Home » Kulturë, Lajme, Ndërkombëtare » Shënohet Dita Botërore e Librit, aktivitete të larmishme në fakultetin e Histori-Filologjisë

Shënohet Dita Botërore e Librit, aktivitete të larmishme në fakultetin e Histori-Filologjisë

Në kuadër të Ditës Botërore të Librit është kthyer në traditë tashmë organizimi i aktiviteteve të ndryshme në Tiranë, të cilat promovojnë rëndësinë që ka libri në jetën e njeriut dhe pushtetin e pakufijshëm të dijes që përftohet prej tij. Prej vitesh, departamenti i letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, organizon një sërë aktivitetesh, pjesë e të cilit janë emrat më të njohur të shkencës e letërsisë shqipe, të cilët paraqesin arritjet kryesore të punës krijuese. Edhe këtë vit, Dita Botërore e Librit e gjeti fakultetin e Filologjisë, të stolisur nga banderolat, të mbushur nga sytë kureshtarë të studentëve drejt titujve të larmishëm të librave të ekspozuar në hollin para fakultetit dhe nga gamë e gjerë aktivitetesh që e shoqëruar gjatë gjithë ditës festën e madhe të librit.

Programi i sivjetshëm pati shumë risi dhe zgjati për më shumë se tetë orë, duke iu dhënë mundësinë studentëve dhe të pranishmëve që të njiheshin jo vetëm me botimet më të fundit cilësore në fushën e studimeve filologjike apo të letërsisë artistike në Shqipëri,  por edhe me inkurajimin e studentëve përmes organizmit të festivalit të krijimit letrar, apo performancave të tyre dramatike të krijimtarisë së autorëve shqiptarë.

Në fjalën e hapjes së veprimtarive për Ditën Botërore të Librit, shefja e departamentit të letërsisë, prof.as.dr. Lili Sula, theksoi se departamenti që ajo drejton synon që përmes këtyre aktiviteve të inkurajojë studentët që të zbulojnë kënaqësinë e leximit dhe të nxjerrin në pah punën krijuese e studimore të autorëve shqiptarë bashkëkohorë dhe atyre të traditës. Aktivitetin e përshëndetën edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Mynyr Koni, si dhe dekani i fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri Laçi, të cilët përgëzuan punën që po bëhet për afrimin e të rinjve me librin, por edhe më gjerë.

Kjo ditë e shënuar në historinë e librit, e përcaktuar nga UNESCO, 23 vjet më parë, pikërisht me 23 prillin e vitit 1995,  u shoqërua me promovimin e disa librave shkencorë, letrarë, si dhe të përkthimeve të ndryshme.

Departamenti i letërsisë, departamenti i gjuhësisë, departamenti i shkencave të komunikimit dhe departamenti i gjeografisë promovuan libra të ndryshëm, ku ndër librat më të rëndësishëm përmendim: librin studimor “Hieronym në botën arbëreshe” të akademikut Shaban Sinani, “Kaleidoskop” të studiueses Laura Smaqi, “Bibliografia e dramës së botuar shqipe” të studiuese Erenestina Halili, librin e përkthyer nga Ardian Ndreca “Letra grues seme të vdekun”, Gjovalin Gjadri, librin e studiueses Blerina Suta, Hulumtime mbi veprën e At Gjergj Fishtës etj.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua 80-vjetorit të ndarjes nga jeta të Migjenit, ku u organizua tryeza e rrumbullakët “Migjeni autentik: në 80-vjetorin e ndarjes nga jeta të autorit”, shoqëruar edhe me një ekspozitë virtuale mbi botimet më të hershme të Migjenit, mundësuar nga Biblioteka Kombëtare.

Përveç aktiviteteve të shumta në mjediset brenda universiteti, atmosfera e gjithë Ditës Botërore të Librit u  përplotësua edhe me panairin e librit në hollin universitar, ku morën pjesë 22 ente botuese, të cilët vunë në dispozicion botimet e tyre për të gjithë lexuesit e rinj, që patën mundësinë të blinin librat e preferuar me një kosto më të ulët se zakonisht. E gjithë gama e aktiviteteve të organizuara u solli në kujtesë të pranishmëve rëndësinë që mbart libri si një fanar udhërrëfyes për mbarënjerëzimin.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch