Home » Kulturë » SHËNOHET 5-VJETORI I REVISTËS “GJAKOVAPRESS”

SHËNOHET 5-VJETORI I REVISTËS “GJAKOVAPRESS”

Me një ceremoni rasti, këto ditë u shënua 5-vjetori i daljes së numrit të parë të revistës së përmuajshme lokale, “Gjakovapress”. Me këtë rast, u fol për arritjet e këtij organi shtypi të ri, në komunën e Gjakovës. Për një kohë të shkurtër, falë edhe portalit informativ, ajo ka arritur të mbledhë rreth vetes mijëra lexues, në Gjakovë, qytete tjerë të Kosovës e trojet shqiptare dhe në diasporë.

Publicisti  Agim Byci, duke marre “Mirënjohje”, nga editori Zeki Vehapi

 

Për ndihmesën e dhënë me shkrime  në arritjet e revistës, për pesë vitet e shkuara, u nderuan me “Mirënjohje”: Akademik Esat Stavileci, prof.Masar Rizvanolli,   krijuesi dhe publicisti Agim Byci, veterani i gazetarisë sportive Sali Vula e tjerë. Ndërkaq, në solemnitetin e organizuar në restaurantin “Svvis Bistro-B”, në mënyrë të veçantë, përshëndeti nga Kuvajti profesor Jahja Kokaj, i cili tha se:

“Pas shumë ngjarjeve jo të mirëseardhura të para, gjatë dhe pas luftës, krahas lirisë që fituam, themelimi i gazetës “Gjakovapress” është një nga arritjet e shënuara pozitive. Me shkrimet shumë atraktive, ajo  është futur në kureshtjen dhe zemrat e gjakovarëve.” Përgëzime për këtë përvjetor sollën edhe publicisti nga Tirana, prof.Murat Gecaj, si dhe njohësi i mirë i rrugëtimit të gazetarisë kosovare, Akademiku Ramiz Këlmendi.

 

Editori i “Gjakovapress”-it, Zeki Vehapi tha se, me këtë revistë lokale, që nga fillimi është  synuar të depërtohet  në gjitha familjet gjakovare, duke i shërbyer informimit për ngjarjet e rëndësishme aktuale në komunën e Gjakovës, paraqitjes së halleve dhe sukseseve, në të gjitha fushat e jetës. Me theks të posaçëm është synuar në paraqitjen ee  traditave të kaluara, në të gjitha fushat e jetës dhe, në veçanti, në ato të shkencës,  arsimit, kulturës e sportit, si  dhe synimeve për të ardhmen.

Ballina e numrit jubilar të 5-vjetorit  të “Gjakovapress”

 

“Për pesë vite të jetës së revistës “Gjakovapres”,  përveç informacioneve gazetareske, që dëshmojnë kronikën e aktualitetit gjakovar, u arrit që  të botohen edhe qindra e qindra  shkrime nga akademikë, profesorë, ekspertë, studentë, nxënës dhe autorë të tjerë të fushave të ndryshme. Përkundër sfidave të mëdha të natyrave të ndryshme, me ndihmesën e tyre vullnetare, është arritur që në faqet e revistës të pasqyrohet Gjakova me fuqinë e saj intelektuale”, tha  më tej z.Vehapi. Me këtë rast, ai falënderoi Kuvendin Komunal, kryetarin dr.Pal Lekaj dhe  të gjithë ata, që në një formë a tjetër, ndihmuan për t’u botuar një herë në muaj, revista “Gjakovapress”.

Duke lavdëruar punën e redaksisë “Gjakovapress” për pesë vite, kryetari i komunës, Pal Lekaj tha se për mediat duhet mbështetje ende më e madhe, sepse ato luajnë një rol të rëndësishëm në përditshmërinë tonë.

Nga të pranishmit u vërejt se “Gjakovapress”  kurrë nuk mund të arrinte këtë përvjetor, pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë kolegëve gazetarë, miqëve të informimit të mirëfilltë, ekspertëve e bizneseve, që reklamojnë produktet e veta në faqet e revistës dhe gjithë atyre, që e duan Gjakovën dhe dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj pune, që mëton të lërë gjurmë të pashlyera.

“I falënderojmë nga zemra gjithë ata, që në njëfarë mënyre kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar, që për pesë vite “Gjakovapress” të mbahet revistë, vlerat e të cilës shtohen, sa më tepër që ikin vitet”, theksoi, në mbyllje, editori Zeki Vehapi.

(Shkrimin e dërgoi për publikim, Murat Gecaj)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch