Home » Lajme » RTV Presheva lajmet nga rajoni 11 tetor 2011

RTV Presheva lajmet nga rajoni 11 tetor 2011

Edhe zyrtarishtë Kosova njihet nga Kuvajti

 

Shteti i Kuvajtit ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, raporton agjencia e lajmeve kuvajtiane, Kuna. Më tej thuhet se do të nisë edhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh.

Ministri shtetëror për marrëdhënie me kabinetin, Ali Al-Rashed, sipas agjencisë Kuna, tha se “Qeveria zyrtarisht e njeh Republikën e Kosovës pas udhëzimeve të marra nga Lartmadhëria e Tij, Amir Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, dhe do të bëhet shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh”.

“Gjatë takimit të kabinetit, Lartmadhëria e Tij, kryeministri Sheikh Nasser Mohammad Al-Sabah, i dha detyrën ministrit të jashtëm që t’i merr masat e duhura për forcimin e marrëdhënieve me Kosovën”, citohet të ketë thënë Al-Rashed.

—————————————————-

Gjermania ia rikujton Serbisë katër kushtet për Kosovën

 

Gjermania insiston që Komisioni Evropian në opinionin e vet për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë të shtrojë kushte të reja, të rrepta lidhur me Kosovën, kanë thënë për gazetën “Blic” burime diplomatike nga Brukseli dhe nga kreu i pushtetit në Serbi.

Kërkohet përmbushja e katër kërkesave: që dialogu i Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë pa kushte, që të arrihet marrëveshja për prezantimin rajonal të Kosovës, telekomin dhe energjinë, që Prishtina të marrë në duart e veta gjykatën në veri të Kosovës dhe të fillojë me pezullimin e institucioneve paralele, transmetojnë mediat. Komisioni Evropian do të publikojë nesër në mesditë analizën e progresit të Serbisë në reforma dhe rekomandimin e vet për dhënien e statusit të kandidatit.

E përditshmja serbe “Blic”, duke iu referuar burimeve të besueshme gjithashtu shkruan se kërkesat e kancelares gjermane Merkel që ia ka paraqitur Presidentit Boris Tadic gjatë vizitës në Beograd në muajin gusht, që nga nesër mund të bëhen kushte zyrtare të Komisionit Evropian, ndonëse paraprakisht nuk janë caktuar me marrëveshje, megjithëse disa anëtarë të BE-së me to ose nuk pajtohen, ose nuk janë konsultuar.

——————————————-

Ndërpritet procesi i regjistrimit në Maqedoni – shkaku – dorëheqen anëtarët shqiptarë të Komisionit regjistrues

 

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni është ndërprerë për shkak të dorëheqjes së anëtarëve shqiptarë të komisionit të posacëm, KSHR, në orët e para të mëngjesit. Sipas mediave ballkanase, dorëheqjet kanë ardhur pasi zyrtarët shqiptarë kanë konstatuar një seri problemesh me procesin në terren dhe keqinterpretim të ligjit për regjistrimin nga anëtarët maqedonas të komisionit.

Ish-anëtarët shqiptarë të KSHR pretendojnë se në rajonin e Tetovës, të banuar kryesisht me shqiptarë, gjatë procesit janë regjistruar vetëm 3.6 për qind e qytetarëve. Ata kishin kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit, por kërkesa e tyre nuk ishte marrë parasysh nga kolegët maqedonas të komisionit. Për zgjidhjen e kësaj situate të ndërlikuar pritet ndërhyrja urgjente e qeverisë.

Në fillim të muajit, një ditë para fillimit të procesit, anëtarët e atëhershëm shqiptarë, por edhe ata turq, dhanë dorëheqjen për shkak të mospërmbushjes së standarteve minimale të regjistrimit.

Pakënaqësitë e anëtarëve shqiptarë kishin të bënin me mënyrën e regjistrimit të diasporës dhe mundësinë e lënies së saj jashtë regjistrimit për shkak të, sic thonë, interpretimit ndryshe të ligjit nga anëtarët maqedonas të komisionit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch