Home » Lajme, Ndërkombëtare » Sfidat e urbanizmit të Prishtinës shpalosen para publikut zviceran

Sfidat e urbanizmit të Prishtinës shpalosen para publikut zviceran

Ligjërata e Liburn Aliut në Bernë është realizuar në kontekst të bashkëpunimit të drejtorisë së Urbanizmit të Prishtinës me Shkollën e Lartë Profesionale të Bernës.

Me ftesë të Shkollës së Lartë Profesionale, dega e Arkitekturës në Bernë, mbrëmë në Kornhausforum, ishte shefi Drejtorisë së Urbanizmit të Prishtinës, Liburn Aliu. Ai në një sallë të mbushur, ku dominonin arkitektët, e shumë të pranishëm të tjerë, mbajti një ligjëratë për hapësirat publike të Prishtinës, që nga kohërat e mëhershme e deri tek ato të sotme, ku nuk munguan edhe ilustrimet e fotografitë, ku shihej më së miri ndryshimi që kanë pësuar këto hapësira ndër vite.

Siç kemi shkruar tashmë, në qershorin e këtij viti, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe drejtorin e urbanizmit, Liburn Aliu, Shkolla e Lartë Profesionale e Bernës, katedra e arkitekturës, ka mbajtur një modul të Shkollës verore, me temën “Kaosi urban i Prishtinës”. Me atë rast janë përpunuar disa projekte për valorizimin e hapësirës publike dhe janë realizuar dy projekte konkrete që kanë të bëjnë me hapësirën publike në Prishtinë. Ligjërata e Aliut në Bernë është realizuar në kontekst të këtij bashkëpunimi, me iniciativën e Blerina Shehut, e cila është asistente në Shkollën e Lartë Profesionale të Bernës. Blerina ka bërë edhe moderimin e mbrëmjes.

“Në rrjedhën e kohës, janë rrënuar praktikisht të gjitha ndërtesat që e kanë karakterizuar këtë qytet dhe ato janë zëvendësuar me të reja. Pasi që praktikisht askush nuk i respekton ligjet në fuqi mbi ndërtimin, hapësirat publike po shkatërrohen nga ndërtimet ilegale”, thuhet në tekstin e prezantimit të ligjëratës, ku vihet theksi te kaosi urbanistik që ka karakterizuar dhe në një masë  vazhdon ta karakterizojë Prishtinën.

Drejtori i urbanizmit i Prishtinës, arkitekti i diplomuar Liburn Aliu ka folur këtu lidhur me problemet në planifikimin e qytetit. Bëhet fjalë para së gjithash për cilësinë e ndërtimit në hapësirën publike, luftimin e korrupsionit dhe ndërtimit ilegal. Në mënyrë që kryeqyteti i Kosovës t`i fitojë sërish hapësirat e munguara publike, të cilat mund të shfrytëzohen dhe të përjetohen bashkërisht, qytetit i nevojiten autoritete që funksionojnë mirë dhe që i zbatojnë rregulloret e ndërtimit që janë në fuqi.

Mbrëmjen e hapi nikoqiri zviceran, drejtori i shkollës Rene Graf, e më pas me nga një fjalë rasti të pranishmit u përshëndetën edhe nga zyrtari i Ambasadës së Kosovës në Zvicër, Mustafë Xhemajli dhe  Jeanette Beck, arkitekte nga Zyra e Planifikimit Urbanistik të Bernës.

Duke iu drejtuar audiencës zvicerane në gjuhën angleze, Liburn Aliu paraqiti një rezyme të ngjarjeve politike e shoqërore në Kosovë, zhvillimet e ndryshme në për të cilat kishte kaluar vendi, e duke u fokusuar më shumë në Prishtinën, si kryeqytet.

Duke nisur me një historik të shkurtër rreth Prishtinës, ku gjurmët e gjetura datojnë të jenë afër 8000 mijë vite para erës tonë, apo edhe vendbanimet e kohës së pushtimit romak, ku si shembull është qyteti I Ulpianës, që gjendet në periferi. Mesjeta Prishtinën e gjen si një fshat, ndërsa me pushtimin Osman, merr një hov zhvillimor ku edhe ndërtohen disa objekte monumentale, që ekzistojnë edhe sot.

Luftërat botërore që ndodhën në shekullin e 20-të, për Prishtinën sollën vetëm shkatërrim. Ndërsa pas vendosjen së sistemit socialist të Jugosllavisë, në Prishtinë rrëzohen shumë objekte të vjetra osmane, qoftë ato publike apo fetare, duke u zëvendësuar me ndërtesa të reja. Në këtë kohë fillon edhe zgjerimi i qytetit.

Gjatë viteve 70, në Prishtinë kemi një zhvillim të gjithanshëm, përfshirë këtu edhe lagje të reja me hapësira rekreative e sheshe publike. Ishte kjo kohë kur edhe rritet vetëdijesimi i popullatës për hapësirat publike e duke i shfrytezuar ato për aktivitete të ndryshme. Në përgjithësi sheshet në Prishtinë janë sinonim i shumë zhvillimeve socio-politike, përfshirë këtu protestat e shumta për të drejta politike. Vitet e 90-ta, nuk shquhen për ndonjë zhvillim, pos për ngushtimin e lëvizjes apo shfrytëzimit te hapësirës publike nga policia serbe.

Duke iu referuar viteve të pasluftës në Kosovë, pra pas vititi 1999, Liburn Aliu, shprehet se në Prishtinë ka ndodhur nëj kaos urbanistik, ku shumë hapësira publike ishin uzurpuar nga persona që konsideroheshin “të fortë”, e që kishin ndërtuar objekte të ndryshme aty.

Edhe pse në 2004 kishte filluar plani I parë rregullativ për një lagje, e kjo sipas Aliut, ishte vetëm një përligjje e “të fortëve”.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, sot në Prishtinë kemi zonat e periferisë së qytetit më ndërtesa informale dhe me mungesë të hapsirave publike dhe shërbimeve që do të mund të ofrojë komuna.

Në Prishtinë, sheshi qendror i qytetit si dhe disa nga hapsirat publike të lagjeve të ndërtuara në vitet ’70,’80, mbeten ende hapsirat e vetme publike për qytetarët.

Duke i bërë ballë kohës, Sheshi qendror i Prishtinës vazhdoi të mbetet hapësira kryesore publike e qytetit. Aty mund te jenë kalimtarë edhe qytetarë te tjerë nga periferia, ose mbase mund te jenë atje si shitës ambulantë apo lypës por shumë rrallë si njerëz që kanë dalë për të kaluar çaste të mira socializimi aty.

Pas vitit 2013, me ndërrimin e pushteteve në Prishtinë, pati një ndërrim rrënjësor sa u përket ndërtimeve. Hapësira publike për qytetarët vazhdon të jetë njëri nga prioritetet e kryesore të komunës, ku në bashkëpunimi me universitetet dhe organizatat ndërkombëtare duke përfshirë edhe organizaten HELVETAS dhe DEMOS-in Zviceran, janë realizuar projekte të shumta.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress