Home » Lajme » RTP lajmet 9 mars 2012 – Mirush Kabashi për herë të parë po qëndron në Preshevë…

RTP lajmet 9 mars 2012 – Mirush Kabashi për herë të parë po qëndron në Preshevë…

Aktori i mirënjohur shqiptar nga Tirana, Mirush Kabashi për herë të parë po qëndron në Preshevë. Ai u takua me përfaqësuesit e pushtetit lokal kryetarin e komunës, Ragmi Mustafa dhe me kryetarin e kuvendit, Besim Abduli të cilët e informuan artistin për aktualitetet në vend. Zoti Kabashi që në momentet e para të takimit të sotëm shprehu admirimin e tij për qytetarët e komunës së Preshevës i cili çdo herë i ka pasur në mendje dhe zemër. Kryetarit të komunës, zoti Kabashi i drejtohet me fjalët, zoti kryetarë ne ju artikulojmë shumë shpesh edhe kur jemi në Shqipëri, ju admirojmë sepse po bëni tentativa dhe qasje të cilat janë dhe shumë të vështira për këtë kohë me qëllimin e vetëm më të mirë për të rivendosur dinjitetin kombëtarë ashtu siç e dëshirojmë të gjithë. Zyrtarët komunal me artistin nga Tirana kanë diskutuar edhe për tema të që kanë të bëjnë me përvojat e tyre në raport me shtetin shqiptarë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Origjina e aktorit të mirënjohur nga Tirana, Mirush Kabashi është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit.

——————–

Artisti i merituar nga Tirana, Mirush Kabashi sonte para publikut preshevarë do të prezantohet me shfaqjen Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit. Kjo shfaqje sipas artistik bën fjalë për mirësinë, bashkëjetesën, për respektin reciprok midis njerëzve mbi bazat e interesave që kanë. Nikoqiri i kësaj mbrëmje, drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, Naser Nuredini fton qytetarët tanë që të prezantojnë në shfaqjen Zoti Ibrahim dhe Lulet e Kuranit. Shfaqja e interpretuar nga Aktori i mirënjohur shqiptar nga Tirana, Mirush Kabashi do jepet sonte në ora 19.30 në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës Abdulla Krashnica në Preshevë.
————————–

Anëtarët e Këshillit komunal për siguri në Preshevë kanë përpiluar sot Planin Aksionar për grupet e punës që kanë të bëjnë me përmirësimin e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve si dhe grupi punues siguria e qytetarëve në zonat kufitare. Qëllimi kryesorë i përpilimit të këtij plani është krijimi i kushteve për ngritjen e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve përmes veprimit më të lartë në sferën e komunikacionit nëpër shkolla, në vende publike, në objekte dhe në familje. Vend të posaçëm në realizimin e projekteve do të ketë edhe ngritja e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve me përmirësimin e kushteve teknike nga aspekti i sigurisë në objektet shkollore. Përparimi i sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve në vende publike, objekte dhe familje me preventivë si dhe veprimi aktiv të institucioneve relevante ishin pjesë të planit aksionar. Ndërsa në kuadër të grupit të punës siguria e qytetarëve në zonat kufitare është paraparë edhe krijimi I kushteve për hapjen e tre mini kalimeve kufitare në bazë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Serbisë Miratoc, Strezoc dhe Sllavujevc. Në këtë mënyrë sipas anëtarëve të grupit do të ngritet siguria e qytetarëve në zonat kufitare të rrezikuara me hyrjen e grupeve emigrante me efikasitet dhe angazhim më të madh të popullsisë. Anëtarët e këshillit komunal për siguri në Preshevë kanë vlerësuar se me realizimin projekteve që janë të parapara me planin aksionar parashihet që të zvogëlohet numri i fatkeqësive në afërsi të shkollave me përparimin e kushteve të sigurisë në rrugë si dhe do të krijohen kushte më të mira për qarkullim të lirë duke përfshirë këtu dhe sigurinë e popullsisë në zonën kufitare.

——————–

Këshilli drejtues i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, ka mbajtur sot mbledhjen e vetë të rregullt. Në mbledhje ishin disa pika mjaftë të rëndësishme për këtë shoqatë, ndërsa pika e parë kishte të bënte me jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Xhemaledin Salihu, thotë se është marrë qëndrimi që shoqata të organizojë një akademi solemne me rastin e këtij jubileu, dhe bashkërenditjen e organizimeve si me kuvendin komunal, ashtu edhe me organizatat tjera. Gjatë mbledhjes u shqyrtuan dhe miratuan edhe disa pika mjaftë të rëndësishme të rendit të ditës. Pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe shqyrtimi i kërkesës së shoqatës “Bytyqi” nga Tirana, të cilët kanë kërkuar që së bashku me shoqatën nga Presheva ti realizojnë disa projekte të përbashkëta.

——————–

Me rastin e 8 marsit e cila njihet si ‘Dita e Gruas’, në të gjithë Botën edhe qyteti jonë gjatë ditës së djeshme mori pamje krejtësisht tjetër në dallim me ditët tjera, ku në çdo cep të qytetit ekspozoheshin llojllojshmëri lulesh që karakterizonte një ditë festive. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por dhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi. Andaj me rastin e kësaj feste që te ne njihet si dita e nënave në shumë lokale në Komunën e Preshevës janë organizuar mbrëmje festive për të shënuar solemnisht këtë datë mjaft të rëndësishme për gruan. Përkitazi me këtë në komunën e Preshevës festa për nderë të 8 Marsit është bërë tradicionale madje për të kaluar së bashku këtë mbrëmje festive shumë këngëtare të estradës së Kosovës ishin të ftuara në ahengjet e organizuara për të argëtuar së bashku në këtë natë. Me këtë rast ekipi i Radiotelevizionit Presheva vizitoi disa nga restorantet të cilët kishin organizuar ahengje nga më të ndryshmet ku edhe përcolli disa momente mjaft argëtuese. Për të qenë pjesë e këtij evenimenti dhe për të shënuar së bashku këtë ditë për realizimin e të drejtave të grave interesimi i grave ishte mjaft i madh. Veshmbathja e luku ishin karakteristikat që në dallim me ditët tjera ato mbrëmë së bashku shënuan solemnisht këtë ditë e cila u dedikohet nënave respektivisht të gjitha grave në mbarë botën. Një botë, pa nëna, pa motra pa gra, pa shoqe dhe mikesha edhe nuk mund të imagjinohet. Andaj edhe ajo meriton edhe respekt, dashuri dhe kujdes ndaj saj! Që prej asaj dite ‘Dita Ndërkombëtare e Gruas’ morri dimensione të tjera, dhe filloi të festohej në mbarë Botën.

—————-

Çdo e dhjeta diplomë është e pavlefshme, pasi në vend të diplomave fallsifikohen vërtetime për mbarimin e fakultetit. Sipas një kontrolli të Inspektoratit të arsimit republikan, në Serbi çdo e dhjeta diplomë e mësimit të lartë është e pavlefshme. Diplomat zakonisht fallsifikohen jo vetëm nga ato shkollat e larta nga qytete më të vogla ose fakultete private, por edhe ato fakultete tjera si Beogradit dhe Novi Sadit. Kur inspektorati i zbulon këto diploma, ato shpallen të pavlefshme, dhe për të mund të akuzohet vetëm pronari i saj, pasi është shumë vështirë të zbulohet se nga kush është lëshuar kjo diplomë.

———————
Derivatet e naftës janë shtrenjtuar përsëri sot, për të katërtën herë që nga fillim i vitit. Nga muaji janar, benzina dhe nafta janë shtrenjtuar mesatarisht deri tani 12 dinarë për litër. Vetëm në tre javët e fundit, benzina është shtrenjtuar rreth 8 dinarë për një litër. Eurodizeli tani në pompa kushton 146 dinarë, benzina BMB95 kushton 148 dinarë, dizel D2 138 dinarë.
———————
Myftiu i Beogradit, Muhamed Jusuf Spahiq ka mbrojtur Milosh Radosavljeviq – Kimin, duke e shfajësuar atë se ka djegur xhaminë Bajrakli në Beograd, më 17 mars 2004. Myftiu në deklaratën e tij para gjykatës, e cila nuk dihet se në çfarë rrethana ka pasuar, ka pohuar se Kimi atëherë si udhëheqës i tifozëve “Grobari” të Partizanit të Beogradit, kishte lajmëruar se po përgatitej sulm ndaj xhamisë dhe se ai kishte ndihmuar në shpëtimin e djegies së plotë të saj, transmeton INA njoftimet. Jusuf Spahiq ka thënë se gjatë kohë njihet me Kimin dhe se nuk ka pasur asnjëherë probleme. Kjo deklaratë e kryemyftiut të Beogradit është vlerësuar si skandaloze, që ai del në mbrojtje të njeriut që i kishte vënë flakën xhamisë dhe që kjo ishte konfirmuar edhe nga policët si dëshmitarë të natës së tmerrshme të 17 marsit të vitit 2004, kur i`u vu zjarri xhamisë Bajrakli në Beograd. Milosh Radosavljeviq – Kimi u arrestua muajin e kaluar në Shkup, derisa po fshihej dhe se ndaj tij ishte shpallur një fletëarrest për kryerjen e veprave të ndryshme kriminale dhe vandale, si djegia e xhamisë. Ai gjithashtu dyshohet edhe për përfshirjen e tij në incidentin në Kalanë e Shkupit, gjatë një përleshje me aktivistë të rinj shqiptarë që ishin kundër ndërtimit të kishës në Kalanë e Shkupit.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch