Home » Lajme » Sali Berisha tërhiqet nga kreu i PD-së, mbetet deputet

Sali Berisha tërhiqet nga kreu i PD-së, mbetet deputet

Tiranë, 26 qershor – “Nuk arritëm të fitonim në garën e 23 qershorit dhe për këtë që ndodhi, përgjegjësia bie mbi një njeri të vetëm dhe ky jam unë, Sali Berisha. Duke marrë të gjitha përgjegjësitë, kam vendosur që të jap dorëheqjen nga të funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike”.
Ky ishte thelbi i fjalimit të shumëpritur këto orët e fundit nga kryeministri Berisha, i cili pritej të dilte në publik pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e të dielës.
Me një fjalim të mirë përgatitur, Berisha deklaroi se do të qëndrojë në Partinë Demokratike për të dhënë kontributin e tij, ndërsa e konsideroi këtë fjalim, jo si fjalim lamtumire, por si një veprim normal pas zhvillimeve të fundit.
Berisha tha se ky mesazh është i vonuar për arsye se ka dashur të respektojë punën e  komisionarëve që numëronin votat e shqiptarëve.
Kryeministri theksoi se i bindet verdiktit të sovranit, i cili foli me votë dhe votoi alternativën tjetër.
“Qytetarët votuan alternativën tjetër, sepse kundërshtarët kanë premtuar shërbime shëndetësore falas, ulje të taksave për 95 për qind të popullsisë e këto premtime ne nuk mund t’i bënim dot, sepse ato bien në kundërshtim me barazinë sociale dhe me konkurrencën e ndershme”, tha Berisha.
Më tej, me bindjen se PD do të rikthehet në pushtet, Berisha u shpreh se në mandatin tjetër do të realizohen të gjitha premtimet e bëra për zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa dha  një panoramë të punës 8-vjeçare në krye të qeverisë. Po ashtu, Berisha vlerësoi projektin TAP si historik për fatin ekonomik dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch