Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 6 Shkurt 2015

RTP lajmet 6 Shkurt 2015

–          Helmohen një numër i nxënësve gjimnazistë në Preshevë

–          Konfiskohen 710 kg duhan në Vranjë

–          Qeveria e Serbisë e ka angazhuar shtëpinë konsulente “Tony Blair Associates”

–          Vendimi i Listës Serbe do të merret javën tjetër

———————————-

RTP logoNë orët e vona të pasditës së djeshme, nxënës të fshatrave Geraj, Leran, Bushtran dhe Golemi Doll, që mësojnë në gjimnazin Skenderbeu dhe në shkollën e mesme teknike Presheva në Preshevë, pas përfundimit të orëve mësimore, janë nisur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Me të hypur në autobusin i cili ata i bartë për në shkollë dhe anasjelltas, një person, me një spray që ka poseduar dhe i cili ka qenë së bashku me nxënësit e tjerë, ka lëshuar përmes sprejit një substancë e cila ka shkaktuar së pari frigë tek nxënësit. Menjëherë është lajmëruar ekipi i Ndihmës së shpejtë në Preshevë, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe i ka sjellë të gjithë nxënësit në shtëpinë e shëndetit. “Nxënësit janë sjellë me të vjella, vështirësi në frymëmarje dhe kishin frigë të madhe. Ne intervenuam, të gjithë duke i dhënë ndihmën e parë, deri sa të gjithë pacientët janë shtrirë në repartin e gjinekologjisë” ka deklaruar  Dr. Beqir Nuhiu. Sipas dr Beqirit, të gjithë nxënësit janë mirë, atyre u është dhënë ndihma e duhur dhe ata rreth orëve të mesnatës janë lëshuar në shtëpi.

—————————————————–

 

Siç kemi arritur të mësojmë nga vetë nxënësit, ata rrëfejnë se nga nxënësit që kanë qenë në autobus, njëri nga ta, ka lëshuar një spray në autobus i cili ka shkaktuar edhe helmimin e nxënësve që janë të shkollave të mesme që po ktheheshin nga Presheva drejt shtëpive të tyre pas përfundimit të orarit mësimor. Pranë nxënësve kanë qëndruar edhe prindërit e fëmijëve të cilët kanë qenë të shqetësuar me rastin në fjalë. Personi i cili helmoi nxënësit me spray, është arrestuar nga policia dhe po mbahet në paraburgim për hetime të mëtutjeshme.

——————————————-

 

Nga 188 ndërmarrje në Serbi të cilat janë në listën për falimentim, për 76 që nuk kanë asnjë të punësuar, falimentimi ka filluar dhe do të përfundojë në dy muajt e ardhshëm. Pjesa më e vështirë e punës është fillimi i këtij procesi edhe në ndërmarrjet në të cilat janë të punësuar gjithësej 5.000 punëtorë, pasi para falimentimit duhet të fillohet me programin social. Me vendim të Qeverisë së Serbisë edhe ndërmarrja “Proleqe” nga Bujanoci është në listën që ka filluar aplikimi i falimentimit. Këtij procesi si dhe privatizimit për momentin i ka shpëtuar stacioni i veterinarisë në Bujanoc, raporton portali informativ titulli.com. Siç është paralajmëruar nga Qeveria e Serbisë, programi social do të duhet të aplikohet në 60 ditët e ardhshme, ndërsa pagesa për largimin nga puna do të jetë 200 euro për një vit shërbim tek punëdhënësi i fundit, respektivisht shuma maksimale që mund të fitohet nga ky program social është 8.000 euro.

———————————————-

Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë konfiskuar në Vranjë rreth 710 kilogram të duhanit të grirë dhe një sasi të madhe të letrës me filtër, të cilat nuk kishin dokumente përcjellëse. Në kumtesën e Policisë thuhet se duhani me letrën për filtër janë gjetur në bodrum të një shtëpie si dhe në një garazh në Vranjë. Me urdhër të zëvendës prokurorit të Gjykatës themelore në Vranjë, kundër të dyshuarit do të ngritet kallëzim penal me procedurë të rregullt, nën dyshimin se ka kryer vepër penale, tregti e paligjshme.

———————————————-

Qeveria e Serbisë e ka angazhuar shtëpinë konsulente te Tony Blair-it për ndihmë në formimin e ekipeve të ekspertëve në kabinetin e kryeministrit, Aleksandar Vuçiq. Shpenzimet e këtyre shërbimeve do të paguhen nga fondi i Emirateve të Bashkuara Arabe, raporton “Danas”, transmeton Indeksonline. Qeveria e Serbisë e ka marë nga organizata “Tony Blair Associates” modelin e punës te kabinetit qeveritar i cili funksionon përmes “delivery unit”, respektivisht personave ose ekipeve të cilat janë të ngarkuara me përmbushjen e qëllimeve në fusha të ndryshme dhe për ndërlidhjen e të gjitha institucioneve të cilat janë të angazhuara në projekte të njëjta. Të kujtojmë se ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair që nga viti 2013 bashkëpunon edhe me Qeverinë e Shqipërisë, duke e këshilluar atë lidhur me procesin e integrimeve evropiane.

———————————————Vendimi nëse përfaqësuesit e Listës Serbe do të vazhdojnë qëndrimin e tyre në Qeverinë e Kosovës, si pjesë përbërëse e koalicionit me PDK-në dhe LDK-në, do të merret javën tjetër. Përfaqësues të këtij subjekti kanë konfirmuar se një vendim i tillë është marrë pas konsultave të zhvilluara të enjten me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, shkruan sot ‘Koha Ditore’. Së pari pritet vazhdimi i dialogut më datën 9 shkurt në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe më pas LS-ja do të bëjë publike vendimin e saj, për qëndrim apo largim nga Qeveria e Kosovës. “Kemi pasur një takim të dobishëm me përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, ku kemi diskutuar për zhvillimet e fundit. Lista Serbe për dallim prej akterëve të tjerë politikë në Kosovë nuk merr vendime të nxituara, por mundohet që së pari të analizojë ndikimin e mundshëm në terren dhe asisoj të veproj. Pra, vendimet e saj nuk i bazon as në presionin medial apo të protestave të dhunshme, por pikësëpari mbi vlerësimet se si ato mund të ndikojnë në situatën reale në terren. Prandaj është vendosur që lidhur me zhvillimet e fundit të zhvillojmë edhe një takim tjetër javën e ardhshme me zyrtarët e Qeverisë së Serbisë dhe të dalim me një vendim të matur”, ka thënë për “Kohën Ditore”, Aleksandar Jablanoviq, ish-ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Serbisë. Sipas tij, angazhimi aktual i Listës Serbe është ndërtimi i raporteve të qëndrueshme në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress