Home » Opinione » “Show” i dështuar mediatik i dy qeverive

“Show” i dështuar mediatik i dy qeverive

Shkruan: Nehat Hyseni

Mbledhja  e qeverive Kosovë-Shqipëri, mbajtur më 11 janar 2014 në Prizren, mjerisht, përfundoi akoma pa filluar. Sepse, sa duket, ambiciet ishin të tilla: një “show mediatik” , me pretendimin se “diçka historike u fillua”. Dhe kaq! Asgjë më tepër! Me këte Edi Rama synoi  ta “sfidoj” Sali Berishën, i cili njihet si Kryeministri shqiptar më patriot dhe  është i preferuari absolut i shqiptarve jashtë Shqipërisë. Kurse, z.Thaçi kishte nevojë për përmirësimin e imazhit të vet të rrënuar pas kapitulimit pa kushte ndaj Serbisë më 19 prill 2013 në Bruksel dhe mospërfshierjes  fare të Luginës së Preshevës në te.

Fond apo lëmoshë

Në Prizren, dy qeveritë shqiptare në Ballkan, Kosova dhe Shqipëria, vendosën që t’i ndajnë nga 50 mijë euro për Luginën e Preshevës, duke krijuar kontributin e përbashkët prej 100 mijë eurosh.

Në opinion u plasua informata e dalë nga ajo mbledhje se u “formua fondi për Luginën”, e jo siç dihej fillimisht se këto mjete ishin premtuar kohë më pare nga z. Rama për repartin e Maternitetit në Preshevë. Por, meqë në ndërkohë Ministria e shëndetësisë e kishte kryer këto investime, u shfaq edhe kjo “dilemë”.

 

Kjo shumë  i bie përafërsisht nga 1,5 euro për një shqiptar të Luginës, ose sa shuma njëditore e taksës  kufitare që  plaçkitej nga ata shqiptarë të mjerë të Luginës së Preshevës, për çdo ditë të lume për t’u lejuar për hyrë dhe për të “shkelur” në tokën e “Kosovës nënë”.

 

Për ta pasur më të qartë, kjo “ndihmë vëllazërore” për shqiptarët e Luginës është  poaq sa shuma e parave që ndanë Serbia për çdo 5 orë, dmth. sa 1/4 e ndihmës ditore për Mitrovicën e veriut dhe për serbët e tjerë që jetojnë gjithandej nëpër Kosovë, të shpërndarë në enklava, dmth. Serbia ndanë reth 450 mijë euro në ditë, ose reth 170 milion euro në vit për serbët e Kosovës, pa i llogaritur investimet kapitale qindra milionëshe të Serbisë në veriun e Kosovës, që arrijnë reth 450 milion euro në vit.

Ndihma e Serbisë për serbët e Kosovës nuk është vetëm materiale, dmth në të holla. Përkundrazi, ajo ndihmë konsiston edhe në mbrojtjen e tyre nga shteti amë me financimin e shërbimeve publike, me forca të sigurisë, armatim e çka jo tjetër, madje edhe duke i përzënë shqiptarët e Mitrovicës së veriut nga banesat dhe shtëpitë e pronat tjera të paluajtëshme, ku janë vendosur serbët.

 

Edhepse Serbia i ndihmon, mbron, financon dhe nxitë Serbët e Kosovës kundër shtetit të Kosovës, megjithatë, ajo këtë nuk e pranon kurrësesi. Përkundrazi, edhepse e din e tërë bota këtë, megjithatë ajo këtë nuk e pranon dhe e mohon publikisht.
Kurse, në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka investuar asnjë cent në Luginë të Preshevës, si dhe nuk ka ofruar asnjë formë ndihme  qoftë materiale, qoftë në mbrojtjen e tyre, për t’u dalur zot, si pjesë e një kombi dhe gjaku, me mbështetje të sinqertë vëllazërore.

 

Sharjet dhe poshtërimi

Kjo u pa qartë edhe lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së gjatë vitit të kaluar, kur më 20 janar 2013, ditën e diel, heret në mëngjez Serbia dërgoi forca të mëdha të xhandarmerisë së armatosur deri në dhëmbë me armatimin më bashkëkohorë, duke e grabitur në mënyrë spektakolare Lapidarin, nën rethimin e hekurtë të shqiptarve atje.

Me këtë rast, Hashim Thaçi, i zënë ngushtë nga qyqarllëku i vet dhe nga paaftësia e pamundësia e tij për ta bërë “lavrën e miut” , pra për t’i ndihmuar sadopak ata shqiptarë të mjerë, ai si i trullosur dhe i çorientuar  krejtësisht, nuk kishte idenë kah t’ia mbajë.

Prandaj, Thaçi shfryu helëm e vrerë mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, madje duke i sharë dhe fyer në formën dhe mënyrën më jocivilizuese e poshtëruese, duke i quajtur ata “pa ndjenja kombëtare”, “pa dinjitet” dhe me vullgarizma e primitivizma  të tjerë jonjerëzorë, sepse nuk e paskan mbrojtur nga xhandarmeria serbe!

 

Ndërkaq, obligimin parlamentar i Qeverisë së Kosovës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e 6 qershorit 2013, për hapjen e zyrave të Luginës në Prishtinë dhe Gjilan, Hashim Thaçi e ka harruar fare!

 

Mungesa e sinqeritetit

 

Pra, kjo flet qartë për sinqeritetin e kryeministrit Thaçi dhe qeverisë që ai udhëheq, duke dashur që shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i instrumentalizoj, duke u mbështetur në disa liderë të atjeshëm servilë dhe poltronë, meqë kanë interesa të përbashkëta biznesore, në dëm të interesave kombëtare.

 

Mosinteresimi i pakuptueshëm dhe ekstrem i z. Thaçi për Luginën e Preshevës  shihet edhe nga mospërfillja makabre e tij ndaj tyre. Nga 6 vjetë të udhëheqjes së Qeverisë së Kosov֝s, ai nuk i ka pranuar asnjëherë të vetme përfaqësuesit e Luginës. Vetëm me rastin e Lapidarit i pranoi dhe pastaj i shau dhe poshtëroi.

 

Herën e dytë i ftoi “urgjentisht”,  para se të takoheshin me Daçiqin, por kësaj here nuk i shau, sepse ishin afër zgjedhjet lokale dhe druhej se do t’i humbëte votat e tyre sidomos në Gjilan. Por, edhepse nuk i shau dhe poshtëroi si herën e parë, ai aspak  edhe nuk i ndihmoi.

 

Megjithatë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë mësuar me këtë mospërfillje nga Qeveria e Kosovës dhe janë të gatshëm ta kuptojnë atë dhe kryeministrin Thaçi. Madje, janë të gatshëm edhe t’ia falin, megjithë poshtrimet dhe sharjet e fyerjet që ua bëri.

 

Por, megjithatë, mospërmendjen e Luginës në Dialogun e Brukselit dhe as në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, sikur të mos ekzistonte fare! Këtë zor se do të munden t’ia harrojnë dhe t’ia falin z. Thaçi. Sepse, këtë nuk do t’ia falë as historia!

 

Konzullata e Shqipërisë dhe Zyra e Kosovës në Preshevë – nuk u përmendën fare

Ky cinizëm , josinqeritet dhe mosinteresim injorues e poshtrues i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës ndaj shqiptarve të Luginës,  përveç shout mediatik, nuk mori as mundimin për nismën për hapjen e Konzullatës shqiptare në Luginë, duke e ditur se Beogradi është shumë larg nga Presheva. Madje më larg se Tirana, dhe shumë vështirë është të përcillen dhe koordinohen e organizohen aktivitete nga kjo distancë e madhe. Mendojmë se është koha e fundit kur duhet dhënë fund shikimit nga distanca e  kësaj pjese të Shqiptarisë.

 

Andaj, z. Rama në takimin e tij me zyrtarët e Beogradit  që është paralajmëruar për muajin shkurt  2014, doemos duhet ta shtroj edhe çështjen e hapjes së Konzullatës shqiptare në Preshevë, si pjesë e Ambasadës në Beograd.

 

Nuk kërkojmë nga z. Rama që ta bashkoj Luginën me Kosovën, sepse e dijmë se nuk mundet dhe nuk e bënë dot. Ashtu si Enver Hoxha në vizitën e tij në vitin 1946 që nuk mundi ta merr Kosovën. Por, Konzullata është punë e vogël, por mund të na jep ndihmesë të madhe dhe konsiderojmë se nuk do të duhej të jetë problem.
Poashtu edhe Thaçi në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri , të mbajtur më 11 janar në Priztren, as që e përmendi hapjen e zyrave të  Luginës në Prishtinë dhe Gjilan, e as hapjen e  Zyrës së Republikës së Kosovës në Preshevë, që do të shërbenin për koordinimin e mirëfilltë të aktiviteteve të këtyre dy shteteve shqiptare në Ballkan për tē shpëtuar atë që ka mbetur akoma  nga shqiptarët që gjallërojnë me “gjysmë fryme” në këtë pjesē të gjeografisë shqiptare.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch