Home » Kulturë » ”SHQIPËRIA, ME ËNDRRËN E TË CILËS I KALOVA ME LEHTËSI SFIDAT E SHUMTA TË JETËS”

”SHQIPËRIA, ME ËNDRRËN E TË CILËS I KALOVA ME LEHTËSI SFIDAT E SHUMTA TË JETËS”

(Përshëndetje e mesazhe, dashamirëse e frymëzuese, nga Suedia)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Në kushtet e hapjes së Shqipërisë ndaj vendeve europiane e më gjerë, pas një mbylljeje shumëvjeçare  dhe të pakuptimtë,  ftesat për të vizituar vende e shtete të ndyshme, tashmë, po bëhen të natyrshme. Siç e kam dëshmuar edhe në ndonjë shkrim të mëparshëm, nga  data 13-17 prill 2012, një grup i vogël intelektualësh, shkrimtarë e gazetarë, ishim të ftuar dhe morëm pjesë në manifestimet e bukura e mbresëlënëse, për festimet e 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” e të Revistës “Dituria” dhe 4-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën tonë amtare, në Radion Lokale “Dituria”, në Boras të Suedisë.

Rikthimi në Atdhe, “ngarkuar”  me shumë emocione, kujtime e mbresa të pashlyera e të paharuara, nuk u shoqërua me “harresën” e njëri-tjetrit. Përkudrazi, edhe tani pas disa ditëve, unë e kolegët: shkrimtari i njohur Viron Kona, gazetarja e Radio-Tiranës, Kozeta Hoxha dhe arsimtarja e publicistja Kadrije Gurmani, e ndiejmë pranë vetes miqësinë e dashamirësinë e dëshmuar në Suedi, nga vëllezërit tanë shqaiptarë dhe miqtë tanë suedezë. Një gjë e tillë vërehet jo vetëm përmes publikimit të shkrimeve në Internet e në shtyp, por sidomos me anën e shkëmbimit të mesazheve të ndërsjellta, dashamirëse, nxitëse e frymëzuese.

2.

Pa u zgjatur, po i jap disa  nga këto përshëndetje e mesazhe, të cilat nuk kanë nevojë për ndonjë koment të veçantë. Ja, mesazhi i arsimtares dhe intelektuales së palodhur kosovare, në Suedi, Qibrije Hoxha, përkthyese në suedisht edhe i librit të shkrimtarit Viron Kona, “Eh, mor Bubulino”. Në ceremonitë e rastit, në festën e treguar më sipër, ashtu si edhe disa veprimtarëve të shquar, suedezë e shqiptarë, asaj i dorëzuam “Mirënjohje”, nga kryesia e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë. Pas kthimit në vendbanimin e saj, në kryeqytetin Stokholm, ajo e përjetoi përsëri gëzueshëm, personalisht e familjarisht, këtë ngjarje të shënuar për të. Së pari, më dërgoi një përshëndetje falenderuese, në adresën time private. Pastaj, Qibrija nisi edhe këtë përshendetje e mesazh mirënjohjeje, drejtuar kryesisë së SHASH, përmes Internetit:

”Kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë

E nderuara Znj.Yllka Beçi, kryetare

I nderuar Prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm-Tiranë

Më lejoni që të ju falënderoj nga zemra për ”Mirënjohjen”, të cilën ma kushtuat,  me rastin e 5-vjetorit të formimit të Qendrës Kulturore Shqiptare ’’Migjeni’’, në Borås të Suedisë. Atë pata nderin ta merrja nga sekretari i përgjithshëm i SHASH, Prof. Murat Gecaj.

”Mirënjohja” e juaj, për mua, bëhet shumfish më e veçantë, sepse më dhurohet në përvjetorin e 100-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ”Mirënjohje”, për mua, është me vlerë të veçantë, sepse më vjen nga shteti-Amë, nga Shqipëria jonë, me ëndrrën e të cilës u rrita, u arsimova dhe me dashurinë ndaj saj, i kalova me lehtësi sfidat e shumta të jetës, gjatë veprimtarisë sime, si nxënëse, si studente, si intelektuale dhe si veprimtare.

Asnjëherë, nuk kam menduar se në jetën time do ta përjetoja një nder dhe gëzim të tillë. ”Mirënjohja” e juaj, më bën të ndjehem e realizuar, si njeri dhe si shqiptare.

Ju falënderoj për këtë dhuratë, shumë të veçantë për mua!

Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, i uroj punë të mbarë në realizimin e programit dhe synimeve të parashtruara. Kurse Ju, znj. Yllka dhe Prof. Murat: Shëndet dhe shumë realizime të tjera fisnike, që keni para vetes!

Me respekt: Qibrije Hoxha, Stockholm-Suedi, më 24 prill 2012”.

Ndërsa një tjetër koleg, studiues e  botues dhe mik i yni, Fetah Bahtiri, na ka shkruar:

“Ju drejtohem përzemërsisht! Unë u jam shumë mirënjohës dhe Ju falënderoj shumë, Ju të dyve, Murat Gecaj e Viron Kona  dhe Kadrije Gurmani e Kozeta Hoxha, si për shoqërimin dhe çastet e bukura miqësore, që i patëm së bashku dje, më 14 prill 2012, në qytetin Borås të Suedisë, në festimin e jubileut të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe përurimin e librit tim, “Miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick (Monografi)”. Ju falemnderit shumë për praninë Tuaj, për fjalët e Juaja miqësore e njerëzore dhe për tërë atë, që bëtë në pasurimin dhe madhështimin e ngjarjeve kulturore kombëtare, që patëm aty së bashku.Ndihmesën Tuaj unë e vlerësoj në përmasat më të larta, në shërbim të shqiptarizmit dhe të Atdheut. Ju lumtë!
Unë nuk i kam adresat elektronike të Kadrije Gurmanit e Kozeta Hoxhës, prandaj nuk po kam mundësi që t`u drejtohem me të njëjtën letër. Ju lus, që atyre t`ua përcjellni këto falënderime dhe përgëzime. Sinqerisht dhe me respekt të pakufishëm për Ju:
Fetah Bahtiri, Suedi, 15 prill 2012”

3.

Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve dhe  me qëllimin e mirë, për të nderuar e vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen ndaj disa kolegëve e miqëve tanë, po shënoj më poshtë edhe përshëndetje e mesazhe të tjerë, të ardhura prej tyre këto ditë. Sigurisht, secili nga ju e ka të lehtë të japë mendimin e tij dhe të gjykojë për lidhjet e mira, që formohen dhe mbeten, jo vetëm ndërmjet vëllezërve shqiptarë të një gjaku, por dhe me miq të kombësive tjera, në shtete të ndryshme.

Ja, ndër të parët, ishte edhe përshëndetja e dërguar nga albanologu suedez, Ulmar Cvik. Aty i ka shprehur kështu mendimet e tij, në gjuhën shqipe, përmes Internetit:

Miq të nderuar, Murat Gecaj dhe Viron Kona!
Më mbetet mjaft kohë për të lexuar edhe studiuar hollësisht artikujt tuaj, të shkruar në kohën e fundit! Ju lumtë dora! Duke qenë se nuk gëzoj lumturinë e pensionistit të qetë, por më shumë lumturinë edhe më të madhe të pensionistit ende aktiv në fushën profesionale të përkthyesit, koha nuk mjafton për të studiuar si duhet këtë pasuri tekstesh nga ana e miqëve tanë, Murat Gecaj dhe Viron Kona.
Dalëngadalë, po përpiqem t’i lexoj këta materiale me vlerë!
Ky e-mail është vetëm një përshëndetje mirënjohjeje. Ju të dy jeni miqtë tanë të dalluar –   jam i lumtur të ndërtoj bashkë me ju këtë “urë” të kulturës dhe të miqësisë midis popujve tanë!… Solidariteti, bashkëpunimi, themelohen mbi veprën e njerëzve të thjeshtë. Si punëtorë të kultures, kemi privilegje, jo ekonomiko-materiale, por privilegje në fushën njerëzore, me krijimtarinë tonë, fantazinë tonë, njohuritë tona. Dhe kjo vlen më shumë, se veprimtaria institucionale, të mos flasim për atë politike!
Me këtë “credo” ju përshëndes, si mik dhe bashkëpuntor në botën e “çudirave” kulturore! Ullmar Qvick”.

Gjithashtu, përmendim këtu përshëndetjet dhe mesazhet e dërguara, nga kolegët e miqtë tanë, në shtete të ndryshme të botës. Ndër ta, janë:

 Sokol Demaku e Bahtir Latifi (Boras-Suedi), Enkelejda Kondi (Francë) dhe nga SHBA: Fiqiri Shahinllari (Aleksandria-Virxhinia), Fuat Memelli (Boston) e Flashi Fili (Filadelfia). Urimet e tyre na i kanë dërguar dhe: Hysen Ibrahimi (Stokholm/Fërslov-Suedi); Zef Mulaj (Itali); Dava Marku, Fatmiroshe Xhamalaj, Qatip Mara, Muharrem Dardha, Bashkim Saliasi (Tiranë) e Kadri Tarelli (Durrës), Dinore Loshi (Suedi) dhe të tjerë.

Përmbledhurazi, të gjithë kolegët, miqtë e dashamirët tanë të shumtë, i falënderojmë nga zemra dhe ju urojmë  atyre gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare! Vizita jonë në Boras e Goteborg të Suedisë dhe pjesëmarrja në një ngjarje aq të shënuar për Komunitetin Shqiptar aty, por dhe për miqtë tanë suedezë, ishte një përvojë e bukur. Ne atje përjetuam kënaqësi të veçantë dhe morëm me vete mbresa të pashlyera, që do të mbeten për një kohë të gjatë  në kujtesën tonë.

Tiranë, 27 prill 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch