Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 7 nëntor 2012

RTP lajmet 7 nëntor 2012

Shefja e Misionit të OSBE në Serbi Pola TiD , ndihmës ministri i punëve të brendshme Zhelko Kojiq dhe ndihmës ambasadori Gjermanisë Mihael Hasenau kanë nënshkruar në Sremska Kamenicë këtë donacion të cilin OSBE e ka ndarë për kandidatët e nacionaliteteve. E të rinjtë shqiptarë i kanë thënë RTP se ata tani kanë një mundësi më të mirë për ta kaluar këtë test. Gjatë vizitës studimore në kuadër të projektit “ Mbështetja e inkuadrimit të pakicave nacionale në shërbimin policor “ në qendrën studimore për trajnime policore në Sremska Kamenicë , të rinjtë nga Lugina kanë pasur mundësin të njihen me kushtet dhe funksionimin e kësaj qendre. Pas këtij testi ata do ti nënshtrohen edhe provimit pranues.

——————-

Sëmundja e autizmit është një çrregullim serioz dhe shumë kompleks i trurit të fëmijëve e që zakonisht karakterizohet me çrregullim në sjellje, në të folurit, komunikimit dhe në shoqëri, është shprehur kështu specialisti i psikiatrisë Fejzulla Nebiu, mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, në programin e paradites Për JU në Televizionin Presheva. Simptomat e para të kësaj sëmundjeje mund t’i kuptojmë në moshë shumë të vogël ndërsa mosha 5 vjeçare mund të jetë vonë për ta kuptuar çka do të thotë se këso lloj sëmundjesh evidentohen në çdo vend ka theksuar ai.

Është shumë e nevojshme edukimi i çifteve të reja të cilët duhet të mësohen me fazat e zhvillimit të fëmijës së tyre. Prandaj prindërit janë të parat ata të cilët shohin se fëmija i tyre po ngec madje kemi të bëjmë me kompleks simptomash që është shumë me rëndësi diagnostifikimi i hershëm, është shprehur kështu mjeku në fjalë. Sipas tij interesimi i prindërve është evident te ne mirëpo ka të bëjë me probleme të natyrave tjera. Në kuadër të bisedës së tij në programin tonë specialisti në fjalë u fokusua tek edukimi i prindërve që kërkon një durim jashtëzakonisht të madh sepse fëmijëve me sëmundjen e autizmit i mungon dashuria ndaj prindërve, pak komunikojnë me të tjerët dhe janë të ftohur nga të gjitha sferat emocionale .

——————

Përfaqësuesit e Këshillit për të Drejtat e Njeriut janë takuar të dje në Preshevë, me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Patrick Harvey nga Zyra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut nga Departamenti i Shtetit dhe Judith K. Lepuschitz, këshilltare politike në Ambasadën amerikane në Beograd. Gjatë takimit, përfaqësuesit e KDNJ-së njoftuan zyrtarët amerikan me gjendjen e tanishme të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kryetari i KDNj-së, Belgzim Kamberi dhe koordinatori i KDNj-së në Bujanoc, Ragmi Mustafi ritheksuan nevojën e përfaqësimit të të gjithë kombësive në kuadër të institucioneve shtetërore, nëpërmjet dinamizimit të procesit politik të inicuar më vitin 2002 si dhe nevojën e respektimit të të drejtave të njeriut nëpër institucionet publike të të gjitha niveleve. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rishprehën mbështetjen e tyre për veprimtarinë e KDNJ-së, si dhe gatishmërinë e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, thuhet në njoftimin e KDNj-së.

———————–

Harroje Dashurinë ishte shfaqja që e bëri publikun preshevar të duartrokas dhe të qeshë me komedinë që u luajt nga aktorët e Teatrit të Kombëtar të Komedisë Tiranë. Komedi kjo me autor dhe regji të Erion Kame, ndërkaq sa i përket brendisë ngjarja e kësaj komedie zhvillohet në ditët tona e ku u luajt mjaft bukur nga aktorët Shqipërisë.

Sa i përket aktorëve për ta ishte hera e parë që kishin ardhur në Preshevë dhe që performuan para publikut preshevar,e që premtuan se edhe viteve tjera do të sjellin për këtë publik shfaqje tjera. Për aktorin e mirënjohur Genci Fuga,Presheva nuk do të mbetet asnjëherë e harruar dhe e lënë anash nga kultura shqiptare,sipas tij Teatri i Shqipërisë do të mundohet që gjithmonë të sjellë shfaqje tek preshevarët. Edhe mbrëmë si si netët tjera u mbajt tryezë e rrumbullakët me debate për shfaqjen Harroje Dashurinë e udhëhequr nga dramaturgu Nebi islami,ku u vlerësua mënyra edhe aktrimi në skenë e kësaj Komedie. Ndërsa sonte do të mbahet shfaqja e fundit që përmbyll dhe edicionin e nëntë të Festivalit Ditët e Komedisë Shqiptare,në këtë mbrëmje do të prezantohet Teatri Bylis nga Fieri me shfaqjen Milioneri.

——————–

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Daçiq, sërish të takohen në Bruksel me ftesë të baroneshës, Catherine Ashton. Ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, për herë të dytë brenda pak javësh, të dy Kryeministrat kanë lënë për të kuptuar se pikëpamjet e tyre rreth mënyrës së normalizimit të marrëdhënieve nuk përputhen. Kryeministri Thaçi në Zagreb ka thënë se nuk do të diskutojë me Daçiqin për statusin e Kosovës. “Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë”, është shprehur Thaçi. Duke folur ndërkaq për temat e takimit, kreu i Qeverisë ka thënë se në rend të parë është zbatimi i marrëveshjeve paraprake të arritura në Bruksel. Temë tjetër që, sipas tij, duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente është fati i të pagjeturve. Kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë se e ka idenë e vet të zgjidhjes së problemit, por ka mohuar njohjen e pavarësisë. “Thaçi mund të deklarojë çka të dëshirojë. Është e pamundur që Serbia ta njohë pavarësinë e tillë të shpallur të Kosovës”, ka theksuar Daçiq. Ai ka thënë se Serbia është kundër normalizimit të marrëdhënieve, që nënkupton edhe arritjen e marrëveshjeve, por ka lënë të kuptohet se nga takimi i dytë me Thaçin nuk do të prodhojë ndonjë rezultat konkret.

—————–

Platforma për Kosovën do të jetë gati në ditët e ardhshme, ka thënë për mediat serbe, këshilltari i presidentit serb, Marko Gjuric. Ai ka potencuar se presidenti serb së shpejti do t’i thërras shefat e Grupeve parlamentare në Kuvendin e Serbisë, me të cilët do të bisedojë rreth parimeve të platformës për Kosovë. Gjuric ka thënë se nuk mund të përcaktohen korniza kohore për përgatitjen e platformës për Kosovë dhe se asgjë nuk bëhet “ad Hoc”. “Vendimet nuk duhet të merren në mënyrë të shpejt. Nuk na lejohet ta kufizojmë vetën. Në vazhdimësi do të përcjellim faktet që arrijnë. Është shumë e rëndësishme që këto bisedime duhet të përgatiten mirë”, ka thënë ai duke shtuar se platforma do të bëhet e ditur për publikun, por që disa detaje të cilat kanë të bëjnë me taktikën nuk do të zbardhen. Gjuric ka thënë që qeveria e mëparshme ka tërhequr hapa parcialë dhe se pozicioni i tanishëm negociues është më i pafavorshëm se sa sikur ato të mos ndodhnin fare

—————

Ka ardhur koha që në mes shqiptarëve dhe serbëve të arrihet marrëveshja historike, është kjo fjalia për të cilën pajtohen Beogradi, Prishtina dhe Brukseli. Të gjithë janë dakord se negociatat nuk do të jenë të lehta dhe BE-ja ka porositur si Beogradin ashtu edhe Prishtinën që të përgatiten për vendime të vështira. Për rëndësinë e kësaj çështjeje flet edhe fakti se ndërmjetëse në bisedime do të jetë vetë shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton. Zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic, tha për DW: “Me përvojën nga viti i kaluar dhe nga ditët e dialogut teknik e dimë se është fjala për negociata të vështira, për të cilat është i nevojshëm si vullneti politik, edhe vendimet e vështira. E qartë është se cili është kuptimi i këtij dialogu, konkretisht kapërcimi i pengesave në rrugën drejt BE-së, edhe për Serbinë edhe për Kosovën.” Nëse kemi parasysh se pas raundit të fundit të dialogut teknik dhe marrëveshjeve të arritura rreth përfaqësimit lokal të Kosovës dhe kushteve teknike për menaxhimin e përbashkët të vendkalimeve, Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit dhe Kosova ka hyrë në procesin e përgatitjes së marrëveshjes së stabilizim-asociimit, nuk është e pazakontë që mund dëgjohen njoftime se Serbia, menjëherë pas vazhdimit të dialogut, në muajin dhjetor mund të mendojë për një datë të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch