Home » Histori » SHQIPTARËT ME DY HOXHA

SHQIPTARËT ME DY HOXHA

Ylli PolovinaGjysmë shekulli në Shqipëri Enver Hoxha, gjysmë shekulli në Kosovë Fadil Hoxha. Pse u popullarizua njëri dhe u censurua tjetri.

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 13-16 gusht 2015)

1. Para Luftës së Dytë Botërore, gjatë e veçanërisht deri në përfundim të Luftës së Ftohtë, Jugosllavia ishte superfuqia e Ballkanit. Shqipërisë me kufijt e vitit 1913, për 15 vite me Ahmet Zogun dhe për 46 të tillë me Enver Hoxhën, iu desh të përballej pikërisht me këtë sfinks rajonal. Sepse bota kishte tre superfuqitë e saj, por edhe vende të tjera të forta. Evropa po ashtu, kurse Ballkani vetëm federatën e sllavëve të jugut. Doemos që për Shqipërinë e mbajtur mënjanë prej një pakti të Beogradit me Athinën, aleancë më shumë se politike, fetare, e krishterë ortodokse, bashkëjetesa nuk ishte punë e lehtë. Shteti me Tiranën kryeqendër, donte apo nuk donte, duhej të funksiononte sipas një strategjie vetëmbrojtëse dhe po të qe e mundur mospërplasëse. Në rrethana si këto, rrethimi politik e mbi të gjitha etnik e fetar, pas Lufte lindi dhe u vu në lëvizje, ca herë në mënyrë spontane, por jo rrallë edhe në formë të kombinuar së largimi, një “dopio lojë”. Qe një “mik dhe armik”, “ngri e shkri”, “ngroh e ftoh”, “po dhe jo”, “eja dhe ik”. Ishte njëkohshëm irredentizëm dhe autonomi, titizëm dhe enverizëm. Këtë lojë të dyfishtë marrëdhëniesh me Jugosllavinë superfuqi gadishullore nuk mund ta bënte dot vetëm Enver Hoxha i Tiranës, i cili ndërtoi raporte të caktuara komunikimi dhe censurimi me Beogradin. Do të duhej edhe një bashkëkombës  tjetër i fuqishëm nga pjesa e mbetur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, veçanërisht nga ajo më kompaktja, më homogjenia, më e shtrira në territor, më ngulmuesja për rol të dorës së parë: Kosova. Duke qenë se koha ka një rregull të paepur, sipas të cilës kur i kërkon këta individë, i gjen, ky qe, për një rastësi mjaft interesante një shqiptar me të njëjtin mbiemër si i forti i Tiranës. Quhej Fadil Hoxha. Kështu marrëdhëniet e ndërlikuara mes jugosllavëve dhe shqiptarëve e sidomos ato më të vështirat, ndërmjet serbëve dhe shqipfolësve, nuk i ndikoi vetëm Enveri i Tiranës, por edhe Fadili i Prishtinës. Me pak fjalë të dy Hoxhat bashkë. Përballë do të kishin një lojtar me aftësi dredhuese të jashtëzakonshme: Josip Broz Titon. Por edhe ky Fadilin e pati përzgjedhur për t’ia kundërvënë Enverit. Modelit të këtij i vuri përballë atë të Hoxhës së tij. Ishte po e njëjta taktikë që zgjodhi edhe me vendosjen e shembullit të Kosovës përballë Shqipërisë. Ndërsa trualli i shqiptarëve të lejuar nga viti 1913, për shkak të dogmatizmit të qeverisësve të vet e sidomos të Enver Hoxhës, por edhe të diversionit të organizuar nga Beogradi, do të rëndohej ekonomikisht për vetushqim dhe përherë e më shumë do të mbyllej kufitarisht, ai i Kosovës do të zjente nga qarkullimi i njerësve jashtë shtetit dhe do të buiste nga prodhimi, shitja dhe blerja. Do të kishin edhe nga një “kërr”, makinë private. Ballafaqimi politik Enver-Tito-Fadil, Shqipëri-Kosovë- Jugosllavi do të vazhdonte edhe për afro një dekadë tjetër pas ndërrimit jetë të fuqishnit të Beogradit dhe federata e tij do të vijonte për ca kohë inercinë e doktrinës “edhe pas Titos, Tito”.

Censura e Enverit ndaj Fadil Hoxhës

Historiografia zyrtare e Tiranës për një gjysmë shekulli ka pasur dy botime kryesore shumëvëllimëshe të historisë së Shqipërisë. I pari, në tre libra, është botuar në 1965 dhe ka për autor Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë.  Në vëllimin e tretë, ku është përshkruar edhe Lufta, në 896 faqet e tij emri Fadil Hoxha nuk përmendet asnjëherë. Në fund të librit, në pjesën shpjeguese “Treguesi i emrave”, tek zëri Hoxha është i gjithëfuqishëm Enveri. Ai citohet 29 herë. Përfshihen edhe katër Hoxha të tjerë (Dine, Kadri, Nel dhe Sali). Në botimin e riplotësuar të kësaj historie të Shqipërisë, këtë herë në katër vëllime, me vit publikimi 1984, duke mbetur si autor po i mëparshmi autoritet i lartë shkencor, Instituti i Historisë, sërish Fadil Hoxha nuk pipëtin i futur në ndonjë rresht. Tek “Indeksi i emrave”, zëri Hoxha ka Enverin me afro trefishin e mëparshëm: 76 citime. Kadri Hoxha është zhdukur. Kanë mbetur Dine dhe Neli (të cituar dy herë, si në 1965). Ndërkohë është shtuar një Hoxhë tjetër: Nexhmija. Bashkëshortja e Enverit, veprimtare e vjetër komuniste, citohet edhe ajo vetëm në dy raste. Heshtja e Tiranës së Hoxhë Enverit për Hoxhë Fadilin e Prishtinës do të jetë fort e dukshme në të gjitha botimet e shumta të të parit, ku përfshihen afro njëqind e pesëdhjetë vëllime të trasha me “Vepra”, “Kujtime”, “Përmbledhje dokumentesh”, “Ditare”, libra teorikë apo me tematikë të specializuar për fusha të shumta të qeverisjes komuniste të vendit etj. Kështu censura publike ndaj Fadil Hoxhës në dekadat e enverizmit në Shqipëri do të qe tepër totale, tërësisht me përmasat e një personi që atëherë cilësohej si armik ideologjik apo tradhtar kombëtar. Sigurisht për të shumëfortin e Tiranës staliniste Ballkani duhej të kishte vetëm një Hoxhë. Të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodheshin, këtej dhe përtej kufirit, nuk duhej të njihnin tjetër udhëheqës të tyre veç tij. Po kështu historia, shtëpia kaq e dëshiruar për politikanët, patjetër duhej të mbante të regjistruar në faqet e saj vetëm Hoxhën e Tiranës. Me këtë vetëgjymtim gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë rezultatet e pritshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare, përparësia numër një e të cilës qe bashkimi i trojeve, doemos do të qenë shumë më të vogla nga sa mund të kishte prej një sjelljeje tjetër: në Tiranë të mos censurohej informacioni, për mirë dhe për keq, rreth Hoxhës së Kosovës. Apo gjithçka e censuruar rreth Fadil Hoxhës më shumë se xhelozi e Enverit për homologun e tij me të njëjtin mbiemër qe pjesë e “baletit” që kryhej me Josip Broz Titon? Pra, ai nuk duhej të zbulonte që kishte një feeling me Fadil Hoxhën?

Ambasadori Lik Seiti si ndërmjetës i lidhjes mes të dyve

Në kujtimet e tij të shkruara në moshë të mbrame ky i fundit pohon se në jo vetëm një rast i bëhej gati, prej një rrethi personash në Beograd, paketa akuzuese se “është njeri i Enver Hoxhës”. Siç pohon, Fadil Hoxha ka qenë i bindur se po të niste një procedurë e tillë ndaj tij, ajo nga shumica e opinionit publik jugosllav do të merrej si e besueshme. Kur në mes të viteve tetëdhjetë u hartua prej Sekretariatit Republikan të Punëve të Brendshme të Serbisë një dosje sekrete për të, nga fillimi deri në fund qëllimi i shkruesve ishte ta kallëzonin si njeri të Shqipërisë dhe personalisht si dorë vepruese në Kosovë të Enver Hoxhës. Në një bisedë të gjatë të daktilografuar në 23 faqe, kryer në 19 shtator 1970 mes Enver Hoxhës dhe ambasadorit shqiptar në Beograd Lik Seiti, ndodhet edhe ky fragment: “Çfarë thotë Fadil Hoxha?”, pyet njeriu i fortë i Tiranës diplomatin e vet, ka ndonjë çik ndjenje shqiptarizmi te ky njeri, se sa për marksistleninist është tjetër punë, është shumë larg që ai të jetë i tillë. Lik Seiti i përgjigjet: “Nga takimi që pata me të, më la përshtypjen e asaj që thatë më përpara, dmth. tek ai ekziston ndjenja e shqiptarizmit. Të them të drejtën mua më bëri përshtypje preokupimi i tij i madh për rininë, lidhur me mbajtjen e fotografive. Këtu ai theksoi se për sa iu përket ndjenjave të njerëzve të moshuar, këtu ne jemi në gjendje t’i dominojmë. Për sa i përket rinisë që është një masë më e gjerë dhe që manifeston hapur dashurinë për Shqipërinë dhe shokun Enver, e kemi më vështirë ta frenojmë atë në këtë vrull, jo se unë jam kundër dashurisë ndaj shokut Enver dhe mbajtjes së fotografisë së tij nga ana e rinisë kosovare, përkundrazi jam unë i pari që e dua më shumë se kushdo shokun Enver, por se kjo na prish punë. Ju e dini se unë edhe  gjatë luftës, kur fotografia e shokut Enver filloi të hiqej tek ne, e vura në dijeni shokun Enver dhe ai më këshilloi me të drejtë që këtë çështje ta ngrija në komitetin krahinor të partisë së Kosovës”. Enver Hoxha e pyet sërish ambasadorin “Mos do të thotë Fadili me këtë se rinia nuk duhet të ekzaltohet shumë, prandaj ngriti çështjen që fotografinë e Enverit të mos e mbajnë të rinjtë e të rejat?” Lik Seiti iu përgjigj “Ai la të kuptohej që po të jetë puna për të mbajtur fotografinë e shokut Enver, atë do ta mbaj unë i pari, pastaj të tjerët. Kur ra fjala lidhur me eventualitetin e një agresioni kundër Shqipërisë, Fadili theksoi se ai personalisht do të jetë ushtar besnik i shokut Enver dhe se Kosova kurrë nuk do t’i kundërvihet Republikës Popullore të Shqipërisë. Pastaj më foli për përpjekjet që bën ai për të fituar Kosova, autonominë…”.

Jetët e tyre, në një krahasim

Jetët e dy Hoxhave në kohë janë pak a shumë paralele, herë shumë të ngjashme dhe herë aspak të tilla. Nuk janë bërë të jenë të njëllojta, por të afërta. Nëpërmjet njërit mund të “lexosh” tjetrin. Thua duhej të kishte dy Hoxha që të mund të kuptohet fati i shqiptarëve gjatë luftës (së nxehtë) dhe asaj të Ftohtë. Enveri lindi në Gjirokastër më 16 tetor 1909. Xhaxhai i tij, i cili për të qe pothuaj një baba shpirtëror, pati qenë kryetar bashkie i qytetit. Ishte po ashtu pjesëmarrës dhe firmosës i Deklaratës së Pavarësisë. Fadili doli në jetë shtatë mote më vonë. Vendlindjen e kishte në pjesën tjetër të trojeve kombëtare, në verilindje, në Gjakovë. Ishte 15 maj 1916 kur e nisi ekzistencën. Në 1929, për shkak të mbylljes së gjimnazit të qytetit, në të cilin sapo pati mbaruar një klasë, u gjet pa asnjë të ardhme, prandaj pëlqeu hë për hë të merrej me tregti të vogël. Këto kohë Hoxha tjetër, Enveri, pasi në 1924 pati përfunduar në Gjirokastër shkollën fillestare “Drita” dhe prej këtij viti deri në 1927 edhe liceun francez të vendlindjes, në vjeshtë shkoi  në Korçë. Nisi të studionte në Liceun Francez të këtij qyteti e njëkohësisht në një nga shkollat më të mira të vendit. Në librin e tij me kujtime “Vite të rinisë”, botuar në 1988, tregon se për herë të parë “Manifestin” e ka lexuar fshehtas në vitin 1928. Kjo do të thotë, gjithnjë sipas tij, se u njoh me dokumentin themeltar të marksizmit dhe të platformës ideologjike të tij për një shoqëri të ardhme socialiste, kur qe vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. Libërthin ilegal ia kishte dhënë një simpatizant i komunizmit, pastiçieri i thjeshtë korçar Koçi Bako. Pasi e përfundoi liceun në verë 1930, në tetor fitoi një bursë studimi për në universitetin e Montpeljesë në Francë. Do të ndiqte degën e botanikës, çfarë, siç shkruan vetë ai, nuk qe aspak dëshirë e tij. Ai pasionohej pas filozofisë dhe shkencave politike. Në 1932, ngul këmbë Enver Hoxha tek “Vite të rinisë”, “Isha kthyer nga Franca për pushimet e verës, kur morëm vesh se ishte zbuluar e ishte arrestuar një grup i fshehtë që përgatitej të rrëzonte Ahmet Zogun. Në Gjirokastër ne shkruam në mure: “Në rast se ata pushkatohen, atëherë populli do të ngrejë krye, do të pëlcasë revolucioni”. Me këtë rast mua, Enver Zazanin, Selahudin Kokonën, Selami Xhaxhiun dhe disa shokë të tjerë, që njerëzit e regjimit na kishin në sy, na arrestuan dhe na mbyllën në burgun e prefekturës. Kur na morën në pyetje, ne i refuzuam akuzat, duke u thënë se këto janë shpifjet tuaja, na provuan shkrimet dhe, në mungesë provash, na liruan”. Pikërisht këtë vit, 1932, kur Enver Hoxha qe 23 vjeç, me qëllim arsimimin në shqip dhe jo më në gjuhën serbe, siç u bëhej shqiptarëve në Kosovë, Fadil Hoxha bashkë me shokun e tij Emin Duraku kaluan ilegalisht kufirin. Në fillim u vendosën në Tiranë dhe prej andej, nëpërmjet ndihmës së ministrit Hil Mosi, u sistemuan në gjimnazin shtetëror të Shkodrës. Tek kujtimet e tij të botuara në librin e Veton Surroit “Fadil Hoxha në vetën e parë”, pasi thotë se nga Kosova në atë shkollë qenë 30 nxënës, Fadili shkruan: “Lexonim libra, sidomos Tolstojin, ato libra që kishim mundësi t’i blinim. Tajar Zavalani e ka përthyer “Nënën” e Gorkit: Nuk ka qenë libri në tërësi, por si revistë, dilte pjesë-pjesë, njëherë në dy javë. Atë e blinim fare lirë dhe e lexonim”.  Në 1933, siç shkruan nga ana e vet Hoxha tjetër, Enveri, ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani e shtyu atë edhe më shumë drejt simpatisë për komunizmin: “Në Francë, dhe konkretisht për mua në Montpelje, kishte një fushë të gjërë dhe të lirë për të mësuar marksizëm-leninizmin, për t’u njohur më mirë me luftën dhe me jetën në Bashkimin Sovjetik të Leninit dhe të Stalinit. Seksioni i Partisë Komuniste Franceze për Montpeljen kishte një kiosk të veçantë ku shiste libra dhe broshura mbi Marksin, Engelsin, Leninin, fjalime të Stalinit etj. Atje shiteshin të shtypura në broshura komente që i bënte vetë partia shumë të kuptueshme, pse i përgatiste për punëtorët e për komunistët e thjeshtë dhe, doemos, ato ishin aq të nevojshme dhe të domosdoshme edhe për mua, studentin e ri me zemër komuniste”. Menjëherë më pas: “Materiale të tilla zakonisht i blija, pse partia i shiste lirë, ndërkohë, kur arrita të njihem me klubet e punëtorëve që drejtonte Partia Komuniste Franceze, shumë materiale të tjera të shkurtra më jepeshin pa pare dhe i studioja me zell. Kur kishte probleme që nuk i kuptoja, shkoja dhe kërkoja shpjegime tek kiosku. Ai që shiste, s’kishte kohë për sqarime, po më jepte adresën e një kafeneje të humbur në periferi e më thoshte: -Shko atje, gjej shokun Marsel dhe kërkoi atij që t’i shpjegojë, pse ai është propagandist i partisë! Kështu arrita të bëhem frekuentues i rregullt i librarive, i klubeve punëtore, i diskutimeve që zhvilloheshin atje dhe nga të gjitha këto çdo ditë e më mirë mësoja atë shkencë që për mua u bë një qëllim i jetës dhe e vija mbi shkencat e tjera në universitet”. Pak më pas, në po atë faqe 173 të librit “Vite të rinisë”, Hoxha i Shqipërisë shkruan se një ditë Marseli i paska thënë “Nesër do të shitet libri i Politzerit, filozofit të shquar të partisë sonë, ai është profesor në universitetin e natës të marksizëm-leninizmit në Paris, që ka hapur partia”. Siç Enver Hoxha premton se thotë vetëm të vërtetën, librin e Politzerit ai e pati blerë që të nesërmen e bisedës së mësipërme: “Nisa ta lexoj dhe ta rilexoj kapitull më kapitull. Ç’mrekulli!” Më pas ai shkruan se libri i Politzerit e kishte shtyrë të rilexonte “Manifestin” dhe “Luftën civile në Francë” të Karl Marksit dhe kështu “Veçanërisht në vitet 1932 e 1933 pasioni im për shkencat shoqërore u kthye në një nevojë e detyrë të përhershme”. Në fillim të vitit 1934 Hoxhës së ardhshëm të Shqipërisë, për shkak të mosdhënies së disa provimeve, ç’ka do të thotë se kishte mbetur në klasë, iu pre bursa nga qeveria e tij në Tiranë. Kështu u nis për në Paris. “Të kthehesha në Shqipëri pa marrë ndonjë diplomë, shkruan ai, asnjë punë nuk të jepnin, do të vuaja për bukë”. Ndërkohë Hoxha i Kosovës, Fadili, në kujtimet e veta spikat faktin se në gjimnazin e Shkodrës “lexonim gazeta e libra të ndryshëm. Ka qenë hapje e një dritareje të re. Filluam ta ndienim veten komunistë. Në atë kohë, në 1936, lëvizja ka qenë bukur e madhe në Gjimnazin e Shkodrës. Në këtë vit filloi organizimi i komunistëve. Ishte Zef Mala, i cili nuk ishte ndonjë marksist i armatosur me dije, mbase nuk ishin as të tjerët. Koço Tashko dhe Ali Kelmendi jetonin në Korçë. Këta ishin më të armatosur me dije. Ata formuan grupin e vet. Në grupin e tyre përfshinë edhe Qemal Stafën, i cili ishte një klasë para meje, por jashtëzakonisht i zgjuar dhe përparimtar”.

2. Disa muaj fundorë të vitit 1934 si edhe disa të tjerë në 1935, duke u bërë gjithsej dhjetë, Enver Hoxha shkruan se e kaloi në Paris. “Partia Komuniste Franceze, thotë ai në librin e vet me kujtime të rinisë, në lagjet e punëtorëve kishte disa qendra leximi, ku unë shkoja për të lexuar shtypin, për të lexuar “Anti-Dyringun” e Engelsit, pjesë dhe komente të “Kapitalit”, dëgjoja leksione për Leninin dhe për Stalinin… Asistoja në mitingjet e hapëta që organizonte në sheshe e në stadiume Partia Komuniste Franceze dhe atje shihja forcën e proletarëve, forcën e ideve të pavdekshme të Marksit”. Megjithë këtë vetëformim intensiv marksist, që nuk i paska rënë në sy legatës shqiptare në Paris, nga një punonjës i kësaj iu ofrua në Bruksel posti i sekretarit të konsullatës së nderit, e cila pritej të hapej shumë shpejt. Ditën që mori miratimin për ta kryer këtë funksion, Enver Hoxha shkruan një episod që prej ndonjë burimi tjetër nuk është vërtetuar: “Shkova në qendrën e leximit të Partisë Komuniste Franceze dhe i kërkova përgjegjësit nëse mund të më organizonte një takim me shokun Pol Vajan Kuturié, se kisha diçka për t’i thënë”. Ia mundësojnë menjëherë këtë kontakt, gjithnjë siç thotë vetëm ai, dhe të nesërmen të dy u gjendën përballë njëri-tjetrit jo në ndonjë kafe, por drejtpërsëdrejti në zyrat e gazetës së PKF “L’Humanité”. Enveri i paska thënë Kuturies: “Tash së fundi m’u paraqit rasti të punoj në Bruksel si sekretar privat në konsullatën shqiptare që do të çelet, me konsull një të huaj. Atje do të merrem edhe me shtypin. Do t’ju lutem për një gjë. Unë jam komunist me gjithë shpirt, partia, shtypi juaj më kanë bërë komunist. Nganjëherë, nga lajmet që mund të marr nga Shqipëria, a mund të dërgoj në “L’Humanité” nga ndonjë artikull të vogël për të demaskuar regjimin feudal të Zogut”. Vajani jo vetëm në parim e kishte pranuar këtë bashkëpunim, por e pati mbajtur edhe ca të porsaardhurin për të mësuar “për gjendjen shoqërore, për klasën punëtore, për fshatarësin” shqiptare. Në fund të bisedës Kuturié i paska theksuar “Ta duash dhe të luftosh për komunizmin!” Enveri 26 vjeçar i qe përgjigjur: “Deri në vdekje do të luftoj”. Kryengritja e Fierit Hoxhën e Shqipërisë e gjeti në Bruksel dhe thotë se, kur e thirrën dy herë në Ministrinë e Jashtme të Belgjikës për të marrë ndonjë informacion mbi çfarë kishte ndodhur në vendin e tij, ai pati folur kundër Ahmet Zogut. U pushua nga puna e sekretarit në pranverë të vitit 1936 sepse (gjithnjë sipas tij) konsulli, që vinte rrallë, e gjeti papritur në zyrë me “gazetat e Partisë Komuniste Franceze e të Belgjikës, librat e Marksit, Engelsit e Leninit, që i kisha me shumicë”.

Komunisti i Paris-Brukselit

Pas një viti e gjysmë qëndrimi në Bruksel, të cilat, siç shkruan ai, “më dhanë mundësinë që të lexoja e të studioja më me zell se kudo një varg të tërë veprash të Marksit, Engelsit, Leninit, etj., pa folur për shtypin komunist që e merrja të tërin”, “aty nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë, në vendin tim, në mes të popullit dhe të njerëzve të mi”. Me këtë rast Enver Hoxha në librin e vet për vitet e rinisë shkruan “Gjatë kohës së qëndrova jashtë isha përpjekur të mos bija në sy te njerëz të dyshimtë për dashurinë që kisha për komunizmin, për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, për shtypin e Partisë Komuniste Franceze, broshurat e gazetat e tyre komuniste që lexoja etj. Por kjo veprimtari nuk mbetej e fshehtë. Në Bari emigrantët më quanin “Kuqalash”. Në atë verë 1936 Fadil Hoxha qe njëzetë vjeç dhe Qemal Stafa tashmë e kishte anëtarësuar atë, Emin Durakun dhe Hajdar Dushin, të tre shqiptarë nga Kosova, në një parti, të cilën nuk e pati quajtur Antifashiste. Bëhet fjalë për Grupin Komunist të Shkodrës. Me vetëvendim Fadili mori pjesë në aksionin për rrahjen e drejtorit të gjimnazit. Të shtatë pjesëmarrësit u përjashtuan nga shkolla. Në Tiranë ministri Mirash Ivanaj i dha bursë për në Shkollën Normale në Elbasan. “Ndërkaq në 1936, shkruan Hoxha i Kosovës, u zbulua Grupi i Shkodrës dhe ra në burg. Edhe ne pritnim mos vinin të na burgosnin”. Kjo nuk ndodhi. Ndërkohë në Elbasan komunistët shtoheshin dhe u bënë 23 vetë të organizuar në treshe që nuk e njihnin njëra-tjetrën. Në pushimet verore të vitit 1937 Fadil Hoxha u kthye në Gjakovë dhe u takua “me Milija Koviçeviçin, sekretarin e organizatës komuniste, dhe me Kërsta Mihailoviçin”. Nuk kishte asnjë shqiptarë në këtë degë të Partisë Komuniste Jugosllave, pohon Fadili dhe informon se Kërsta qe serb i vendosur aty gjatë muajve qershor, korrik e gusht 1937. Shkruan: “Takimet me komunistët serbë në Kosovë më kanë bërë përshtypje të madhe kur jam thyer. Pavle Joviçeviçi dhe Bora Vukmiroviçi m’i kanë dhënë disa materiale. Para se të kthehesha në Shqipëri, kam shkuar edhe njëherë në Pejë, për t’i marrë materialet. Ato i kam vendosur në fund të valixhes dhe i kam marrë me vete në Shkodër, ku i kam dorëzuar…e pastaj kam vazhduar për në Elbasan”. Në kujtimet e tij Fadil Hoxha vë në dukje se pas rikthimit në Elbasan e pati thirrur në zyrë drejtori i Normales, Aleksandër Xhuvani. Këtij nga prefekti i kishte mbërritur një telegram, i cili thoshte se “Agjentët tanë na lajmëruan prej Jugosllavisë se Fadil Hoxha, nxënësi juaj, është komunist. Kini kujdes!” Në 1938 “siamezi” i Enver Hoxhës bashkë me disa shokë të tij i prishën, me përplasje këmbësh, mbajtjen e një ligjerate në shkollë ministrit Kolë Bibë Mirakaj. Pas kësaj Fadilin bashkë me tre shokë të tij i mbajtën në burg dy ditë. Ndërkaq, i kthyer në Shqipëri, në fund të vitit 1936 Enver Hoxha, sipas asaj që vetëm ai shkruan, takon dhe bisedon në Gjirokastër me Ali Kelmendin, njeriun e Kominternit, tashmë në gjendje internimi nga Ahmet Zogu. Tregon se mori pjesë në varrimin e eshtrave të Bajo Topullit, ku mbajti edhe një fjalim, çfarë është e vërtetuar. Pas disa ditësh me një grup bashkëqytetësish shkoi në Shkodër për të marrë e sjellë në Gjirokastër eshtrat e Çerçiz Topullit dhe të Muço Qullit. Enver Hoxha foli edhe në ceremoninë e përcjelljes prej popullit shkodran. Më në fund ai gjeti punë me orë si mësues në gjimnazin e Tiranës, gjendje që zgjati, sipas tij, 4-5 muaj. Në kujtimet e veta të rinisë shkruan se në kryeqytet u përpoq të hynte në kontakt me komunistë, por “s’po e kapja dot fillin, nëse ekzistonte ndonjë fill i tillë i lëvizjes së organizuar komuniste në Tiranë”. Më tej Hoxha i Shqipërisë rrëfen se “Më në fund, aty nga marsi i vitit 1937 më njoftuan se isha emëruar me punë në Liceun e Korçës. Këtu pak ditë pas mbërritjes Enver Hoxha pohon se qe takuar me mikun e tij të vjetër, Koçi Bakon. Në vijim kishte hyrë në kontakt me drejtuesit e grupit komunist të qytetit, i cili quhej “Puna”. “Si “sektor”, shkruan, mua më caktuan të punoja për përhapjen e ideve komuniste e për të çuar detyrat e grupit në Lice, në radhët e intelektualëve përparimtarë e të rinisë jashtëshkollore korçare”

Prova e vitit 1939

7 prilli Enver Hoxhën e gjeti në Lice dhe sipas tij qe në vijë të parë të protestës kundër qeverisë zogiste, e cila pengoi armatosjen e grupeve popullore që po kërkonin mbrojtjen e vendit. Në 28 nëntor, tashmë për herë të parë e dokumentuar prej një burimi tjetër (Mbretnija Shqiptare, Ministrija e Arsimit, shkresa nr. 6621/47), bashkë me kolegët e tij mësues, për shkak të pjesëmarrjes në manifestimin e 28 nëntorit 1939, pushohet nga puna. Fadil Hoxha këtë periudhë e përshkruan kështu: “Kur në 1939 u futën në Shqipëri italianët, kur udhëheqësit e grupeve ikën nga burgjet, atëherë edhe filloi puna dhe aktiviteti. Vasili e Qemajli u vendosën në Tiranë. Grupi i Shkodrës tashti ishte në Tiranë. Njëkohësisht ishte formuar një komunë prej anëtarëve të grupit. Jetonin, nja 10-15 veta, në një shtëpi që quhej e Bretkosave. Kur në verën e vitit 1939 unë u kam treguar shokëve se do të shkoja gjatë pushimeve në Gjakovë, një nga shokët më zëvendësoi. Nga udhëheqja e grupit komunist të Shkodrës morëm detyrë që unë dhe Emini të provonim të lidheshim me komunistët në Jugosllavi”. Që të dy e kryen këtë takim me Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovën. Atë e drejtonte Miladin Popoviçi. U bisedua që grupet komuniste në Shqipëri duhej tashmë patjetër të bashkoheshin e të krijonin partinë e njësuar. Popoviçi i njoftoi se për të realizuar dëshirën e grupit komunist të Shkodrës që të bashkëpunohej me Partinë Komuniste Jugosllave. Kjo ishte njoftuar dhe e pati mirëpritur propozimin. Sipas kujtimeve të tij Fadil Hoxha shkoi edhe një herë tjetër në Kosovë. Ishte janar 1940. Nga Miladin Popoviçi dhe Boro Vukmiroviçi mori letërsi marksiste. Nëpër të ftohtë dhe një borë që binte pa pushim, u kthye në Tiranë, dorëzoi literaturën (“Historia e PKBS”, “Anti-Dyring”, “Fillet e Leninizmit”) dhe shkoi në Elbasan, në shkollën “Normale”, atje ku vijonte studimet dhe ilegalisht jetën politike. Një ditë, shkruan Fadil Hoxha, “u takuam Vasili, Anastas Lulo, Qemali dhe unë”. Dhe pastaj vazhdon: “Bisedonim se çfarë të bënim që të lidheshim me ndonjë parti. Mbledhja zgjati pothuaj gjithë natën. E bëmë një analizë për situatën politike. Ishte koha e fundit që të lidheshim me ndonjë parti komuniste. Qemajli tha se kishte lidhje me një anëtar të KQ të PK të Italisë, ndërkaq Vasili tha se Fadili dhe Emini kanë pasur kontakte me Komitetin Krahinor të Kosovës, kurse Anastasi tha se kemi pasur një kontakt me komunistët e Greqisë, por ai kontakt ishte ndërprerë. Në vijim bisedonim se me kë do të lidheshim. Qemajli tha se edhe Partia Komuniste e Italisë kishte probleme, pastaj doli si problem se si të bëhej lidhja me Italinë kur ajo është okupatore. Ramë dakord se PKJ-ja është më e forta. U morëm vesh dhe thamë se më së miri është që të lidhemi me PKJ-në. U vendos që unë të nisesha për t’u takuar me shokët e Komitetit Krahinor për të vënë lidhjen me PKJ-në. Ka qenë ndoshta prilli i vitit 1941”. Siç Fadil Hoxha i përshkruan ngjarjet kanë qenë patjetër ditët e para të muajit prill. Sulmi gjerman kundër Jugosllavisë, i nisur në 6 prill 1941, e gjeti në Kosovë dhe më 12 prill ai pa si hyri një divizion gjerman në Prizren. Po ashtu si në 19 prill qe në Gjakovë, kur atje erdhi armata hitleriane. Në këto çaste “u takova me Miladinin dhe i përcolla dëshirën e dy grupeve komuniste nga Shqipëria për t’u bashkuar e krijuar parti, por më së pari për të rënë në kontakt me PKJ dhe nëpërmjet saj me Kominternin. Miladini ishte në mëdyshje, pastaj tha se do të organizonte kontakt me PKJ dhe do ta vinte në korent. Në fund tha: “Le të vijnë komunistët e Shqipërisë për të biseduar”. Pasi u takova edhe njëherë me Miladinin, vazhdova rrugën për në Shqipëri. U tregova shokëve në Shqipëri se çfarë kisha biseduar me Miladinin. Ata më përshëndetën për punën që kisha bërë dhe më thanë që unë t’i mbaja lidhjet me Kosovën”. Në fund të prillit 1941 Fadil Hoxha u rikthye në Kosovë, ritakoi Miladin Popoviçin dhe i tha atij se që prej atij çasti nuk do të kthehej në Shqipëri, por do të rrinte aty. Tjetri e ngarkoi menjëherë për të organizuar degën e Komitetit Krahinor të PKJ për Gjakovën. Njeriu i lidhjes Shqipëri-Kosovë, cilësi që do t’i bëhej për të gjithë jetën tipari kryesor, në maj 1941, edhe pse rrethanat qenë tepër të vështira, qe në veprimtari të plotë komuniste. Ato çaste kundër pushtimit italian njerëzit i mobilizoje me lehtë në Tiranë, në Korçë, në Durrës apo në Shkodër dhe në Vlorë, sesa në Prizren, në Pejë, në Prishtinë apo në Gjakovë. Këtu nga nacionalfashizmi qe shpallur çlirimi nga Serbia. Në një farë mënyre ishte realizuar kryeëndrra: bashkimi, edhe pse ende pjesor dhe prej një fuqie pushtuese, i trojeve kombëtare. Por ndryshe e dëshmon historinë e fillimit të marrëdhënieve me Partinë Komuniste Jugosllave dhe posaçërisht me Miladin Popoviçin, Enver Hoxha. Atë që na spikati Hoxha Fadil, ai e mbajti të censuruar, të pathënë as në vëllimet e tij të shumta, as në botimet zyrtare të historisë së Shqipërisë, as në librat e shkollave. Do të ishte e tepër t’i hapnim vend të shumtë kësaj hollësie, por për disa karakteristika do të këmbëngulim. Hoxha i shtetit amë në librin e tij më të drejtpërdrejtë për lëvizjen komuniste shqiptare, “Kur u themelua Partia”, 1981, nuk e përmend asnjëherë Fadil Hoxhën. Jo vetëm për çfarë ai bëri në raportet e bashkëpunimit me PKJ apo për vetë forcimin e veprimit nacionalçlirimtar në Kosovë, por edhe për çdo kontribut tjetër gjatë luftës.

Informatë ndërmjetëse: çfarë raporton ambasadori Sokrat Plaka

Në 29 nëntor 1980 ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, i dërgonte qendrës në Tiranë një raport rreth bisedës së bërë me Fadil Hoxhën në ceremoninë e përvjetorit të Jugosllavisë komuniste, festuar në Pallatin e Federatës një ditë më parë. Mes të tjerash Plaka informonte: “Duke folur për zgjerimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë, Fadili tha se do të vijë koha kur ne në Kosovë do të këndojmë këngët e Enver Hoxhës dhe në Shqipëri këngët e Titos. Unë i thashë se për të parën bashkohem me të, kurse në Shqipëri këngët e Titos nuk do të këndohen kurrë, as sot as nesër. Ju jeni nga Kosova dhe i njihni më mire gjërat. Ju i dini mendimet tona për Titon, ne i kemi thënë hapët. Shoku Enver ka botuar kujtimet e tija “Me Stalinin” dhe aty shtjellon qëndrimin e Titos në çështjen e bashkimit të Kosovës dhe të viseve shqiptare me Shqipërinë. I përmenda hollësisht bisedën e shokut Enver me Titon. Pastaj pieta nëse e kishte lexuar këtë vepër, dhe, Fadili u përgjigj “po, e kam lexuar”, por nuk bëri asnjë reagim tjetër, qoftë edhe sikur të mbronte Titon me ndonjë fare mënyre ose të thoshte ndonjë gjë tjetër”. Në këtë raport informativ të ambasadorit shqiptar në Beograd ndodhet edhe ky fragment: “Fadilin e takoj për here të tretë nëpër pritje, dy herët e para bisedën na I kanë ndërprerë funksionarët e protokollit dhe praktikisht nuk na kanë lënë të bisedojmë. Këtë radhë biseduam lirisht, në këmbë, në pritje dhe mbase kjo mund të jetë një arsye që Fadili foli më gjatë. Biseda ishte e qetë dhe ai vet donte të fliste. Kur vinte ndonjë personalitet për t`u takuar , bisedën e kalonte menjëherë nga temat e Kosovës në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Fadili drejt Shqipërisë në krah të Dushan Mugoshës

Pasi u pushua nga puna e mësuesit në Liceun e Korçës (jepte frëngjisht dhe lëndën e moralit), duke e formuluar këtë në librin e vet “Kur u themelua Partia” sikur u shpall si person i padëshirueshëm për qytetin e Korçës, në fillim të vitit 1940 Enver Hoxha shkoi në Tiranë. Fillin e lidhjeve me Partinë Komuniste Jugosllave ai e nis pikërisht atje ku e ka lënë një çast Fadil Hoxha. Në gusht 1941, shkruan Hoxha i Shqipërisë, “erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili, pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të “Té Rinjve”, kërkoi të bisedonte edhe me Grupin e Korçës. Ky nuk e pranoi dhe Mugosha iku. Me këtë rast Enver Hoxha vijon këmbëngulshëm qëndrimin e tij censurues. Nuk tregon se bashkë me Dushan Mugoshën nga Kosova kishte ardhur edhe Fadil Hoxha. Madje nëpër një udhëtim të rrezikshëm.

3.

Në maj 1941, tashmë shef i Komitetit të Partisë Komuniste Jugosllave për Gjakovën, Fadil Hoxha mbante lidhje me krerët e saj në Kosovë. Këta, mes të tjerëve, përveç Bora Vukmiroviçit, qenë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Historishkrimi ynë zyrtar i para vitit nëntëdhjetë, por edhe ai kundërkomunist pas këtij çasti dhe më vonë, bashkëkombësve të vet në Shqipëri janë përpjekur t’u ngulitin në kokë dogmën se dy të fundit ishin serbë. Në të vërtetë qenë malazezë. Patjetër qenë jugosllavë, nënshtetas të atij vendi. Kësaj kohe jugosllav, nën këtë kuptim administrativ, ka qenë edhe Haxhi  Lleshi. Po ashtu edhe vetë bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Xhunglini. Bashkë me serbizimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës ka vazhduar tek ne nxitja e një dogme tjetër: sikur ata dy nuk kishin asnjë lidhje jete dhe pune me Kosovën. Kjo dinakëri është kryer për ta futur çështjen në një terren mërie etnike, ku fryrja e ultranacionalizmit u jep krahë konsensusi demagogëve të politikës dhe çdo mashtrimi historik. Por ne jemi të detyruar ta zhvoshkim nga cipa këto përralla, sepse ndryshe nuk e realizojmë dot vëzhgimin rreth lojës politike që kanë kombinuar për pothuaj një gjysmë shekulli dy Hoxhat shqiptarë, Enveri me Fadilin, si edhe i treti mes tyre, Josip Broz Tito. Nuk e kuptojmë dot, pa këtë saktësim, se si ka vepruar realisht misioni i ndërlikuar i ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në gjendjen e pafavorshme të dy diktaturave paralele, këtej nga ne, ku ishte plumb e rëndë, dhe përtej kufirit, në Jugosllavi, në të cilën shtrëngimi totalitar politik qe shumë më i lehtë, por jo i tillë ai etnik ndaj shqiptarëve. Lëvizja komuniste e viteve të Luftës së Dytë Botërore, e cila hodhi themelet e pothuaj pesë dekadave të marrëdhënieve mes dy shtetesh me yll të kuq në flamur dhe në ballë, ndërmjet nesh, njerëzve të Tiranës dhe atyre të Prishtinës, ka funksionuar si mes dy enësh komunikuese. Çfarë pakësohej në një krah shtohej në tjetrën. Edhe pse malazezë në etninë e tyre, qytetarisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha janë kosovarë. Si figura të para komuniste në Kosovë ata nuk u eksportuan aty prej PKJ-së apo nga Tito. Jetonin në ato vise prej kohësh, mes shumicës shqiptare. Qenë bashkëjetues territori të njëjtë të një etnie tjetër. Në Kosovë u bënë edhe bolshevikë. Ndërkaq Fadil Hoxha, shumë më parë se të shndërrohej në një veprimtar të spikatur komunist në vendlindje, i tillë qe bërë në Shqipëri. Ai qe një stalinist i Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se ishte një shqiptar i të gjitha trojeve etnike, një nga ata që jetonte me frymën dhe realitetin e muajve të paragjymtimit, nga 28 nëntori 1912 deri në fundmars 1913. Fadil Hoxha ishte autokton, në Shkodër të ishte, në Pejë të qe, në Gjakovë, në Tiranë apo në Elbasan të ndodhej. Këtë ndjesi përkatësie me të gjithë hapësirën kombëtare ai nuk e humbi tërë jetën, çfarë i dha energjinë e nevojshme t’i hynte në shërbim çështjes së shqiptarizmit pa marrë parasysh ndasitë, qofshin këto piramida kufiri shtetëror apo edhe kunja ideologjike si Titizmi dhe Enverizmi, çfarë në të vërtetë qenë mbyllje më të mëdha se vetë kufindarja.

Me biçikletë drejt Tiranës për të krijuar Partinë

Në qershor 1941, pasi kishte marrë pjesë në aksionin e minimit të një sektori të minierës së Trepçes dhe po kthehej ilegalisht drejt Pejës, në qytezën e Rozhajës, Miladin Popoviçin italianët e kapën dhe e internuan në Shqipëri. Sipas kujtimeve të Fadil Hoxhës menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai u takua me grupin tjetër të komunistëve kosovarë, ku ishte edhe Dushan Mugosha: Qenë të një mendjeje rreth një çështjeje: Lëvizja Nacionalçlirimtare duhej të zhvillohej dhe të rritej sa më shpejt në Shqipëri, sepse kjo do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin e kësaj Lëvizjeje edhe në territorin e tyre, në Kosovë. Kështu nisi veprimi i lidhjes së bolshevikëve kosovarë me ata të Shqipërisë. Qe gjesti i parë në këtë drejtim, në kahun e anasjellë do të ndodhë shumë më pas. Bashkë me misionin për të mbledhur të dhëna rreth vendit të internimit të Miladin Popoviçit si edhe të një mundësie shpëtimi të tij, “Për t’i vënë lidhjet, vendosëm që unë e Duqi të nisemi për në Shqipëri. Nuk më kujtohet saktësisht muaji. U ktheva në Gjakovë për t’u përgatitur dhe pastaj përsëri shkova në Pejë. Vendosëm që unë e Duqi të udhëtonim me biçikleta. Arritëm në Gjakovë dhe aty bujtëm. Duqi dinte të fliste shqip. Të nesërmen sërish me biçikleta shkuam në Prizren. Aty bujtëm një natë e të nesërmen morëm një veturë që qarkullonte Prizren-Shkodër”. Në këtë qytet Fadil Hoxha mes të tjerash tregon se të dy u takuan me Tuk Jakovën, “udhëheqës i Grupit të Shkodrës. Kemi biseduar gjerë e gjatë për situatën politike. Nga Shkodra kemi vazhduar rrugën për në Tiranë. Në Tiranë Dushani duhej të takohej me udhëheqësit e grupeve komuniste”. Ishte pikërisht Fadili që e lidhi Dushan Mugoshën me Vasil Shanton, Qemal Stafën, Anastas Lulon dhe Ramadan Çitakun. Bisedimet filluan të nesërmen e mbërritjes në Tiranë. Protagonist në këto takime Fadili bën Mugoshën dhe vetë lë përshtypjen se ka qëndruar mënjanë: “Dushani filloi të bisedonte një nga një me shokët. Ata e njohën Dushanin detajisht për situatën në Shqipëri. Pasi merren vesh, Dushani kërkon të takohej me udhëheqësit e Korçës. Grupi i Korçës nuk e pranoi Dushanin, pasi nuk e dinin kush ishte dhe prej tij kërkuan një letër me vulë, të cilën ai nuk e kishte. Biseda me Grupin e Korçës përfundimisht nuk u bë. Pas disa ditësh u kthyem në Kosovë”. Pasi u kthye prej Tiranës në kujtimet e veta Fadil Hoxha shkruan: “Në Komitetin Krahinor, Duçi referoi për bisedimet me shokët e Shqipërisë. Aty u vendos që përsëri të mbajmë kontakte me komunistët e grupeve në Shqipëri”. Kur kanë ngjarë këto? Fadil Hoxha, me pohimin e tij se “Nuk më kujtohet saktësisht muaji”, nuk na e jep mundësinë ta përcaktojmë, qoftë edhe me afërsi. Sidoqoftë Enver Hoxha tek “Kur lindi Partia” shfaqet i sigurt se Dushan Mugosha është parë në Tiranë në muajin gusht 1941, mbase në ditët e fundit të tij. Duke heshtur për të vërtetën e mësipërme, pra që shtysa e lidhjes erdhi nga Kosova, ai ngul këmbë se nga fillimi i muajit gusht 1941 Koço Tashko bashkë me të shoqen bënë një udhëtim “turistik” në Itali. Shkuan për të siguruar ndonjë kontakt me Partinë Komuniste të këtij vendi, por, ironizon Enver Hoxha, “Kur erdhi, s’na solli asgjë”. “Né këtë kohë, ngul këmbë vazhdimisht Hoxha i Shqipërisë, erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili, pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të “Té Rinjve”, kërkoi takim me “kryetarin”tonë. Mirëpo, me të drejtë, Koçoja nuk pranoi të takohej me të, sepse rruga që u përdor ishte nga më të gabuarat”. Hoxha i Shqipërisë, që e fsheh praninë në këto kontakte të Hoxhës së Kosovës, si arsye refuzimi nuk thotë variantin e Fadilit (mungesën e autorizimit me vulë), por sepse për t’u kryer takimi i Mugoshës me Koço Tashkon pati ndërhyrë Anastas Lula i Grupit të të Rinjve. “Kështu, siç shkruan Enver Hoxha, Dushan Mugosha, pasi mori pjesë né një mbledhje të përbashkët me përfaqësues nga Grupi i Shkodrës e i “Té Rinjve”, iku. Por nëse ne, me të drejtë, nuk pranuam të takoheshim me Dushanin, né të njëjtën kohë shfaqëm mendimin që né një moment të përshtatshëm të dërgonim Koçon né Kosovë për të marrë lidhje direkt me shokët e atjeshëm. Pasi e diskutuam çështjen, vendosëm dhe e dërguam Koçon né Kosovë për të marrë kontakt fillimisht me Xhevdet Dodën, që ishte anëtar i Grupit të Korçës dhe, nëpërmjet tij, me Komitetin e Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovën”. Shkruan Fadil Hoxha: “Pas disa ditësh (prej kthimit nga Tirana-shënimi ynë) vendosa të takohem me Xhevdet Dodën, anëtar i Grupit Komunist të Korçës, i cili ndodhej në Prizren, ishte i organizuar, por jo anëtar i Partisë. Gjithë ditën bëmë bisedë të hollësishme, ai të vetën e unë timen. Ai provonte të më bindte se unë duhej të isha në Grupin e Korçës, sepse, siç pretendonte ai, Grupi i Korçës ishte Partia. Unë i thashë se po flas në emrin e Komitetit Krahinor dhe se unë jam sekretar i Komitetit në Gjakovë. I thashë se është mirë që të shkosh në Korçë e t’u thuash se kanë bërë gabim që nuk e kanë pranuar Dushanin, që kishte tentuar të vinte në kontakt me grupin e tyre. Qëllimi i PKJ-së nuk janë intrigat, por ndihma e Kominternës për t’u bashkuar grupet. Këto grupe duhej të bashkoheshin në një parti. Pas bisedës Xhevdeti shkoi në Shqipëri, për t’u marrë vesh me anëtarët e Grupit Komunist të Korçës. Pas dhjetë ditësh u kthye në Gjakovë dhe më tregoi se me të në Kosovë ka ardhur edhe Koço Tashko”. Takimi i palës kosovare me atë të porsaardhur nga Shqipëria u krye në Vitomiricë dhe zgjati dy ditë. Takimin e drejtoi Bora Vukmiroviç, i cili ishte një malazez i lindur në Bullgari, por që prej moshës dyvjeçare, bashkë me familjen e vet, ishte vendosur në Pejë. Ndërsa përballë Vukmiroviçit qe Koço Tashko dhe Xhevdet Doda, nuk mungonte në bisedime edhe Dushan Mugosha. Sipas kujtimeve të Fadil Hoxhës “Bora këshillonte që grupet komuniste të Shqipërisë të bashkoheshin. “Shokët e Kosovës do t’u ndihmojnë në bashkimin e grupeve”, tha ai”. Ndërkohë sipas Fadil Hoxhës: “Kur e mori fjalën Koço Tashko, ishte i përgatitur shumë mirë. Nga ato thashetheme që pata dëgjuar për Koçon se ishte një intelektual sharlatan, ranë të tërat në ujë…Më fascinoi paraqitja e tij. Ishte një njeri i pjekur dhe bëri me dije se nuk ishte kundër bashkimit”. Sipas Enver Hoxhës: “Prisnim që Koçoja të na sillte andej gjëra të reja, por ai pothuajse si vajti, erdhi. Atje u lidh me shokë shqiptarë dhe jugosllavë, por asgjë të rëndësishme nuk na solli”. Sërish sipas Fadil Hoxhës: kjo mbledhje dyditore e Vitomiricës midis komunistëve shqiptarë dhe atyre kosovarë “ka pasur rëndësi të madhe dhe janë miratuar konkluzione të mira. Bora shpjegoi se jemi të autorizuar nga Kominterna që t’ju ndihmojmë. Ai tha gjithashtu…se ne e dimë çfarë është fraksioni dhe është mirë që të formohej një udhëheqje e përkohshme derisa të formohej Komiteti Qendror”. Njëkohësisht Fadil Hoxha shkruan se “Të gjithë e morëm përsipër që të shkonim në Shqipëri që të ndihmonim”. Një çast sqaron: “U mor qëndrimi që të shkonte Ali Shukriu. Pas mbledhjes u shpërndamë, por tani Komiteti Krahinor vendosi që në vend të Aliut, në Shqipëri të shkonte Duçi”. Këtë ngjarje të veçantë të mënjanimit të një të deleguari shqiptar dhe të zëvendësimit të tij me një malazez, si të dëshirojë që të mos na shpëtojë nga vëmendja, Fadili e përsërit po aty edhe njëherë tjetër: “Në bazë të asaj që u diskutua, dërguam në Shqipëri një shok për të biseduar me grupet. Ishte Dushani ai që shkoi në Shqipëri, me qëllim që grupet të bashkoheshin në një parti komuniste. E dinim se në Shqipëri ekzistonte një rezistencë e madhe, prandaj ishim të gatshëm që t’i ndihmonim”. Pasi u mbyll ky takim i mënjanuar tërësisht nga kujtesa kombëtare jo vetëm gjatë periudhës së para vitit nëntëdhjetë, por edhe më pas, mbledhje ku e mori fjalën jo vetëm Xhevdet Doda, por edhe Fadil Hoxha, “ka diskutuar gjerë e gjatë se si e ka parë punën e grupeve në Shqipëri” edhe Dushan Mugosha. Ndoshta kjo, fakti që kishte qenë protagonist në këtë ngjarje, ishte edhe epërsia e tij ndaj kandidaturës së Ali Shukriut, i ri shqiptar i cili gjithsesi ndihej jugosllav.

Enver Hoxha mburret, Fadil Hoxha hesht

Shfaqja e Miladin Popoviçit në ngjarjet shqiptare dhe prania e tij mjaft ndikuese në historinë e saj për tre vite me radhë, çfarë më së shumti është shmangur dhe disa herë të tjera edhe mbivlerësuar, nis në vjeshtë të vitit 1941. Mbetet e vështirë të përcaktohet data e nisjes së veprimit të tij konkret para se të themelohej PKSH dhe me këtë rast rezistenca antifashiste dhe vetë fati i Shqipërisë të fillonte ecjen në kursin që u përjetua: vendosjen pas lufte të një sistemi shoqëror e politik stalinist të orientuar ideologjikisht nga Moska dhe të varur politikisht e administrativisht prej Jugosllavisë. Gjithsesi sipas Fadil Hoxhës nxjerrja nga burgu i Popoviçit ka ndodhur në fillim të nëntorit 1941. Enver Hoxha nuk e merr përsipër ta saktësojë kohën. Gjithsesi, nisur prej rrjedhës së ngjarjeve që rrëfen në kujtimet e tij, lirimi i Miladinit duhet të ketë ngjarë në fillim të dhjetëditëshit të tretë të muajit tetor. Sipas Fadil Hoxhës vendndodhjen e Miladinit të burgosur e kishte zbuluar vetë ky me një letër që ia kishte dërguar familjes në Kosovë. Adresa e kampit të internimit në Peqin ishte e shkruar mbi ballin e zarfit. Italianët nuk e patën penguar këtë dekonspirim. Sipas Enver Hoxhës prania në Shqipëri, në gjendje internimi, e Miladin Popoviçit, i cili për të ishte “sekretar i Komitetit Qarkor të Partisë i Kosmetit”, u mësua rastësisht. Më pas ai rrëfen se si personalisht pati mbledhur menjëherë komunistët e Grupit të Korçës që vepronin në kryeqytet dhe u pati propozuar të bënin aksionin e lirimit të Popoviçit. Nga sa dimë prej Fadil Hoxhës dhe variantit të tij këtë nismë duhet ta ketë marrë Vasil Shanto ose më saktë Grupi i Shkodrës. Pasi bashkë Dushan Mugoshën në Tiranë ia kishin lutur këtë shpëtim bashkëbiseduesve të tyre dhe qenë rikthyer në Kosovë “Unë, shkruan Fadili, ia dërgova një letër Vasilit, me të cilin kërkoja që të gjenin burgun ku ishte burgosur Miladini”. Ai pranon se lirimi i shefit të tyre për Kosmetin (Kosovë- Metohinë) bëhej që ky të rikthehej në detyrën e tij e jo të qëndronte në Shqipëri. Por Enver Hoxha ngul këmbë në një zhvillim tjetër të ngjarjes. Pasi i kishte mbledhur shokët “u propozova se edhe neve të Grupit të Korçës na takonte të vepronim për të çliruar Miladin Popoviçin”. Sipas tij, “Të gjithë ishim të një mendjeje, veç Koço Tashkoja filloi të filozofonte – Ne nuk morëm lidhje me Dushan Mugoshën e pse të marrim me këtë që nuk e dimë kush është?” Koço Tashko edhe paska këmbëngulur: “Ne mund ta çlirojmë Miladinin, por ta çojmë në Kosovë”. Ndërkohë në këtë mbledhje të organizuar dhe të prirë prej tij Enver Hoxha paska deklaruar: “Ne duhet ta çlirojmë Miladinin, të bisedojmë me të si komunistë dhe ai mund të na ndihmojë në zgjidhjen e kontradiktave që kemi me grupet e tjera. Neve na vihet detyra, – theksova duke iu drejtuar Koços, – të krijojmë unitetin, të sheshojmë kontradiktat dhe të themelojmë një parti të vetme komuniste të tipit të ri”. Pas kësaj “Koçoja heshti…Teza ime u aprovua dhe fillova veprimet“. Në vijim të këtij rrëfimi shumë të personalizuar dhe të paprovuar nga burime të tjera, Hoxha i Shqipërisë thotë se u takua me Vasil Shanton dhe i tha për domosdoshmërinë e lirimit të Miladinit. Ky, në emër të Grupit të Shkodrës, i paska deklaruar se “Edhe ne jemi dakord ta çlirojmë Miladin Popoviçin…Kemi qenë dakord që ato ditë kur erdhi Dushan Mugosha nga Kosova”. Ndërkohë Enveri vijon variantin e tij e ideatorit dhe të udhëheqësit të gjithë këtij aksioni, duke shkruar në librin “Kur u themelua Partia” se pas Vasilit thirri, për ta ngarkuar me të njëjtën detyrë, edhe Mustafa Gjinishin. “Bëmë planin, thotë, sipas të cilit ai do të shkonte të bënte një herë rikonjicionin e terrenit: fushën ku ndodhej kampi i internimit, rojat e armikut që patrullonin, t’u vinte syrin njerëzve nga të tijtë, që do të përdorte, plus një ose dy shokëve të tjerë që do t’i rekomandonte Vasil Shantoja”. Kështu më në fund “Aksioni u krye, me sukses. Miladin Popoviçi u çlirua dhe u vendos në një bazë të sigurt në Tiranë”.

4.

Shkruan Enver Hoxha tek libri “Kur lindi Partia”: “Të nesërmen Koçoja, unë dhe Mustafai shkuam dhe u takuam për herë të parë me Miladinin. U përqafuam dhe u puthëm me të si të ishim njohur prej kohësh”. Gjatë kësaj bisede, e cila si kohë zhvillimi duhet të ketë pasur ditët e para të pas 20 tetorit 1941, Popoviçi ka bërë të ditur se “Unë do të gëzohem, në qoftë se do të ketë mundësi të vihem në korrent për gjendjen në Shqipëri, pastaj, prapë me ndihmën tuaj, të kaloj në Kosmet për të vazhduar luftën”. Ndërkaq, sipas Enverit, ishte ky që i paska thënë menjëherë: “Jemi të bindur, se në mos sot, nesër, Partia Komuniste e Shqipërisë do të formohet, por ne jemi edhe internacionalistë dhe kërkojmë që ju, shoku Miladin, të na ndihmoni në këtë drejtim”. Miladini i gëzuar qenka përgjigjur: “Shoku Enver, ju faleminderit shumë për besimin që tregoni ndaj meje. Unë po ju them se nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe, por, si komunist, si internacionalist, çdo gjë timen do ta vë në shërbim të komunizmit. Né qoftë se pranohem edhe nga grupet e tjera, siç propozoni ju, atëherë do të vë të gjitha forcat e mia né shërbim të komunizmit né Shqipëri, do të luftoj dhe do të vritem tok me ju, po ta lypë nevoja, për popullin shqiptar, sikur të jetë populli im, jugosllav”. Dhe ndërkohë ka vazhduar: “…por unë do të shkruaj një letër për shokët e Kosmetit, që ata të njoftojnë udhëheqjen e PKJ për propozimin tuaj dhe do t’u kërkoj lejë për të qëndruar këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Pastaj shtoi: “Kisha edhe një kërkesë: në qoftë se ju nuk keni kundërshtim, do të kërkoj të vijë këtu edhe Dushan Mugosha që të më ndihmojë, se ai di dhe shqip. -Dakord, – i thamë…” Më pas Hoxha i Shqipërisë shkruan se “Ndërkaq erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili solli aprovimin e udhëheqjes së PKJ që Miladin Popoviçi dhe ai të qëndronin për një periudhë kohe né Shqipëri, sipas propozimit tonë”. Kështu duket si të përjetojë një “fund të lumtur” vendimi që u mor në mbledhjen dyditore të Vitomiricës, ku i dërguari për të ndërmjetësuar bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në një parti unike do të qe vetëm Dushani. Ritheksojmë: Partia Komuniste Jugosllave e pa dyshim Josip Broz Tito miratuan për të ndikuar në misionin e PKSH-së shefin e tyre për Kosovën. Qe dëshirë e Tiranës më së pari, por u shkonte mbarë edhe atyre.  Këtë kohë Tito nuk e dinte që ekzistonte një Hoxhë tjetër, Fadili, sepse nuk do të ngurronte ta propozonte. Për Fadilin nuk i kaloi nëpër mend asgjë e tillë as Enver Hoxhës. Vështirë të besohet se ai nuk e kishte dëgjuar asnjëherë këtë emër e sidomos mbiemër.

Të dy Hoxhat bëhen komandantët më të mëdhenj

Në jetët paralele të dy Hoxhave, Enverit dhe Fadilit, përveç kryengjarjes së themelimit të PKSH-së në 8 nëntor 1941, ndodhen edhe dy episode të tjera, të rëndësishme për ta, por më shumë edhe për historinë. Në 28 tetor 1941, përvjetor fashist i “Marshimit mbi Romë”, Enver Hoxha mori pjesë në vijë të parë të një demonstrate të organizuar prej komunistëve. Guximi i tij këtë herë është i dukshëm dhe real. Me siguri këtë gjest ai e kreu për të ndikuar në favorizimin e zënies së një pozicioni të mirë në strukturat e partisë që do të themelohej pak ditë më pas, sepse qe unanime dëshira që në komitetin e përkohshëm qendror të mos përfaqësoheshin udhëheqësit e vjetër të grupeve. Tek “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, Nexhmije Hoxha shkruan “…në sheshin Skënderbeg u bashkova me demonstruesit, ku kishte filluar përleshja. Aty pashë një burrë trupmadh, që dallonte një kokë mbi të rinjtë që e rrethonin, të shkëpuste me forcë një të ri nga duart e një milici. Cili qe vallë? Pranë meje u ndodh Meli Dishnica, motra e Esat Dishnicës, e cila nuk linte demonstratë pa marrë pjesë, e pyeta: “Kush është ai?” Më tha se ishte një profesor nga Korça, që e kanë pushuar nga puna dhe tani ka ardhur në Tiranë, shet cigare në një lokal, këtu afër. “Si e quajnë?”, pyeta. “E quajnë Enver Hoxha”, më tha”. Vetë Hoxha tek “Kur lindi Partia” nuk i jep dukshmëri këtij rasti, për të cilin Ramiz Alia, i pranishëm në këtë demonstratë, tek libri “Jeta ime”, thotë se Enveri jo vetëm e kapi prej fyti milicin, por edhe e goditi me grusht. “Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç e kishim parashikuar. U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste. Demonstrata pati një jehonë  jashtëzakonisht të madhe”. Këto janë frazat e vetme të Enver Hoxhës. Të nesërmen, më 29 tetor 1941, ai kaloi në ilegalitet. Fadil Hoxha në këtë gjendje kaloi dy muaj më pas, në fund të vitit, ndërsa qe hedhur tërësisht në veprimtari antifashiste dhe në organizim të strukturave komuniste. Goditjen e parë prej pushtuesve e mori në 28 nëntor, pasi qe pjesëmarrës në demonstratën me rastin e përvjetorit të ditës së pavarësimit kombëtar. Ndryshe nga Enveri që shkruan se në 29 tetor i erdhën në dyqanin “Flora”, ku shiste duhan dhe pije, një grup karabinierësh dhe kërkoi ta arrestonte, por ai u hoq si një person tjetër dhe nëpërmjet një dere të fshehtë u largua, një muaj më pas italianët e kapën Fadilin dhe e burgosën. “Nuk më kanë bërë ndonjë torturë të madhe, shkruan ai në kujtimet e tij, vetëm më kanë marrë në pyetje…Unë mbeta tetë ditë në burg e pastaj më liruan. Kushti kryesor për lirimin tim ishte të shkoja të punoja si mësues në Hogosht. Unë u pajtova të shkoja në Hogosht, vetëm e vetëm që të më lironin”. Tërë viti 1942 e sidomos pasardhësi, 1943, qenë mote të stuhishëm për të dy udhëheqësit komunistë me mbiemrin e njëjtë Hoxha. Mbrënda janarit ky i fundit ishte mes protagonistëve kryesorë të ngritjes së njësitit partizan “Emin Duraku”, ku do të bëhet komandant. Po ashtu është nxitës i krijimit të Çetës së Kardakut. Në prill u formua Shtabi Kryesor i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për Kosovë-Metohinë dhe me këtë rast Shtabi i Lartë i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë si edhe Partia Komuniste Jugosllave e emëruan Fadil Hoxhën komandant të saj. Enver Hoxha ndërkohë jo vetëm qe zgjedhur në krye të PKSHsë, por që nga 5 korriku 1943 ishte bërë edhe komisar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë.

Kundër Mukjes ishte jo Miladini, por Vukmanoviç Tempo

Në 8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi dhe kjo shkaktoi një dinamikë tjetër të rrjedhës së ngjarjeve në Ballkan, për rrjedhojë edhe të gjendjes në Shqipëri, në Kosovë si edhe në shtetin shumetnik të sllavëve të jugut. U gjendën në rrethana të reja edhe dy Hoxhat. Në territorin ku vepronte Enveri në fundkorrik dhe në fillim të gushtit pati ndodhur një ngjarje, e cila qe aq thelbësore dhe kyçe sa, po të shkonte mbarë, jo vetëm mund të ndryshonte krejtësisht fatet e shqiptarëve në vendin e tyre të lejuar nga fuqitë e mëdha në 1913, por edhe më tej, në trojet e bashkëkombësve të mbetur në shtetin fqinj. “Mbledhja e Mukjes” është emërtuar ajo. Në këtë kuvend të kundërtit ideologjikë, komunistët dhe nacionalistët, nëpërmjet dërgatave të tyre, ranë dakord të bashkoheshin në luftën kundër pushtuesve si edhe të krijonin një paraqeveri të përbashkët. Kjo u formua dhe quajt me emrin “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”. Porse pas disa ditësh PKSH e hodhi poshtë këtë marrëveshje dhe urdhëroi të gjitha strukturat e saj ta grisnin menjëherë një trakt në të cilin ky pakt bëhej i ditur. Shkaku kryesor për prishjen e kësaj marrëveshjeje u bë çështja e Kosovës. Në proklamatën e dalë prej kësaj mbledhjeje, nënshkruar nga Komiteti, në pikën 2 të programit thuhej “Luftë për një Shqipëri të pavarur, luftë për zbatimin e parimit të njohur e të garantuar nga Karta e Atlantikut për Vetëvendosjen e Popujve, për një Shqipëri Etnike”. (Në të vërtetë Karta e Atlantikut që përcaktonte themelet e rendit të ardhshëm botëror të pasluftës, miratuar në 14 gusht 1941 mes presidentit amerikan Ruzvelt dhe kryeministrit britanik Çërçill, me të cilën në 24 shtator u bashkua edhe Stalini, në nenin 3 bënte fjalë për vetvendosje popujsh në trojet e tyre amtare, por aspak këtë parim nuk e plekste me termin dhe konceptin e “shtetit etnik”). Prishës i marrëveshjes së Mukjes dhe i çdo përpjekjeje tjetër më pas të nacionalistëve për një pakt të ri më të pranueshëm për PKSH-në, nëpër dokumentet e kohës e veçanërisht në një letërkëmbim të Enver Hoxhës me kolegun e tij Ymer Dishnica, provohet se është tërësisht shkaktuar nga vetë Hoxha. Përflitet që presion mbi këtë të fundit pati ushtruar Miladin Popoviçi apo edhe Dushan Mugosha, mbase edhe të dy bashkë. Duhet thënë se kjo ide në opinionin publik dalëngadalë është shndërruar në bindje të pakthyeshme.  (Tek libri i saj “Dosjet e luftës” historiania Ana Lalaj, duke iu referuar studiueses britanike Elisabeth Barker, thotë se jugosllavi që bëri trysni për prishjen e marrëveshjes së Mukjes qe Vukmanoviç Tempo, në korrik 1943 tranzit i pranishëm në Shqipëri). Që Miladin Popoviçi ka një qëndrim disi ndryshe për çështjen shqiptare, temë që, nisur nga vrasja e tij prej kombëtaristit kosovar Haki Taha në 13 mars 1945, do ta rrahim në një cikël të ardhshëm, provohet pjesërisht edhe me një fakt. Në 29 korrik 1943, pra para se të realizohej dhe të prishej marrëveshja e Mukjes, ai i ka dërguar një letër malazezit Ivan Milutinoviçit, i cili, me gradë të lartë ushtarake dhe cilësinë e anëtarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, qe ndërmjetësi kryesor i shkëmbimit të informacionit për gjendjen në PKSH me Josip Broz Titon. Në atë letër Popoviç shkruante: “Që kur ishte Dushani tek Tito shtrova një sërë çështjesh, midis tyre edhe çështjen e Kosovës dhe qysh atëherë kërkova si duhet të zgjidhen”. Për të kuptuar se, në mos për bashkim me Shqipërinë e pasluftës, të paktën mendon për një status mjaft të favorizuar të Kosovës, nga letra e Miladinit po shkëputim këtë fragment: “…këtu duhet të shikojmë edhe problemin e krijuar me ardhjen e fashizmit dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo ka pasur në Kosovë e Metohi një ndikim të madh të Shqipërisë dhe ka forcuar lidhjet dhe ndjenjën nacionale. Ky perceptim (që shqiptarët kanë) për çështjen kombëtare na i ka vështirësuar mbajtjen e qëndrimit të prerë, dhe vazhdimisht e kemi lënë për nesër çështjen e vetëvendosjes. Në këtë mënyrë nuk ka qenë e mundur të mobilizohej popullsia shqiptare në luftën kundër okupatorëve “çlirimtarë”. Tërheqim vëmendjen e lexuesit në një këndvështrim: letra e Miladin Popoviçit për grupin udhëheqës të PKJ-së është shkruar dy ditë pasi kryetari i delegacionit të PKSH-së në fazën e parë të bisedimeve me nacionalistët, të kryera në fshatin Tapizë të Krujës, Ymer Dishnica, i ka dërguar raport Enver Hoxhës. Kjo ndodhi më 27 korrik 1943, sepse më 26 të dy dërgatat ndërmarrëveshëse patën hartuar një procesverbal, në të cilin shpallnin se kishin vendosur për krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe atë që pak ditë më 28 vonë, në paktin përfundimtar me Ballin Kombëtar në Mukje, realizimin e Shqipërisë Etnike, e patën formuluar në mënyrë më të zhdërvjellët. Ata njoftuan opinionin publik se kërkonin “Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-tës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut”. Doemos që Miladin Popoviçi letrën e tij të 29 korrikut për Ivan Milutinoviçin e ka bërë ndërsa zhvilloheshin bisedimet e komunistëve me nacionalistët dhe kishte lexuar raportin e Ymer Dishnicës. Të qe i prerë në gjykimin e tij për ta refuzuar çështjen e bashkimit, ai nuk do të kërkonte këshillë dhe vendimarrje nga udhëheqja e tij politike. Po ashtu ish-kryetari i PKJ për Kosovën të ishte për një qëndrim të ashpër dhe jo favorizues nuk do të ndodhte që personalisht Josip Broz Tito në 2 dhjetor 1943 t’i dërgonte një mesazh të gjatë Komitetit Qendror të PKSH-së dhe Enver Hoxhës, në të cilën do të shprehte mosrënien dakort, për çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me letrën e Miladin Popoviçit të 29 korrikut (“Të shtrosh sot çështjen e bashkimit, kjo në të vërtetë do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm dhe të vetë okupatorit…”. Më pas: “.Shoku Milo nuk ka të drejtë kur thotë se partia jonë (dhe shqiptare) do të duhej të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj çështjes së Kosovës dhe Metohisë…”). Shënojmë se krejt ndryshe nga Miladin Popoviçi është Vukmanoviç Tempo, i cili në dy letra (2 tetor dhe 25 nëntor 1943), e kritikon Komitetin Krahinor të Kosovës dhe grupin e tij udhëheqës, përfshi edhe Fadil Hoxhën, se në veprimtarinë e tyre kishin rënë preh e ndjenjës shqiptaromadhe.

Enver Hoxha çjerr edhe konferencën e Bujanit

Kur në Tapizë dhe në Mukje të Shqipërisë realizohej një marrëveshje që u prish prej komunistëve të Enver Hoxhës, krejt ndryshe ndodhte në territorin ku vepronte politikisht dhe ushtarakisht Fadil Hoxha. Është një pikë kulmore të raportin e jetëve të tyre paralele, një moment që duhet shpëtuar nga indiferenca dhe harrimi. Ne, shqiptarët, jemi mësuar të theksojmë Mukjen, ta mburrim apo ta shajmë, ta ngremë lart apo ta ulim pafundësisht, ndërsa po kaq të rëndësishme në historinë tonë kemi edhe një tjetër: Konferencën e Bujanit. Mukja dhe Bujani nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Janë dy shpirtra në të njëjtin trup. Nga 31 dhjetori 1943 deri në 2 janar 1944 në Bujan të Rrafshit të Dukagjinit, fshat brenda kufirit të shtetit shqiptar, por vetëm pak kilometra larg kufirit me Kosovën, u mbajt një kuvend. Në kujtimet e tij Fadil Hoxha shkruan: “Më 31.XII.1943 në mbramje, sapo përfundoi darka, delegatët zunë vendet e tyre në dhomën e miqve. Delegati nga Prizreni, Xhevdet Doda, e hapi Konferencën dhe propozoi kryesinë e nderit, në të cilën hynë, krahas J. B. Titos dhe E. Hoxhës, Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli”. Pas një minute zie për të rënët fjalën e parë përshëndetëse e mbajti Fadil Hoxha, i cili ishte komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të Aradhave Partizane të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Pas tij foli shefi i Partisë Komuniste Jugosllave për këtë territor Pavle Joviçeviç. Prej punimeve të kësaj konference, më 2 janar 1944, doli Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit, çfarë do të thoshte se qe një qeveri në kushte lufte. Në përfundim, në rezolutë, mes të tjerash thuhet: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipnin”. (Më pas ky tekst do të vijonte me fjalët “Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet të ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin ashtë lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksor e rrogtarëve të tij, sepse kjo ashtë e vetmja rrugë për me fitue lirinë në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin e tij me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Garancija për këtë është Ushtrija Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtrija Nacionalçlirimtare e Shqipnisë, me të cilën ngushtësisht është e lidhun. Përveç këtyne për këtë garantojnë Aleatët tanë të mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Anglija, Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit)”. Në 2 janar 1944, sapo u mbyll konferenca, Fadil Hoxha ja dërgoi rezolutën e saj njëherësh Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Pra Titos dhe Enver Hoxhës. Në 28 mars 1944 KQ i PKJ-së, firmosur nga Milovan Gjilas, në një udhëzim shumëfaqësh, i hodhi poshtë vendimet e Bujanit. Me pak fjalë e grisi rezolutën e konferencës. Çuditërisht katër ditë më herët, në 24 mars, siç bën të ditur në një kumtesë të saj historiania Ana Lalaj (“Emblema e Bujanit-Një analizë e rivlerësuar”), Enver Hoxha i ka bërë një letër Fadil Hoxhës, ku e uronte për krijimn e Këshillit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, por nuk shkruante “Asnjë fjalë për vetëvendosjen në pajtim me aspiratën kombëtare të popullit të Kosovës! Tito ja kishte arritur që në Kosovë të heshtej për Bujanin, kurse në Shqipëri të heshtej për Kosovën”. Kështu brenda disa muajve në trojet e shqiptarëve u morën dy vendime të kundërta, çfarë nuk bëjnë të dallueshëm vetëm dy mjediset e njësisë kombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë, të ardhmen e tyre sidomos, por edhe vetë dy Hoxhat, Enverin e Fadilin. Si shkuan më tej këto raporte do të përpiqemi në një pjesë të dytë të këtij cikli, mbase pas një muaji.

Ylli Polovina

Tiranë, më 10 gusht 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch