Home » Opinione » Sa më keq për Kosovën, aq më mirë për partitë politike?!

Sa më keq për Kosovën, aq më mirë për partitë politike?!


Shkruan: Nehat Hyseni

Pretendimet dhe kërcnimet e shpeshtuara të PDK-së dhe nënkryetarit të saj, Hajredin Kuçit, si dhe të kryetarit Hashim Thaç dhe të tjerëvei, se PDK me çdo kusht duhet të jetë pjesë e qeverisjes së ardhëshme të Kosovës, në mandatin 2014-2018, meqë pretendon se është fituese e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, biejnë ndesh me sugjerimet dhe rekomandimet që vijnë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, në rend të parë nga Brukseli dhe nga SHBA.
Gjëja më e thjeshtë dhe më normale, e qartë dhe e kuptueshme per të gjithë në botën demokratike është se qeveria formohet nga shumica e deputetëve dhe s’ka se si bëhet ndryshe!
Kjo gjë, që tek ne komplikohet pa nevojë, është aq e thjeshtë për vendet e zhvilluara demokratike, sa që atje  nuk do diskutohej fare, meqë bëhet fjalë për matematikë aq të thjeshtë, sa nuk ka ku të shkoj më tepër.
Pra, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka gjithsej 120 deputetë dhe shumica e thjeshtë, apo shumica absolute formohet me 61 deputetë.
Prandaj, ai subjekt politik apo parti politike që e siguron, së paku, këtë shumicë (mazhorancë) minimale, fiton të drejtën e formimit të Qeverisë së re, meqë ka mundësi vendimmarrjeje në bazë të shumicës së siguruar.

Sistemet politike demokratike kudo në botë funksionojnë nga vendimmarrja e shumicës, për dallim nga vendet autokratike, jodemokratike e diktatoriale, ku shoqëria menaxhohet e qeveriset nga pakica autoritare, pa e përfillur fare vullnetin politik dhe interesat e shumicës së shoqërisë apo shtetit përkatës.

Kurse, tek ne janë duke u bërë akrobacione të ndryshme politike, kinse për të “sqaruar” diçka që i është e qartë të gjithëve, por sa duket nuk i është e qartë vetëm pushtetmbajtësve aktualë, të cilët kurrësesi nuk po mund ta kuptojnë se nuk e kanë dhe nuk mund ta kenë kurrësesi shumicën e nevojëshme për ta qeverisur Kosovën edhe në mandatin e tretë.
Sepse, koalicioni  i PDK-së me pesë parti të vogla, në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare ka arritur të fitoj vetëm 37 deputetë, që do të thotë se ka arritur të ket më pak se 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që ka gjithsej 120 deputetë, kurse 1/3 i bie të jenë 40 deputetë.
Sigurisht se bëhet fjalë për një keqinterpretim të rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit, meqë ngatërrohen nocionet.

Për çudi, ky ngatërrim nuk vjen nga analfabetët dhe personat që nuk i njohin proceset demokratike të zhvillimit të shoqërisë, por, përkundrazi, ato vijnë nga persona të shkolluar, madje me tituj akademikë, profesora universitarë dhe pedagogë që merren me drejtësi, si vokacion të tyre, detyrë e të cilëve është t’ua mësojnë studentëve ligjshmëritë e zhvillimit të shoqërisë dhe organizimit të funksionimit të shtetit të së drejtës e demokracisë.
Fitohet përshtypja se ata janë ngatërruar dhe u është  mjegulluar  vetëdia e tyre njerëzore dhe ndërgjegja morale nga interesat grupore e personale që derivojnë nga përkatësia e tyre partiake.
Interesat partiake janë bërë jo vetëm udhërrëfim i “shenjtë” për ata, por edhe mision i tyre “profesional”, për të sqaruar e komentuar gjithçka në frymën dhe nga prizmi i interesave të partisë politike që i përkasin.

Prandaj, ata nuk ngurrojnë fare që ta mjegullojnë opinionin publik të Kosovës me sqarimet e tyre çoroditëse në misionin e tyre të apologjetëve partiakë.

Andaj, Kërcnimi me shpallje të zgjedhjeve të reja, nga kushdoqoftë, poqese mbeten jashtë koalicioneve qeverisëse, paraqet akt vrastar ndaj ekonomisë kosovare dhe mirëqenies së popullit të Republikës së Kosovës.
Pangopësia me pushtet dhe apetitet megalomane për ta (keq)qeverisur edhe për një mandat Kosovën, janë të kobëshme dhe nuk ia duan aspak të mirën këtij populli të sfilitur nga skamja, papunësia e mjerimi, si dhe Republikës së Kosovës, e cila edhe ashtu është katandisur mozomakeq, meqë është i vetmi shtet i izoluar dhe getoizuar në Europë.

Sepse, zgjedhjet eventuale të jashtëzakonëshme do të mund të organizoheshin, në rastin më të mirë, dikund kah nëntori-dhjetori 2014. Kurse, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, institucioneve dhe formimi i Qeverisë së re, zor se do të mund të bëhej para shkurtit-marsit 2015. Kështu, do të shtyhej formimi i Gjykatës Speciale kah fundi i qershorit 2015.
Natyrisht se këtyre vonesave të konstituimit të institucioneve shtetërore dhe zhagitjes së proceseve demokratike, duhet shtuar edhe koston e lartë financiare dhe dëmtimin e ekonomisë kosovare, që edhe ashtu po ballafaqohet me probleme dhe sfida të mëdha.
Pra, disa liderë dhe parti politike të Kosovës, si duket janë verbuar tmerrësisht nga interesat e tyre të ngushta partiake, sa që janë të prirur që t’i shkaktojnë dëme të pariparueshme shtetit të tyre Republikës së Kosovës, duke e përkeqësuar edhe më tepër gjendjen edhe ashtu të rëndë të ballafaqimit me probleme e sfida të shumëta reth zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit të organzuar dhe ekstremizmit, përpjekjet për dalje nga getoizimi ndërkombëtar dhe liberalizimi i vizave, integrimin në struktura euro-atlantike dhe përafrimi me BE-në, etj.

Konsideroj se, e mira për Kosovën duhet të jetë pikësynim i pretendimeve dhe performansës së partive politike, e kurrësesi e kundërta, si është duke ndodhur aktualisht, që të dëmtohet shteti dhe shoqëria kosovare për hirë të interesave të caktuara partiake.

Sepse, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilën po e trumpeton PDK poqese nuk plotësohen kërkesat e tyre pë të qenë pjesë e Qeverisë në mandatin 2014-2018, do t’imundësonte Qeverisë në dorëheqje të Hashim Thaçit që tëvazhdoj ta qeverisë vendin edhe për një kohë disamuajshe, deri sat ë përfundoj konstituimi i Qeverisë së re.

neha-hyseniNdoshta ky do të  mund të ishte interesi i PDK-së dhe i partive të vogla me të cilat ajo është në koalicion, por kurrësesi nuk do të ishte interes i Kosovës! Ose, thënë më troç: do të ishte e mira e PDK-së, por e keqja e Kosovës.

Prandaj, i vetmi akt patriotik që e kërkojmë me ngulm nga klasa politike e Kosovës është domosdoshmëria që të mbledhin mend dhe të veprojnë ashtu si vepron dhe na sugjeron bota e përparuar demokratike, që ta zgjedhim qeverinë e re dhe t’i përvjelim mëngët për t’i hyrë punës, për t’i riparuar dëmet nga keqmenaxhimi dhe gabimet e së kaluarës dhe t’ia kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur këtij shtetit më të ri në Europë, dhe njërit ndër më të rinjtë në botë.

Sfidat janë të mëdha dhe ato kërkojnë angazhim dhe mobilizim maksimal nga të gjitha subjektet e partitë politike, performansa e  të cilave duhet të matet dhe vlerësohet në bazë të kontributit real që i japin shoqërisë dhe shtetit, e kurrësesi me benefitet dhe përfitimet grupore e personale që i arrijnë në bazë të (keq) qeverisjes dhe (keq) menaxhimit që ato realizojnë, duke krijuar kështu shtetin e varfër e të sfilitur, me poltikanë super të pasur dhe milionerë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch