Home » Lajme » Rusët e Estonisë fyejnë shqiptarët: Popull i egër

Rusët e Estonisë fyejnë shqiptarët: Popull i egër

Por as Tirana zyrtare nuk ka protestuar, të paktën të thirrej ambasadori estonez, me rezidencë në Athinë, Andres Talvik

Dr. Idriz Tafa- INA

“Në një shtet normal të qytetëruar për deklarata të tilla zotin Sergejev do ta priste banka e të akuzuarve. Në thelb ai e vë veten mbi nacionalitetet e tjera, poshtëron këta të fundit, gjë që është shenjë e ndezjes së urrejtjes mes nacionaliteteve. Kjo është e palejueshme”, ka reaguar një personalitet i diasporës ruse në Estoni për deklaratën e bashkatdhetarit të tij, Sergej Sergejev se shqiptarët janë malësorë të egër. Është fjala për një shtet anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Jo vetëm kaq, racisti dhe shovinisti rus-estonez nuk pendohet për deklaratën e thënë në prani të diplomatëve dhe klerikëve ortodoksë rusë të Moskës, që kishin financuar një konferencë të diasporës ruse në Talin. Më e keqja është se shqiptarët “e egër” i ka braktisur dhe qeveria e Tiranës, shkruan gazeta “Lajmi investigim”.

“Në vendin tonë (Estoni) nuk ka Shqipëri, ne nuk jemi malësorë, ne nuk jemi popull i egër, ne jemi rusë të qytetëruar, të cilët është bërë zakon të konsiderohen rusë më të qytetëruar se vetë rusët”, citon portali estonez “Delfi” kryetarin e Unionit të organizatave të rusëve me banim në Estoni, Sergej Sergejev.

Ky deklarim, i konsideruar racist, shovinist, vepër penale nga personalitete të shquara të shoqërisë civile, veprimtarë të të drejtave të njeriut në Federatën Ruse, është artikuluar nga Sergejevi në konferencën V të diasporës ruse në Estoni, që është mbajtur më 27 maj 2011 në qendrën e konferencave të hotelit “Olimpija” në kryeqytet, Talin.

Veprimtaria ka mbledhur më tepër se 100 delegatë dhe miq nga vise të ndryshme të Estonisë. Në punime morën pjesë ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën Estoneze Jurij Merzlakov, sekretari i parë i departamentit të diasporës në MPJ-në e Federatës Ruse Aleksandër Dollgopollov, përfaqësues të kishës ortodokse estoneze të Patriarkatit të Moskës, shumë organizata shoqërore dhe kulturore ruse të diasporës. Ishin të pranishëm gjithashtu deputetja e parlamentit të Republikës Estoneze Jana Toom dhe anëtari i këshillit bashkiak të Talinit, Maks Kaur. Konferenca u zhvillua me mbështetjen e ambasadës ruse në Estoni.

Ka pasur shumë reagime. Po citojmë vetëm dy autorë. Gazetari rus Arkadij Konstantinov thotë: “Unë nuk mendoj se zoti Sergejev ka qenë në Shqipëri dhe në rajonet malore të Kaukazit. Ndërkaq, t’i quash këta njerëz “të egër” këtë nuk do ta lejonte jo vetëm korrektesa politike, por as dhe ndjenja elementare e drejtësisë”. Personaliteti i shquar shoqëror estonez Oleg Morozov, shprehu keqardhjen pse thënie të tilla, madje të shprehura publikisht, nuk kanë tërhequr vëmendjen e organeve të drejtësisë dhe rendit, ndërkohë që “perla” të tilla duhen konsideruar si ndezje fitili për armiqësi ndër-nacionale.

“Në një shtet normal të qytetëruar për deklarata të tilla zotin Sergejev do ta priste banka e të akuzuarve. Në thelb ai e vë veten mbi nacionalitetet e tjera, poshtëron këta të fundit, gjë që është shenjë e ndezjes së urrejtjes mes nacionaliteteve. Kjo është e palejueshme”, deklaroi veprimtari i famshëm.

Por lideri i rusëve të Estonisë nuk është penduar as pas 2 muajsh për çfarë ka deklaruar më 27 maj. Kështu në një bisedë me portalin “Balltija”, S. Sergejevi, më 27 korrik, deklaroi me cinizëm:  “Çfarë thashë nuk e mohoj. Dhe, sipas mendimit tim, është tejet dhe tejet korrekte nga ana politike. E vërteta është se se në të gjitha problemet e mprehta i zgjidhim me gjuhë normale njerëzore dhe mbi baza juridike. Por  “fëmijët e maleve”, sikurse dihet, shpesh vrapojnë t’i zgjidhin me forcën e armës. Pikërisht këtë pata parasysh dhe unë”.

Mediet dhe shoqëria civile në Estoni dhe Rusi kanë shprehur habinë pse institucionet shtetërore të Talinit dhe Moskës nuk janë distancuar dhe as nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë ku të dënojnë thëniet raciste. Dihet që Estonia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ku nuk tolerohen gjëra të tilla të shëmtuara. Për më tepër në sfond të aktit terrorist në Norvegji, ku autori i masakrës ka shprehur urrejtje për shqiptarët.

Kjo i komprometon si ligjvënësit estonezë dhe diplomacinë ruse. Por as Tirana zyrtare nuk ka protestuar, të paktën të thirrej ambasadori estonez, me rezidencë në Athinë, Andres Talvik. As ambasadori shqiptar në Estoni, me rezidencë në Varshavë, ish-zëvendësministri i jashtëm, Florent Çeliku, nuk është ndier për incidentin. Vetëm për faktin se nominalisht shovinisti Sergejev ka përmendur Shqipërinë.

How pro-homework-help.com much time are you spending doing work

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch