Home » Lajme, Ndërkombëtare, Sport » Shaqiri: Nëse Kosova bëhet me kombëtare, do ta rishikoj angazhimin për Zvicrën!

Shaqiri: Nëse Kosova bëhet me kombëtare, do ta rishikoj angazhimin për Zvicrën!

“Në rast se Kosova do ta krijojë kombëtaren e saj, mua do të më duhet të mendohem (të shqyrtoj pozicionin), kjo është e qartë”

Mundësia që Kosova, në rast të pranimit të saj në Fifa t`ia “grabisë” kombëtares zvicerane disa nga yjet më të mëdhenj të saj, po ndiqet me shqetësim në opinionin sportiv zviceran.

 

Atmosfera në prag të ndeshjes së pasnesërme në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë sigurisht ka ngritur “temperaturën” në lidhje me këtë problem. Por edhe para kësaj, lakimi i emrave si Shaqiri, Xhaka, Behrami etj. kanë polarizuar opinionin.
Një ditë më parë ishte gazeta 20minuten dhe Basler Zeitung që e ngritën shqetësimin e përmendur, e sot po të njëjtën temë e ka në fokus edhe gazeta “Sonntags Blick”. Përveç që përsërit ato që kanë shkruar gazetat pararendëse lidhur me (pa)mundësinë e futbollistëve kosovarë për të braktisur kombëtaren e Zvicrës, “S.B.” sjell edhe një intervistë të shkurtë me Shaqirin.
Ylli më i madh i futbollit zviceran, shqiptari nga Gjilani, me përgjigjen e tij pa ekuivoke i bën edhe më shumë të mendojnë krerët e futbollit zviceran. “Natyrisht, duhet menduar rreth kësaj. Unë jam me prejardhje nga Kosova. Në rast se Kosova do ta krijojë kombëtaren e saj, mua do të më duhet të mendohem (të shqyrtoj pozicionin tim), kjo është e qartë. Secili lojtar e mendon këtë, ne kemi shumë lojtarë nga Kosova”.
Shaqiri thekson se deri atëherë mund të shkojë njëfarë kohe, dhe pastaj shton: “Po t`i shikosh të gjithë lojtarët që i ka Kosova, duhet t`ia vesh gishtin kokës. Kosova ka gjithandej në botë futbollistë të mirë. Dhe nëse me të vërtetë shumë lojtarë kulminantë do të kalonin të luajnë për Kosovën, do të më duhet të mendohem edhe unë, kjo është e qartë. Por unë ndjehem tepër mirë në kombëtaren zvicerane”, thotë  ai.
Gazeta zvicerane citon edhe mediet shqiptare të cilat vazhdmisht e tematizojnë çështjen përse Shaqiri është përcaktuar për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë. “Por Shqipëria as që më ka pyetur ndonjëherë nëse do të luaj për ta apo jo. Megjithatë, ndeshja e të martës do të jetë tepër emocionale”, ka thënë Shaqiri.
Sonntagsblick sjell edhe qëndrimin e Fifa-s. Ajo pranon ekzistimin e njëfarë pasigurie juridike dhe nuk mundet të përjashtojë të drejtën e Shaqirit me shokë që të luajnë për Kosovën. Kjo për faktin se do të ishte një situatë e re dhe në këtë kuptim mund të aktivizohej klauzola e përjashtimit.
Drejtori për komunikim i Fifa-s Walter De Gregorio megjithatë thotë: “Ne nuk kemi pasur deri më tash ndonjë rast të tillë. Përgjegjës për këtë çështje është komisioni për statut. Por, parimisht një ndërrim i kombëtares është pak i besueshëm, pasi që sipas statutit, lojtarët kanë të drejtë të luajnë për një shtet të ri, vetëm nëse ata, pa fajin e tyre, e kanë humbur shtetësinë e parë. E kjo gjë nuk ka ndodhur në rastin tonë”./albinfo.ch/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch