Home » Politikë » ShQLP – LETËR E HAPUR

ShQLP – LETËR E HAPUR

ShQLP-KosovëPRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z.Atifete Jahjaga

KRYEMINISTRIT TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. Hashim Thaçi

KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. Jakup Krasniqi

DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

E nderuara Presidente Jahjaga,

I nderuari Kryeministër Thaçi,

I nderuari Kryetar i Kuvendit  Krasniqi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Shoqata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, është e shqetësuar thellë me paralajmërimin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës për 23 prill 2014(e mërkurë),  pas të cilës është parajamëruar se do të merret vendimi për shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

Shqetësimi  ynë ka të bëjë me faktin se Qeveria e Kosovës në bisedimet e Brukselit dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013, çështjen e Luginës nuk e përfshiu fare!

Pastaj, Qeveria e Kosovës akoma nuk e ka kryer obligimin Kushtetues të përcaktruar me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës, të miratuar më 6 qershor 2014, për shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës, vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë me shqiptarët në Luginë, kujdesin e Kosovës për të zhvendosurit nga Lugina, të organizojë shkollim dhe mirëqenie për shqiptarët atje, të hapen zyrat për shqiptarët e Luginës në Prishtinë dhe Gjilan,etj.

Konsiderojmë se kujdesi institucional i Republikës së Kosovës është i domosdoshëm, si për shqiptarët e shpërngulur të Luginës që jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një pjesë e madhe nuk ka dokumentacion të Kosovës, e as të Serbisë, ashtu edhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarve që jetojnë në Luginë. Ata zyrtarisht trajtohen si “qytetarë të padukshëm”, pa mundësi lëvizjeje të lirë, me probleme e kokëçarje të mëdha që u shkaktohen atyre nga fakti se institucionet e Kosovës i trajtojnë si “jokosovarë”, kurse në Serbi keqtrajtohen e diskriminohen si “joserbë”.

Andaj, konsiderojmë se është e domosdoshme që urgjentisht të zbatohet Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të themelohen zyrat në Prishtinë e Gjilan, për t’u marrë institucionalisht me problemet dhe hallet e tyre të shumta: regjistrimin dhe evidencimin zyrtarë të të shpërngulurve nga Lugina, si refugjatë, ashtu si janë evidencuar nga UNHCR-i  mbi 240 mijë serbë të Kosovës, që zyrtarisht trajtohen si refugjatë në Serbi, kurse asnjë shqiptar nuk figuron zyrtarisht si i shpërngulur dhe refugjat në Kosovë.

Konsiderojmë se është e domosdoshme edhe  hapja e Zyres së Kosovës në Luginë të Preshevës, si degë e Zyres ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, për harmonizinin dhe koordinimin e aktiviteteve të Republikës së Kosovës për ndihmë shtetërore e vëllazërore ndaj shqiptarve të Luginës, ashtu si i ndihmon Serbia vëllezërit e vet serbë në Kosovë.

Faleminderojmë Qeverinë e Kosovës për heqjen e taksës kufitare prej 20 eurosh për makinë, si dhe për paralajmërimin e heqjes së kuotave famëkeqe për studentët nga Lugina në universitetet e Kosovës, që  ishin kufizuese dhe diskriminuese për këtë pjesë të Shqiptarisë. Urojmë që gjëra të tilla të dëmshme të mos përsëriten kurrë më. Sepse, na kanë dëmtuar shumë!

Mirëpresim angazhimin Tuaj institucional e vëllazërorë për  ta ndihmuar Luginën e Preshevës, e cila është në situatë tejet të rëndë dhe është e rrezikuar tmerrësisht ekzistenca e shqiptarve në këtë pjesë të Shqiptarisë, duke i boshatisur trojet e tyre stërgjyshore, që realisht kërcënon me krijimin e “Çamërisë së dytë”, para syve tanë, sot, në fillimshekullin XXI.

Ju falemnderojmë për mirëkuptim dhe mirëpresim ndihmë më të madhe e të gjithanëshme vëllazërore!

Zoti e bekoftë Republikën e  Kosovës dhe shqiptarët, kudo që janë!

Prishtinë, më 21.04.2014
Kryetari,
Nehat Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch