Home » Lajme, Opinione » Sfidat aktuale fetare e kombëtare të shqiptarve në Luginë të Preshevës

Sfidat aktuale fetare e kombëtare të shqiptarve në Luginë të Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

 

Sfidë të rrezikshëme për shqiptarët në Luginë të Preshevës aktualisht paraqet makineria e tërbuar propagandës antishqiptare dhe e prodhimit artificial të skandaleve dhe shpifjeve makabre, në krye me portalet klienteliste, të mirëpaguar nga APN e Shqiprim Arifit, nga fonde jotransparente e enigmatike, që kohëve të fundit janë hedhur me tërbim në aksion kundër stabilitetit dhe mirëqenies kombëtare e fetare të shqiptarve në këtë rajon.

Programi dhe veprimtaria e tyre ideologjike është e proviniencës radikaliste islamike vehabiste, ekstremiste dhe antishqiptare e APN-së në Luginë, ashtu si simotra e kësaj partie në Maqedoni, Lëvizja “Besa”, përçau faktorin shqiptar atje dhe u vu në shërbim të VMRO-së fashiste të Nikola Gruevskit, për të cilët “vetëm shqiptari i vdekur është i mirë” dhe gjithandej e kanë “stolisur” Maqedoninë me parullat naciste: “Vdekje shqiptarve “!

Në “pranverën e nxehtë” politike të paralajmëruar paraqiten haptas nga shumë media rajonale, pretendimet e tyre makabre që pikësynim kanë situatën jostabile dhe të brishtë në Ballkanin e trazuar dhe kurrë të rahatuar e të stabilizuar si duhet.

Forcat e tilla antishqiptare që sunojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, në krye me Rusinë Putiniste dhe agjenturat e saja , që sa duket, kanë rekrutuar edhe shumë shqiptarë dhe ekstremistë të ngjyrave të ndryshme ideologjike e konfesionale, ata paralajmërojnë synimet ogurzeza në këtë pjesë të Europës Juglindore.

Rrëmuja dhe mjegullnaja e mbjellur brendapërbrenda fesë islame, që moti kohë e ka stërkequr dhe e ka bërë “tarator” organizimin fetar në Luginën e Preshevës, duke e copëzuar, përimtësuar e parcializuar skajshmërisht dhe duke i ndarë dhe përçarë myslimanët aktualisht në katër bashkësi apo organizime islame në Luginë të Preshevës:

  1. Bashkësia Islame e lidhur me BI të Kosovën (BIK),
  2. Bashkësia Islame e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (BIPBM), e lidhur me BI të Serbisë në Beograd,
  3. Bashkësia Islame e lidhur me Muhamer Zukorliqin në Novi Pazar, dhe
  4. Bashkësia Islame e Komunës së Preshevës.

Askush në Luginë të Preshevës nuk mund të thotë me saktësi se  çfarë eshtë duke ndodhur realisht këtu dhe kush i ka futur “huntë” në këtë mishmash kaotik të organizimit fetar të myslimanëve shqiptarë në Luginë të Preshevës?!

Pansllavazmin rus në Ballkan, që dikur na ishte si perandori socialiste (komuniste) spvjetike, aktualisht pretendon të na imponohet si Perandori Putiniste, që ka gjetur “folenë” e përshtatëshme të veprimit tek radikalistët e ekstremistët islam.

Sidomos në rajonin e Novi Pazarit, por dhe të Maqedonisë, pa e anashkaluar as Luginën, Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnën, vehabistët kishin hapsirë veprimi,destruktiviteti e kaosi fetarë dhe politik e shoqëror.

Rusia kurrë gjatë historisë por edhe sot, madje më shumë se kurëdoherë më parë, nuk ka pushuar së investuari në islam, kuptohet, për qëllime destruktive, antimyslimane e antishqiptare!

Pra, radikalizmi islam dhe pansllavizmi rus, kanë qenë gjithmonë aleatë në bashkëveprim kundër myslimanëve në përgjithësi dhe veçanërisht kundër shqiptarve në trojet e tyre etnike në Ballkan.

Si komb i vogël që jemi, aktualisht kemi fatin që jemi radhitur kah bota e përparuar euroatlantike, në krye me BE-në dhe mikun e partnerin tonë strategjik, SHB-në.

Fati jonë i mirë është se edhe Turqia është në NATO dhe i përket me dinjitet e madhështi këtij pakti ushtarak euroatlantik.

Natyrisht se prania e fuqishme e tyre në Ballkan dhe sidomos në Kosovë pas bombardimeve të NATO-s dhe rrezistencës gjithëpopullore dhe luftës së UÇK-së kundër Serbisë dhe Rusisë, paraqesin ogur të mirë dhe garancë për sigurinë dhe mirëqenien e shqiptarve në Ballkan.

Pra, Ballkanin dhe trojet shqiptare i synon Rusia e Serbia, duke e sfiduar Pavarësinë dhe Sovranitetin territorial të Republikes së Kosovës, me anë të serbëve në Kosovë.

Një agresion i mbetur në tentativë me trenin rus për të hyrë nga Kraleva e Serbisë, në Mitrovicën e Veriut në Kosovë, siç jemi dëshmitarë edhe na, pra, ndodhi para disa muajsh.

Gjithashtu edhe Turqia ka pretendime për Ballkanin, që e konsideroj si ogur të mirë dhe garanci shtesë për sigurinê tonë, por dhe për mirëqenien e përparimin ekonomik, që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë si mundësi shtesë dhe si një “plus” të madh.

Turqia, megjithatë nuk duhet të futet me një thes me Greqinë, Serbinë e Rusinë dhe me armiqtë e tjerë antishqiptarë.

Pa marrë parasysh faktin se edhe Turqia ishte okupatore e trojeve tona dhe se kishte bërë masakra e krime ndaj nesh.

Por, nuk duhet harruar faktin se Turqia e ruajti kombin shqiptar nga asimilimi dhe sllavizimi i tyre.

Mjafton të përkujtojmë fatin e shqiptarve të krishterë në Maqedoni.

Ku janë ata shqiptarë të krishterë sot?

Dikur Shkupi kishte 50% shqiptarë ortodoksë e katolikë, Reka e Keqe dhe i tërë rajoni i Mavrovës, si dhe pjesët e tjera të Maqedonisë ishin të banuara nga shumica e shqiptarve ortodoksë, ashtu si dhe rajoni i Shën Naumit, afër kufirit të Maqedonisë me Shqipërinë.

Mjerisht, ata shqiptarë të krishterë në viset e ndryshme të Maqedonisë, janë sllavizuar të gjithë!

Situatë edhe më e trishtueshme është me shqiptarët ortodoksë në Greqi, që dikur përbënin shumicën në këtë shtet.

Por, ku janë ata sot?

Ata janë tretur “si kripa në ujë” dhe janë greqizuar!

Faik Konica i ishte përgjigjur përafërsisht kështu një gazetari në pyetjen se çka do të kishte ndodhur me shqiptarët po të mos ishin pushtuar nga Perandoria Osmane:

“Ndoshta do ishim më shumë në numër, por nuk do ishim dhe as nuk do e ndjenim veten shqiptarë!”

Kuptohet se më shqetësojnë mendimet dhe idetë e gabuara të disa intelektualëve e opinionistëve shqiptarë lidhur me radikalizmin dhe ekstremizmin islamik dhe për bindjet e tyre pro-ruse, në stilin se “duhet shikuar më thellë” këto gjëra?!

Pra, dilemat e tyre ndaj ndikimeve dhe rreziqeve reale antimyslimane dhe antishqiptare, vërtetë janë shqetësuese.

Megjithatë, unë kam konsideratë dhe respekt për ata, meqë i konsideroj si të sinqertë, por edhe si  intelektualë shqiptar me dilema shqetësuese kombëtare, që aktualisht janë duke e “ndotur” ambientin shqiptar me gjithëfarë broçkullash sllavokomuniste e vehabiste-selefiste!

Propozimi i njërit prej tyre për shenimin dhe kremtimin e 72 vjetorit të Luftës së Dytë Botërore, që ai e quan ashtu si edhe komunizmi pansllavist dhe enverizmi, si LNÇ, është vërtetë shqetësues dhe për t’u kritkuar e qortuar publikisht!

Sepse, hyrja e partizanëve sllavokomunistë më 15 nëntor 1944, i dha fund “Shipnisë” në Preshevë, që u vendos në fillim të muajit shtator 1944. Forcat vullnetarëve shqiptarë me heroizëm të pashoq dhe me sukses të madh mbrojtën Preshevën, Bujanocin, e deri në Llojan e Vaksincë, nga sulmi tinzar  dhe i befasishëm sllavokomunist për festën fetare të myslimanëve, Ditën e Bajramit të Madh, më 24 shtator 1944., që kishte për qëllim çfarorosjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës nga faqja e dheut.

Kurse, tani, një intelektual shqiptar i proviniensës së caktuar ideologjike, del e na sugjeron dhe propozon, madje publikisht, që okupimin sllavokomunist serb dhe robërimin e shqiptarve, ta cilësojmë e vlerësojmë si “çlirim të tyre”, kjo është vërtetë e tmerrëshme dhe e patolerueshme!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch