Home » Lajme » RTP lajmet 9 nëntor 2011

RTP lajmet 9 nëntor 2011

Shërbimi i financave pran administratës lokale në Preshevë ka marrë shkresën zyrtare nga ministria e financave për pagesën e dhuratave jubilare, për të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Preshevës. Në këtë shkresë kërkohen sqarime lidhur me numrin e punëtorëve dhe vlerën e përgjithshme që duhet ti dorëzohet. Përgjigja në drejtim të ministrisë është dërguar së bashku me numrin e punëtorëve i cili nga 8 shkollat fillore dhe dy të mesme, që do të përfitojnë dhurata jubilare në Komunën e Preshevës është 188. Kryeshefi i Financave Fatmir Azizi, thotë se nga ministria janë marrë këshillat se mjetet janë parapara me rebalanc të buxhetit qeveritarë, kurse kërkon mirëkuptim nga punëtorët, sepse pagesat do të bëhen pas instruksioneve të ministrisë. Ndërsa se si do të bëhen këto pagesa, do të gjindet forma dhe mënyra me ministrin e financave. Mirëpo mënyra më e mirë sipas Azizit do të ishte të barten mjetet me anë të transferit. Për çdo detaj tjetër kryeshefi i financave pranë administratës lokale në Preshevë, tha se do ti informojë të gjitha institucionet dhe gjithë punëtorët.
——————
Hulumtimi i Qendrës për Politika “Kosovska” në Beograd, flet për 450 milionë euro investime që Serbia bën brenda një viti në Kosovë. Investimet shkojnë kryesisht për rroga dhe infrastrukturë. Drejtori i kësaj qendre, Dragan Popovic thotë për Express se kostoja mund të jetë edhe më e madhe. Ky hulumtim ka befasuar taksapaguesit serbë. Ata thonë se kanë filluar ta ndjejnë peshën e investimeve që Serbia po i kryen në Kosovë. Ndonëse me vështirësi pranojnë të flasin, shumë nga ta i irriton fakti se si Qeveria e tyre po investon në Kosovë gjysmë miliardi euro brenda një viti. Stefana, banore e Beogradit, hyn në ueb faqen e Qendrës për Politika “Kosovska”, e cila ka kryer një hulumtim mbi atë se sa shpenzon Serbia në Kosovë. Aty ajo gjen të dhënat në detaje se sa nga taksat e saj i shkojnë Kosovës. “Është jonormale. Unë si taksapagues paguaj disa euro për minutë. Ne nuk e dimë se a ia vlejnë këto investime”, thotë Stefana. Afër 500 milionë euro për një vit është kostoja që po e paguan ky shtet për t’i mbajtur gjallë në Kosovë strukturat dhe institucionet paralele. Kështu i kanë dalë llogaritë me Kosovën, Qendrës për Politika “Kosovska” në Beograd, në një hulumtim të vetin rreth asaj se sa investon brenda një viti Serbia në Kosovë.
————–
Policia e Kosovës ka konfiskuar qindra kopje të revistës “Serbia e Madhe”, një broshurë partiake e Partisë Radikale Serbe. Ky akt i policisë së Kosovës ka qenë temë e ashpër debati në Parlamentin e Serbisë në Beograd, ku deputetja e PRS-së, Vjerica Radeta ka shprehur shqetësimet dhe reagimet se si anëtarja e tyre dhe kryetarja e Kuvendit të bashkësive komunale serbe në veriun e Kosovës, Radovana Niçiç ishte ndaluar nga Policia e Kosovës, dhe më pas i janë konfiskuar të gjitha materialet. Deputetja e radikalistëve ka kërkuar se si presidenti Boris Tadiç do të mbrojë serbët në Kosovë, duke ndërlidhur edhe rastin e aktivistes së tyre partiake. “Tërë materiali dhe revistat i janë konfiskuar dhe me këtë rast është angazhuar edhe një polic, i cili ka lexuar revistën dhe ishte angazhuar që në brendinë e saj të gjejë materiale që janë në kundërshtim me kushtetutshmërinë e shtetit të rrejshëm të Kosovës”, ka theksuar deputetja Radeta.
—————-
Më datë dhjetë nëntor fillon edicioni i tetë i Festivalit Ditët e Komedisë Shqiptare Presheva 2011, përgatitjet për këtë festival kanë përfunduar çka do të thotë se gjithçka është gati dhe pritet që të enjten të filloj hapja e Festivalit. Organizatorja e punës Afeida Boriqi tregon më hollësisht për TVP rreth punës që është bërë për ,Festivalin Ditët e Komedisë Shqiptare Presheva 2011. Hapja solemne e këtij festivali do të jetë në orën 19 ku zyrtarisht do ta hapë Drejtori i Shtëpisë së Kulturës Naser Nuredini dhe publiku do të njihet më hollësisht rreth festivalit. Ndërkaq në netët e festivalit pas secilës shfaqje do të ketë edhe tryezë debati me Dr. Prof Selajdin Salihu Dramaturg dhe nga Tirana aktorja Niada Saliasi, ku publiku, njerëz artdashës do të japin kritika, analiza apo pyetje rreth shfaqjes. Ndërkaq në këtë festival përfshihen shtatë çmime të ndryshme, dhe gjithashtu do të ketë mysafir special. Gjatë këtyre netëve, pritet që publiku Preshevar do të ketë rastin ti përcjell shfaqjet dhe të argëtohen me komeditë e aktorëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch