Home » Opinione » Sahat Kulla e vetmja Nevojtore Publike në Gjilan !!!

Sahat Kulla e vetmja Nevojtore Publike në Gjilan !!!

SahatKulla-1Shkruan: Muhamet HALILI

 

Me shtimin e pushuesve në parkun e qytetit të Gjilanit, sidomos nga më të moshuarit, është shtuar edhe nevoja, siç shprehen ata, “për me derdh ujë”. Por, mungesa e një WC Publike nuk u nxjerrë telashe disa prej tyre, pasi ata e kanë gjetur një alternativë “të mirë”. Sahat Kulla e papërfunduar, kjo vlerë e trashëgimisë kulturore, po u shërben mjaftë mirë të pandërgjegjshmëve, për të sosur punë të tilla (shih foto).

 

Sahat Kulla fatkeqësisht tani po e luan një rol të një WC-je Publike ndonëse transparente nga të gjitha anët, por që nuk po u pengon atyre personave pa marifet, për ta bërë atë që nuk duhet bërë assesi, por ja që po e bëjnë. Për ata që nuk po mund ta mbajnë  gjatë, me rëndësi është që të bëjnë një zgjidhje dhe të “çlirohen nga sikleti”, pa pas nevojë, të ikin në shtëpi, vetëm për atë punë, e ta ndërprenë pushimin në park, apo ndonjë punë tjetër të tyre në qytet.

 

Sigurisht çdokujt nga ne që na ka ra të kalojmë atypari, i ka rastisë të shoh persona duke dalë nga Sahat Kulla dhe nga veprimet e tyre teksa rregullojnë veshjet e trupit, lë të kuptohet se nuk janë vizitorë të pasionuar për vlera kulturore, por thjesht janë “pshurrana’ të mos të themi diçka edhe më keq.

 

Mund të ju duket e vështirë kur t’i shihni ata duke u larguar nga ajo hapësirë e Sahat Kullës, pas të kenë kryer punë dhe mund të mos e  besoni fillimisht  se ata “herifa” e kanë bërë atë që bëhet në nevojtore, por se nëse merrni guximin e ofroheni,  kundërmimi dhe ajo çfarë do të ju shohin sytë do të bënë të kuptoni se nga njerëz bastard e të çuditshëm  por edhe nga moskujdesi i organeve komunale Sahat Kulla, që duhet të jetë një nga objektet me vlerë trashëguese e Gjilanit, është shndërruar në një Nevojtore Publike. Fat i mirë në këtë fatkeqësi është se, tani për tani, ambienti përreth është pastruar nga mbeturinat që dikur edhe ato bënin “ekspozitë” në këtë pjesë, për ta bërë një tablo të kompletuar të Sahat Kullës – WC.

 

Përndryshe, më kujtohet momenti kur është vënë gurthemeli i kësaj Sahat Kulle, atëherë nga politikanët ishte thënë se Gjilanit po i kthehej një vlerë trashëguese. Ironike apo jo?!

 

Por, pse Sahat Kulla ndodhet në këtë derexhe?! Sepse, ka përfunduar vetëm faza e parë e punimeve dhe është lënë ashtu, tani e disa vite, ndërsa për t’u kompletuar, nevojitet edhe realizimi i fazës së dytë të projektit, ndërsa pas kësaj edhe rregullimi i hapësirës përreth.

 

SahatKulla-2

Përndryshe duke iu referuar të dhënave nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK),  në Gjilan, përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e Sahat Kullës ishte bërë më 5. 7. 2010. Ka pas vonesa në realizim dhe faza e parë e punimeve  të Sahat Kullës ka përfunduar tek kah mesi i shtatorit 2011.

 

Lartësia e saj arrin afro 30 metra, ndërsa gjerësia është 3.80 x 3.80. Ndërtimin e Sahat Kullës e ka financuar Ministria për Kulturë, Rini e Sport, deri sa mbikëqyrjen e  ka bërë QRTK-ja.

 

SahatKulla-3

Ndërtimi është bërë me material të fortë. Nga brenda ka shkallët që ngjiten deri te pjesa ku do të vendosen orët. Ndryshe është prit që në fazën e dytë të projektit (pritet financim përsëri nga MKRS-ja), do të duhej të kryhen punët përfundimtare: suvatimi, ndriçimi dhe vendosja e orëve, si dhe ndonjë punë tjetër e nevojshme, për t’i mbetur pastaj komunës ta humanizojë ambientin përreth Sahat Kullës, gjëra këto që mjerisht nuk po ndodhin akoma.

 

Ndryshe, Gjilani e ka pas dikur Sahat Kullën si një nga objektet me vlerë trashëguese të Gjilanit, në një vend tjetër, por e rrënuar rreth vitit 1923, prandaj QRTK në Gjilan  kishte sjellë nismën për rindërtimin e një sahat kulle të re, për t’ia kthyer qytetit një vlerë që kishte dikur.

 

SahatKulla-4

Sahat Kulla e vjetër ka qenë e ndërtuar në qendër të Gjilanit, në pjesën ku ka qenë ish “Shtëpia e Mallrave”, në vendin që dikur quhej “Lama e drithit”.

 

Pas rrënimit të Sahat Kullës, në vitin 1923, materiali i saj qe shfrytëzuar për ndërtimin e kishës ortodokse në qytetin e Gjilanit, ndërsa njerëzit e moshuar thonë se janë shumë të sigurt se në katër anët e pirgut të saj janë vendosur pikërisht katër orët e kësaj kulle.

 

Duke menduar, se qytetit të Gjilanit do t’i kthehet një objekt i vjetër-vlerë kulturore, nga QRTK ishte hedhur ideja për rindërtimin e Sahat Kullës. Sipas rregullave, ajo duhej  të ndërtohej në vendin e origjinës, por kushtet dhe rrethanat e krijuara pas privatizimit nuk lejonin të ndërtohej aty ku kishte qenë më parë, andaj Kuvendi i Komunës së Gjilanit kishte vendos që ky objekt të ndërtohet  përballë stacionit të autobusëve, përkatësisht në fund të parkut të qytetit të Gjilanit.

 

SahatKulla-5

Tani veç është 2014-ta dhe përveç pritjeve, nuk ka diç konkrete akoma për të përfunduar ky projekt dhe ndërprerë një degradim i mëtutjeshëm i kësaj hapësire, i këtij objekti, që për qëllim e ka pasurimin e qytetit të Gjilanit me një objekt arkitektonik të veçantë dhe me një simbolikë të Sahat Kullës së vjetër të qytetit, e që pas një kohe do të jetë edhe vet një vlerë e trashëgimisë sonë kulturore.

 

Çfarë të thuhet tjetër për fund, përveç që mu kujtua të bëjë pak humor të zi.

Nëse nuk ja dalim mbarë, atëherë ndoshta duhet tërhequr një paralele me aso dënime të atyre vendeve që hajnit ja presin dorën me të cilën kanë vjedhur. Nëse nuk ka vetëdijesim, atëherë ndoshta edhe tek ne, shteti duhet që ata që i kapë në flagrancë duke e bërë një marifet të tillë te Sahat Kulla, me ua pre… “dorën” !!!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch