Home » Kulturë » Shtatorja e I. Qemalit e Paskalit në shesh, e Veli Blakçorit në Muzeun Kombëtar

Shtatorja e I. Qemalit e Paskalit në shesh, e Veli Blakçorit në Muzeun Kombëtar

Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, i mbledhur nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mori disa vendime në kuadrin e festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e tij, në hapje të mbledhjes, kryeministri Berisha theksoi edhe një herë domosdoshmërinë e përcaktimit të të vërtetave historike të kombit, si një proces jetik për të ardhmen.

“Mendoj se përcaktimi ynë që ky 100-vjetor, të jetë 100-vjetori i të vërtetave tona është shumë i drejtë, sepse asgjë nuk përcakton më shumë të ardhmen e një individi, të ardhmen e një kombi, sesa raporti i tij me të vërtetën. Ky është një proces jetik për ne, pasi, për rrethana të caktuara, ne kemi pasur fatkeqësinë e deformimeve, të largimeve, madje ndonjëherë edhe të ecjes në drejtim të kundërt me të vërtetën.”- u shpreh Berisha.

Shefi i qeverisë solli gjithashtu, në vëmendje të Komitetit një tjetër përvjetor të rëndësishëm, përvjetorin e Perandorit Konstandin, me origjinë ilire.

Për të nderuar këtë figurë, Kryeministri Berisha kërkoi që në bashkërendim me autoritetet e Kosovës, të programohet nderimi dhe përkujtimi i tij, ndërsa kërkoi që për këtë qëllim, ambasada shqiptare në Vatikan të marrë të gjitha kontaktet me Selinë e Shenjtë.

“Së bashku me autoritet e Kosovës do të programohet nderimi dhe përkujtimi i këtij burri të shquar, i cili, e theksoj edhe njëherë, i përket mbarë njerëzimit. Natyrisht nuk kemi ndërmend të përjashtojmë askënd, përkundrazi, duhet të bashkërendojmë me Vatikanin, por dhe me vendet e tjera. E vërteta është që ai është shënuar në histori, e theksoj, pas Krishtit, Muhamedit dhe Budës, si njeriu i reformave më të mëdha në historinë e njerëzimit dhe ky është viti i nderimit nga mbarë njerëzimi i veprës së tij. Shqiptarëve ju takon të shprehin nderimin e tyre ndaj këtij burri, që i bënë paraardhësit tanë themelues ndër më kryesorët ose më kryesorin, pas Jezusit, të krishterimit. Prandaj dhe serbët kanë ndërmend ta festojnë, kanë arsye, sepse erdhën dhe përqafuan besimin.”- u shpreh kryeministri.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, Komiteti Shtetëror vendosi që monumenti i Ismail Qemalit, i autorit Odise Paskali, i cili aktualisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, të zhvendoset nga ky Muze dhe të vendoset në vendvendosjen e aprovuar më parë nga Komiteti, në lulishten në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Ndërsa monumenti i Ismail Qemalit, me autor Veli Blakçori, do të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar.

Kryeministri Berisha kërkoi që sheshi i Flamurit të shpallet monument kulture. Komiteti aprovoi si variant të parë për monumentin e Ahmet Zogut, variantin ushtarak, me autor Kreshnik Zhiku. Komiteti aprovoi gjithashtu, të mbështetet rikonceptimi i sheshit të Vlorës, si dhe projektin për mauzoleumin kushtuar Nënës Mbretëreshë dhe u kërkua të hapet menjëherë tenderi për realizimin e tij.

Komiteti kërkoi të hapet konkursi ndërkombëtar, për realizimin e spotit për 100-vjetorin. Komiteti aprovoi në parim listën e aktiviteteve kryesore për 100-vjetorin, si dhe krijimin e një website për 100-vjetorin.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch