Home » Lajme, Vendore » Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë të drejta sikurse që gëzojnë serbët në veri të Kosovës

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë të drejta sikurse që gëzojnë serbët në veri të Kosovës

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës kërkojnë reciprocitet në të gjitha fushat me serbët e veriut të Kosovës. Sipas tyre, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje apo nëse nuk ka reciprocitet në Luginë të Preshevës, ata nuk do të rrinë duarkryq. Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LBD), dhe ish- përfaqësues politik i UÇPMB-së, ka thënë që është momenti i fundit kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të angazhohen për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. “ Është momenti kyç për shqiptarët, për Qeverinë e Kosovës edhe për mbarë shqiptarët edhe Qeverinë e Shqipërisë, që duhet të angazhohen jo vetëm me llafe, por të kyçen drejtpërdrejt në reciprocitetin e të drejtave të shqiptarëve, që çka fitojnë serbët në veri të Kosovës duhet paralelisht t’i fitojnë ato të drejta edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Përndryshe nuk do të ketë rehati, nuk do të jetë e qetë Lugina…”, ka deklaruar Musliu. Ai gjithashtu ka thënë se amaneti i dëshmorëve të Luginës do të përcillet nga shokët e tyre, nëse siç ka theksuar Musliu, shqiptarët nuk i gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre. Ai ka përmendur edhe marrëveshjen e Konçulit, e që siç ka thënë ai, për këtë marrëveshje edhe është luftuar në këtë pjesë të Kosovës, por që, kjo marrëveshje asnjëherë nuk është zbatuar. Sipas Musliut, nëse nuk zgjidhet kjo çështje, atëherë shqiptarët nuk do të ndalen në asnjë moment dhe do të luftojnë gjerë në fund për të drejtat dhe liritë e tyre. Ai kritikoi edhe institucionet e Kosovës që kanë vënë bllokadë për lëvizjen e shqiptarëve të Luginës, duke e krahasuar këtë liri me gjendjen e lirisë së lëvizjes në Palestinë dhe Israel.

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch