Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 8 maj 2012

RTP lajmet 8 maj 2012

KKZ në Preshevë, mbrëmë ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe atyre presidenciale për komunën e Preshevës. Nga këto rezultatet partitë apo grupet qytetare që kanë fituar mandate në kuvendin e ardhshëm komunal janë 5. Kështu PDSH në 4 vitet e ardhshme në kuvend do të përfaqësohet me 17 këshilltarë, PVD me 10, UDSH 6, RD 3, dhe BDL 2 ulëse në kuvendin komunal. Këto rezultate janë pa vendvotimin numër 12 të BL Bukurocë, vendvotim i cili nuk pritet të ndryshojë numrin e mandateve të subjekteve politike, thotë kryetari i KKZ në Preshevë Zeqir Miftari. Bukuroca në rivotim do të shkoj më 20 maj, kurse në adresë të KKZ kanë ardhur edhe 4 ankesa nga partitë politike, të cilat duhet të shqyrtohen nga KKZ dhe të dilet me neë vendim Brenda 48 orëve.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare në komunën e Preshevës koalicioni shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka marrë 5046 vota, pas saj radhitet partia e Çedomir Jovanoviqit me 634. shqiptarët e Luginës së Preshevës për zgjedhjet presidenciale kanë përkrahur kandidatin Muamer Zukorliq i cili ka marrë 3319 vota ndërsa pas tij është Çedomir Jovanoviq me 1000 vota.

————————

Zgjedhjet e 6 majit kanë shënuar edhe një moment tjetër historik për shqiptarët në komunën e Bujanocit. Ata edhe këtë herë kanë rikonfirmuar gatishmërinë e tyre për të ruajtur pushtetin në Bujanoc duke i përgjigjur ftesës së votimit në mënyrë masovike.Nga numri i përgjithshëm me të drejt vote 39 054 , 20 831 kanë dhënë votën e tyre . çka do të thotë se në krahasim me zgjedhjet e 2008 numri i votuesve është rritur me mbi 2500 votues. Nasim Rexhepi sekretar i komisionit komunal zgjedhor në Bujanoc i thënë RTP se në zgjedhjet e 6 Majit kanë marrë pjesë 10 parti politike dhe 3 grupe qytetare ndërsa procesi zgjedhor sipas Rexhepit ka qenë i qetë dhe pa asnjë incident. E rezultatet preliminare flasin për fitoren e PD-e të Nagip Arifit i cili ka marrë 4,921 vota duke lënë pas PVD-ë me 3,945 vota , LPD – e Jonuz Musliut me 2,710 vota, grupin qytetar dr. Stojan Arsiq me 2,085 vota, koalicioni ,, Zgjedhja për Bujanoc më të mirë ,, PD, PSS, PSDS dhe GQ me 1,810 vota , UDSH me 1,379 , pastaj koalicionin Të aktivizojmë Bujanocin – Tomisllav Nikoliç SNS – NSS 1,186 , Serbia Unike e Dragan Markoviç Pallma dhe Partia e Pensionerëve të Bashkuar me 560 vota, pastaj 549 vota ka marrë Partia Demokratike e Serbisë ,525 vota ka Partia Radikale Serbe , 519 vota Grupi i Qytetarëve Trajko Trajkoviç , Partia e Bashkuar Rome ka marrë 342 vota dhe e fundit është Grupi i Qytetarëve ,, Roma Forum ,, – Kenan Rashitoviç me 300 vota. Në komunën e Bujanocit kanë qenë 55 vendvotime, ndërsa partitë politike kanë garuar për 41 ulëse në kuvendin komunal. Komisioni komunal zgjedhor në Bujanoc po ashtu gjatë ditës së sotme ka pranuar ankesa nga disa parti politike dhe gjatë ditës së nesërme do të konfirmohen edhe rezultatet përfundimtare të 6 Majit.

————————-

,, Na kritikuan se me themelimin e PD shqiptarët do ta humbin pushtetin në Bujanoc ,por ajo ndodhi e kundërta duke sjell fitore të thellë të një subjekti i cili ka pak muaj nga krijimi , por dhe një fitore historike për shqiptarët pasi tani kuvendi komunal do të ketë 7- 8 këshilltarë shqiptarë me shumë ka thënë kështu për RTP lideri i Partisë Demokratike Nagip Arifi. Partia Demokratike ka arrit që të siguroj numrin më të madh të votave edhe atë 1000 mijë vota më shumë se Partia për Veprim Demokratik, duke lënë pas edhe LPD dhe UDHS-ën. Sipas kreut të Partia Demokratike Nagip Arifi shqiptarët kanë dhënë verdiktin e tyre duke dëshmuar se komuna e Bujanocit ka pas nevojë për një subjekt të ri politik si PD. Për fitoren e tij ai ka marrë urime edhe nga rivalët tjerë politik. Në pyetjen tonë se cili do të jetë koalicioni i ardhshëm Arifi ka thënë se bisedimet do të fillojnë fill pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e komisionit komunal zgjedhor. Megjithatë pas fitores së PD , në Bujanoc edhe më tej kanë vazhduar replikat në mes simpatizantëve. PVD në Bujanoc si moto ka pas ,, NE KËTU JEMI ,, ndërsa ata të PD pas fitores ,sot mbanin bluza në kundra moton e tyre ,, Ka je, ka je un pot lypi sun pot gjej. Mirëpo edhe përkundër replikave në distancë për fat të mirë shqiptarët atje kanë treguar pjekuri qytetare duke mos shënuar asnjë incident as gjatë fushatës parazgjedhore por as pas rezultateve.

———————

Asnjë këmbim territoresh apo autonomi speciale për pjesën veriore të Kosovës. Ky ka qenë qëndrimi i ripërsitur i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për Time, duke theksuar se “kohërat e luftërave në Kosovë dhe në Ballkan kanë perënduar”. “E tëra për çka unë luftoj është të ruajmë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, si një vend i pavarur, por me kufij të hapur dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë kreu i ekzekutivit, duke tërhequr vërejtjen se ndryshimi i kufijve do të kishte efekte zinxhirore. “Nëse dikush në Bruksel ka dalë me këtë ide për ndryshim të kufijve, atëherë kjo nuk do të ndalet vetëm në Kosovë ose në vendet fqinje. Do të vazhdojë në mbarë Ballkanin Perëndimor. Do të prekte të paktën gjashtë shtete. Secili shtet në rajon e ka nga një Mitrovicë të vogël brenda”, tha mes të tjerave kryeministri Thaçi.
——————–
Mijëra shqiptarë protestuan dy ditë më parë në Shkup me parullën “shqiptarët nuk janë terroristë”. Manifestimi ishte reagim ndaj ndaj klimës së paragjykimit kolektiv dhe terrorit që ushtrohet sistematikisht ndaj shqiptarëve. Krimi është krim në çdo gjuhë, në çdo etni e në çdo shoqëri. Nuk ka krim kolektiv dhe nuk ka ndëshkim kolektiv. Institucionalizimi i krimit kolektiv, vë në rrezik jo fatin e shqiptarëve, por të ardhmen e Maqedonisë.Skenat e arrestimit të shqiptarëve ku më shumë gjysma e të ndaluarve dalin të pafajshëm nga gjykata, -janë të papranueshme. Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë, dhe ndërkombëtarët nuk duhet të përdorin dy standardet kur vjen fjala për nacionalizmin. Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre nuk kanë treguar nacionalizëm agresiv bazuar mbi etninë dhe fenë. Një tjetër histori shëmtuar policeske, një atavizëm e kohës së Beogradit totalitar, është shfaqur në Luginën e Preshevës. Policia serbe ka bërë arrestime arbitrare të shqiptarëve dy ditë para zgjedhjeve, me shpresë se ndëshkimi i shqiptarëve nxit serbët të votojnë për pushtetin aktual. Ky mentalitet antishqiptar, me ët cilin kërkon ët qëndrojnë pushtet qeveria e sotme në Beograd, tregon se plagët e shovinizmit të Miloshevicit jo vetëm që nuk janë kuruar, por po përdoren si receta shpëtimi për kriza politike, nga ata që shumëkush në Perëndim i quan të moderuar dhe u ka hapur dyert e Evropës. Janë të njëjtët pushtetarë serb, që po përpiqen të destabilizojnë Veriun e Kosovës, duke krijuar një oazë kontrabande dhe kriminaliteti, si një tumor, në trupin e një shteti të ri që po ringrihet. Në Mitrovicën e veriut Beogradi minon ditën për diell autoritetin e Prishtinës dhe sfidon praninë ndërkombëtare ushtarake dhe politike në Kosovë. Shqiptarët janë sot qytetarë të dorës së dytë në Maqedoni, Serbi, dhe në Veri të Kosovës. Probleme të paimagjinueshme për një vend demokratik ndodhin në kufirin me Greqinë, ku shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorë së dytë, për shkak të racizmit dhe vatrave të vjetra shoviniste në politikën greke. Gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë u ndaluan të hyjnë në Greqi! Ata po perseketohen tashmë jo vetëm për shkak të origjinës por dhe për shkak ët detyrës së tyre si gjyqtarë në republikën e Shqipërisë. E gjithë kjo tablo tensioni dhe poshtërimi ndaj shqiptarëve, vjen mes të tjerash edhe pse elitat politike shqiptare në Tiranë Prishtinë dhe Shkup, si dhe diplomacia shqiptare, e përdorin pushtetin e tyre jo për të forcuar faktorin shqiptar, por për të fuqizuar pushtetin e tyre personal, të cilat e shkëmbejnë me gjeste poshtëruese ndaj popullit të tyre. Shqiptarët kanë dëshmuar tolerancë dhe e kanë pranuar bashkëjetesën me fqinjët. Në Malin e Zi flasin gjuhën e etnisë tjetër, në Serbi e Kosovë, shqiptarët e kuptojnë dhe flasin serbishten, në Maqedoni e flasin gjuhën maqedonase, në Greqi e flasin greqishten. Shqiptarët nuk kanë fobi nga fqinjët. Por fqinjët po refuzojnë jo më të mësojnë e të flasin shqip, por edhe të dëgjojnë shqip. Është më mirë për ta në radhë të parë të mësohen me shqipen. Shqiptarët kudo në rajon e kanë dëshmuar se janë tolerantë dhe me aspiratë perëndimore. Në Shkup, partitë shqiptare kanë kërkuar dhe bërë presion për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe shpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE. Por palën maqedonase nuk duhet ta gënjejë mendja se vendi mund të bëj përpara në kurriz të shqiptarëve apo ca më keq duke nëpërkëmbur të drejtat legjitime të tyre. Ngjarjet që i paraprinë marrëveshjes së Ohrit kanë treguar sa e brishtë është situata në Maqedoni. Vetëm respektimi i shqiptarëve si qytetarë të barabartë, vetëm respektimi 100% i marrëveshjes së Ohrit mund të ishte parakusht për stabilizimin dhe përparimin e Maqedonisë. Kjo marrëveshje është shkelur nga pala maqedonase. Shqiptarët në Maqedoni mund të mos bëhen dot bashkë në një parti, por janë në të drejtën e Zotit të kërkojnë që çdo parti e tyre të kushtëzojë pjesëmarrjen në qeveri me respektimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit. Maqedonia do të jetë shtet i fortë e i respektuar nëse respekton me të njëjtin standard qytetarët e vet, pa dallim etnie e feje. Refuzimi për të dëgjuar e komunikuar me shqiptarët dhe ca më keq përpjekjet mjerane për të dëmtuar imazhin e tyre nuk bëjnë gjë tjetër veçse të kujtojnë njeriun që dilte për gjah dhe plumbin e parë e shkrepte në këmbët e veta. Në Preshevë dhe Bujanovc shqiptarët kane pranuar zgjedhjet serbe, sistemin politik serb dhe kanë mbështetur anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por ata nuk duhet të votojnë kurrsesi ata politikanë dhe pushtetarë që kërkojnë të fitojnë vota si antishqiptarë. Në Kosovë po ashtu shqiptarët po përpiqen të jenë të matur dhe të pranojnë këshillat e Perëndimit për ruajtjen e sovranitetit të tyre, por pushteti politik atje, duket se po e përdor mbështetjen perëndimore për Kosovën më shumë për karrigen e vet se sa për autoritetin Kosovës. Ky tension rajonal i cili po shfaqet kudo ku ka shqiptarë, duke i viktimizuar ata, tregon se për herë të parë copëzimi i shqiptarëve si shoqëri, dhe etni, po përdoret për ti poshtëruar ata. Edhe pse ata po ndihmojnë më shume se sa meritojnë shtetet ku jetojnë si qytetarë të lirë, ata po poshtërohen dhe shtypen duke u gjetur si nje arsye për të ringjallur frymën e shovinizmit dhe racizmit ndaj tyre. Kjo është situata më e rrezikshme dhe pozita më e dobët që shqiptarët kanë pasur këto dhjet vite në rajon qysh pas çlirimit të Kosovës. Kjo situatë tregon dhe njëherë, nuk mjafton të jesh properëndimor dhe tolerant, për tu bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan, por nevojitet mbi të gjitha të jesh i barabartë dhe dinjitoz në përfaqësimin tënd në rajon, ose përndryshe të funksionosh si një komb properëndimor ndaj gjithë atavizmave fundamentaliste, fetare dhe etnike në rajon. Fakti që shqiptarët janë të ndarë në katër shtete të tjerë fqinjë, joshqiptare, nuk do të thotë se ata mund të poshtërohen lehtë duke i shtypur pjesë. Ata duhet të kuptojnë se bashkëjetesa me ta, është vlera jonë, kurse konflikti antivlerë e tyre. Është mirë të kuptojnë gjuhën e bashkëjetesës , të kuptojnë shqipen e atyre qytetarëve që kanë në shtetin e tyre, ashtu si shqiptarët kuptojnë dhe pranojnë gjuhën dhe shtetin e tyre.
———————-
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka pohuar të hënën se veteranët e UÇK-së, do të jenë pranë vëllezërve në Maqedoni e Kosovë Lindore dhe në rast mobilizimi, ata thanë se të jenë në përkrahje të tyre me të gjitha mjetet e mundshme. OVL-ja e UÇK-së, kërkon që të gjithë faktorët politik shqiptarë si dhe ata ndërkombëtar, të merren seriozisht me këtë çështje dhe duhet ta kenë të qartë se shqiptarët nuk do të tolerojnë më spastrime të reja të trojeve etnike.“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është duke e përcjellë me vëmendje situatën në trojet shqiptare të okupuara nga Serbia dhe Maqedonia. Ne jemi të shqetësuar për dhunën e presionin e vazhdueshëm të pushtuesve të orientuar kundër popullatës shqiptare, me qëllim të vështirësimit të jetës së tyre dhe detyrimit që ata të shpërngulen nga trojet e veta”, thuhet në kumtesë.
———————-
Ngjarjet e dhjetë vjetëve të fundit dhe sidomos ato të këtyre ditëve tregojnë qartazi se çështja shqiptare në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe çështja shqiptare në Maqedoni mbeten të pazgjidhura. Shqiptarët që jetojnë në këto territore janë të nënshtruar në vazhdimësi presioneve dhe dhunës së pushtuesve serb e maqedonas, me të vetmin qëllim: spastrimin e këtyre hapësirave nga shqiptarët. Institucionet shtetërore të Prishtinës dhe të Tiranës dhe partitë shqiptare në Maqedoni, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në vend të reagimeve të rëndomta duhet urgjentisht ta shtrojnë hapur këtë çështje. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të reagojmë “ashpër”, ndërsa pushtuesit do të vazhdojnë ta bëjë punën e tyre deri në shqiptarin e fundit. Lëvizja për Bashkim përkrahë demonstratat e shqiptarëve Maqedoni dhe Kosovë Lindore dhe kërkon nga të gjithë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë që të angazhohen seriozisht për zgjidhjen çështjes shqiptare në Maqedoni e në Kosovën Lindore.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch