Home » Kulturë, Lajme » SHOQATAT NË EMIGRIM-KURORA E MBROJTËSE E ATDHEUT

SHOQATAT NË EMIGRIM-KURORA E MBROJTËSE E ATDHEUT

Nga Kujtim Mateli

Tiranë, shkurt 2018

Të japësh kontribut për Atdheun është detyrë e cilitdo. Por shkalla e këtij kontributi është e ndryshme tek individët që e përbëjnë atë komunitet. Njerëzit për ta maksimalizuar kontributin e tyre organizohen në shoqata e forca politike. Për Atdheun mund të kontribosh kudo që të ndodhesh.  Si ata që punojnë dhe jetojnë brenda Atdheut, ashtu dhe ata që jetojnë dhe punojnë jashtë tij. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”në Suedi, rrezaton fuqishëm në të gjitha trojet shqiptare, me kontributin e saj në promovimin e figurave të shquara të kombit tonë që janë krenaria e historisë sonë mijëvjeçare. Në Suedi vepron dhe Qendra Kulturore “Migjeni”, e cila me revistën e saj “Dituria” përçon tek shqiptarët vlerat artistike që krijohen jo vetëm në Suedi, por në të gjitha trojet shqiptare. Të dy këto organizime tregojnë për dëshirën e madhe të shqiptarëve që banojnë në Suedi për të kontribuar dhe për të përçuar tek të gjithë shqiptarët vlerat artistike, shkencore dhe kulturore që prodhohen nga shqiptarët kudo që ata ndodhen. Kontributi që japin shqiptarët që ndodhen jashtë trojeve ka një specifikë të veçantë nga kontributi që japin shqiptarët në trojet e tyre, në interes të forcimit dhe lulëzimit të kombit shqiptar.  Shqiptarët që krijojnë jashtë trojeve shqiptare janë në komunikim të dyfishtë: me trojet e tyre, por dhe me popullin e atij vendi ku ata ndodhen. Ajo kreditohet në dy llogari artistike njëherësh.

Shqiptarët që banojnë në Suedi, me krijimtarinë e tyre janë bërë pjesë përbërse e letërsisë shqipe. Ajo njihet anëembanë trojeve shqiptare dhe po hyn si vlerë e kësaj letërsie pavarësisht se krijohet jashtë trojeve tona. Denjësisht po bëhet pjesë konkuruese e festivaleve poetike duke shënuar kulminacione të reja. Letërsia e vërtetë, nuk njeh kufij dhe popuj. Ajo i drejtohet çdo qytetari të kësaj bote për ta bërë planetin Tokë sa më të përshtatshëm për njerëzimin. Letërsia e një vendi depërton me vështirësi në kulturën e popujve të tjerë. Ndryshe ndodh me letërsinë që krijojnë emigrantët. Ajo në procesin e ngjizjes së saj artistike i përmban njëherësh: si kulturën e atij vendi ku emigrantët jetojnë ashtu dhe të vendit prej nga kanë ardhur. Ndaj mund të themi, se letërsia që krijojnë shqiptarët në Suedi ka një mesazh që kuptohet si nga shqiptarët kudo që ata ndodhen, ashtu dhe nga suedezët. Sa më i lartë të jetë niveli i kësaj letërsie, aq më e lartë është dhe shkalla e përafrimit midis popujve. Konkretisht në rastin që po analizojmë midis popullit suedez dhe atij shqiptar.

 

1
Të mbash emrin e Papa Klementit XI Albani, do të thotë të kesh marrë përsipër një detyrë të vështirë për t`u realizuar. Individët e një grupimi të caktuar e kanë simbol emrin e personit me të cilin duan të identifikohen. Shqiptarët në Suedi janë identifikuar me emrin e këtij personaliteti të shquar, i cili vjen në historinë kishtare dhe atë të Shqipërisë si një nga Papët më të suksesshëm. Po ajo që vihet në dukje dhe nga biografët e tij është të mbajturit e emrit Albani, çfarë e identifikon me atdheun e vet, me Shqipërinë. Një nga përkushtimet e punës së tij që vlen të veçohet janë përpjekjet në krijimin e një vepre të plotë të historisë kishtare në trojet ilire, “Illyricum Sacrum” e cila tashmë ndodhet e botuar në disa vëllime. Me këtë vepër Papa Klementi XI Albani, ngrihet në nivelet të larta dhe shembull për t`u ndjekur. Pikërisht këtë figurë madhore përzgjodhën si shembull shqiptarët me banim në Suedi për ta pasur si model në punën e tyre.
2
Në këto shtatë vite të themelimit të Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, 26 nëntor 2011, është bërë një punë e shkëlqyer për të evidentuar vlerat që kanë krijuar shqiptarët në Suedi, vlera që tregojnë se asnjëherë nuk i kanë shkëputur marrëdhëniet me trojet shqiptare dhe Shqipërinë, por as kanë mbetur të izoluar në vendin ku kanë shkuar. Një gërshetim i vlerave të dy popujve shqiptar dhe suedez, një ngjizje që flet se bashkëpunimi midis popujve shënon pika të reja në jetën kulturore dhe artistike të mbarë botës. Këtë pasuri që kanë krijuar shqiptarët në Suedi, të grumbulluar rreth Papës sonë me origjinë shqiptare, ata janë munduar të mos e mbajnë sirtarëve të kësaj shoqate, por ta përçojnë fuqishëm si tek shqiptarët ashtu dhe tek suedezët.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” e ka konkretizuar punën e saj në librin e titulluar “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” deri tani në tetë vëllime ku janë përfshirë një numër i madh me dokumente, artikuj, recensione librash, ese dhe intervista që tregojnë përkushtimin e madh dhe shtrirjen e kësaj shoqate në të gjithë hapësirën shqiptare.

Në trojet shqiptare ka një interesim të veçantë për këtë shoqatë, për vlerat që ajo përçon tek gjithsecili prej nesh. Janë me qindra takime që kjo shoqatë ka zhvilluar në Suedi dhe në trojet shqiptare. Në kaq pak vite të ekzistencës së saj, ajo ka formuar identitetin e saj që është i admirueshëm për t`u marrë si shembull. Nuk mund të mos dëgjosh në bidedat gjatë mëngjeseve duke pirë një kafe apo në udhëtime të ndryshme, emrat e Hysen Ibrahimit dhe Sokol Demakut, Hamit Gurgurit dhe Fetah Bahtirit, Osman Ahmetgjekajt dhe Bedri Pacit, Remzi Bashës dhe Ibrahim Abedinit, Bajram Muharremit dhe Fahredin Berishës, Emin Rustemit dhe Adnan Jetullahut, si dhe shumë e shumë të tjerë. Këta janë personalitete që u përkasin fushave të ndryshme: aty gjen shkrimtarë dhe përkthyes, piktorë dhe aktorë filmash, gazetarë dhe veprimtarë të palodhur. Gjurmë të pashlyeshme kanë lënë këto figura të spikatura, kudo ku kanë shkuar. Në këto vite të krijimit të shoqatës “Papa Klementi XI Albani” drejtuesit e saj i gjen në çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare, kudo ku flitet e shkruhet shqip, atje ku shkruhet letërsia jonë kombëtare që në këto vite të këtij Mijëvjeçari të Ri, e ka zgjeruar dimensionin gjeografik dhe artistik.
3
Le të japim disa detaje që i marrim nga përurimi i veprës madhore “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” nr. 5 dhe 6., në një hark të shkurtër kohor, gjatë muajit korrik 2016. Në datën 9 korrik 2016, u bë përurimi në Drenas, ku pjesëmarrësit shpalosën vlerat që ka ky libër, mesazhet e ngrohta që përcjell për ta dashur më shumë njëri-tjetrin dhe për t`i dalë zot vatanit në momentet e vështira të tij. Janë mbresëlënëse takime të tilla, që i afrojnë shqiptarët sa më pranë njëri-tjetrit në ide dhe mendime, por i përafron dhe fizikisht, ku njihen në pak orë apo ditë dhe miqësia rron përgjatë gjithë jetës. Po të njëjtën ditë, më 9 korrik 2016, në mrekullinë që të dhuron Gryka e Rugovës, në Pejën heroike, organizohet festivali i poezisë: “Peja poetike”. Aty mblidhen poetë nga të gjitha trojet shqiptare. Në festa të tilla poetike shpalosen vlerat që poezia ka krijuar dhe krijon fuqishëm në ditët e sotme. Në këtë festival, për të nderuar poetët e trojeve shqiptare, krahas tre çmimeve që i akordon juria e Pejës, ndan tre çmime dhe SHSHASHS, duke e dyfishuar në këtë mënyrë numrin e çmimeve për t`i dhënë më tepër vlerë këtij festivali poetik. Në datën 15 korrik 2016 shkrimtarët dhe artistët e Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” i gjen në Prishtinë. Pjesëmarrje e gjerë dhe prani e konsiderueshme e medias së printuar dhe asaj televizive. Një vlerësim i veçantë. Libri në disa vëllime “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” vlerësohet si një enciklopedi shqiptare. Me të drejtë Don Lush Gjergji do të shprehej: “Atë që s`po e bëjnë akademitë apo universitetet tona, po e bëjnë vëllezërit dhe motrat tona mërgimtarë”. Në datën 21 korrik 2016, grupi i shkrimtarëve të Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” i gjen në Ulqin. Në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe intelektualëve “Art Club” në Ulqin u përuruan dy librat “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, 5 dhe 6. Profilin e spikatur të kësaj shoqate e ka evidentuar qartë z. Ismet Kallaba, kryetar i shoqatës “Art Club”, ku në fjalën e tij ka evidentuar “… kemi të bëjmë me një shoqatë serioze, e cila ka rreth 100 anëtarë, rreth 220 libra të botuar nga anëtarët e saj, disa prej të cilave të përkthyera në gjuhën suedeze dhe në gjuhë të tjera, organizojnë çdo vit koferenca shkencore, një festival të poezisë etj.”. Të gjitha fjalët e mira që thuhen për këtë shoqatë, janë vlerësime që dalin mbi një realitet mjaft të pasur. 220 libra janë tregues kuptimplotë se në Suedi letërsia ka një vend të rëndësishme në malin poetik të letërsisë shqipe, e cila duhet të zërë vendin që meriton dhe në tekstet shkollore.

Po kaq mbresëlënëse ishte dhe fjala e kryetarit të Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, z. Hysen Ibrahimi, i cili tregon pse udhëton kaq shpesh në trojet shqiptare, pse ndodhet kaq pranë njerëzve të penës dhe të fjalës: “Bashkimi të pamundurën e bën të mundur, kurse ndarja dhe të mundurën e bën të pamundur”. Kjo filozofi që udhëhoqi Rilindjen tonë Kombëtare, është shprehur bukur nga një tjetër patriot i madh siç është z. Hysen Ibrahimi dhe që tregon arsyet pse kjo shoqatë është duke kryer një punë voluminoze që do t`ia kishin zili dhe institucione shtetërore që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, pikërisht për të kryer një punë të tillë.

Më 25 korrik 2016, grupi i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me banim në Suedi, ndodhen në Mitrovicë. Takimi i Mitrovicës ishte tejet entuziast për vetë pozicionin gjeografik të këtij rajoni. Ndaj dhe ata që e kanë përshëndetur këtë takim janë të shumtë.  Dr. sc. Violetë Bardhi Beqiri i vlerëson lart librat “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, nr. 5 dhe 6 dhe vëren: “Ky libër vjen si një perlë në vazhdimësi qysh nga perlat e kolonive shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare si në:  Rumani, Bullgari, Hungari, Greqi, Egjipt, Itali, Kajro, Turqi, Belgjikë, Boston etj., tani kjo perlë vjen nga një shtet i largët skadinav, siç është Suedia”.
4
Këndvështrimi i znj. Violetë Bardhi Beqiri që e sheh Shoqatën “Papa Klementi XI Albani” si një vazhdimësi e denjë e Shoqatave të Rilindjes sonë Kombëtare, është një konstatim i drejtë dhe lexuesi, që i njeh mirë kontributet e këtyre shoqatave në shekujt XIX-XX, do të dëshironte përsëri të njihej shkurtimisht, si një përsëritje e asaj që ka dëgjuar e lexuar, sepse sa më shumë të shkruajmë e të flasim për Rilindjen, aq më shumë do të ndërgjegjësohemi se për Atdheun secili prej nesh, do ta kishte krenari të flijohej. Shoqata “Papa Klementi XI Albani”, mbështetet mbi përvojën e pasur që shoqëritë e ndryshme shqiptare gjatë shekujve XIX dhe XX kanë zhvilluar jashtë Atdheut. Është kjo përvojë, rezultatet e tyre konkrete, që kanë nxitur në ditët e sotme të krijohen disa dhjetëra shoqata atdhetare kulturore, kudo ku punojnë dhe jetojnë emigrantët. Kontributi i tyre është i dukshëm dhe i rëndësishëm për kombin shqiptar. Cilët u prinë në ballë shqiptarëve të shekullit XIX, që t`u dilnin zot fateve të kombit të tyre? Janë padyshim shqiptarët e Stambollit, si dhe ata që jetonin në Rumani, Bullgari, Egjipt e gjetkë. Ata lëshuan thirrjen se Atdheu ishte në rrezik, nëqoftëse do të vazhdonte të qëndronte ende nën perandorinë osmane. Lëvizja politike e shqiptarëve, që u kurorëzua me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nuk mund të ishte e suksesshme, nëse nuk shoqërohej pa një shtytje të fuqishme në fushë të letërsisë dhe arsimit. Ndaj së pari atdhetarët tanë përcaktuan krijimin e alfabetit të njësuar shqip. Për këtë qëllim u krijua 12 tetor 1879 “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” e cila quhet ndryshe edhe “Shoqëria e Stambollit”. Ky hap i rëndësishëm u ndërmor nga shqiptarët e Stambollit, në krye të të cilëve u prinë patriotët e shquar: Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi e shumë të tjerë.  Për ta realizuar synimin e tyre kërkuan të ngrinin një komision kulturor të ligjshëm, për ta vazhduar veprimtarinë e tyre, por u kundërshtuan nga Porta e Lartë dhe nën shembullin e saj dhe nga Patrikana e Fanarit. Po këta atdhetarë të paepur e vazhduan punën e tyre pa ndërprerje, gjersa arritën të krijojnë dhe alfabetin shqip dhe botuan veprën e parë me alfabetin e ri, me titull “Alfabetare e gluhësë shqip”, e cila përmbante, përveç alfabetit të Stambollit, disa shkrime mësimore të përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e Koto Hoxhi.

Shoqëria e Stambollit,gjatë vitit 1880, u përballë egërsisht me Portën e Lartë, e cila nuk i dha leje as për botime librash, as për krijim degësh, as për ngritje shkollash shqipe. Pasi Porta e Lartë e shkatërroi Lidhjen e Prizrenit, Shoqëria e Stambollit i pati shumë të pakta mundësitë për të zhvilluar veprimtarinë e saj.

Mërgata e shqiptarëve në Rumani, kishte kushte më të favorshme, Ndaj në Bukuresht, gjatë vitit 1880, u krijua dega e Shoqërisë së Stambollit. Ajo e zgjeroi veprimtarinë e saj dhe u botuan vepra të ndryshme në gjuhën shqipe si ato të Naim Frashërit, Jani Vretos, Sami Frashërit etj. Mërgata e Bukureshtit nxori një nga  poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, Asdrenin.

Shoqëria “Dëshira” e Sofjes, në Bullgari, u krijua nga emigrantët shqiptarë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XIX. Në dhomat e shoqatës jepeshin mësime shqip për të rritur dhe fëmijë. U krijua dhe organi i shoqatës “Kalendari kombëtar”, ku botoheshin më tepër poezi, tregime, folklor dhe më pak artikuj me karakter politik, të cilat i shkruante patrioti i madh Mit’had Frashëri. Në fillim të shekullit XX, një rol të rëndësishëm ka luajtuar gazeta “Drita” me kryeredaktor Shahin Kolonjën. Kjo gazetë u ka bërë jehonë të gjerë zhvillimeve politike në Shqipëri, duke e bërë Sofjen një nga qendrat më të rëndësishme të çështjes kombëtare shqiptare.

Egjipti ka një histori të spikatur ku shqiptarët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë periudhës së sundimit osman me Mehmet Ali Pashën dhe një sërë pasardhësish të tij përgjatë 111 viteve, nga viti 1841 deri në vitin 1952.  Kështu që shqiptarët që emigruan në Egjipt, patën një mbështetje të fortë, sepse ky vend drejtohej nga një dinasti shqiptare përgjatë një shekulli.  Në Egjipt vepruan patriotët e mëdhenj si Thimi Mitkoja, i cili në vitin 1878, botoi në Aleksandri, përmbledhjen fokloristike të titulluar “Bleta Shqiptare”, në alfabetin grek, sepse në atë vit ende nuk ishte vendosur për alfabetin shqip. Në Egjipt, me përpjekjet e patriotëve shqiptarë, u krijua shoqëria “Bashkimi”,  ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm  patriotësh. Vlen të përmendet se nga emigrantët e këtij vendi dolën dy nga figurat e shquara të letërsisë shqipe: Andon Zako Çajupi dhe Filip Shiroka. Në kontributin e shquar të shqiptarëve në Egjipt vlen të theksohet Memorandumi i vitit 1919,  që iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris, në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe demaskimi i mizoreve greke dhe serbe mbi popullsinë shqiptare.

Shqiptarët e Amerikës në fillim të shekullit XX, shënojnë një nga pikat kulmore me krijimin e Kishës AutoqefaleShqiptare, në krye të së cilës ka qenë një nga figurat më të ndritura shqiptare, Fan Noli. Sipas dëshmitarëve të kohës, Noli i ka mëshuar fort idesë se “liturgjia në gjuhën shqipe transmetontelutjet, këndonte aq bukur psalmet, aqshkoqur, aq kuptueshëm sa dhe gjuha e ‘pazëvendësueshme’,greqishtja”. Në këtë mënyrë, Noli u bë një nga figurat qëndrore të shqiptarëve të Amerikës. Mesha në gjuhën shqipe ishte një hap i rëndësishëm për të grumbulluar shqiptarët rreth njërit prej elementëve më të rëndësishëm të identitetit kombëtar siç është gjuha.

Hapi tjetër i rëndësishëm është krijimi i shoqatës “Vatra”, e cila u bë shoqata e shqiptarëve të Amerikës, që ka ndikuar fuqishëm në jetën politike të Shqipërisë, duke u përfaqësuar dhe me një deputet në Parlamentin e parë shqiptar.  Dy nga korifejtë e shoqatës “Vatra” Fan Noli dhe Faik Konica, kanë ndikuar fort në mendimin kulturor, filozofik dhe politik të Shqipërisë.

 

5
Siç e pamë, shqiptarët që jetuan jashtë Shqipërisë në shekujt XIX dhe në fillimet e shekullit XX, kanë qenë shtylla kryesore e kulturës, artit, letërsisë dhe politikës shqiptare. Ata nuk e kanë ndërprerë asnjëherë kontributin e tyre për Shqipërinë, në vendet ku kanë punuar. Pas viteve 90-të të shekullit që shkoi, një e treta e shqiptarëve jetojnë jashtë Atdheut të tyre, në emigrim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pothuaj në të gjithë Evropën e gjetkë. Këta e njohin fare mirë problematikën e Atdheut të tyre, madje jetojnë me shqetësimet e tij duke e pasqyruar estetikisht në një numër të konsiderueshëm veprash artistike. Në këtë drejtim kanë se çfarë të mësojnë jo vetëm nga shoqatat e krijuara përgjatë këtyre shekujve të fundit, por dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch