Home » Kulturë, Lajme, Vendore » Shekulli i ri i frytshëm i akademikut Kristo Frashëri

Shekulli i ri i frytshëm i akademikut Kristo Frashëri

Nga Prof. Emil Lafe

Dje, më 4 dhjetor, Kristo Frashëri hyri në vitin e 94-t të jetës. I urojmë nga zemra që të arrijë të kapë edhe njëqindvjetorin, e më tej! Unë shkoj e vizitoj herë pas here, sidomos të dielave pasdite, sepse profesori im i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës e ka kohën shumë të çmuar dhe të kursyer. Nuk duhet penguar kur është në orët më të mira të punës, nuk duhet shqetësuar kur ka orët e çlodhjes! Me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën e nderuar, nuk i reshtet punës. Tryezën e ka plot me dosje dorëshkrimesh, që njëra pas tjetrës marrin aty formën e librave. Ky shekull i ri ka qenë veçanërisht i frytshëm për historianin tonë të mirënjohur. Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara  prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 12 vjet të shekullit të ri (2002-2013) ai ka botuar edhe 16 libra studimorë, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe i materialeve të grumbulluara me kujdes e me durim për studimet e shumta të mëparshme. Ai ndërkaq ndjek me vëmendje edhe botimet e ndryshme historike e dokumentare brenda e jashtë vendit.

Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se ç’është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.

Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar.

Prof. Kristo Frashëri meriton jo vetëm urimet tona më të mira për jetë të gjatë, të qetë e shëndet të mirë që të çojë përpara projektet e tij shkencore. Ai meriton, në radhë të parë, një përkrahje të përshtatshme e të përhershme shtetërore për t’i krijuar kushte më të mira jetese e  pune dhe për të siguruar botimin e veprave të tij me kritere shkencore akademike dhe me cilësi teknike bashkëkohore.

Libra të Kristo Frashërit të botuar në 12 vjetët e fundit (sipas viteve)

1)       Skënderbeu. Jeta dhe vepra. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2002, 571 f. ;

2)       Historia e Tiranës. Vëll. I. 2004, 472 f. ;

3)       Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV. Burime dokumentare shqiptare. Vëll. I. 2005. 380 f.

4)       Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj. 2005, 101 f.

5)       Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (Vështrim historik me një shtojcë dokumentare). 2006, 471 f.;

6)       Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera. (Ndërhyrje në debatin Ismail Kadare – Rexhep Qose). 2007, 211 f.;

7)       Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 364 f.;

8)       Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912). Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008, 284 f.;

9)       Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë. Vështrim kritik. 2009, 198 f.;

10)   E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit. 2010. 111 f.;

11)   Frashëri – shkëlqimi dhe rrënimi i tij (vështrim i shkurtër). 2010, 201 f. ;

12)   Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Botohet me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë. 2012, 755 f.;

13)   Historia e Dibrës. Që nga lashtësia deri në mars 1939. 2012, 621 f.;

14)   Ismail Qemali (Album). Botohet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 2012, 107 f.;

15)   Abdyl Frashëri Jeta, veprimtaria dhe shkrimet (1839-1892). 2013, 430 f.

16)   Etnogjeneza e Shqiptarëve. Vështrim historik. 2013, 272 f.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch