Home » Opinione » SFIDA E TË RINJËVE SOT! – AFRORE SHAIPI (GJIMNAZI “SKENDERBEU” PRESHEVË IV-9)

SFIDA E TË RINJËVE SOT! – AFRORE SHAIPI (GJIMNAZI “SKENDERBEU” PRESHEVË IV-9)

Ka më tepër se një muaj që kur nisi viti i ri shkollor! Edhe një vit tjetër, shumë i rëndësisshëm e me shumë vlerë për këtë vend të vogël, për të shënuar një hap përpara drejt zhvillimit dhe arsimimit të shoqërisë sonë.

Natyrisht që vit i rëndësisë së madhe është për gjeneratat e reja, të cilat për herë të parë shkelin në tempullin e diturisë, sepse ata shënojnë aktin më të rëndësishëm të jetës së tyre, nëpërmes të cilit i sigurojnë të ardhmen këtij vendi.

Ajo çka është shqetësuese dhe zhgënjyese, është fakti se pikërisht numri i këtyre brezave të rinjë po zvogëlohet çdo vit e më tepër. Përse?! Për shkak të një politike strategjike, të një aktualiteti të varfër, të një vendi të rënë ekonomikisht, ku njërzit më tepër preferojnë të emigrojnë diku tjetër për të pasur një jetë më të mirë, e ata të cilët mbajnë gjallë shpresat e Preshevës mbesin çdo ditë e më pak. Ky është një fakt, por ne duhet të ruajmë atë që kemi dhe me këto forca të ecim tutje.

Nëse duam të zhvillojmë vendin tonë, atëherë duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe të krijojmë një vetëdije ndryshe. Në krijimin e një personaliteti të tillë, përveç familjes, një rol dhe ndikim të madh luan edhe shkolla si institucion edukativo-arsimor, sepse aty të gjithë marrim bazat dhe idetë e para mbi shoqërinë, jetën e të ardhmen.

Me këtë rast, mund të ndjekim shembullin e Japonisë, edhe pse është një vend shumë i largët, megjithatë ne nëse duam të jemi të suksesshëm duhet të inspirohemi prej diku. Atje, nëpër shkolla, që në ditët e para, fëmijëve u jepen porosi të tilla si “Vendi ynë është një vend i varfër dhe pa pasuri nëntokësore e mbitokësore, por për të jetuar me dinjitet ne duhet të mësojmë e punojmë shumë”. Nuk e di se sa porosi të tilla u jepen fëmijëve këtu tek ne, apo ndoshta edhe neve brezave të rinj në përgjithësi. Ne, si shoqëri, jetojmë në një realitet tjetër dhe nuk kemi një mentalitet të tillë, aq vetëbesues.

Pikëpamja jonë mbi shkollën është ndryshe! Ajo për çka jemi të vetëdijshëm është se krahas rëndësisë së madhe që ka ky vit shkollor për të gjithë ata fëmijë, të cilët për herë të parë bëhen pjesë e jetës shkollore, një vit po aq i rëndësishëm dhe i veçantë është edhe për ata gjimnazistë, të cilët këtë vit mbyllin jetën shkollore në vendlindje, për maturantët, sepse ata simbolizojnë shpresat aktuale për një të ardhme më të mirë. Duke qenë dhe vetë pjesë e tyre, më duhet ta pranoj që është një ndjesi e veçantë dhe unike, e cila na dhuron shumë entuziazëm. Viti i katërt i gjimnazit është i vlefshëm, sepse kurorëzon arsimin tonë 12-vjeçar dhe na çon një hap përpara drejt asaj bote reale, që na pret jashtë këtyre mureve. Adoleshenca ëhstë e mbushur me iluzione e ëndrra, të cilat pikërisht në fund të gjimnazit marrin formën dhe kahjen e duhur për t’u bërë realitet. Në këtë periudhë ne fitojmë pjekurinë dhe maturinë për t’u përballur me sfidat që na presin gjatë rrugëtimit jetësor, na bën të vetëdijshëm për përgjegjegjësinë dhe vendimet që duhet t’i marrim.

Mirëpo, pavarësisht këtyre vlerave dhe peshës së madhe që bart, jo se nuk jemi të vetëdijshëm për to, por më tepër të shtyrë nga emocionet, ne e konsiderojmë vitin e katërt një lehtësim për të gjithë ne, një vit kur më tepër mund të argëtohemi sesa të mësojmë seriozisht, kur edhe ikja nga orët e mësimit e mungesat në përgjithësi arsyetohen më lehtë me justifikimin se është viti i fundit që po kalojmë bashkë dhe na takon të zbavitemi.

E vërteta është se këtu, si profesorët ashtu edhe nxënësit, dikush më shumë e dikush më pak, bartim një pjesë të fajit në këtë situatë, e cila po vazhdon tash e disa vite dhe është bërë karakteristikë e jetës së një maturanti.

Më ka ndodhur që tek sa vij në shkollë, ngjis shkallët e gjimnazit, shoh e takoj plot moshatarë të mi e mendoj se secili prej tyre ka qëllimet dhe vizionet e veta për jetën, në pamje të parë, bindem dhe mbushem plot shpresë që këtë vend e pret një e ardhme e mirë.

Por kur njihesh më mirë me rininë preshevare, e kupton që janë të paktë ata që mendojnë realisht kështu! Përkundrazi, një pjesë e të rinjëve kanë përshtypjen se gjërat nuk do të permirësohen. Ata janë bindur teksa shohin plot të diplomuar që enden rrugëve, plot ëndrra arkitektësh të çuara dëm, studime mjekësie që në fund të mbetesh i papunësuar, pasione mësuesish e juristësh për të cilat në fund pendohesh…. Veç tjerash, duke u ballafaquar çdo ditë me korrupsionin dhe nepotizmin, që kanë pushtuar gati çdo sferë të të ashtuquajturës demokraci e sotme, njerëzit kanë bindjen se sot edhe dija, edhe mosdija, madje edhe profesioni përcaktohet nga paraja, pushteti e mbi të gjitha partitë-politika.

Mbase kjo ide është reflektuar edhe tek maturantët e djeshëm, të sotëm e fatkeqësisht, ndoshta do të transmetohet edhe tek të tjerët në të nesërmen. Ata që e ndjejnë veten “të fuqishëm”, duke përdorur fuqinë e tyre qoftë ekonomike apo politike, kur vjen koha e pranimit në fakultete, apo edhe më vonë gjatë studimeve, apo edhe më vonë tek vendet e punës, do të barazohen me ata që realisht kanë punuar dhe sakrifikuar për të arritur një rezultat të merituar. Ky fakt ndoshta ka ndikuar që të rinjtë sot më tepër të tërhiqen nga materialja, sesa nga pasioni dhe vullneti, e ata maturantë që me të vërtetë përgatiten për sfidën e radhës, për universitetin, të mbeten një numër shumë i vogël. Pikërisht te ky numër i vogël mund të gjenden ato pak shenja optimizmi për të ardhmen.

Si pasojë e kësaj, në realitetin e të rinjëve preshevar kemi dy pasqyra mendimesh që ndeshen ndermjet vete: pesimizmin e shumicës së qytetarëve, të cilët të shtyrë nga zhgënjimi i përditshëm, kanë humbur shpresat për përmirësimin e situatës dhe në anën tjetër, bindjen optimste të atyre pak të rinjëve, që mendojnë se fuqia e vullnetit tonë duhet t’i mposht sfidat e kohës. Shpresojmë që të triumfojnë këta të fundit, sepse vullneti dhe energjia pozitive jane forcë shtytëse drejt zhvillimit të shoqërisë.

Nëse të gjithë mendojmë dhe mundohemi që denjësisht të arrijmë majat e suksesit në radhë të parë për veten, në një mënyrë apo tjetër ne do të kontribuojmë dhe ndikojmë në përmirësimin e gjendjes sonë aktuale. Nuk na duhen aq shumë profesorë nëse nuk punojnë siç duhet, mjekë tek të cilët nuk ndihemi të sigurtë, juristë që nuk mundohen të përdorin ligjin si mjetin më të fortë për të mbrojtur vlerat e demokracisë apo ekonomistë që nuk angazhohen për të zhvilluar vendin. Ne kemi nevojë për kualitete të cilat duhet të përzgjidhen në mënyrë të domosdoshme, e për t’u përzgjedhur kualitetet duhet të ketë hapsirë të barabartë për të gjithë. Këto kualitete janë prodhim i aftësive të kësaj rinie e cila ka nevojë për përkrahje dhe pjesmarrje në procese të ndryshme të vendimmarrjes. Nëse duan t’i largojnë të rinjtë nga kafenetë, atëherë t’i ndihmojnë ata me projekte të ndryshme, të dëgjojnë problemet e tyre, të nxirren në skenën politike edhe figura të reja që kanë ide dhe vizion për të nxjerrë Preshevën nga kjo situatë problematike, për të luftuar padrejtësitë, korrupsionin e politikën diskriminuese. Kështu do të ndërtojmë ato ditë të mira që kaq shumë i presim, do të kthejmë vendin tonë në një vend ku mbizotërojnë vlerat e vërteta të demokracisë, një vend prej ku qytetarët nuk do të kenë nevojë të emigrojnë jashtë, sepse edhe këtu do të kenë liri dhe barazi, e kështu në vitet tjera shkollore, nuk do të jetë alarmante numri i vogël i nxënësve të regjistruar në shkolla.

Ne, brezi i të rinjve, dashur apo padashur, kemi trashëguar nga brezat e vjetër këtë të sotme, por si përfaqësues të shpresave reale, kemi në duar tona dhe mbi supet tona përgjegjësinë për të ardhmen që do t’i lëmë trashëgim të tjerëve. Le të përgatitemi dhe të mundohemi të bëjmë më të mirën për shoqërinë tonë. E për këtë kemi nevojë për një vetëdijësim (siç ishte shembulli i Japonisë), që mund të fitohet nëpërmes shkollës, edukimit e arsimimit. Duhet të kujtojmë që arsimimi është arma më e mirë që mund të përdorë njeriu dhe shtylla kryësore e zhvillimit dhe dinjitetit shoqëror.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch