP lajmet 5 dhjetorë 2011

Sot në Beograd ka filluar gjykimi ndaj nëntë shqiptarëve nga Presheva, të akuzuar nga Gjykata për Krime Lufte në Beograd, siç thuhet në aktakuzë, për krime lufte të kryera ndaj serbëve, romëve dhe ndaj ndonjë shqiptari spiun, gjatë periudhës kohore, mesi i qershorit dhe fundi i tetorit të vitit 1999, në qytetin e Gjilanit dhe rrethinë. Shqiptarët nga Presheva të akuzuar si pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit”, Gjykata Supreme e Serbisë, në Beograd, në janar të këtij viti, i ka dënuar me 101 vjet heqje lirie. Ndërkohë që ky vendim pritet përfundimisht të shqyrtohet në tri seancat e Gjykatës së Apelit që do të mbahen 5, 6 dhe 7 dhjetor, po qe se nuk do të ketë ndonjë zvarritje tjetër. Tre vjet më parë, pikërisht më 26 dhjetor të vitit 2008, nëntë shqiptarët e Preshevës ishin arrestuar në një aksion të kombinuar të forcave serbe të sigurisë, në të cilin morën pjesë qindra pjesëtarë të xhandarmërisë dhe të policisë serbe. Pas më se dy vjetësh mbajtjeje në Burgun Qendror të Beogradit, u dënuan me 101 vjet heqje lirie; Agush Memishi me 15 vjet, Faton Hajdari 10 vjet, Ahmet Hasani u dënua me 10 vjet burgim, Nazif Hasani 10 vjet, Samet Hajdari 15 vite, Ferat Hajdari 8 vjet, Kamber Sahiti 8 vjet, Sylejman Sadiku 15 vjet dhe Burim Fazliu është dënuar 10 vite burgim. Ndërkohë, Nazif Hasani, Ahmet Hasani, Samet Hajdari, Kamber Sahiti dhe Burim Fazliu ishin liruar me kusht, derisa gjykata të dërgojë vendimin për vuajtjen e dënimit në burg. Siç, bënë të ditur, lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi, i cili ditë më parë ka vizituar të burgosurit shqiptarë, me një delegacion të Preshevës, tashmë pesë të liruarit me kusht, kanë marrë ftesat e Gjykatës së Apelit për t`u paraqitur në seancat që fillojnë që nga e hëna. Që të gjithë të dënuarit, disa herë kanë mohuar aktakuzën, duke paraqitur fakte dhe argumente për pafajësinë e tyre. Dënimi me 101 vjet burgim nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në Beograd, ndaj të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit”, pati ngjallur reagimet e para të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Luginës, duke e kundërshtuar unanimisht këtë proces gjyqësor dhe njëherësh duke e vlerësuar si një proces të cektë dhe të montuar me motive politike. Në prag të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime Lufte në Beograd ndaj nëntë shqiptarëve të Preshevës, vërehet shqetësim dhe tensionim i gjendjes së popullatës së gjerë të Luginë së Preshevës, derisa pritet shqyrtimi i vendimit për dënim, apo lirimin e tyre në mungesë të fakteve për dënimin drakonian prej 101 vjetësh heqje lirie.
——————-
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, është takuar sot me koordinatorin e ri të donatorit HELP, Klaus Smith. Takimi ishte i rëndësisë së veçantë pasi që është biseduar për donacionin e kësaj organizate për vitin 2012, që do të ndihmojë ndëramrrjet e vogla me aplikacione në këtë organizatë. HELP në komunën e Preshevës, është prezente 4 vitet e fundit, e cila deri më tash me bashkëfinancim të pushtetit local kanë ndihmuar 200 ndërmarrje të vogla me nga 2500 euro. 5 milion tjera të planifikuara me buxhetin e vitit 2012, do të financohen në projektin e delegacionit të progresit të BE, në ndërrimin e dritareve në Shkollën Fillore IBrahim Kelmendi”. Këtë muaj me organizatën HELP do të nënshkruhet kontrata, kurse zbatimi I saj do të fillojë më 1 shkurt 2012.
———————
Në vjeshtën e vitit 1944 në lagjen Isë Ukaj, Brigada XVI serbo- maqedonase kreu masakrën më mizore ndaj banorëve të Malësisë së Preshevës duke vrarë e masakruar 98 shqiptarë të kësaj pjese. Ata sot e kësaj dite përkujtohen, dhe ky është përvjetori i 8 që në mënyrë të organizuar bëhen homazhe pranë lapidarit, ku janë dhe emrat e dëshmorëve të rënë atë kohë. Afro 100 qytetarë gjatë ditës së djeshme nderuan gjakun e dëshmorëve duke kujtuar 67 vjetorin e masakrës të kryer nga partizanët serbo – maqedon. Me këtë rast aty u shpalos edhe historia e dhimbshme e kryer ndaj shqiptarëve të Malësisë së Karadakut. Sipas të pranishmëve kjo është një datë e cila na përkujton dëshmorët e kombit , na përkujton masakrën dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve që ka ushtruan ushtria serbe. Manifestimi përkujtimor në lagjen Isë Ukaj, mbahet çdo herë në të dielën e parë të muajit dhjetor.
Organizatorët kërkuan gjithashtu që në manifestimet përkujtimore të marrin pjesë sa më shumë qytetarë në mënyrë që të përkujtohet gjaku i martirëve, dëshmorëve dhe heronjve të popullit.
——————–
E nderuara familje Godo, pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Preshevës, anëtarëve të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal. “Në shoqërinë, kulturën dhe politikën shqiptare, Sabri Godo u shqua si një nga personalitetet më kulmore, i cili në gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij reflektonte urtësinë, inkurajonte bashkëpunimin, unitetin dhe vendosmërinë për të punuar në të mirë të mbarë kombit shqiptar. Në momentet më të vështira dhe më vendimtare për çlirimin e Kosovës, gjatë luftës çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dha kontributin e tij mjaftë të çmuar në mbështetjen e fuqishme të luftës dhe në unifikimin e faktorit politik shqiptar për t’u vënë në shërbim të plotë të çlirimit të Kosovës” “Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte” – thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa. Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe politikanit, kryetarit të nderit të Partisë Republikane të Shqipërisë, ish deputetit dhe mikut, Sabri Godo, telegram ngushëllimi iu është dërguar edhe parlamentit shqiptarë, kryeministrisë dhe presidencës shqiptare.
—————
Për ekstradimin në Serbi të ish-ushtarit të UÇK-së, Shemsi Nuhiut ka vendosur Gjykata Penale Federale në Bellinzona të Zvicrës. Por kjo nuk është instanca e fundit e gjyqësisë në Zvicër. Lajmin për albinfo e kanë konfirmuar avokatët dhe familjarët e Shemsiut. Vëllai i Shemsi Nuhiut thotë se në rastin e vëllait të tij nuk bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Federale me seli në Lozanë, që është instanca më e lartë e gjyqësisë zvicerane por për Gjykatën Penale Federale që ka selinë në Bellinzona. “Vendimi negativ nuk mund të thuhet se është përfundimtar, sepse ne e kemi afatin tonë brenda të cilit do ta ushtrojmë ankesën dhe e kemi edhe adresën ku do ta bëjmë këtë ankesë: ajo është Gjykata Federale e Zvicrës, ajo në Lozanë”, sqaron Sherif Nuhiu për albinfo, atë që e quan keqkuptim ose keqinterpretim të mediave zviceriane që dhanë lajmin. Ndërkohë po vazhdon grumbullimi i nënshkrimeve për një peticion i cili do të sensibilizonte autoritetet zvicerane që të mos e bëjnë ekstradimin e Shemsi Nuhiut në Serbi. Kjo, për faktin se, siç thonë në Komitetin kundër ekstradimit, në radhë të parë nuk ka dëshmi për krime të kryera nga i apostrofuari dhe veç kësaj, për arsyen se shteti serb nuk mund të merret si palë e paanshme në një proces të tillë. Peticioni me mijëra nënshkrime të mbledhura në tërë Zvicrën do t’i dorëzohet shumë shpejt zyrës së ministres zvicerane të Drejtësisë Simonetta Sommaruga. Prandaj, sipas anëtarëve të Komitetit, edhe më tutje qytetarët mund të reagojnë përmes peticionit, kundër një vendimi eventual të institucioneve zvicerane në favor të kërkesës së autoriteteve serbe. Bëhet e ditur nga anëtarët e Komitetit se peticionin nuk e kanë nënshkruar vetëm shqiptarët por edhe nacionalitetet tjera në Zvicër. Njohës të sistemit të drejtësisë së Zvicrës thonë se sipas Kodit Penal të Zvicrës cilindo person me qëndrim në këtë vend, i cili dyshohet për krime lufte, Zvicra, në bazë të konventave ndërkombëtare është e detyruar ta gjykojë në vendin ku jeton, pra në Zvicër. Me këtë rast nëse për Shemsi Nuhiu, në rast se ekzistojnë dyshimet e bazuara, mund t`i bëhet gjykimi edhe në Zvicër. Më 14 prill autoritetet zvicerane kanë arrestuar shtetasin e Kosovës Shemsi Nuhiun me prejardhje nga Lugina e Preshevës dhe me qëndrim të rregullt në Vevey, kantoni Valis. Arrestimi i tij është bërë duke u bazuar në një aktakuzë të autoriteteve të Serbisë dhe ajo e ngarkon atë për krime lufte, të kryera, sipas saj, në Kosovë.
—————-
Qeveria e Kosovës është pajtuar t’i heqë simbolet shtetërore në zonat e përbashkëta të pikë kalimeve kufitare me Serbinë, përmes marrëveshjes së arritur të premten në mbrëmje në Bruksel, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Kjo gatishmëri e palës vendëse është konfirmuar me konkluzionet që janë nxjerrë nga Bashkimi Evropian të shtunën, e të cilat janë publikuar edhe nga vetë ekzekutivi i vendit. “Objektet e përbashkëta, të integruara, të vetme dhe të sigurta do të vendosen përbrenda një ‘zone të përbashkët të vendkalimeve të IBM-it,’ të shënjuar bashkërisht, ku zyrtarët e secilës palë kryejnë kontrollet përkatëse. Përjashtimisht dhe kufizuar vetëm në zonat e përbashkëta të vendkalimeve të IBM-it, palët nuk do të shfaqin simbolet e juridiksioneve të tyre përkatëse”, thuhet shprehimisht në pikën katër të këtyre konkluzioneve. Kjo pikë ia ka bërë më të lehtë shefit të ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq, që ta thotë prerazi se mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka kufij, por vetëm “linja administrative.
——————
Partia Demokratike, subjekti më i ri politik në Luginë të Preshevës, tashmë ka formuar të gjitha organet që e bëjnë të kompletuar një subjekt politik. Në Bujanoc është formuar, Forumi i Gruas, organ ky shumë i rëndësishëm për një subjekt politik. Forumin e Gruas të Partisë Demokratike, do ta udhëheqë, Profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Adelina Bruçaj Hasani, e cila unanimisht është zgjedhur në postin e kryetares së Forumit të Gruas. Për nënkryetare janë zgjedhur, Shehide Adili, Nadije Beqiri dhe Sevdije Pajaziti, ndërkaq për sekretare është zgjedhur Emsale Jahiu dhe postin e arkatares do ta udhëheqë Emine Emini. Kryetarja e sapozgjedhur, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Adelina Bruçaj Hasani, është zotuar se, rolin e gruas do ta ngris në rangun më të lartë të shoqërisë demokratike, sepse, sipas sajë, gjinia femrore gjithmonë ka nevojë për emancipim dhe përkrahje, duke e inkuadruar në të gjitha sferat e jetës. Formimin e Forumit të Gruas e ka përshëndetur edhe lideri i PD-së, Mr. Nagip Arifi, i cili para të pranishmëve ka folur për rolin e gruas në shoqërinë demokratike, duke potencuar se Partia Demokratike është një subjekt ku gjinia femrore do ta ketë rolin e sajë vendimarrës. Pas formimit të organeve të kryesisë, kryetarja e Forumit të Grusa, simpatizanteve të PD-së, në mënyrë solemnitet u ka shpërndarë librezat e anëtarësimit.
—————-
Shoqata e shkrimtarëve Feniks ka vazhduar me “KARAVANIN E POETËVE NGA LUGINA E PRESHEVËS “ , në shkollën fillore Naim Frashëri dhe atë të mesme Sezai Surroi në Bujanoc. Ky karavan poetik në vetë ngërthen krijues nga Lugina e Preshevës , të cilët sot para një numri të madh nxënësish kanë prezantuar krijimet e tyre. Bilall Maliqi kryetarë I shoqatës së shkrimtarëve “FENIKS” I njoftoi nxënësit me punën dhe misionin e saj që ka marrë përsipër. Kryetari I shoqatës së shkrimtarëve potencon se qëllimi I Karavanit poetik është që të zbuloj krijues të rinj por edhe ti inkurajoj që të merren me krijime letrare. Gjatë këtyre orëve letrare zhvillohen tri si cikle lexime nga kriuesit , bisedë më nxënës dhe pyetje e përgjigje mes nxënësit dhe ansjelltas me krijuesit. Në këtë orë letrare recituan veprat e tyre edhe krijuesit e rinj si dhe shkrimtarët Arsim Halili , Nehat Ramizi , Halim Hasani dhe krijuesit e rinj Fatma Salihu dhe Leonita Ymeri. “KARAVANI I POETËVE NGA LUGINA E PRESHEVËS “ , rrugëtimin e saj për këtë vit e ka mbyllur në këto 2 shkolla.
—————–
Nga 1 janari pritet që të shtrenjtohet cigaret në mënyrë lineare të gjitha llojet e cigareve për rreth 4 dinarë. Sipas ligjit, nga kjo datë akciza specifike për cigaret do të rritet nga 26 dinarë në 30 dinarë, çka sjell edhe ngritjen e çmimeve.
RTV Presheva

One Response

  1. Shvan thotë:

    Ishalla ceky ”DASHNIM” so caj qe po mendoj(N)edhe 1 her..Sen i cart dosta:D..edhe 1 HITT pi tha BeattMakker Dj.Suat #1 man1 love (K)peace n Rrespekt GhettoKingZ(yn)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch