Home » Lajme, Vendore » SHAIP KAMBERI: LUGINA E PRESHEVËS T’I BASHKOHET KOSOVËS

SHAIP KAMBERI: LUGINA E PRESHEVËS T’I BASHKOHET KOSOVËS

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka ftuar në takimin e rregullt udhëheqësit e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me pjesëmarrje edhe të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilët kanë bashkëbiseduar për reciprocitetin në dialog që është i domosdoshëm në bisedimet Kosovë – Serbi.

Haziri me këtë rast ka potencuar se ky është një takim i rregullt për koordinim të qëndrimeve politike në kuadër të interesit të qytetarëve shqiptarë në lindje të Kosovës, në kuadër të procesit të normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi.

“Do të vazhdojmë të punojmë që kjo të jetë një zgjidhje me dialog, zgjidhje të pranueshme, ku të drejtat e shqiptarëve të shprehur përmes referendumit të njihen edhe ndërkombëtarisht. E drejta për bashkim me Kosovë t’u garantohet në parimin e reciprocitetit me tërësinë e Komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se jemi të vendosur që këto takime të jenë edhe më të shpeshta, për të ndërtuar një konsensus më të gjerë politik, pasi është kërkesë e shqiptarëve atje dhe njëkohësisht një shqetësim i udhëheqësve shqiptarë nga këto komuna.

Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanocit ka thënë se takimi i sotëm është i rregullt në Gjilan dhe është në kuadër të kërkesave të qytetarëve të Kosovës Lindore për përfshirje në bisedime edhe këtë pjesë shqiptare dhe atë në platformën e reciprocitetit.

“Ne përkrahim prezantimin e presidentit për mundësinë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Kërkojmë që tërësia territoriale e këtyre Komunave të respektohet në tërësi dhe gjithashtu në këtë moment është shumë me rëndësi konsensusi politik i partive politike në Republikën e Kosovës, sa i përket kësaj çështje, e cila është jetike për qëndrimin tonë për të ardhmen”, ka thënë Kamberi.

Ai ka kërkuar nga Parlamenti dhe partitë politike në Kosovë që ta përkrahin idenë e presidentit Hashim Thaçi, pasi është kërkesë e shqiptarëve e shprehur me referendum dhe për fatin e shqiptarëve duhet të ketë një konsensus të plotë politik në Prishtinë.

Kurse Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, ka thënë se gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është e këtillë për shkak të gabimit që nuk janë përfshirë në marrëveshjen e Vjenës në vitin 2010 dhe në procese të ndryshme të mëvonshme.

“Duhet të ketë konsensus politik të Parlamentit të Kosovës dhe partive politike për një platformë të qartë të bisedimeve, e nëse ajo përkrah këtë formë të ndërrimit, atëherë e përkrahi edhe unë. Në të kundërtën nuk lejoj që të jetë pikë e rendit të ditës, shkëputja e Mitrovicës”, ka thënë ai.

Ndryshe, në takimin që është ndarë në dy pjesë kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Preshevës, Armend Aliu dhe Fehmi Bela, asamblist nga Komuna e Medvegjës.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch