Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 6 Dhjetor 2012

RTP lajmet 6 Dhjetor 2012

Doganierët në stacionin hekurudhor të Preshevës në bashkëpunim me policët kufitar kanë zbuluar tentim të tetë emigrantëve ilegal që të kalojnë kufirin, njofton policia. Këta emigrant janë zbuluar në dy vagonë me mallra që po vinte nga Greqia drejt Evropës perëndimore. Pesë afgan, një nga Bangladeshi dhe një pakistanez ishin fshur pas konzervave me komposto që kishin destinacion Austrinë.
—————-
Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc, është njëra nga institucionet në Serbi e cila nga ambasada Japoneze ka përfituar një vit e gjysmë më parë, aparatin e mamografisë, mirëpo ky aparat nuk është në funksion. Arsyeja e mos funksionimit të këtij aparati është pasi nuk ka personel të trajnuar për përdorimin e tij. “Problemi është se nuk kemi personel të trajnuar. Aparati gjashtë muaj ka qëndruar në pako, pastaj kemi angazhuar mjek nga Vranja të cilët paguhen sipas marrëveshjes”, thotë për Median e Jugut, Dr. Nebojsha Stojanoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc, transmeton Titulli. Sipas fjalëve të tij problemi është se edhe pas një viti, që nga marrja e aparatit të mamografisë, nuk dinë se cilin radiolog duhet dërguar për trajnim në përdorimin e mamografisë. Pacientet presin nga një muaj për të bërë kontrollin, dhe sipas fjalëve të drejtorit të këtij institucioni, për gjashtë muaj janë ekzaminuar vetëm 150 pacientë.
—————
Me rastin e ditës Ndërkombëtare të volunterëve, pjesëmarrësit e YouthBuild programit kanë ndarë ndihma të cilat janë mbledhur gjatë një aksioni humanitar. Grupi multietnik prej 47 të rinjve që merr pjesë në programin e YouthBuild të cilën e realizon Iniciativa Qytetare (Gradjanska Iniciativa), ka filluar aksionin e grumbullimit të ndihmave humanitare për qendrën kolektive “Salvatore”, shkruan Jugpress. Së bashku me qendrën për të rinj (AWO) nga Bujanoci janë grumbulluar 48 pako me ndihma humanitare gjatë një jave aksion. Pakot janë ndarë në ditën ndërkombëtare të volunterizimit në mënyrë që të vetëdijësoj angazhimin e bashkësisë për të bërë mirë si dhe tërhequr vëmendjen rreth banorëve të qendrës kolektive në Bujanoc. Aksioni për mbledhjen ndihmave humanitare do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pjesëmarrësit e gjeneratës së dytë të programit YouthBuild vazhdojnë me aksionet e tyre në bashkësitë lokale. Kjo organzatë, këtë vjeshtë ka filluar rekonstruimin e parkut të qytetit në Bujanoc, kurse vitin e kaluar me ndihmën e bashkësive kanë ndërtuar 11 shkallë për personat me aftësi të kufizuara dhe kanë ngjyrosur rrethojat e shkollave në Preshevë dhe Bujanoc.
————-
Vetëm disa orë pasi në takimin e tretë në kuadër të dialogut në nivel të lartë teknik me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi kishte arritur përparim në normalizimin e raporteve me Prishtinën, kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka befasuar një numër të mirë të zyrtarëve evropianë dhe të diplomatëve të huaj në një konferencë në Bruksel, duke thënë se ka keqësim të raporteve të Serbisë me Kroacinë. Për ata diplomatë ishte befasi të dëgjonin se kryeministrit aktual në Serbi po i shkon më mirë bashkëpunimi me ish-armikun e tij të luftës, Hashim Thaçi, sesa me Qeverinë e Republikës së Kroacisë, shkruan “Koha Ditore”. “Mes Serbisë dhe Kroacisë është krijuar akull. Marrëdhëniet tona janë duke u keqësuar. Nuk e di a mos është arsye për këtë fakti se Kroacia së shpejt do të bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Dacic. Ai për këtë ka fajësuar edhe vendimet e fundit të Tribunalit të Hagës për të liruar së pari dy gjeneralët kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, e pastaj edhe ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Me ton shumë pozitiv ka folur për raportet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke fituar duartrokitje të shumta pas shpjegimit se si ai dhe Thaçi kanë ardhur deri te ideja që të ndërtohet autostrada Prishtinë-Nish me para të BE-së. “Gjatë një takimi në prani të baroneshës Ashton, unë e pyeta Thaçin: pse nuk bëjmë ne një projekt të përbashkët në interes të qytetarëve tanë? Përmendëm autostradën që do të lidhte Prishtinën dhe Nishin. Ai propozoi që kjo të financohej nga Bashkimi Evropian. Ashton pastaj na tha se unë dhe Thaçi jemi bërë bashkë kundër saj! Unë i thash se pasi kërkojnë që ne të bashkëpunojmë, atëherë duhet edhe të paguajnë për këtë”, shpjegoi Dacic në konferencën për Ballkanin.

————–
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka theksuar se katër kalimet në mes Kosovës dhe Serbisë do të funksionalizohen deri në fund të vitit. Daçiq po ashtu ka bërë të ditur se detyrimet doganore, për mallrat për serbët e veriut nuk do të paguhen në vendkalimet që do të hapen në veri. Sipas kryeministri serb, qytetarët serbë të cilët jetojnë në pjesën veriorë të Kosovës nuk do pajisen me dokumente dhe targat e Kosovës. “Ky ishte një kusht i qeverisë serbe në mënyrë që të fillojë zbatimi i marrëveshjes dhe ne u pajtuam për këtë çështje”, ka thënë Daçiq. Ai vuri në dukje se dy vendkalime në mes Kosovës dhe Serbisë do të hapën me 10 dhjetor, ndërsa dy të tjera do të fillojnë të punojnë në fund të muajit. Daçiq ka thënë se kërkesa e Prishtinës ishte që serbët e Kosovës t`i përdorin targat e Kosovë, në mënyrë që të pajisen me shtetësinë e Kosovës, por që kjo ishte refuzuar nga pala serbe.
————–
Debati publik i prezantimit të studimit mbi vlerësimin e ndikimit në ambientin jetësorë të projektit Eksploatimi i mermerit në mihjen sipërfaqësore Kodra Ilincë, komuna e Preshevës do të mbahet më datë 27 dhjetorë 2012 nga ora 13.00 në sallën e konferencave në Preshevë.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch