Home » Opinione » Sfidat e shumta paszgjedhore të Republikës së Kosovës

Sfidat e shumta paszgjedhore të Republikës së Kosovës

Shkruan: Nehat Hyseni

Fushata parazgjedhore dhjetëditore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit përfundoi ashtu si filloi: me improvizime “ad hoc”, nga më të ndryshmet, pa programe të qarta politike, ekonomike e zhvillimore, pa vizion të qartë reth reformimit të mirëfilltë dhe organizimit e menaxhimit, si dhe sigurimit të pavarësisë së plotë të funksionimit të tre pushteteve: pushtetit legjislativ ose ligjvënënës, pushtetit ekzekutiv (Qeverisë) dhe pushtetit gjyqësor.

Sa i përket Kuvendit të Kosovës,  jemi në ankth nga frika se a do të na përsëriten skenat makabre nga e kaluara me gazë lotësjellës, spreja lotësjellës, filikaça e forma të tjera shurdhuese e bllokuese të pamundësimit të punës së organit më të lartë të pushtetit në politikbërjen e Republikës së Kosovës.

Çuditërisht, askush nga garuesit për pushtet të këtyre zgjedhjeve nuk përmendi me asnjë fjalë të vetme se a kanë ide se si do të sillen deputetët humbës në këto zgjedhje, apo opozita në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të qeverisjes 2017-2021?

Në mungesë të përmendjes, madje as nga mediat dhe analistët, të këtij problemi madhor të legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës (2014-2017), që për nga arroganca denigruese dhe maskarallëqet banditeske në sallën e Parlamentit, na bënë horë para botës dhe u bëmë shumë herë lajm dhe gaz në top lajmet e mediave botërore, duke e prishur skajshmërisht imazhin e këtij shteti dhe të kësaj Republike para botës demokratike.

Dy akterët e kësaj drame denigruese ndaj Kuvendit të Kosovës ishin, pra, Albin Kurti si lider shpirtëror i opozitës, nga njëra anë dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si lider i PDK-së, nga ana tjetër.

Derisa Albin Kurtin me veprimet dhe  fiksimet e tij çoroditëse të kuptimit të demokracisë parlamentare me mjete radikale, piroteknike e zjarrvënëse ndaj institucioneve shtetërore, aseteve dhe pronës publike e private, dmth me mjete kriminale, nuk e arriti dora e drejtësisë së shtetit apo republikës që ai synonte ta ndërtoj sipas vizionit të tij të djegëjes dhe rrënimit nga themeli.

Albin Kurti, jo vetëm që nuk u dënua dhe nuk u përgjigj para drejtësisë, madje u propozua për postin e kryeministrit! Mbase, ku do të jetë edhe rekord për librin e Ginisit.

Për rekordet e shumëfishta të zjarrvënies ndaj pushtetit legjislativ dhe institucioneve të Republikës!

Pra, ai garon për postin e kryeministrit të Kosovës, së bashku me Ramush Haradinajn, të cilit Albini ia futi filikaçat në gojë, por nuk e detyroi as Ramushin e as Fatmir Limajn e Nismës për të hedhur bombola gazi lotësjellës në Parlament.

Natyrisht, këta  bashkëpunëtorë  të ngushtë dhe aleatë të deridjeshëm në maskarallëqet e përmendura, tani janë rivalë që e sfidojnë ashpër njëri-tjetrin në  garën për postin e kryeministrit.

Ramush Haradinaj gjatë mandatit të kaluar ishte, pra, në opozitë.

Kurse, shefi shpirtëror e ideologjik i opozitës ishte Albin Kurti.

Kjo do të thotë se Ramushi është futur në garë për postin e kryeministrit me ish shefin e tij Albin Kurtin, si kandidat i koalicionit të mesnatës së 16 majit 2017, PDK-AAK-Nisma.

Duke marrë parasysh faktin se AAK është parti e vogël, trefish më e vogël se PDK, kjo i bie se Ramushi gjatë kësaj gare për postin e kryeministrit, si shef të vetin, realisht e ka Kadri Veselin!

Madje, siç deklaroi PDK-isti i njohur Hajredin Kuçi gjatë fushatës në Gjilan, se “vendimet do i merr Kadri Veseli, ndërsa Ramush Haradinaj do të jetë vetë zbatues apo implementues i tyre”!

Pra, pa asnjë dilemë dhe pa as më të voglin dyshim, Ramush Haradinaj, poqese zgjidhet për kryeministër, do të jetë vetëm zbatues dhe implementues i urdhërave të Kadri Veselit.

Ndërkaq, pikërisht Kadri Veseli ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në kohën kur ndodhën anomalitë ekstreme dhe maskarallëqet e përmendura në bllokimin e funksionimit të tij. Kjo i bie se Kadri Veseli ishte kryetari dhe menaxhuesi më i keq dhe më i dobët i funksionimit të pushtetit ligjvënës në hisorinë parlamentare të Republikës së Kosovës.

Vallë, a do të jetë i tillë, duke vepruar nga prapaskena edhe në mandatin e ardhshëm, poqese i fiton zgjedhjet koalicioni PAN dhe eventualisht arrinë të krijoj mazhorancë parlamentare, sigurisht se nuk mund të jetë ndryshe nga mandati i kaluar?

Sepse, në atë rast Kadri veseli prap do të zgjidhej në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe gjasat do të ishin reale dhe të pritëshme se do të na reprizohej kaosi dhe maskarallëqet e njohura në sallën e kuvendit dhe jashtë saj. Vazhdimi i kaosit qeverisës edhe në mandatin e ardhshëm është shumë i mundshëm dhe sfidë reale me të cilën mund të ballafaqohemi në të ardhmen.

Siç dihet, pikërisht këtë synim e kishin ata të cilët e prishën koalicionin e kaluar qeverisës.

Derisa pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014 kushim bllokadë totale të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës dhe krizë politike gjashtëmujore, askush nuk garanton se nuk do na përsëritet një situatë e ngjajshme edhe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Sepse, kemi po atë Kushtetutë të çoroditur dhe të predispozuar për krijim bllokadash e krizash politike në vend, meqë parasheh dhe përcakton të drejtën ekskluzive të partisë apo koalicionit me më shumë vota të fituara, por jo të atyre që sigurojnë mazhorancën qeverisëse me mbi 50%, për propozimin e kryetarit të Kuvendit.

Prandaj, PDK-së, që doli si parti e parë nga ato zgjedhje, sipas Kushtetutës, i takonte e drejta për ta propozuar kryetarin e Kuvendit, edhepse nuk kishte shumicën parlamentare prej 50%, që asokohe e kishte koalicioni VLAN.

Pikërisht, kjo gjë shkaktoi pastaj krizën e njohur politike.

Dhe, për fatin tonë të zi, ky nen kushtetues akoma nuk u ndryshua, siç e kanë të gjitha kushtetutat e rajonit.

Kështu psh. Kushtetuta e Maqedonisë nuk ia mundësoi VMRO-DPMNE-së, si fituese me 51 deputetë, që ta bllokoj mazhorancën e LSDM-së si parti e dytë me 49 deputetë, së bashku me BDI-në dhe partitë shqiptare ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Telat Xhaferin, si dhe Zoran Zaevin kryetar të Qeverisë.

Mjerisht, në Kosovë nuk pati vullnet politik dhe nismë për ndryshimin e këtij neni të Kushtetutës.

Prandaj, ekziston mundësia reale dhe sfida e përsëritjes së krizës së kaluar politike pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Sfidë e dytë pasgjedhore është problemi i Gjykatës Speciale, që pritet të ngrisë gjatë këtij viti kalendarik.

Kurse, “klientelë” apo kandidatë të pritshëm të saj  mund të jenë me mbi 90%, pikërisht nga radhët e koalicionit PAN.

Ky fakt do e komplikoj edhe më tepër situatën paszgjedhore.

Prandaj, pritshmëritë tona janë se sfidat paszgjedhore janë të mëdha dhe mundësitë reale për paraqitje të bllokadës dhe krizave politike pas 11 qershorit 2017 do të jenë të shumta.

Urojmë që skepticizmi dhe druajtjet tona të jenë të kota, dmth të demantohen dhe të ndodhë e kundërta!

Gjithësesi, situata paszgjedhore do të varet plotësisht nga ajo se si do t do votoj Sovrani të dielën, më 11 qershor 2017. Poqese do të fitoj koalicioni LDK-AKR-Alternativa, atëherë realisht do shmangej çdo mundësi krize politike, meqë do të krijohej natyrshëm koalicioni qeverisës paszgjedhor me Vetëvendosjen, me të cilën nuk kanë “vija të kuqe” për shkak të prishjes së koalicionit të mëparshëm qeverisës PDK-LDK.

Por, sikur Vetëvendosja të del firuese, edhepse pritshmëritë janë minimale, megjithatë do të evitohej kriza politike paszgjedhore dhe do të krijohej pa probleme mazhoranca qeverisëse VV-LDK-AKR-Alternativa.

Sidoqoftë, na mbetet të presim verdiktin e “Sovranit” më 11 qershor dhe urojmë që të mos kemi përsëritje të përvojave të hidhura nga zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe krizë politike paszgjedhore.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch