Home » Lajme, Vendore » SAQIPI URON TËRNAVËN PËR RIZGJEDHJE NË KRYE TË BIK-ut

SAQIPI URON TËRNAVËN PËR RIZGJEDHJE NË KRYE TË BIK-ut

Kryetari i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Saqipi, uron rizgjedhjen për të tretën herë të myftiut Naim Tërnava, në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, duke i dëshiruar suksese në konsolidimin dhe stabilitetin e këtij institucioni të lartë fetar.

Në përgëzimin e Nexhmedin Saqipit, gjithashtu, theksohet edhe nevoja e bashkëpunimit të BIK-ut me BIPBM-në, të vetmin institucion legjitim në Luginën e Preshevës, i cili zhvillon dhe afirmon vlerat e organizimit fetar në këtë rajon, duke u bërë pjesë e shpirtit dhe jetës së kësaj popullate brez pas brezi.

Në kuadër të këtij urimi kreu i BIPMB-së, kërkon nga homologu i tij, tërheqjen e të të ashtuquajturave Këshilla të BIK-ut për Luginë të Preshevës, të cilat veprojnë nën ombrellën e Zukurliqit të Sanxhakut në Serbi si Mexhlisa, duke kërkuar nga këto grupacione të integrohen në BIPBM, për të mirën e Luginës dhe rajonit.

Vetëm në këtë mënyrë, kryetari i riposazgjedhur i BIK-ut, Myftiu Naim Tërnava, do t’i bëjë një nder Luginës së Preshevës, duke krijuar një unitet mes imamëve të përçarë dhe të ndarë nëpër Këshilla e Mexhlize të panevojshme, barriera këto të cilat po e pengojnë zhvillimin normal të jetës fetare në Luginë.

Lugina e Preshevës, nuk ka nevojë për paralelizma në organizimin fetar, ashtu siç po ngjet në skenën politike të këtij rajoni.

Bashkësitë fetare, duhen të shërbejnë si model  i rregullimit të standardeve jetësore për paqe, stabilitet dhe dialog të mirëfilltë, pa urrejtje e mashtrime, pa shantazhe e malverzime.

“Unë kam participuar në BIK, që nga viti 1990, duke marrë pjesë aktive në të gjitha proceset për reformimin e këtij institucioni të lartë fetar në Kosovë. Kam qenë dy mandate rresht kryetar i KBI-së pranë BIK-ut, për Luginë të Preshevës, pastaj anëtar i Kuvendit të BIK, anëtar i Shoqatës së Ulemave, po ashtu kam qenë bashkëpunëtor i Revistës “DITURIA”, kam miq e dashamirë që edhe sot e respektojmë njëri-tjetrin.

Këto aktivitete zgjatën deri në themelimin e BIPBM-së, ngase e pamë të domosdoshme  riorganizimin e jetës fetare në Luginë, kuptohet në kushte të vështira e pa mbështetje financiare nga asnjë institucion, qoftë komunal, apo republikan.

Pavarësisht se kemi një organizim të pavarur institucional fetar, jam i gatshëm për bisedime e për dialog me krerët e BIK-ut, për një bashkëpunim të mirëfilltë institucional, gjithnjë në shërbim të avancimit dhe promovimit të vlerave fetare këndej e matanë kufirit me Kosovën, thuhet mes tjerash në urimin e kryetarit të BIPMB-së, Nexhmedin Saqipi, Njofton Qendra Informative e BIPBM, me seli,  në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch