Home » Lajme » RTP lajmet 7 janar 2012- Mustafa: serbët e veriut të Kosovës janë vonuar me referendumin e tyre; Tadiq: “lehtë mund të bëhet gabimi i cili nuk mund të korrigjohet pastaj me vite të tëra…

RTP lajmet 7 janar 2012- Mustafa: serbët e veriut të Kosovës janë vonuar me referendumin e tyre; Tadiq: “lehtë mund të bëhet gabimi i cili nuk mund të korrigjohet pastaj me vite të tëra…

Qytetarët e Preshevës gjatë tërë ditës së sotme ballafaqohen me mungesë uji për pije, shkak I mos pasjes së ujit është tensioni I ulët i rrymës që përçojnë ujin motorët kryesorë. Deri në këto momente qytetarët tanë edhe më tutje janë në mëshirën e punëtorëve të Elektrodistribucionit në Preshevë dhe Vranjë të cilët nuk kanë marrë kurfarë mase për të evituar këtë problem, përkundër kërkesës së vazhdueshme që I është bërë nga ana e drejtorit të Ndërmarrjes Publike Moravica, Naser Sadiku. Sipas drejtorit Sadiku punëtorët e kujdestarisë së Distribucionit në Preshevë duhet të bëjnë ndërprerjen e rrymës për pak minuta në mënyrë që të mundësojnë rritjen e tensionit dhe të stabilizohet gjendja e furnizimit me ujë për banorët tanë. Ndërprerja e rrymës sipas procedurave duhet të bëhet me lejen e distribucionit në Vranjë, çështje kjo që nuk po lejohet nga dispeçeri kryesorë. Sipas zyrtarëve të elektrodistribucionit në Vranjë tensioni I rrymës do të stabilizohet vetvetiu. Drejtori I NP Moravica përmes televizionit tonë fton përgjegjësit që sa më shpejtë të marrin masat e duhura dhe të evitojnë problemin në fjalë.

—————————————

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka deklaruar se serbët e veriut të Kosovës janë vonuar me referendumin e tyre dhe ai tani nuk ka kurrfarë kuptimi. “Shqiptarët e Luginës së Preshevës këtë e kanë përfunduar para 20 viteve. Shqiptarët me referendum janë deklaruar për të drejtat e tyre bazë të konventave ndërkombëtare. Referendumi i serbëve të Kosovës së veriut nuk ka kurrfarë kuptimi, pasi koha më në nuk është për referendum, ata duhet të përcaktohen dhe të thiren në Planin e Ahtisarit i cili rregullon të drejtat e serbëve në teritorin e Republikës së Kosovës” ka thënë Mustafa. Kryetari i komunës deklaroi gjithashtu se në politikën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës “nuk dotë ndikojë aspak referendumi që do të mbahet në veri të Kosovës nga ana e serbëve.
—————————

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, me rastin e referendumit të paralajmëruar të serbëve në veri të Kosovës, ka thënë se “lehtë mund të bëhet gabimi i cili nuk mund të korrigjohet pastaj me vite të tëra”, për të shtuar “nuk munden komunat t’i zgjidhin problemet e Kosovës”. Gjatë qëndrimit të tij në Manastirin e Deçanit, në një intervistë për televizionin Most, Tadic ka thënë se referendumi i paralajmëruar për shkurt është “shfaqje e nevojave të qytetarëve për të thënë edhe një herë se nuk i pranojnë të ashtuquajturat institucioneve të Kosovës, por kjo mund të vë në pikëpyetje interesat shtetërore”. “Hapësira jonë për manovrim në Kosovë është ngushtuar. Në këto rrethana, të gjitha institucionet dhe çdo komunë – jo vetëm në veri të Kosovës, por në tërë Serbinë – duhet të koordinojnë politikën me ato të pushtetit qendror shtetëror”, ka thënë Tadic, i cili përsëriti se nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, duke insistuar në “zgjidhjen që merr parasysh jo vetëm interesat serbe, por edhe të interesave kombëtare shqiptare”. “Në rrethanat e tilla duhet të gjejmë zgjidhjen që siguron mbijetesën e popullit tonë në njërën anë, e në anën tjetër edhe kredibilitetin e shtetit tonë”. Tadic tha se Serbia pozitën e saj e bazon në Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Serbisë, ndërsa pranon qëndrimin e fuqive të mëdha se është e pamundur ndarja e Kosovës. Serbia është në presion ndërkombëtar për shuarjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës. “Ky presion vjen nga ato vendet që janë me ndikim të madh dhe nga fuqitë e mëdha – anëtare të KS të OKB-së që e kanë njohur Kosovën dhe që duan që ky problem të shtrohet ad acta”, thotë Tadic. “Por, nuk do të pranojmë eliminimin e institucioneve tona, sepse, në qoftë se ne pranojmë një kërkesë të tillë, kjo do të thotë shpërngulje e popullatës sonë nga Kosova, e të njëjtën kohë do të thotë se nuk sigurohet shkollimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale”. Në pyetjen se cila ishte arsyeja kryesore se pse Serbia nuk e fitoi në dhjetor statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, Tadic tha se “po të pranonte që Serbia të heq dorë nga Rezoluta 1244 në përfaqësimin rajonal të institucioneve të së ashtuquajturës Kosovë e pavarur, Serbia me siguri do ta fitonte statusin.
———————–
Kryeshefi i policisë së Vranjës Slagjan Velinoviq ka mbajt konferencë të rregullt vjetore për të arriturat e policisë. Ai ka elaboruar shifrat e trafikimeve të njerëzve, ku sipas të dhënave zyrtare, kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë kanë kapur 61 raste, duke e krahasuar me vitin e kaluar, ka qenë për 8 herë më e madhe. Kryeshefi Velinoviq ka deklaruar se për një punë më efikase të policisë, ka mungesë të policëve, ku sipas tij mungojnë rreth 110 policë, edhe atë më së shumti në Komunën e Bujanocit, pastaj të Preshevës dhe atë të Bosilegradit. Ai ka deklaruar se policia është inkuadruar edhe në kontrollimin e vendkalimeve administrative, ku 5 janë në komunën e Bujanocit dhe të Preshevës, në pikat regjiolane dhe sektorin e trafikimit të njerëzve të shtetasve të huaj
—————–
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes mes Prishtinës e Beogradit u arrit për ta bërë më të lehtë jetën e banorëve të Kosovës dhe të Serbisë. Megjithatë, disa thonë se kjo marrëveshje po i bën gjërat më të vështira – financiarisht. Shtetasit e Kosovës që hyjnë në Serbi paguajnë 105 euro si sigurim për makinat e pasagjerëve në muaj, ndërsa kamionët dhe autobusët paguajnë 236 euro në muaj. Kamionët serbë që hyjnë në Kosovë paguajnë 160 euro për muaj për sigurim dhe makinat serbe të pasagjerëve paguajnë 120 euro në muaj. Sipas marrëveshjes, mbajtësit e dokumenteve të Kosovës janë në gjendje të udhëtojnë në Serbi për herë të parë që më 1999. Atyre që u duhej të udhëtonin përpara zbatimit të marrëveshjes më 26 dhjetor, duhet të merrnin leje të posaçme nga Ministria e Brendshme serbe, një procedurë kjo që kërkonte kohë. Eksperti i integrimit evropian, Alber Gashi, tha për SETimes se të dy ekipet e dialogut duhet të arrijnë një marrëveshje mbi skemën e sigurimit. “Mendoj se është jorealiste të detyrosh këtë çmim për sigurimin. Është i madh krahasuar me nivelet e pagave në të dyja palët. Megjithatë, çështja është rregulluar, pasi në të kaluarën shumë aksidente makinash ndodhnin dhe asnjë ndërmarrje sigurimi nuk mori përgjegjësinë për shkak të mungesës së skemave të sigurimit”, tha Gashi. Shefi i ekipit negociator të Serbisë, për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviq, tha se një marrëveshje teknike mes ndërmarrjeve në Serbi e Kosovë do të arrihet së shpejti, e cila do të lehtësojë njohjen e ndërsjellë të sigurimit. Nën ato kushte, për shembull, një makinë e siguruar në Serbi mund të përdoret në Kosovë pa pagesa shtesë. Qëllimi i masave nuk është të pengohen njerëzit nga lëvizja me çmime të larta”, tha Stefanoviq
———————

Megjithëse “lehtësuesi” i dialogut Kosovë – Serbi, Robert Cooper, ka përfunduar pushimin e fundvitit dhe është kthyer në Bruksel, gjërat rreth këtij dialogu kanë mbetur aty ku janë lënë vitin e kaluar. Pala serbe tek tani ka nisur pushimet për festën më të madhe fetare të serbëve, Krishtlindjet ortodokse, dhe ato praktikisht e bëjnë të pamundshme vazhdimin e dialogut në mesin e janarit, siç është raportuar këtyre ditëve. Ndërkohë ka vazhduar retorika e kushteve të vëna nga Beogradi për vazhdimin e negociatave. Borko Stefanoviq thotë se rikthimi në Bruksel varet nëse Prishtina e pranon Rezolutën 1244 si formë të prezantimit të Kosovës nëpër takimet rajonale. Zëdhënësi i zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Visar Xani, i ka thënë “Zërit” se “qëndrimi i Prishtinës është i qartë, ne asnjëherë nuk do ta pranojmë një kusht të tillë”. Në sipërfaqe, kjo të krijon përshtypjen e një bllokimi të pakalueshëm për vazhdimin e këtij dialogu, sidomos kur dihet sa e ndjeshme është tema e dialogut në kohë zgjedhjesh, që këtë vit janë paraparë të mbahen në Serbi. Ndryshe mendon komentatori i gazetës Politika, Bosko Jaksic. Ai vlerëson se “pikërisht për shkak se jemi në fazë fushate parazgjedhore, vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm”. Për të, dialogu do t’i krijonte argumentin e vetëm Tadicit për të kërkuar votat e serbëve, pasi ndryshe nuk do të kishte asnjë rezultat pozitiv të punës së tij. Një zyrtar i Këshillit të Ministrave të BE-së, i ka thënë Zërit në kushte anonimiteti se bllokimi i dialogut nuk është i mundshëm sepse zyrtarët serbë e dinë shumë mirë se çfarë duhet për fituar për statusin e kandidatit. Dialogu Prishtinë-Beograd po përdoret nga pushtetarët serbë që të fitojnë vota më shumë, mirëpo kjo ka edhe efektet anësore të vetat, vlerëson Jaksic. Sipas tij, rikthimi i Kosovës në retorikën ditore të skenës së politikës serbe i ka kontribuar edhe disa parti të vogla që të fitojnë elektorat.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch