Home » Lajme, Vendore » Samiti i Berlinit: Thaçi e Haradinaj vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta karshi dialogut me Serbinë

Samiti i Berlinit: Thaçi e Haradinaj vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta karshi dialogut me Serbinë

Mungesa e prezantimit të një qëndrimi unik nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në samitin e Berlinit, mund t’i bëjë dëm Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe monitoruesit e procesit të dialogut. Sipas tyre, duhet të ketë një qëndrim zyrtar karshi taksës dhe fazës së re të dialogut.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta karshi taksës ndaj Serbisë dhe vazhdimit të procesit të dialogut me Serbinë. Me këto qëndrime, ata pritet të shkojnë edhe në Samitin e Berlinit më 29 prill. Këtë fakt, Instituti Demokratik i Kosovës e sheh me shqetësim. Violeta Haxholli, nga ky institut, thotë se kjo është shumë negative për Kosovën.

“Duhet të ketë një qëndrim zyrtarë të Kosovës, sa i përket edhe taksës edhe qasjes ndaj fazës së re të dialogut dhe kërkesave të Kosovës në këtë proces. Pra, të mos shkohet me qëndrime individuale por me qëndrim shtetëror. Është negative për Kosovën nëse atje do të kemi dy zëra të ndryshëm të cilët komunikojnë me përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Haxholli.

Edhe analisti Imer Mushkolaj vlerëson se qëndrimet e ndryshme të dy krerëve të shtetit në vazhdimësi e kanë dëmtuar vendin. Sipas tij, një qasje e tillë joserioze u jep të drejtë edhe shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Çdo lënie hapësire për interpretime të ndryshme të qëndrimeve të dy krerëve të shtetit, vetëm se do ta dëmtojë edhe më shumë procesin dhe vetëm sa do t’u japë të drejtë shteteve që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe të qenit e Kosovës shtet, që thonë pse ne duhet të kemi qasje më serioze karshi zgjidhjes së këtij problemi, kur vetëm krerët që e udhëheqin këtë shtet kanë qëndrime diametralisht të kundërta”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Para Samitit të Berlinit, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se diskutimi për çështjen e territorit dhe korrigjimit të kufijve ka qenë i gabuar dhe vetëm sa e destabilizon rajonin. Ai ka thënë se një gjë të tillë mund ta thotë edhe në Samitin e Berlinit. Presidenti Hashim Thaçi ndërkaq ka thënë se në këtë samit nuk do të ketë asgjë konkrete përveç deklaratave gjithëpërfshirëse.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch