Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 8 Janar 2013

RTP lajmet 8 Janar 2013

Reciprociteti me Serbinë duhet të shtrihet edhe në respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Presheve, duke kërkuar nga autoritetet serbe që të mos ndërmarrin veprime për rrënimin e Lapidarit që nderon ushtarët e UÇPMB-së ka thënë kështu Ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Prishtinës, Rrustem Mustafa – Remi.

Ish komandanti i UÇK-së për rajonin e Prishtinës, Rrustem Mustafa – Remi, kërkon nga institucionet e Kosovës që të vazhdojnë reciprocitetin me Serbinë në të gjitha fushat dhe ka kërkuar nga autoritetet serbe që të mos ndërmarrin veprime për rrënimin e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa ka thënë se reciprociteti me Serbinë duhet të shtrihet edhe në respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Presheve, duke kërkuar nga autoritetet serbe që të mos ndërmarrin veprime për rrënimin e Lapidarit që nderon ushtarët e UÇPMB-së. “Kërkoj që mes shteteve tona të ketë reciprocitet të plotë, në të gjitha fushat.Po ashtu i bëj thirrje koordinatorit për bisedimet me Serbinë, Blerim Shalës dhe zëvendëskryeministres së angazhuar në dialogun teknik, Edita Tahiri, që të punojnë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare që t’ua sqarojnë autoriteteve serbe se logjika e rrënimit të lapidarëve nuk është rruga e duhur që ndihmon në realizimin e raporteve mes shteteve tona”, ka thënë Mustafa për portalin Korieri.Info. Ai ka kërkuar nga pjesëmarrësit e Qeverisë së Kosovës në dialog me Serbinë, që t’ua përkujtojnë atyre se edhe në Kosovë ka shumë lapidare serbe, të ndërtuara në vendbanimet serbe, “e që janë në kundërshtim me historinë e re të Kosovës, e për të cilat ne nuk kemi ndërmarrë veprim të tillë, pasi konsiderojmë se zgjidhjet në këtë shekull duhet t’i kërkojmë përmes dialogut dhe jo në forma tjera të cilat nuk kontribuojnë në normalizimin e raporteve mes shteteve tona”, ka deklaruar Mustafa.

————————————–

Rrjeti Global Mbarëkombëtarë i Gruas dhe Rinise Shqiptare për mes një letre ka shprehë  indinjatëm kundrejt  Qeverisë Serbe për qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ndezjen e tensioneve etnike “Duke konsideruar situatën aktuale dhe presionin nën të cilin janë Shqiptarët në Luginën e Preshevës.

 

Rrjeti Global Mbarëkombëtarë i Gruas dhe Rinise Shqiptare ka nisur një letër indinjate Qeverisë Serbe për qëndrimin e tyre ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe ndezjen e tensioneve etnike “Duke konsideruar situatën aktuale dhe presionin nën të cilin janë Shqiptarët në Luginën e Preshevës, ne, (Rjetit Global Mbarëkombëtarë të Gruas Rinisë dhe Diasporës Mbarëshqiptare), ndjejmë përgjegjësinë dhe detyrimin tonë kombëtare dhe njerëzor, të shprehim shqetësimin tonë të papërmasa dhe të dënojmë veprimet e Qeverisë dhe Policisë Serbe kundër Shqiptarëve në këtë zonë”, thuhet në letrën që ky Rrjet ia ka drejtuar Qeverisë së Serbisë. Në letrën e hapur shkruhet për të drejtat e shqiptarëve dhe abuzimet që po i bëhen atyre nga një shtet që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Lida Rragami, Presidente e Rrjetit Global Mbarëkombëtarë të Rinisë dhe Gruas Shqiptare “Të drejtat e Shqiptarëve në këtë zonë janë shumë të abuzuara, çuditërisht të abuzuara nga një shtet që pretendon të ketë standarde të larta për tu futur në familjen e bashkuar Evropiane, nga i cili kërkohet tolerance, respekt për të tjerët dhe bashkëjetesë multi- etnike, dhe mbi të gjitha mbrojtja e të Drejtave Njerëzore”, shkruhet mes tjerash në letrën e nënshkruar nga Lida Rragami, Presidente e Rrjetit Global Mbarëkombëtarë të Rinisë dhe Gruas Shqiptare. Rrjeti thekson se Kombi Shqiptarë ka dhënë prova ndër shekuj edhe në ditët më të errëta kombëtarë që nga 1913, kur tragjikisht u ‘copëtua’ mes fqinjëve tanë. Përmes kësaj letre organizata në fjalë kërkon nga Qeveria Serbe: Largimin e menjëhershëm të ushtrisë Serbe nga rrugët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; Largimin e menjëhershëm të forcave speciale policore në rrugët e këtij rajoni; Ju bëjmë thirrje të MOS prekni Lapidarin e UCPMB-së në Preshevë, dhe të mos vandalizoni here tjetër Flamurin tonë – është krenaria jonë Kombëtare; Ju bëjmë thirrje të rrisni investimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që shqiptarët të mos detyrohen të lënë trojet e tyre nga kushtet e rënda ekonomike. Nëse bëni vetëm atë që po bën Qeveria e Kosovës me pakicat Etnike Serbe në Kosovë, do jetë fillim i mbarë për ju. “Këto kërkesa janë supreme dhe kushte themelore për një rajon paqësor”, thuhet ndër të tjera në letrën e Rrjeti Global Mbarëkombëtarë të Gruas, Rinisë dhe Diasporës shqiptare.

—————————————

 

Bashkimi Evropian edhe më tej nuk do të përzihet në çështjen e lapidarit në Preshevë , duke konsideruar për një marrëveshje në mes palëve. Por zyrtarët në Bruksel nuk kanë pranuar të bëjnë komente rreth deklaratave të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, i cili e ka ndërlidhur kontestin e përmendores me bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Baronesha Ashton.

 

Bashkimi Evropian nuk e ka ndërmend të inkuadrohet në zgjidhjen e çështjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Zyrtarët e Brukselit kanë thënë se kjo është një punë e brendshme e Serbisë. Ata nuk kanë dashur të komentojnë ultimatumin e Beogradit që monumenti të hiqet deri më 17 janar, në mënyrë që të realizohet takimi Thaçi-Dacic.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar autoriteteve serbe që ta zgjidhin në pajtim me ligjin çështjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë pa shkaktuar tensione të mëtejmë në Luginë, shkruan Express. Por zyrtarët në Bruksel nuk kanë pranuar të bëjnë komente rreth deklaratave të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, i cili e ka ndërlidhur kontestin e përmendores me bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Baronesha Ashton. Dacic kishte thënë se nuk do të shkonte për ta takuar Kryeministrin Hashim Thaçi në Bruksel nëse nuk largohet përmendorja, që është vendosur në nderim të dëshmorëve shqiptarë të rënë më 2001 në luftën kundër forcave serbe. Për BE- në e gjithë kjo është çështje e brendshme e Serbisë.

—————————————————–

Zyrtarët e Bashkimit Evropian shpresojnë se çështja e moslejimit të vizitës së Nikoliqit në Kosovë nuk do ketë ndikim negativ në atmosferën e 17 janarit kur është paraparë takimi i radhës në mes të kryeministrit Kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq.At ajanë të mendimit se në të ardhmen vizitat bilaterale të zhvillohen në mënyrë më të lehtë.

Pjesë e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore janë edhe vizitat bilaterale dhe kjo vlen edhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Këtë e porosisin zyrtarët e institucioneve me seli në Bruksel duke iu referuar moslejimit të vizitës së kryetarit serb, Tomisllav Nikolliq në Kosovë për festën e Krishtlindjeve ortodokse. Në BE janë të mendimit se në të ardhmen do të ishte më mirë sikur vizitat bilaterale të zhvillohen në mënyrë më të lehtë. “Ekzistojnë tashmë procedurat e dakorduara për vizita, ndërsa Bashkimi Evropian vetëm vepron si lehtësues i komunikimit lidhur me këtë”, ka thënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton. Kocijançiq thekson se EULEX-i nuk është i përfshirë në procesin e vendim-marrjes, por monitoron dhe këshillon Policinë e Kosovës e cila ka rolin udhëheqës në sigurimin e vizitave të tilla. Zyrtarët e Bashkimit Evropian shpresojnë se çështja e moslejimit të vizitës së Nikoliqit në Kosovë nuk do ketë ndikim negativ në atmosferën e 17 janarit kur është paraparë takimi i radhës në mes të kryeministrit Kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq. “Të dyja palët e dinë se dialogu është në interes të tyre, ndërsa ne presim që Beogradi dhe Prishtina të vazhdojnë me përkushtim ndaj vazhdimit të procesit”, ka theksuar zëdhënësja e baroneshës Catherine Ashton. Takimin e radhës ajo e kualifikon si rast për të avancuar në procesin e dialogut. Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nënvizojnë se Brukseli nuk do prezantojë kurrfarë platforme në takimin e javës së ardhshme në mes të Thaçit dhe Daçiqit. “Tashmë dihet se veriu do trajtohet në takimin e radhës por ne nuk do paraqesim kurrfarë dokumenti. Qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje janë të përfshira në konkluzat e 11 dhjetorit dhe ne iu përmbahemi atyre”, tha një burim nga selia e Bashkimit Evropian

——————————-

 

 

Parimi i parë në rezolutën serbe është që Kosova nuk do të jetë shtet ,por autonomi të  gjerë dhe atë që e ofrojmë e kërkojmë edhe për serbët ka thënë kështu Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin.

 

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin ka shfaqur shpresën se Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë do të miratojnë Rezolutën për Kosovën, duke theksuar se ajo është reale dhe bazohet në të mundshmen. Duke folur në RTS për parimet e negociatave që do të dalin nga platforma, ai ka thënë se parimi i parë është që Kosova nuk do të jetë shtet. “Ne ofrojmë autonomi të gjerë dhe atë që e ofrojmë e kërkojmë edhe për serbët. Kërkojmë që serbët të jetojnë në përputhje me zakonet e veta, të mbeten në Kosovë ata që janë, i vetmi populli në shekullin 21 që nuk mund të zgjedhë si dhe ku të jetojë”, ka thënë Vulin, transmetojnë mediat.“Pas 12 vjetësh ne kemi dalë me qëndrimin tonë, deri më tash Serbia është sjellë si sekretaresh telefoni. I dërgohej porosia, ajo e kryente ose jo porosinë, kryesisht e kryente. Tani Serbia ka folur, ky është këndvështrimi ynë dhe nga ky nuk lëshojmë pe, më shumë nga ky nuk na jepni, më pak se ky nuk duam”, ka thënë Vulin. Duke folur për takim e ardhshëm Dacic–Thaçi, ai ka thënë se do të flitet për lirinë lëvizjes dhe për “dhunën” e këtyre ditëve. Do të flitet edhe për veriun, por jo në kuptimin se Serbia dëshiron ta braktisë veriun, jo vetëm veriun por edhe për jugun do të flitet. “Mos t’i ndajmë gjithmonë serbët që jetojnë në Kosovë në veri dhe në jug”, ka thënë Vulin

———————————————-

 

E Kosova dalëngadalë po i mbushë 5 vite të pavarësisë , mirëpo Takimi i 17 janarit i ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton do të shënojë edhe pranimin e parë, sado të tërthortë, të Qeverisë së Kosovës. Megjithatë veriu është ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, dhe se atje në praktikë autoritete janë institucionet e Serbisë.

 

Një muaj para se Kosova t`i mbushë pesë vjet shtet, kryeministri i saj, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic do të takohen në Bruksel për të diskutuar edhe për pjesën veriore të shtetit të ri. Takimi i 17 janarit i ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton do të shënojë edhe pranimin e parë, sado të tërthortë, të Qeverisë së Kosovës, se veriu i vendit është ndryshe nga pjesët e tjera të shtetit, dhe se atje në praktikë autoritete janë institucionet e Serbisë, shkruan “Koha Ditore”. Që nga paslufta Serbia ka qenë e pranishme në pjesën mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës dhe në tri komunat e tjera veriore – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.  Prezencë të organeve të saj, shteti që gjatë kohës së Milosevicit u mundua të spastrojë Kosovën nga shqiptarët, ka mbajtur edhe në lokalitetet e tjera me shumicë serbe në Kosovë, por pas 17 shkurtit 2008 ka zbutur prezencën në jug të lumit Ibër për ta forcuar skajshmërisht atë në veri të këtij lumi. Mes ndarjes së plotë të veriut nga Kosova – që është synim i Serbisë – dhe menaxhimit të plotë të këtij territori nga shteti i Kosovës, analistë e diplomatë ndërkombëtarë me vite të tëra kanë folur për një kompromis: autonomi për veriun që do ta linte këtë territor pjesë të Kosovës, por do të bënte që të trajtohej ndryshe nga pjesët e tjera, gjë që, sipas diplomatëve, është edhe realiteti në terren.

 

————————

 

Prej ditësh disa medie serbe dhe së fundi Radio Televizioni Serb (RTS) po flasin gjerë e gjatë për rrezikun nga bashkimi i shqiptarëve, por veçanërisht për mënyrën se si do të bëhet. Serbët vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilave, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë me përfshirjen e tyre në Bashkimin Evropian.

 

Prej ditësh disa medie serbe dhe së fundi Radio Televizioni Serb (RTS) po flasin gjerë e gjatë për rrezikun nga bashkimi i shqiptarëve, por veçanërisht për mënyrën se si do të bëhet. Serbët vënë në pikëpyetje deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilave, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë me përfshirjen e tyre në Bashkimin Evropian. Në artikullin me titull “Rreziku i Bashkimit Shqiptar”, publikuar në ueb faqen e RTS, pasi nënvizon qëndrimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë sipas të cilëve, bashkimi kombëtar do të ndodhë nën flamurin e BE-së, shtron pyetjen: çfarë ndodh nëse përfshirja në Bashkimin Evropian nuk realizohet? “Çfarë do të ndodhë, nëse Ballkani Perëndimor nuk përfshihet në Bashkimin Evropian”. Pikënisje e reagimeve serbe ndaj rrezikut të bashkimit shqiptar është një artikull, i publikuar nga autori, Andrej Ivanji në të përditshmen gjermane “Tageszeitung”. Në artikullin në fjalë shkruhej se, kur kryeministri shqiptar, Berisha, iu drejtua bashkëpatriotëve të tij me fjalët “nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë”, me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, pjesëtarët e këtij kombi u lumturuan. “Në Athinë, Shkup eBeograd, atmosfera qe e ndryshme. Motoja e zyrtarëve shqiptarë: ‘së bashku nën Bashkimin Evropian’.Po çfarë ndodh nëse ky bashkim nuk realizohet”, shkruante Ivanji në artikull, i cili të nesërmen u pasqyrua edhe në valët e “Deutsche Ëelle” në gjuhën serbe. Por si do të reagojnë shqiptarët, nëse Ballkani Perëndimor nuk përfshihet në Bashkimin Evropian, shtron pyetjen Radio Televizioni Serb, transmeton “Shekulli”. “Mundësia që shqiptarët të bashkohen në rrugë paqësore është mjaft e madhe – gjithnjë nëse integrimi evropian është pas dere”, shkruhet më tej në faqen zyrtare të RTS. Paqja në Ballkan mbetet ende një garë kundër kohës, vëren më tej RTS. “Nën presione të forta prej problemeve ekonomike e sociale, plagët nuk shërohen, askush nuk ka ndërmend të bëjë paqe me të shkuarën. Në vendet ballkanike, ku jetojnë shqiptarët, norma e papunësisë është mes 30 dhe 50 për qind dhe në përkeqësim. Shqiptarët kanë popullsinë me moshë më të re në Evropë dhe të rinjtë janë të paduruar. Nga të gjitha anët janë shfaqur grupimet ekstremiste, të cilat në varfërinë në rritje kanë nuhatur shansin për sukses”, thuhet në faqen e RTS-it.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch