Home » Opinione » Serbia: edhe-edhe, Kosova: as-as – 6 tekste të muajit janar 2014 të Albin Kurtit

Serbia: edhe-edhe, Kosova: as-as – 6 tekste të muajit janar 2014 të Albin Kurtit

Duke iu falenderuar dialogut me Thaçin në Bruksel, Serbia nuk po ka fare nevojë që të zgjedhë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo po avanson në të dy drejtimet: edhe në integrimet evropiane, edhe në Serbinë brenda Kosovës. I fitoi edhe negociatat për anëtarësim në BE, edhe Asociacionin e komuave me shumicë serbe. Negociatat e Serbisë në këto dy rrafshe sot, po bëhen pakrahasimisht më të suksesshme sesa luftërat e saj në dy fronte para dy dekadash.

Askujt në BE, sikurse edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk i shkon fare mendja të bëjë sadopak trysni mbi Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të jetë ndryshe përderisa Thaçi negocion për Kosovën me Serbinë pa kushte për të. Negociatat me Serbinë gjersa ajo nuk e njeh dhe pranon pavarësinë e Kosovës përkthehen në mirëkuptim për këtë mosnjohje dhe mospranim të shtetit tonë. E këtillë është pasoja edhe kur i këtillë nuk ka qenë qëllimi.

Paralelisht me këtë, BE-ja don që kur të zgjerohet me shtete të reja anëtare ato t’i delegojnë asaj sovranitet. Kosova nuk ka sovranitet dhe s’ka se çfarë realisht t’i jep BE-së andaj ajo nuk na e ofron e nuk na e mundëson anëtarësimin. Serbia është sovrane dhe ajo me anëtarësimin në BE ka se çka i bart BE-së.

Dialogu Thaçi-Daçiq në Bruksel paraqet platformën nga e cila Serbisë i hiqen pengesat në shtegun e integrimeve evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërkaq Kosovës i shtohen pengesat në shtetndërtim duke ia rrudhur perspektivën për sovranitet e integritet territorial, për demokraci dhe drejtësi. Pra, jo vetëm që Serbia po përparon kah Brukseli, por përparimi i saj brenda Kosovës e zgjat rrugën e i zvogëlon gjasat për inkuadrimin e Kosovës në BE (që aktualisht ka mbetur e ngujuar te premtimi bajat për liberalizimin e vizave).

Në anën tjetër, Serbia nuk po ka nevojë as të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë. Ajo sërish po avanson në të dy drejtimet. Mjafton të shikohen takimet e vizitat e ndërsjellta midis krerëve shtetërorë serbë e rusë për ta marrur vesh këtë. Nga përmbledhja e lajmeve për vitin 2013, kuptojmë që kryetari i Serbisë, Nikoliq, i ka zhvilluar tri takime me udhëheqësit politikë të Rusisë. Së pari, dy takime me Putinin: më 24 maj 2013 në Sochi ku nënshkruan Deklaratën për Partneritet Strategjik dhe herën tjetër gjatë vizitës së tij dyditore në Rusi më 29 tetor 2013. (Nikoliq me 25 shkurt 2013 e dekoroi Putinin për “merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore midis Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse” me urdhrin e Republikës së Serbisë me qafore.) Po ashtu, Nikoliq u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me 12 nëntor 2013 kur ai e vizitoi Beogradin. Gjatë vitit që lamë pas edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq, ishte në një vizitë dyditore në Rusi kur me 10 prill pati takim me Putinin. Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, u takua me ministrin rus të mbrojtjes, Shoigu, më 22 maj 2013, kur po merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë evropiane në Moskë.

Serbia nuk ndodhet para zgjedhjes a mundësisë ose-ose por pas përzgjedhjes e zgjidhjes edhe-edhe, kurse Kosova ndodhet në pamundësinë problematike as-as. E, sërish, nuk ka mundur të jetë ndryshe…

Para koncesioneve që vijnë nga negociatat kemi koncesionin që u paraprin negociatave. Negociatat e Kosovës me Serbinë tashmë janë koncesion. Negociatat janë ura që lidh koncesionin themeltar të përgjithshëm që shënon fillimin e negociatave me fundin e urës që shënon koncesionet e panumërta të veçanta. Mirëpo, dialogu Thaçi-Daçiq nuk është aty për t’u përfunduar por për të mos përfunduar. Ky është një dialog që e do vetveten dhe jo marrëveshjen. Marrëveshja e mbyll dialogun, ajo i lidh palët si të ndara për t’i përforcuar ato si palë. Jo edhe në dialogun e Brukselit ku ne s’njihemi as nga pala tjetër e as nga ndërmjetësuesi. Ky dialog na lidh pa na trajtuar ndaras. Ky dialog sjell marrëveshje për të pasur edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog…

Dialogu i keq sjell marrëveshje të këqija për edhe më shumë dialog të keq. Nuk mund të ketë gjëra të mira nga zbatimi i marrëveshjeve të këqija. Çfarëdo zgjidhjesh të arrira në orientime të gabuara janë të kota në rastin më të mirë dhe kundërproduktive përndryshe. Problemi i negociatave Thaçi-Daçiq nuk është thjesht rezultati i keq por premisa e padrejtë; pra, jo gabimet në negociata, por iluzionet për to.

Kundërshtimet e Thaçit (ndaj kërkesave të Serbisë) janë veçse në funksion të prodhimit të iluzioneve (te qytetarët e Kosovës). Gjithçka në Kosovën e Qeverisë bëhet për imazh. Kosova është kthyer në një shesh gjigant xhirimi, në një film set enorm, ku horizonti nuk është ende kufiri.

Të gjithë ata që thonë se ka edhe më keq, duhet t’iu tregojmë që është duke u bërë më keq.

 

Prishtinë, 7 janar 2014
Albin Kurti

——————————————–

Punë të drejta me zbatime të shpejta, e jo mbledhje ceremoniale me takime formale 

 

Të shtunën e 11 janarit, në Prizren, u zhvillua një takim i përbashkët i dy qeverive: Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Pa dyshim që të gjithë shqiptarët jo vetëm të këtyre dy vendeve i gëzohen shumë takimeve të këtilla. Ato japin shpresë se thënia ‘bashkimi bën fuqinë’ ka nisur të shënojë jo vetëm porosinë e Skënderbeut por edhe aktualitetin tonë politik.

Gëzimi për këtë takim dhe epitetet që iu dhanë atij tregojnë se sa shumë vetëcensurë ka ndër shqiptarë. Ajo që do të duhej të ishte gjëja më e zakonshme dhe më normale e mundshme përjetohet e rrëfehet si ngjarje aq e posaçme saqë historike. Edhe në këtë takim kishte shumë më tepër brengosje për shikimin e të tjerëve sesa për vullnetin tonë. Shtypja e kombit shqiptar nga jashtë dhe ndrydhjet e brendshme të shqiptarëve për kombin përbëjnë dy anë të së njëjtës medale.

Duhet të jemi kombëtarë që të inkurajohemi nga takimet midis dy qeverive, por edhe duhet të jemi politikë që të kuptojmë se mbledhja nuk garanton vetvetiu zhvillim e përparim. I kemi parë kryeministrat e ministrat të jenë takuar bashkë, por, dorën në zemër, nuk i kemi parë ende të kenë punuar bashkë (që të mund të flasim për bashkëpunim).

Në anën tjetër, kemi pasur edhe takime të tjera që kanë rezultuar edhe me marrëveshje por që nuk janë zbatuar. Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës në maj të vitit 2011 ka marrë nismën për përfaqësim të përbashkët ose reciprok midis Kosovës e Shqipërisë. Ministritë e punëve të jashtme të Kosovës e Shqipërisë e reduktuan këtë në marrëveshje për konsullata të përbashkëta, e cila u nënshkrua në janar 2012 dhe hyri në fuqi në prill 2012. Kjo marrëveshje nuk u zbatua kurrë. Madje, tash së fundi, ministri Hoxhaj njoftoi se Kosova po e hap një konsullatë të përgjithshme në Milano të Italisë e që është gjithsesi e panevojshme. Shqipëria tanimë e ka një të tillë në Milano dhe dihet që numri i shqiptarëve të Kosovës në Itali pa dyshim që është i pakrahasueshëm me ata të Shqipërisë atje.

Pra, përveçqë takimet e përbashkëta nuk garantojnë bashkëpunim, ngjashëm edhe marrëveshjet e nënshkruara nuk garantojnë realizim. Thelbi është te puna e përbashkët e jo vetëm te takimet e ndërsjella, te zbatimet e marrëveshjeve e jo vetëm te akti ceremonial i nënshkrimit të tyre. Nuk duhet të harrojmë se Kosova e Shqipëria janë shumë më pak të integruara me njëra-tjetrën se vendet e Bashkimit Evropian. Ne nuk e kemi monedhën e përbashkët, nuk kemi Bankë Qendrore të përbashkët, nuk kemi treg të përbashkët dhe as nuk bëjmë ligje të përbashkëta.

Mbase shprehje e skepticizmit për mbledhjen dhe marrëveshjen në Prizren midis dy qeverive ishte edhe fakti i eklipsimit të atyre nga i vetmi zotim konkret që përmbante një shifër brenda vetes: 100.000 euro për maternitetin në Preshevë! Pavarësisht se sa do të shtohet në të ardhmen fondi për mbështetje zhvillimore për Luginën e Preshevës, ai nuk është dashur që bazën fillestare ta ketë vetëm 100.000 euro dhe as të nis vetëm për çështjen e maternitetit. Është simptomatike qysh ndihma filloi dhe, tash për tash, u kufizua te materniteti, përkatësisht lindja e fëmijëve. Kështu, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc do të mund të lindin edhe më kollaj teksa jetojnë gjithnjë e më vështirë.

 

Përderisa maternitetit në Preshevë po i ndaheshin 100.000 euro, njëkohësisht komunave në veri të Ibrit iu ndanë edhe 13 milionë euro shtesë nga buxheti i Kosovës për vitin 2014, për punësime të reja në administratë dhe shërbime publike atje, gjithnjë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes Thaçi-Daçiq. (Thua se deshën të na e përkujtojnë që Kosova e shqiptarët varen e dominohen nga marrëveshjet Thaçi-Daçiq e jo nga ato Thaçi-Rama). Madje, kjo ndodh përkundër faktit që në veri të Ibrit jetohet dy herë e gjysmë më mirë se në jug të Mitrovicës (që paraqet qytetin më të pazhvilluar të Kosovës e me mjerimin më të madh social).

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse edhe shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni, e paguan çmimin më të lartë për pavarësinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës sepse kontribuan njësoj (në mos edhe më shumë) për këto pavarësi, por mbetën jashtë që të dyjave, të shtypur politikisht e të shfrytëzuar ekonomikisht. Në Prizren, asnjë fjalë nuk u tha për këto.

Nga kjo mbledhje e përbashkët, sidomos dy deklarime ishin shqetësuese. Së pari, në marrëveshjen që nënshkruan dy kryeministrat, te Politika e Jashtme, mbështetet avancimi i dialogut midis Kosovës e Serbisë. Kur kemi parasysh koncesionet marramendëse dhe kompromiset e kalbura të Thaçit me Daçiqin, sigurisht që pikërisht ngecjet e dialogut do të ishin lehtësim për Kosovën. Kryeministri i Shqipërisë Rama duhet të jetë i vëmendshëm që të mos lejojë që me mbledhje të këtilla Thaçi ta instrumentalizojë Shqipërinë për të legjitimuar pazaret e tij me Serbinë.

Së dyti, në Prizren u tha që nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Më së shumti që mund të thonë kryeministrat, qeveritarët dhe politikanët e Kosovës e të Shqipërisë është se nuk do të ketë ndryshim të kufijve me dhunë, mirëpo jo se nuk do të ketë ndryshim të kufijve! Nëse qytetarët në mënyrë demokratike dhe paqësore vendosin për t’i hequr dhe ndryshuar kufijtë atëherë pikërisht kundërshtimi i kësaj paraqet dhunë dhe padrejtësi.

E vërteta e mbledhjes së parë do të jetë mbledhja e dytë, atëherë kur do të shohim se çka u bë e u realizua midis dy takimesh dhe a po zhvillohemi përmbajtësisht bashkë si komb apo vetëm sa po takohemi formalisht si politikanë.

 

Prishtinë, 14 janar 2014
Albin Kurti

——————————————

Kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Më 21 shtator apo në qershor këtij viti? Datën e parë e theksoi ambasadorja e SHBA-ve, znj. Jacobson, pas takimit me disa kryetarë të partive në Kosovë para gjashtë javëve, ndërkaq data e dytë doli jozyrtarisht nga takimi i tyre me ambasadorin e Gjermanisë, z.Blomeyer, para një jave. Cili prej këtyre takimeve ishte më vendimtar dhe cilit mund t’i besojmë më shumë? Ose, për ta zgjeruar më tutje: nga takimet me cilin ambasador do të vendoset data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

Sigurisht se të gjithë ata që e duan republikën dhe republikanizmin, demokracinë dhe parlamentarizmin, kanë problem edhe konceptual edhe normativ me këtë mënyrë të marrjes së vendimeve kaq të rëndësishme. Data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është çështje e institucioneve dhe çështje e brendshme, jo çështje jashtinstitucionale dhe as çështje diplomatike apo e politikës së jashtme. Natyrisht, nëse e marrim veten tonë seriozisht si shtet të pavarur e si republikë parlamentare.

Mirëpo, është edhe ca më keq se kaq. Vendimmarrja në Kosovë gjithnjë e më shpesh nuk po bëhet as tek ambasadat në Prishtinë, por krejtësisht jashtë Kosovës. Zyra e Baroneshës Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Nën-Kryetares së Komisionit Evropian, është vendi ku vendoset data e zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen sivjet në Kosovë.

E, megjithatë, është edhe shumë më keq se kaq. Në zyrën e Baroneshës Ashton në Bruksel, atëherë kur do te merret vendimi për datën kur qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit, aty do të jetë edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Pra, mbi atë se kur do organizohen zgjedhjet në Kosovë, gjersa në Kosovë bëhen përgatitje për ta shënuar 15 vjetorin e çlirimit nga Serbia, do të pyetet pikërisht kryeministri i Serbisë, Daçiq.

Në këtë kontekst, nga të dy funksionet e mësipërme të Baroneshës Ashton, ai i treti është më i rëndësishmi: ndërmjetësuese në dialogun politik Beograd-Prishtinë (siç e quan ajo). Të gjithë e dimë, se 3 nëntori i viti 2013, si datë e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, ishte ideja dhe kërkesa e Daçiqit me të cilën u pajtua kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. As për zgjedhjet parlamentare nuk do të jetë ndryshe sepse nuk mund të jetë ndryshe.

Nëpërmjet bisedimeve me Daçiqin në Bruksel, Thaçi nuk po i integron serbët në Kosovë por Serbinë në Kosovë. Dhe, ai nuk mund ta integrojë Serbinë në Kosovë pa e integruar edhe Kosovën në Serbi. Teksa për Kosovën pyetet Serbia, planet e vendimet në Kosovë bëhen e merren duke parashikuar e konsideruar interesat dhe qëndrimet e Serbisë. Daçiqit i duhej ca kohë për ta konsoliduar Nismën Qytetare Serbe në Kosovë andaj zgjedhjet lokale të vitit të kaluar nuk u mbajtën as në shtator e as në tetor por me 3 nëntor.

Rezultati dihet: edhe para se të themelohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, ato komuna tashmë u bashkuan në një parti që i fitoi zgjedhjet në to, parti kjo e themeluar dhe e përkrahur nga Beogradi – Nisma Qytetare Serbe apo Lista Srpska, siç po quhet. Kjo parti, në fakt, paraqet shndërrimin e strukturave ilegale, kriminale e armiqësore të Serbisë që i la regjimi i Milosheviqit pas lufte, në formacion politik me vizion e mision të pandryshuar.

Pra, jo thjesht zyra e Baroneshës Ashton, por edhe me Daçiqin (a Vuçiqin) ulur aty brenda, do ta bëjnë caktimin e (ndoshta jo vetëm të) datës së saktë të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Me Daçiqin atje po vendoset gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më shpesh për çështjet e Kosovës, rregullimin e saj të brendshëm dhe oraret e zhvillimeve politike. Me fjalë të tjera, duke e bërë Serbinë çështje të brendshme të Kosovës, edhe Kosovën po e bëjnë ngadalë por sigurt çështje të brendshme të Serbisë. Dinamika e skenës politike në Serbi është bërë faktori kryesor i dinamikës së skenës politike në Kosovë.

Kësisoj, edhe data e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kushtëzohet aq shumë nga beteja e brendshme në Serbi ndërmjet Vuçiqit e Daçiqit. Zëvendës-kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, me datën 25 janar, në Kuvendin e Partisë së tij Progresive Serbe, do të vendos nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme në Serbi, e të cilat do të mbaheshin në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale në Beograd më 16 mars 2014. Motivi i Vuçiqit është i qartë: ta marrë pozitën e kryeministrit në vend të Daçiqit dhe t’i vazhdojë ai pazaret me Thaçin gjithmonë të gatshëm për koncesione. Vuçiqit nuk ia ka marrë mendja që Daçiq do të jetë kaq i suksesshëm me Thaçin dhe sigurisht që ai mendon që do të mund të jetë edhe më i suksesshëm se kaq.

Në anën tjetër, për zgjerimin e temave të dialogut me Serbinë, Thaçi do sa më shumë legjitimitet në dukje, qoftë përmes zgjedhjeve paraprake apo edhe duke i futur nën sqetull Isa Mustafën e Ramush Haradinajn nëpër takime prej një ambasade te tjetra. Thaçi varet përbrenda katrorit në kulmet e të cilit janë Daçiqi e Vuçiqi, Baronesha Ashton dhe EULEX-i, andaj ai nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të varet me sa më shumë shokë ‘opozitarë’ në gjithë këtë ndërmarrje makabër.

Rrjedhimisht e përfundimisht, nuk ka fort rëndësi se në cilën ambasadë në Prishtinë vuloset ajo që shkruhet nga Beogradi në Bruksel, apo jo?

Albin Kurti
Londër, 21 janar 2014

———————————————————-

Fjalimi i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës më 23 janar 2014 lidhur me debatin parlamentar për procesin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Ne jemi të interesuar që të zhvillojmë debate parlamentare për privatizimet e të gjitha fabrikave në Kosovë. Fakti që në këtë vit kemi filluar me Fabrikën e Amortizatorëve nuk duhet të interpretohet se çdo privatizim tjetër është më pak i rëndësishëm se ky – se, ta zëmë, privatizimi i Feronikelit paska peshë më të vogël. Sigurisht që jo. Mbase filluam me Amortizatorët sepse Amortizatorët fillojnë me shkronjën ‘A’. Kaq.  Por, e kemi ndërmend, e konsiderojmë të drejtë dhe të duhur, që të merremi me privatizimin e të gjitha fabrikave, privatizim ky i kryer nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit e më herët nga Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit.

 

Më vjen mirë që gjuha e punëtorëve që na e dërguan materialin ka nisur t’i përdor shprehjet e duhura, si p.sh. ‘kriminalitet i jakave të bardha’ dhe ‘kapje e shtetit’.  Se me të vërtetë është kështu. Bëhet fjalë për kriminalitet të jakave të bardha dhe bëhet fjalë për kapje të shtetit. Dhe, kur punëtorët ankohen se është kapur shteti, t’u thuash shkoni tek gjykatat është në rastin më të mirë cinizëm.

 

Agjensioni Kosovar i Privatizimit jo vetëm që ka lejuar privatizimin, por, ai e ka nxitur, organizuar dhe ekzekutuar atë. Kriminaliteti i jakave të bardha nis me AKP-në por nuk përfundon me të.

 

Sigurisht që kur bëhen privatizimet në Kosovë përgjithësisht nuk përfillen rregullat. Mirëpo, para se të arrijmë këtu e kemi vetë privatizimin që është ilegal, meqenëse as sot e kësaj dite nuk kemi ligj mbi privatizimin. Prandaj, më e drejtë është që privatizimi të quhet shitje sesa privatizim, mirëpo edhe shitja e këtillë që nuk është privatizim, kur kemi parasysh çmimet e shitjes, na del që është falje dhe jo shitje. Ndërkaq, kur shohim asetet e shitura del që nuk është as falje por dhënie që populli ynë e quan: më lirë se badihava.

 

Njëra pjesë e ndërmarrjes së ndarë në dysh nga AKP-ja u dha për 2 milionë euro e pjesa tjetër për 5 milionë euro ndërkohë që sindikata e punëtorëve i referohet një raporti sipas të cilit vetëm vlera e rreth 1000 aseteve të luajtshme të cilat fare nuk janë regjistruar kap shumën prej 93 milionë marka gjermane! Në këto të paregjistruarat bëjnë pjesë makineri dhe pajisje të tjera që shërbejnë në procesin e prodhimit, prodhime të gatshme dhe gjysëmprodhime si dhe pasuri të tundshme. Nga pikëpamja e këtij privatizimi të AKP-së, me rastin e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve, pasuria e luajtshme nuk është pasuri, sepse ajo që lëviz thjesht nuk është. Vetëm ajo që nuk lëviz është. Privatizimi i këtillë është nihilist ndaj prodhimit sepse ia mohon edhe vetë ekzistencën makinerive prodhuese.

 

Pra, së pari, nuk kemi privatizim por kemi shitje. Së dyti, nuk kemi as shitje por kemi falje. Dhe, së treti, nuk kemi as falje por dhënie më lirë se badihava. Nga mënyra e AKP-së që pas pavarësisë e vazhdoi atë të AKM-së nuk është përjashtuar e nuk është kursyer as Fabrika e Amortizatorëve.

 

Tjetërsimi i këtillë i ndërmarrjes ku çmimi i shitjes nuk krahasohet me atë të aseteve, pra të pasurive që përmban ndërmarrja, nuk do të mund të bëhej pa një zhvlerësim paraprak. Akti kryesor i zhvlerësimit është ndarja e ndërmarrjes, ndarja e ndërtesës administrative prej fabrikës. Pra, ndërmarrja si trup ekonomik së pari copëtohet dhe mandej i shiten gjymtyrët porsi një kufome. Kjo që u quajt privatizim e nënkupton vrasjen paraprake të ndërmarrjes e cila nga një jetë ekonomike shndërrohet në trup të vdekur e të ndarë sipas gjymtyrëve.

 

Dikush mund të thotë që fabrika është shitur pjesë-pjesë si një automobil. Mirëpo, këtu ka një gjë që nuk duhet ta harrojmë dhe një keqinterpretim që e zhbën këtë analogji. Së pari, njëmend një automobil mund të shitet pjesë-pjesë, por jo që të bëhet sërish automobil, por që t’i shërbejë automjeteve të tjera. Dhe, së dyti, fabrika nuk mund të krahasohet me automobilin meqenëse fabrika e prodhon automobilin e nuk është vetë automobil. Automobili është mall. Fabrika prodhon mallra. Kjo do të thotë që AKP-ja dhe kjo Qeveri fabrikat i ka konsideruar gabimisht – dhe unë besoj me dashakeqësi – si mallra. Prandaj, këto privatizime të AKP-së nuk mund ta dinamizojnë ekonominë tonë sepse ato në vend se ta shndërrojnë pronën në kapital, në fakt, e shndërrojnë kapitalin në pronë.

Kjo dhënie më lirë se badihava ngjan për tri arsye kryesore: 1) pasuria e Kosovës konsiderohet më shumë barrë sesa shans; 2) ndërmarrjet prezantohen si aset që mund t’i ndërrohet destinimi e jo si kapacitet zhvillimor apo organizatë e punëtorëve; 3) privatizimi nuk është pjesë e ndonjë vizioni më të gjerë e më afatgjatë zhvillimor por privatizimi është principi i instaluar në formën e një të vërtete universale – privatizimi i këtillë është bindje ideologjike. Pra, ata që po privatizojnë janë ideologjik në ndërmarrjen e tyre të eliminimit të ndërmarrjeve shoqërore e publike e jo ne që po e kundërshtojmë këtë privatizim të cilit s’po ia shohim as drejtësinë e as dobinë.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Ky material voluminoz që na e kanë sjellë neve deputetëve punëtorët e Fabrikës së Amortizatorëve, është i njëjti material që ju e keni nëpër Cd të cilat gjithashtu u janë shpërndarë. Ky material është krejt çfarë i duhet prokurorisë. Në vendet demokratike me sundim të ligjit e shtet të së drejtës, prokurorët hulumtojnë e hetojnë shumë gjatë e thellë në mënyrë që ta ndërtojnë rastin e tyre. Në Kosovë prokuroritë s’kanë nevojë fare ta bëjnë këtë sepse e kanë gjithë materialin e nevojshëm, thjesht, nga zyra e tyre mund ta bëjnë të gjithë punën por ja që nuk e bëjnë një gjë të tillë sepse edhe prokuroria e gjyqësia jonë, si ajo vendore po ashtu edhe ajo ndërkombëtare, nuk udhëhiqet nga logjika e drejtësisë për qytetarët dhe e të drejtave të qytetarëve por nga ajo e menaxhimit të krizës dhe stabilitetit afatshkurtër politik.

 

Nga këto tri vite sa jam në Kuvendit e Republikës së Kosovës, përshtypja ime e fuqishme është që deputetët e Kuvendit kur nuk duan të merren me një padrejtësi ose kur nuk janë mjaftueshëm të zemëruar me një padrejtësi, ose kur nuk e përfaqësojnë sinqerisht interesin publik, thonë se kjo i përket gjykatave ndërkohë që të gjithë e dimë se gjykatat përgjithësisht s’po merren me drejtësi.

 

Sindikata e Punëtorëve këtu tregon qysh as Gjykatat, as Prokuroria, as Qeveria, as faktorët ndërkombëtarë nuk po e kryejnë detyrën e tyre dhe shpresa e fundit e kësaj Sindikate është Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj edhe këtu e kemi ngritur këtë debat. Tash, të gjithë ata që u thonë punëtorëve shkoni në gjykata ata po e harrojnë një gjë ose nuk po duan ta kuptojnë një gjë: se në atë stacion tashmë kanë qenë punëtorët, e kanë kaluar atë stacion. Ata kanë ardhur te Kuvendit sepse institucionet kompetente nuk po funksionojnë. Dhe, Kuvendi është organi më i lartë në Republikën tonë parlamentare. Prandaj, është më shumë se legjitime që ne të merremi me këtë çështje.

 

Dhe, le të mos harrojmë se e kemi edhe situatën tjetër me pasojë të njëjtë: merr vendim Gjykata por ai nuk zbatohet! Nganjëherë nuk merr vendim e nuk vepron, e nganjëherë merr vendim të duhur por ja që nuk zbatohet ai. Sërish punëtorët nuk kanë ku të shkojnë tjetërkund përveçse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për shembull, shikoni pikën 36 në material në faqen 11 ku tregohet shumë mire qysh punëtorët paditës të N.Sh. Fabrika e Amortizatorëve në Prishtinë, në Gjykatë kompetente kanë paraqitur padi për kompensimin e të drejtave të punës  nga suspendimi i tyre, nga përjashtimi nga puna që e kanë përjetuar pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, dhe Gjykata komunale në Prishtinë, me aktgjykimin e datës 17 nëntor 2010 e ka aprovuar kërkesën e punëtorëve paditës në shumën e totalit të kërkesave të tyre prej mbi 18 milionë euro. Më pas, kishim edhe dy procedura të tjera nga marrëdhënia e punës, dhe përllogaritur bashkë detyrimet e N.SH. Fabrika e Amortizatorëve dhe AKP-së ndaj punëtorëve arrijnë në shumë mbi 22 milionë euro. Mirëpo, e gjithë ndërmarrja është shitur për 7 milionë kurse tash punëtorëve ia kanë borxh 22 milionë. Ku t’i marrin tash 15 milionë euro? Dhe, ku të vijnë këta punëtorë me këtë diskrepancë prej 15 milionë eurosh? Sërish në Kuvendin e Kosovës se ku tjetër. Dhe, nëse ne themi se gjyqësori duhet të jetë i pavarur ai nuk duhet të jetë i palidhur nga Kuvendi e Qeveria. Sepse, mos harroni, gjykatësit kanë dhënë betim te presidentja, e cila është presidente e një Republike parlamentare që është zgjedhur këtu. Gjërat janë të lidhura dhe gjykata është e pavarur nga ekzekutivi mirëpo ajo nuk është e pavarur nga shteti. E, këtu sot po flasim për shtetin. Çfarë shteti duam?

 

Ju faleminderit!

——————————————————–

Pozitarët

 

Janë bërë një vit prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmori nismën për takime me partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, LDK-në dhe AAK-në. Me LDK-në kishim askohe tri takime: me 22 janar, 11 mars dhe 25 mars, ndërkaq me AAK-në u takuam më 28 mars të vitit 2013. Ishin drejtuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ata që i shkuan edhe LDK-së edhe AAK-së në selitë e tyre partiake për t’ua prezantuar idenë dhe konceptin e një blloku opozitar.

Sigurisht që dallimet programore dhe të tjera mbeteshin midis nesh, mirëpo e përbashkëta jonë ishte dëshira për t’ia hequr qafe qytetarëve të Kosovës qeverinë e Thaçit e cila edhe po e gjymtonte shtetësinë në negociata me Serbinë, edhe po e varfëronte popullin me privatizime e korrupsion. Në takime kishte shumë konstatime të përbashkëta të gjendjes së rëndë dhe të trendeve negative, mirëpo kur vinte puna te bashkërendimi i hapave të përbashkët e konkret gjithçka ngecte.

Qëllimi i formimit të bllokut opozitar ishte i thjeshtë: rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Rrëzimi i qeverisë do të bëhej përmes mocionit të mosbesimit – opozita i kishte numrat në Kuvend meqenëse kryeparlamentari Krasniqi i mbështetur nga jo pak deputetë të PDK-së praktikisht ishin bërë opozitë e qeverisë. Mënyra e atij blloku opozitar ishte po ashtu e thjeshtë: dinamizimi i opozitës në javët e muajt në vijim nëpërmjet disa komisioneve hetimore parlamentare dhe seancave të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Me 40 nënshkrime mund të bënim komisione hetimore për ShIK-un, kontratën e fshehtë me Bechtel-Enka dhe zbatimin e saj, për dyshimet për korrupsion në RTK etj. Njëkohësisht, me 40 nënshkrime mund të thërrisnim seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme dhe të kalonim mocione domethënëse opozitare.

Në anën tjetër, dukej hapur e dihej qartë se dialogu politik në Bruksel midis Thaçit e Daçiqit po dëmtonte rendin kushtetues e juridik si dhe të ardhmen politike e ekonomike të Kosovës. Ai dialog po zhvillohej pa transparencë, pa tekste të shkruara dhe duke shkelur edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 18 tetor 2012. Ishte koha e fundit që ai të ndalohej dhe sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës, rregullimi institucional dhe përfaqësimi i saj jashtë vendit, të bëhen çështje të brendshme të shtetit tonë ashtu siç e do dhe e thotë rendi republikan dhe demokracia parlamentare, vullneti dhe interesi i popullit, barazia dhe reciprociteti.

Gjithçka dukej kollaj e mundshme por asgjë nuk ecte. Përputhja në analizë dhe kritikë, konkluzionet aq të njëjta, nuk pasoheshin me dakordime për veprime të përbashkëta. Mospajtimi për bashkëveprim përkundër pajtimit në konstatim nuk ishte çështje e metodës. Blloku opozitar parashihte bashkërendim strategjik të opozitës në Kuvendin e Republikës i cili po shpërfillej nga qeveria e Kosovës. Pra, mjetet e punës së bashkuar opozitare do të ishin institucionale e demokratike. Megjithëkëtë, me çdo kusht evitohej koordinimi opozitar i cili legjitimitetin e munguar të qeverisë do ta kurorëzonte e vuloste me largimin e saj.

Më 19 prill 2013 e kuptuam përfundimisht pse nuk patëm sukses në formimin e bllokut opozitar nga takimet me 25 e 28 mars 2013 me LDK-në e AAK-në. Tri javë më vonë, këto dy parti e mbështetën marrëveshjen makabër Thaçi-Daçiq, e cila vuri themelet e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke ia siguruar asaj plot 89 vota dhe, më pas, edhe e ratifikuan atë me 27 qershor 2013 me 84 vota PËR (duke ia bashkangjitur mandej edhe projekt-ligjin për amnistimin e kriminelëve serbë nga veriu më 11 korrik). Përfundimisht, nuk pati bllok opozitar LDK-VV-AAK sepse pati vagona qeveritarë prej këtyre dy subjekteve opozitare që kësisoj nuk ishin as subjekte e as opozitare.

Hapat e LDK-së e të AAK-së në drejtim të qeverisë ishin njëkohësisht edhe hapa në drejtim të pazareve të Thaçit me Serbinë dhe hapa kundër VETËVENDOSJE!-s. Pra, ata që janë bashkuar kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!, së pari janë bashkuar për dialogun me Serbinë dhe rezultatet e tij. Duke u bashkuar për dialogun me Serbinë e rreth rezultateve të atij dialogu, Qeveria, LDK-ja dhe AAK-ja janë bashkuar edhe kundër kundërshtarëve të këtij dialogu, përkatësisht Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Sot, njëmend flitet për zgjedhje të parakohshme, por jo edhe për rrëzim të qeverisë nga opozita. Thaçi i do afër vetes Mustafën e Haradinajn dhe nuk po ka nevojë për shumë mund që ta arrijë këtë. Sepse edhe këta dy po duan që t’i rrinë afër atij. Natyrisht që Thaçi i do afër ata dy për ta ndarë përgjegjësinë me ta e jo përfitimet. Mirëpo, Mustafa e Haradinaj nuk shohin mundësi për përfitime pa Thaçin. Ata po presin se mos Thaçi do t’ia bart stafetën ndonjërit prej tyre teksa ai vetë orvatet të bëhet president. Mustafa e Haradinaj janë të përbashkuar me një dëshirë me një qëllim: posti i kryeministrit. Andaj i rrinë pranë Thaçit për t’ju ofruar atij si një trampolinë për president pas zgjedhjeve të ardhshme. Me fjalë tjera, opozitarë që pozojnë.

Problemet në Kosovë nuk vijnë prej mosmarrëveshjeve të krerëve partiakë e shtetërorë por pikërisht prej marrëveshjeve të tyre. Pra, Kosova nuk është në hall pse politikanët nuk po merren vesh, por pse ata janë marrë vesh tashmë, janë në marrëveshje për orientimet e qëndrimet themelore. Ata janë marrë vesh për negociata me Serbinë të cilat e dominuan Kosovën para e pas pavarësisë; ata janë marrë vesh për neoliberalizmin që e dominoi ekonominë kosovare që prej çlirimit.

 

Prishtinë, 28 janar 2014
Albin Kurti

——————————————————

Deklarim jashtë rendit të ditës i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës më 30 janar 2014

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Po i afrohemi ditës kur do të shënohet gjashtë vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mund të themi se pika më e lartë e kësaj pavarësie ishte shpallja. Që prej atëherë, nuk pati zhvillim ekonomik e punësim, nuk pati shtrirje të sovranitetit dhe vendosje të integritetit territorial, dhe nuk pati as zvogëlim të korrupsionit e krimit. Mbi të gjitha, vazhduan edhe negociatat e padrejta me Serbinë edhe privatizimet e paligjshme.

 

Prandaj, nëse Republika e parë e Kosovës, pra ajo që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 ishte republikë-për-rezistencë në kushtet e okupimit dhe apart’heidit, kjo republika e 17 shkurtit të vitit 2008 doli të jetë republikë-për-shitje. Po them republikë-për-shitje sepse ajo përherë ishte dhe vazhdon të jetë, në njërën anë, republikë e negociueshme, kurse, në anën tjetër, republikë e privatizueshme. Republika e dytë e Kosovës është bërë republikë e pakicës dhe jo republikë e shumicës.

 

Është interesante qysh shumë qeveritarë por edhe deputetë që i mbështesin edhe negociatat edhe privatizimet orvaten ta mbrojnë shtetin e pavarur dhe republikën e Kosovës prej Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, këta politikanë që bëjnë paqe të turpshme e kompromise të kalbura me Serbinë, këta politikanë që republikën nga një Res Publica e shndërruan në një Res Privata, e paskan gjetur armikun e pavarësisë: VETËVENDOSJE!-n. Përderisa Serbia po forcohet përbrenda Kosovës, përderisa korrupsioni e pabarazia po rriten, këta politikanë të regjimit shtiren se po e mbrojnë pavarësinë duke e sulmuar VETËVENDOSJE!-n në çdo hap.

 

Bëhet fjalë për të njëjtit politikanë që betoheshin te Ahtisaari dhe paketën e tij e cilësonin të shenjtë. Tash pikërisht këta janë të gatshëm për ndryshime kushtetuese, për privilegje e favorizime partikulare sipas përkatësisë etnike. Prej Asociacionit të komunave me shumicë serbe ku do të sundojë partia e çetnikëve nga Beogradi e deri tek amnistimi i kriminelëve serbë nga veriu, prej tendencave të vazhdueshme për ulëse të rezervuara edhe për një a dy mandate e deri te pazaret e paralajmëruara për Trepçën e Ujmanin, të gjitha këto projekte kundër Republikës, e kanë gjetur mbështetjen në këtë Qeveri dhe në këtë Kuvend ndërkaq kritikën parimore e kundërshtimin kategorik vetëm te Lëvizja VETËVENDOSJE!.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Republika e dytë e Kosovës nuk do të mbijetojë kështu. Ne duhet të kalojmë te një transformim i shtetit tonë, nga privatizimi abuziv që fabrikat i shndërroi në qendra tregtare, te shteti zhvillimor që ekonominë e orienton në prodhim; nga pazaret me Serbinë që po na e bosnjëzojnë shtetin te sovraniteti republikan që e bashkon Mitrovicën dhe na e heq edhe nenin 1.3 të kushtetutës që i përket konceptit të Brezhnjevit për sovranitet të limituar.

Ky transformim do të shënonte Republikën e tretë të Kosovës, republikën e vërtetë. Na duhet pra një republikë e re për ta shpëtuar republikën si ide e si vlerë, si politikë aktuale e si realitet shoqëror.

 

Ju faleminderit!

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch