Home » Lajme » RTP lajmet 5 prill 2012

RTP lajmet 5 prill 2012

Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorët e tij nga pushteti lokal kanë vizituar shkollën e mesme teknike “Presheva” në të cilën është duke u realizuar projekti në ndërrimin e dritareve në këtë shkollë. Ky projekt ka vlerën afër 10 milion dinarëve, kurse ndërrimi i tyre sipas kryetarit Mustafa bëhet pasi dritaret e mëhershme kanë qenë afër 40 vite të vjetra. Më herët projekti për ndrrimet e dritareve është realizuar edhe në gjimnazin “Skenderbeu”. E drejtori i këtij institucioni arsimor Talat Arifi e quajti më se të nevojshëm ndërrimin e dritareve. Vizita në shkollën e mesme teknike është shfrytëzuar për të parë edhe realizimin e projekteve tjera në afërsi të shkollës. Është paraparë që në të gjitha shkollat ku ka nevojë të ndërrohen dritaret aty do të intervenohet në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet sa më mirë.

———————-

Nxënësi preshevarë Shpresim Sadiku zuri vendin e parë për klasat e dhjeta në garat shtetërore të Kosovës nga lënda e matematikës të organizuara në Prishtinë. Përkundër konkurrencës mjaftë të madhe që ishte nga të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, Shpresimi u radhit i pari në listë duke grumbulluar më së shumti pikë. Në mënyrë solemne të hënën kryetari i shoqatës së matematikanëve të Kosovës, Qëndrim Gashi ka ndarë çmimin të cilat dedikoheshin për fituesit e këtyre garave. Sipas organizatorëve ditëve në vazhdim nga pesë nxënës prej çdo klase të viteve të para, dyta, treta dhe të katërta të shkollave të mesme që ishin fitues të këtyre garave do tu nënshtrohen testeve kualifikuese për pjesëmarrje në garat me karakter ndërkombëtarë. Në bazë të kritereve do të bëhet përzgjedhja e gjashtë nxënësve më të mirë të cilët do të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në garat që organizohen në Argjentinë. Vlen të përmendet se sukseset nuk i kanë munguar Shpresimit edhe në garat komunale dhe regjionale që u mbajtën pak ditë më parë në Vllaçki Han ku zunë vendin e parë.

———————–

Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, dje ka marrë pjesë në Forumin e parë ekonomik ndërkombëtar në Prishtinë, me temë “Kosova, shtet i artë për investime”, si pjesë e projektit “Javët e biznesit kombëtar” – “100 vjet shtet shqiptarë”. Ky forum është mbajtur nën organizimin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, ndërsa morën pjesë institucione të 5 shteteve ku jetojnë shqiptarët, ambasador e biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali Zi, Kosova Lindore dhe shtete tjera. Hapjen e forumit e bëri kryetari i AKB-së Agmim Shahini, cili tha se forumi ka për qëllim prezantimin dhe njohjen e bizneseve nga të gjitha hapsirat si dhe prezantiumin e mundësive për investime të huaja. Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa paraqiti edhe mundësitë që ofron komuna e Preshevës si për investitorët e huaj ashtu edhe shqiptarë në shumë segmente të ekonomisë. Për shkak të etnitetit që jetonë në Luginën e Preshevës, Serbia anashkalon në cdo fushë shqiptarët duke i diskriminuar edhe ekonomikishtë. Zv/kryeministrja e Qeverisë së Kosovës dhe minitrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila, prezantoi mundësinë e investime të huaja në shtetin e Kosovës, dhe agjendën e Qeverisë kosovare për ekonomi. Më pas kanë folur për investime edhe Valon Saraqini, ministër i Ekonomisë së Maqedonisë, Islam Lauka, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ibrahim Gashi, zv.ministër i Punëve të Jashtme, Nenad Rashiq, ministër i Punës. Në këtë forum u mbajtën edhe takimet B2B mes bizneseve ku bizneset shkëmbyen informacione më njëri tjetrën dhe arritën bashkëpunime në fushat ku ata punojnë.

———————-

Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë arritur marrëveshjen me Trupin Koordinues marrëveshjen për shfrytëzimin e 60 milion dinarëve të parapara me Buxhetin e Trupit Koordinues për subvencione ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të biznesit lokal. Sipas marrëveshjes së arritur, ndërmarrjet e Bujanocit do të kenë mundësi të shfrytëzojnë 26 milion dinarë, të Preshevës 22 dhe ato të Medvegjës 12 milion dinarë. Programi që është hartuar nga Oda Tregtare e Serbisë, do të duhet të kalojë edhe nëpër resoret e ministrive përkatëse, ndërkohë që të njëjtin Program, të enjten më 15 prill duhet ta aprovojë edhe Qeveria e Serbisë. Pas aprovimit të tij, Trupi koordinues do të shpallë konkurs në të cilin do të përcaktohen kushtet e pjesmarrjes së të gjithë të interesuarve. Kjo, sipas propozimit të Odës Tregtare, duhet të jetë vetëm një nismë e vogël, ndërkohë që qeveria, sipas propozimit të saj, duhet të aplikojë Programe më serioze për ndihmë biznesit të këtyre komunave.

——————–

Komisioni Zgjedhor komunal ne komunën e Preshevës ka deklaruar, se deri tani pesë parti kanë dorëzuar në këtë komision listat me nënshkrimet e nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 6 majit. Sipas kryetarit të këtij komisioni Zeqrija Myftari, listën zgjedhore me 1200 nënshkrime e kanë dorëzuar Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës, Bashkimi Demokratik i Luginës e Skender Destanit, Partia Liberal Demokrate e Çedomir Jovanoviqit me 420 nënshkrime, Unioni Demokratik Shqiptarë i Rahmi Zylfiut dhe Rilindja Demokratike, Ramiz Latifi. Myftari ka deklaruar po ashtu se në zgjedhje do të marrin pjesë edhe disa subjekte të tjera shqiptare, siç janë PVD, LKSH dhe partitë e bllokut serb. Afati për dorëzimin e këtyre nënshkrimeve sipas Myftarit është deri më 20 prill, atëherë kur edhe mbyllen listat zgjedhore për pjesëmarrje në zgjedhje. Ndërkaq, sa i përket grumbullimit të nënshkrimeve në komunën e Bujanocit, listat i kanë dorëzuar PVD e Riza Halimit si dhe Partia Demokratike e Nagip Arifit që në afat rekord kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshëm për zgjedhje. Aktivitet tjetër parazgjedhor është duke u zhvilluar edhe në grumbullimin e nënshkrimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të marrin pjesë katër partitë politike shqiptare – PVD, LPD, BDL dhe UDSH. Për pjesëmarrje në këto zgjedhje nevojitet grumbullimi i 10 mijë nënshkrimeve të vërtetuara paraprakisht në gjykatën komunale respektivisht para organit të kësaj gjykate. Burimet tona bëjnë të ditur, se partitë shqiptare deri tani kanë grumbulluar rreth gjysmën e këtyre nënshkrimeve. Sipas agjencisë kosovalindore aktivitetet në këtë drejtim për këto zgjedhje po zhvillohen me vështirësi sepse qytetarët nuk janë shume të interesuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje parlamentare serbe, sepse mund të fitojnë më së shumti një vend të deputeti në parlamentin serb si dhe për shkak të bojkotimit të këtyre zgjedhjeve nga partia më e madhe e Preshevës, Partia Demokratike Shqiptare.
————–

Në zgjedhjet lokale në komunën e Preshevës sa i përket listës serbe tani për tani është konfirmuar zyrtarisht vetëm një koalicion, koalicioni Fushëgropa e Preshevës për Serbinë e bashkuar Ivica Dacic. Deri më tani janë të inkuadruar vetëm Partia Socialiste e Serbisë, Partia Radikale Serbe, Partia Socialdemokrate e Serbisë e Rasim Lajiq, Serbia e bashkuar dhe Partia e Pensionerëve të bashkuar të Serbisë. Gjatë kësaj kohe po bëhet grumbullimi i nënshkrimeve për këtë koalicion. Ndërsa sa i përket partive të tjera si Partisë Demokratike, Partisë Demokratike të Serbisë, partisë së Tomisllav Nikolliqit dhe Serbisë së re akoma nuk dihet zyrtarisht se a do të ketë koalicion tjetër apo do të shkojë një listë e përbashkët për përfaqësim në zgjedhjet lokale në komunën e Preshevës.

——————–

Borislav Stefanovic, shef i Delegacionit të Serbisë ka deklaruar se bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi dhe formimit të qeverisë së re. “Jemi në kontakte të vazhdueshme me ndërmjetësin e BE-së në dialog, Robert Cooper. Konsultimet po vazhdojnë, edhe pse nuk ka takime zyrtare në Bruksel. Ne jemi të gatshëm që sa më shpejt të arrijmë marrëveshje për çështjet tjera të hapura, sapo të rinisë dialogu”, ka thënë Stefanovic, për gazetën “Novosti”. Sipas gazetës “Novosti”, pauza e dialogut mund të zgjasë deri kah gjysma e shtatorit, sepse atëherë mbaron afati i fundit kohor, kur parlamenti i ri, që konstituohet më 11 qershor, të zgjedhë qeverinë e re. Në raundet e ardhshme është kërkuar që të zgjidhen çështjet si telekomunikacioni dhe energjia. Deri më tash janë zhvilluar nëntë raunde të bisedimeve, në të cilat janë arritur shtatë marrëveshje.

———————-

Presidenti serb Boris Tadiq dha dorëheqjen. Me këtë ai hap rrugën që më 6 maj të mbahen zgjedhjet e përgjithshme: presidenciale, parlamentare, krahinore (për Vojvodinën) dhe lokale në Serbi. Boris Tadiq me dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë ka shkurtuar mandatin e tij në këtë post për një vit dhe i ka hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme me 6 maj. Vendimin për dorëheqjen Tadiqi e bëri të ditur të mërkurën. Pritet që ai të enjten të takohet me kryetaren e parlamentit Sllavica Gjukiq – Dejanoviq, e cila do të ushtrojë këtë post deri në zgjedhjen e një presidenti të ri. Sllavica Gjukiq – Dejanoviq duhet të vendosë edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. Sipas ligjit për zgjedhjen e presidentit, kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet brenda 30 – 60 ditë nga dorëheqja e presidentit aktual. Tadiq tha se, sipas mendimit të tij, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale me 6 maj “do të ishte zgjidhja më racionale”. Por ai shtoi se “nuk do të përzihet në punët dhe kompetencat e ushtrueses së detyrës së presidentes”. Boris Tadiq bëri të ditur se do të ri kandidoj për postin e presidentit dhe do të vazhdojë angazhimet për integrimin evropian dhe ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch