Home » Opinione » Shpresat për fitore të LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit, vetëm me lidership të ri!

Shpresat për fitore të LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit, vetëm me lidership të ri!

Shkruan: Nehat Hyseni

Ditën e mërkurë, më 10 maj 2017, PDK i tha troç LDK-së dhe (ish) kryeministrit Mustafa, sipas thënies popullore:

“Pasi e kalova lumin, ta dh…fsha kalin!”

Pra, PDK e shfrytëzoi mirë e mirë LDK-në dhe Isa Mustafën dhe në fund veproi sipas zanatit të të vjetër të “prostitutës politike”, apo të tradhëtisë e pabesisë së stërpërsëritur të tyre të padinjitetëshme e jonjerëzore.

Kështu, me veprimet e njëanëshme dhe tmerrësisht të gabuara të Isa Mustafës,  nga partia me të cilën ishin të gatëshme të gjitha partitë politike të bëjnë koalicion dhe të bashkëqeverisin, LDK u katandis dhe u degradua në parti të cilën nuk e don askush!

Duke votuar madje edhe minoritetet kundër saj, me 78 vota kundër Qeverisë Mustafa, kjo ishte befasia më e pakëndëshme dhe më e keqe, sa s’ka ku të shkoj më keq se kaq!

Derisa pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 PDK-ja urrehej nga të gjithë, tani LDK, për faqe të zezë, përfundoi si e tillë: e urryer dhe e poshtruar nga të gjithë!

Prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe votimi i mocionit për shkarkimin e Qeverisë Mustafa pasoi pas arritjes së të gjitha objektivave politikë të PDK-së, nga të cilët kryesorë ishin: zgjedhja e Kadri Veselit kryetar të Kuvendit dhe votimi i Hashim Thaçit për President të Republikës së Kosovës, më 26 shkurt 2016.

Sikur, atmosfera e paknaqësisë së opozitës, që realisht ishte gjithëpopullore ndaj kandidaturës së Hashim Thaçit kishte arritur kulmin.

Me ditë të tëra u patën vendosur në sheshin “Nëna Tereze” çadra e batanije dhe ushqime, ku qindra të rinjë, kryesisht të opozitës, por kishte edhe të LDK-së, kujdestaronin aty, nën acarrin dimëror me shpresën se do e pengojnë atë që ata e mendonin si “e keqja më e madhe” që mund t’i ndodhë Kosovës, dmth zgjedhja e Hashim Thaçit President.

Për hirë të së vërtetës, duhet thënë se disponimi i anëtarësisë së LDK-së, veçanërisht të atyre që cilësohen si “rugovista” ishte edhe më radikal se i opozitës kundër z.Thaçi.

Por, meqë Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë “bajrakun”, kjo anëtarësi e LDK-së ato ditë e shprehi nën udhëheqjen e VV.

Ky pazarllëk i Isa Mustafës me Hashim Thaçin, në kohën kur të gjitha partitë tjera ishin kundër PDK-së, paraqet moment shpëtimtar për Thaçin.

Prandaj, Isa Mustafa meriton t’i ngritet një përmendore madhështore nga PDK, për meritat e tij të pakontestueshme për shpëtimin e PDK-së, e sidomos të Kadri Veselit dhe të Hashim Thaçit nga urrejtja e LDK-istave, nga opozita dhe nga urrejtja, përbuzja e mllefi gjithëpopullor i Kosovës.

Po të mos ishte Isa Mustafa, Kadri Veseli nuk do të bëhej kryetar i Kuvendit dhe Hashim Thaçi, kurrën e kurrës nuk do të bëhej President i Republikës së Kosovës!

Pra, jemi dëshmitarë se kjo e vërtetë e hidhur ishte realitet i pamohueshëm, që as topi s’e luan!

Por, nuk ishte vetëm populli i Kosovës kundër Veselit e Thaçit, por edhe një pjesë e deputetëve të LDK-së, në krye me Vjosa Osmanin, si deputete më e votuar e kësaj partie, pas kryetarit, reflektuan konform vullnetit të anëtarësisë dhe popullit.

Arsyetimet e dhëna asokohe të këtij grupi të LDK-së, por edhe të opozitës, mjerisht, u vërtetuan katërcipërisht!

Madje në tërësi, pa i hequr asnjë germë e asnjë pikë apo presë!

Ndërkaq, ata asokohe jo vetëm që nuk u dëgjuan nga Isa Mustafa, por, madje u kërcnuan nga ai.

Sapo e votii Kuvendi i Kosovës Qeverinë e re dhe z.Mustafa për kryeministër, ai iu vërsul padrejtësisht dhe në mënyrë të paskrupulltë këtij grupi deputetësh të LDK-së!

Prandaj, meqë koha i dha plotësisht të drejtë atyre, si dhe u dëshmua se Isa Mustafa e kishte gabim, tani është koha që ai të reflektoj kulturë të mirëfilltë demokratike, duke u kërkuar falje publikisht atyre, anëtarësisë së LDK-së dhe popullit të Kosovës.

Mbase, është e domosdoshme dhe e mirëpritur që ta bëjë z.Mustafa, për t’ia ruajtur dinjitetin vetes dhe partisë, si dhe për ta shpëtuar LDK-në nga letargjia e pashpresë dhe nga mllefi e zhgënjimi aktual, ai duhet të jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryetarit të LDK-së.

Vetëm në këtë mënyrë do të mund të motivohej e mobilizohej anëtarësia e LDK-së të dalë në zgjedhje, dmth me një kryetar të ri dhe me kandidat tjetër për kryeministër të Kosovës.

Mbase është koha që të respektohet vullneti i Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, i cili me rastin e shkuarjes së tij për trajtim mjekësor në Gjermani, la si zëvendës të Tij, edhepse ishte relativisht i ri asokohe, Lutfi Hazirin.

Gjithashtu, edhe Vjosa Osmani do ishte një kandidate e denjë për postin e kryetares së LDK-së dhe të kryeministrit.

Në këtë mënyrë do t’i hapej rruga kësaj partie drejt fitores, si dhe koalicioneve të mundëshme parimore për bashkëqeverisje të Kosovës.

Pra, LDK ka kuadro të fortë që do ishin kryeministra dhe liderë shumë të suksesshëm!

Poqese kjo parti dëshmon se ka kapacitete dhe vullnet dhe arrin ta kaloj këtë sfidë dhe refuzon të mbetet peng e logjikës dhe filozofisë politike “antiantarësi”, që është thelbësisht filozofi politike antirugoviane.

Pa jëto ndryshime të domosdoshme, LDK në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, jemi të bindur se do të del humbëse dhe do ta zhgënjej sërish, madje edhe më keq se kurrë më parë, anëtarësinë e saj të devotëshme dhe popullin e Kosovës.

Por, do të humbin edhe shpresat e tyre për një qeverisje të mirëfilltë, antikrim e antikorrupcion, që do të na hap rrugën deejt së ardhmes, do t’i mposhtë barrierat ogurzeza të deritanishme në rrugëtimin tonë të suksesshëm drejt BE-së dhe demokracisë euroatlantike, në krye me partnerin tonë strategjik, SHBA-në dhe miqtë  tanë ndërkombëtarë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch