Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 6 gusht 2012

RTP lajmet 6 gusht 2012

Rikthehen edhe njëherë temperaturat e larta mbi normalen. Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik, ditët më të nxehta janë e hëna, e marta dhe e mërkura, ndërsa temperaturat do të shkojnë deri mbi 43 gradë në hije. Pas të mërkurës, temperaturat do të shënojnë rënie graduale. Në Kosovë, temperatura më e lartë pritet të arrij të martën ndërsa Gjilani duket se do e përjetojë më shumë se çdo qytet tjetër nxehtësinë. Temperatura maksimale në Gjilan pritet të arrijë deri ne 43 gradë celsius. Alarmin për temperaturat e larta e ka dhënë sot edhe Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë, e cila përveç këshillave për qytetarët, ka njoftuar se spitalet janë të gatshme për sigurimin e mbrojtjes shëndetësore ndaj rritjes eventuale të numrit të pacientëve për shkak të ndikimit të temperaturave të larta. Në Maqedoni, temperaturat pritet të arrijnë kulmin të martën, ku temperatura në Kumanovë pritet të shkojë deri mbi 43 gradë në hije ndërsa në Shkup deri në 42 gradë celsius. Pas të mërkurës do të ketë ulje me 4-5 gradë të temperaturave, e në disa vende edhe vranësira me rreshje lokale të izoluara, por sërish temperaturat mbeten të larta. Në këto ditë të nxehta gushti, rekomandohet që të moshuarit, të semurët kardiake dhe femijët të mos ekspozohen në diell dhe të konsumojne sa më shumë lëngje për të evituar dehitratimin e trupit
————————-
Persona të panjohur kanë sulmuar me gurë trenin e linjës Shkup – Tabanoc. Sulmi me gurë, jozyrtarisht mësohet se është bërë nga tre persona dje në orët e mëngjesit në stacionin e trenave në Kumanovë. Policia bëri të ditur se nga ky sulm janë shkaktuar dëme materiale, me c`rast është thyer xhami i derës hyrëse të vagonit të trenit. Në këtë incident nuk ka pasur të lënduar.
——————

Është mbajtur seanca e VII e Këshillit Komunal të Komunës së Preshevës me 8 pika për rend të ditës. Shqyrtimet dhe miratimet e raporteve gjashtëmujore të punës të shërbimit për ekonomi dhe financa, shërbimit për punë të inspekcionit, shërbimit për veprimtari shoqërore dhe shërbimit për urbanizëm ishin katër pikat e para të cilat morën kohën më të madh të kësaj mbledhje. Të gjitha këto pika u shqyrtuan gjerësisht dhe në fund me disa propozime dhe vërejtje ato u vOtuan me të gjitha votat e anëtarëve të këshillit komunal. Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa mbledhjen e sotme e quan mjaftë konstruktive, ashtu edhe raportet e kryeshefave të shërbimeve përkatëse. Po në këtë seancë u zgjodhë edhe kryeshefi i administratës komunale, ndërsa u morë vendimi që të hapet konkursi për zv/kryeshef të administratës. Tash e tutje administratën e komunës së Preshevës do ta udhëheqë Muhamed Abdullahu. Ndërsa në fund u shqyrtuan edhe kërkesat e qytetarëve të komunës së Preshevës drejtuar këshillit komunal, ndërsa ato që kanë qenë të arsyeshme janë pranuar nga anëtarët e këshillit komunal, ndërsa ato që kanë qenë në mungesë të dëshmive janë refuzuar.

—————-
Problemet e mërgimtarëve nuk kanë të ndalur. Përveç se kanë pengesa të shumta për të pritur nga katër orë në pikën kufitare, në Merdare, atyre së fundmi u është kërkuar edhe haraç për të kaluar kufirin. Megjithëse disa prej mërgimtarëve nuk kanë dashur të deklarohen para kamerave, ata kanë pranuar se doganierët serb u kanë kërkuar deri në 50 euro për të kaluar kufirin. “Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka theksuar se ai ka reaguar tek zyrtarët e BE-së për këtë çështje. Ai u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë kalimit në territorin e Serbisë.

————————

Nëse një mysafirë nga Kosova do të vinte në Preshevë ai do të merr një përshtypje shumë negative pasi në periferi të qytetit mbeturinat janë pasqyra e parë që shfaqet. Kësaj pandërgjegjshmërie qytetare i shtohet edhe neglizhenca e inspekcionit, të cilët nuk arrin ti ndalin këta qytetarë, të cilët hedhin mbeturina vend e pa vend. Në këto deponi ne sot kemi hasur mbeturina duke nisur nga materialet ndërtimore, veshmbathje, kafshë të ngordhura dhe shumë çka që të lë pa koment. Por deponi të egra sot mund të gjesh në çdo fshat, ku aty gjelbërimi dominon për erërat e bëjnë të pamundur qëndrimin në ato hapësira. Për veç vetëdijesimit qytetar, këto dukuri negative mund ti parandalojnë edhe gjobat e larta, të cilët do të aplikoheshin ndaj çdo ndotësi të ambientit.

——————-
Shoqata e Shqiptarëve të Kosovës Lindore “Vatra”, ka paralajmëruar institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtar se nëse do të ketë dialog politik për veriun e Kosovës, atëherë në këtë dialog domosdoshmërisht duhet të përfshihet edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës). Paralajmërimet për fillimin e dialogut politik në mes Kosovës e Serbisë, kanë alarmuar jo vetëm faktorin politik në Kosovë, por edhe tek shqiptarët brenda kufijve administrativ të Serbisë. Shoqata “Vatra”, përmes një kumtese, ka paralajmëruar institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtar se nëse veriu i Kosovës cilësohet si problem politik, atëherë edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) duhet të cilësohet si e tillë. “Populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, nga bisedimet e deritashme në mes Kosovës e Serbisë ka përvoja të hidhura, sepse çështja e pazgjidhur e tyre ka mbetur prapa dyerve të Rambujesë, Vjenës e takimeve tjera duke e lënë që ajo popullatë të diskriminohet e nëpërkëmbet nga pushteti serb duke i shkelur kështu të gjitha konventat ndërkombëtare të popujve për të jetuar të lirë”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga “Vatra”. Duke pasur parasysh frikën se Kosova Lindore përsëri do të mbetet jashtë agjendës, “Vatra” kërkon nga institucionet e Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar që në bisedimet eventuale Kosovë-Serbi, çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të jetë domosdoshmërisht pjesë e këtyre bisedimeve, duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.“ Çdo alternativë tjetër, stimulon fillim të problemeve të rajonit, sepse, në një anë duke i favorizuar serbët e Kosovës e në anën tjetër duke mbajtur të pushtuar dhe duke i diskriminuar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës i ofendon e frustron, prandaj ai (populli shqiptar) edhe në të ardhmen, si gjithë herë do të kërkojë më ngulm, që e drejta e popujve për vetëvendosje të realizohet edhe te populli shqiptar i këtij rajoni. Moszgjidhja e të drejtave të popujve në këto hapësira në mënyrë të njëjtë, e në këtë rast e shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjegjës do të jenë ata që vendosin në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga kryetari i “Vatrës”, Sejdulla Kadriu. Sipas “Vatrës” populli shqiptar i Kosovës Lindore është përcaktuar për bashkangjitje me trungun e vet- Kosovën në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe Deklaratën Politike të Këshilltarëve të tri komunave.
———————-
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, i ka thënë kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se Shtetet e Bashkuara i gëzohen bashkëpunimit me Qeverinë e re, të bindur se e ardhmja e saj do të jetë në Bashkimin Evropian. Në bisedën telefonike, Burns i ka thënë Daçiqit se “SHBA-ja pret përparimin e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane, vazhdimin e reformave dhe rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në dialog me Prishtinën”, ka njoftuar kabineti i Qeverisë serbe. Daçiq, në anën tjetër, ka shprehur bindjen se ndërtimi i bashkëpunimit të mirë me SHBA-në është “prioritet i Qeverisë së Serbisë”. Ai ka deklaruar se Serbia dëshiron të vazhdojë rrugën evropiane, e cila, siç është shprehur, nënkupton harmonizimin e legjislaturës serbe me atë të BE-së, ashtu si edhe dialogun me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga qeveria paraprake. “Serbia do që të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka thënë Daçiq, duke nënvizuar se vendi i tij është i gatshëm të ndërtojë bashkëpunim më të fortë me SHBA-në në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Parlamenti i Serbisë ka zgjedhur qeverinë e re me në krye socialistin Ivica Daçiq më 27 korrik.

——————

Tre fish më shumë shtetas serbë kanë kërkuar azil në Zvicër, krahasuar me 6 muajt e një viti më parë, ose plot 965 sish! 965 shtetas të Serbisë kanë kërkuar azil në Zvicër vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ky numër është sa trefishi i periudhës së njëjtë të një viti më parë. Një numër tepër i madh për një vend dhe një regjion, si Ballkani, që Zvicra dhe BE ka kohë që e ka futur në kategorinë e “vendeve të sigurta”. Kjo gjendje, kur duke e ditur se shanset për të fituar azilin për këta persona janë të barabarta me zero, kanë shtyrë drejtorin e Zyrës Federale për Migracion, Mario Gattiker të kërkojë veprim të shpejtë. Trajtimi me procedurë të shpejtuar i lëndëve të shtetasve të Serbisë do të ishte një hap i duhur në këtë drejtim, ka thënë Gattiker për gazetën “SonntagsBlick”. Një masë tjetër frikësuese që ka propozuar Gattiker është vendosja e ndalesës për hyrje në Zvicër të një kategorie të përkufizuar qartë të personave. Kështu, nuk do të kishin të drejtë të hyjnë në procedurë të azilit njerëzit që kanë ardhur më parë pa vizë në Zvicër, kanë bërë një kërkesë azili këtu dhe për të cilët është dëshmuar se kanë marrë ndihma sociale në mënyrë abuzive. Kjo ndalesë do të duhej të praktikohej edhe nga vendet tjera të Zonës së Schengenit.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch