Home » Lajme, Ndërkombëtare » Shqiptarja e mbijetuar nga masakra: Pash tmerr me sy

Shqiptarja e mbijetuar nga masakra: Pash tmerr me sy

Konektikat, 15 dhejtor – Shqiptarja e mbijetuar nga masakra: Pashë tmerr me sy SHBA- “U tmerrova, shpëtova mirë, u fsheha në një dhomë të vogël brenda në shkollë”. Ky është rrëfimi i vajzës 9-vjeçare, Venesa Bajraliu, i treguar nëpërmjet vëllait të saj për “GSH”, në lidhje me masakrën e djeshme në SHBA, ku u vranë 20 fëmijë.

28 persona humbën jetën në një shkollë fillore në Konektikat, pasi një i ri 24- vjeçar qëlloi me breshëri mbi nxënësit e shkollës ku mamaja e tij (edhe ajo viktimë) jepte mësim.

Mërgim Bajraliu është 17 vjeç dhe është nxënës po në atë shkollë. Në momentin e çmendurisë ai ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me të ëmën, pak metra larg shkollës. Pasi dëgjuan të shtëna, ata vrapuan menjëherë për tek e motra, Venesa 9-vjeçare.

“Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. Motra më tha që policët i kishin kërkuar asaj dhe fëmijëve të tjerë që mbijetuan, që të mbyllnin sytë për të mos parë se ç’kishte ndodhur përreth”, – rrëfen Bajraliu

Ndërsa në të gjitha mediet e huaja, emri i shqiptarit Mërgim Bajraliu përmendej si një prej dëshmitarëve kryesorë, ne kontaktuam me të nëpërmjet rrjetit social “Facebook” dhe ai na tregoi se çfarë kishte parë e motra e mbijetuar dhe ai vetë dje, në shkollën ku mësojnë çdo ditë.

Mërgim, ku ishe në momentin që ndodhi ngjarja?

Në momentin që ndodhi ngjarja ndodhesha në shtëpi me mamin. E kemi shtëpinë pak metra larg nga shkolla. Unë nuk kisha shkuar në shkollë. Në një moment dëgjuam të shtëna dhe atëherë edhe alarmin e policisë. Shkova me mamin me vrap tek shkolla dhe ishim ndër njerëzit e parë që mbërritën aty. Fëmijët akoma s’kishin dalë të gjithë.

Çfarë pe kur shkove atje?

Sapo mbërrita pashë tre fëmijë, dy prej të cilëve besoj se ishin të vdekur. Njëri ishte i plagosur dhe i mbuluar i gjithi me gjak. Ishte e tmerrshme.

Motrën, e gjetët?

Pas njëzet minutash doli edhe motra ime, Venesa Bajraliu. Të gjithë fëmijët që dolën ishin shumë të frikësuar, po ashtu edhe mësuesit. Ulërinin, qanin dhe vraponin sa andej-këtej.

Si është?

Është trembur shumë, por fizikisht është mirë. Ama kam një shok, vëllai i të cilit vdiq. Kur e mendoj, ndihem aq keq.

Sa vjeçe është Venesa?

Vesa është vetëm nëntë vjeçe.

Arritët ta shihnit vrasësin?

Jo. As unë e as Vesa nuk e pamë.

Çfarë ju tregoi motra?

Është e tmerruar, po për fat shpëtoi. Na tha: “Kisha shumë frikë, isha e tmerruar. I dëgjova të gjitha… Isha me shoqet dhe u futëm në një dhomë të vogël brenda në shkollë. Më pas erdhën policët që na thanë t’i mbyllnim sytë, duke na ndaluar të shohin se ç’kishte ndodhur përreth. Edhe pasi dolëm nga shkolla, policët na urdhëronin të gjithë fëmijët që të mbyllnim sytë”. Këtë na tha motra.

Kishte fëmijë të tjerë shqiptarë që mund të jenë vrarë?

Unë nuk di për fëmijë të tjerë shqiptarë. Nuk besoj. Por edhe mund të ketë.

Prindërit e tu si janë? Janë trembur?

Babi nuk është këtu, ka shkuar në Kosovë. Pasi kishin kaluar dy orë nga ngjarja, folëm me të e i treguam. Mami është trembur shumë.

Nga cili qytet i Kosovës jeni?

Jemi nga Prishtina.

Sa vite keni që jetoni në Amerikë?

Unë dhe Venesa kemi lindur në Amerikë. Prej shumë vitesh familja jonë jeton këtej.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch