Home » Lajme, Ndërkombëtare » Shtypi gjerman kujton 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi

Shtypi gjerman kujton 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi

20 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi tematizohet nga shtypi gjerman. Spektri i trajtimit shtrihet nga nevoja e ndërhyrjes për të ndalur krimet ndaj shqiptarëve deri tek kritikat për sulmet e NATO-s.

Süddeutsche Zeitung

Gazeta “Süddeutsche Zeitung”, në një artikull me titullin “Hija e gjatë e luftës” (23.03) nënvizon se shumë ka ndodhur në 20 vitet pas ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi. “Millosheviqi vdiq në vitin 2006 në një qeli të Tribunalit të Hagës për krime lufte. Kosova është shtet i pavarur nga viti 2008…por konflikti nuk është zgjidhur deri më sot. Edhe liderët e rinj në Beograd këmbëngulin, që Kosova është pjesë e Serbisë. Mes fronteve të ngrira qëndrojnë rreth 3.500 ushtarë të trupës së paqes KFOR.”

“Hija e gjatë e luftës”, është një reportazh nga Reçaku, vendin që si e thotë edhe ministri i atëhershëm i Jashtëm, Joschka Fischer ishte ‘pika e kthesës'”. Kush thotë Reçak në Kosovë, mendon menjëherë për viktimat dhe avionët e luftës, shkruan autori Peter Münch, duke shtuar, se Reçaku është mjaft i kontestuar. “Si çdo gjë në luftë, ku e vërteta gjithmonë bie viktimë, edhe ngjarjet e Reçakut janë tejet të kontestuara. Kufomat e gjetura aty janë luftëtarë të vrarë të UÇK-së, pretendoi menjëherë udhëheqja e Beogradit. Megjithatë mes viktimave janë edhe tre gra, një fëmijë dhe një numër jo i vogël burrash të moshuar. William Walker, që drejtonte atëherë misionin e vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë, foli për një ‘masakër’.”

Autori i “Süddeutsche Zeitung” Peter Münch ka biseduar me shqiptarë, por edhe me serbë në Kosovë, si deputetin Slobodan Petroviq, i cili i trembet ndarjes së Kosovës, “në rast të ndarjes së veriut serb, ne do të humbisnim të drejtat e pakicës e do të kishim frikë për sigurinë tonë”. E nëse i pyet njerëzit në Kosovë, nëse janë përmbushur shpresat e tyre, vërehet zhgënjimi. “Ne i jemi mirënjohës NATO-s për lirinë tonë”, por të gjithë ata që erdhën më pas në pushtet, na kanë sjellë korrupsion”, thotë një burrë nga Kosova për gazetën gjermane.

Der Spiegel

Në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, revista e njohur gjermane, “Der Spiegel” i kushton një artikull (23.03) zhvillimeve në Kosovë. Artikullshkruesit kanë biseduar edhe kryeministrin, Ramush Haradinaj. “Kam bërë atë që ka qenë e nevojshme”, thotë Haradinaj duke hedhur vështrimin pas, e nga goja e tij tingëllon sikur gati nuk ka të bëjë me të. Ende sot, me uniformën e burrit të shtetit, Haradinaj është luftëtar. Me dogana 100% për mallrat serbe ai përpiqet ta detyrojë qeverinë në Beograd për njohjen e Kosovës, duke sjellë kundër vetes edhe fuqinë mbrojtëse, SHBA.” “Der Spiegel” nënvizon, se diskutimet për kufijtë që mendoheshin të kaluara janë rindezur sërish në Ballkan. “Kryeministri Haradinaj i refuzon diskutime të tilla. ‘Tragjeditë në Ballkan kanë të bëjnë me çështjen e kufijve, kush i ngre këto çështje sërish, rrezikon tragjedi të reja.'”

Thaçi: Tema e ekzagjeruar nga mediat

Kurse “Süddeutsche Zeitung” (24.03) ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thekson se ne do t’i jemi përgjithmonë mirënjohës perëndimit. “Pa ndërhyrje ushtarake nuk do të kishte më shqiptarë sot në Kosovë, bombardimi ndali pastrimin etnik.” Presidenti i Kosovës shprehet edhe lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë. “Nuk ka alternativë për këtë. Mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet një paqe përfundimtare, pikërisht si atëherë mes Gjermanisë dhe Francës. Statuskuoja do të thotë hapa pas në të vërtetë, sepse ai destabilizon rajonin. Synojmë një marrëveshje që sqaron përfundimisht të gjitha çështjet e hapura mes Serbisë dhe Kosovës. Por deri më tani nuk ka asgjë në tavolinë dhe nuk ka as harta. Kjo temë është ekzagjeruar nga mediat.”

Badische Zeitung

Edhe “Badische Zeitung” i kushton vëmendje fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavi me artikullin “Kur digjeshin fshatrat në Kosovë” (23.03). Para 20 vitesh ushtarët gjermanë u bënë pjesë e një misioni lufte për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan “Badische Zeitung”. “Pas akteve mizore të serbëve në luftën e Bosnjes (1992-1995), perëndimi donte t’i jepte fund njëherë e mirë politikës së pastrimit të motivuar etnikisht nga ana e Millosheviçit.”…Gazeta i kushton vëmendje edhe sulmeve që rezultuan me viktima civile. “Zhvillimi i luftës nuk ishte aq ‘klinikisht i pastër’,, siç përpiqej ta prezantonte gjithnjë zyra e shtypit të NATO-s: Sulme ajrore të orientuara gabimisht shkaktuan herë pas here vdekjen e civilëve serbë, – e në një rast edhe të shqiptarëve në Kosovë, një kolone refugjatësh.”

Frankfurter Allgemeine Zeitung

Kurse gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pas një pasqyre shtypi të publikuar në faqen online serbisht të Deutsche Welles boton artikullin me titull “Presidentit serb do t’i pëlqente kjo” (23.03). “Nën titullin ‘Si u printuan bombat’ thuhet në hyrje se: ‘Para 20 vjetësh gjermanët shkuan në luftën e parë që nga koha e Hitlerit, – në bombardimin e ish-Jugosllavisë. Ata u shoqëruan për atje nga komentatorë gazetash luftëdashës.’ Kjo është vërtet e çuditshme. Sepse a mund të kuptohet shumë më ndryshe titulli përveç se para 20-vjetësh ‘komentatorë luftëdashës gazetash’ e ndollën luftën me shkrime?”

Michael Martens që ka shkruar artikullin e FAZ pyet “E kush janë këta komentatorë që mezi prisnin bombat? Në tekst përmenden 8 emra […] Ajo që nuk përcaktohet janë komentet e paralajmëruara luftëdashëse në hyrje. E nuk është habi, sepse gazetarët e përmendur në vitin 1999 kanë analizuar, raportuar, përshkruar, sigurisht edhe kanë gabuar. Por luftënxitje ata nuk kanë bërë.”

Die Tageszeitung

Kurse gazeta tjetër gjermane “taz”, nën titullin “I bombarduar lokalisht” (23.03) ka publikuar kujtimet e korrespondentit Andrej Ivanji në kohën kur filluan bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi. “Isha në një gjendje të një mosbesimi pritës….Në darkë dëgjova për herë të parë zhurmën e sirenave të alarmit. Sot përzihen në kujtimin tim zhurmat e luftës nga ajri…pas 78 ditësh, 2300 sulmeve ajrore dhe 50.000 raketave të hedhura, pushtetmbajtësi Sllobodan Millosheviq ktheu rrugë, por vetëm atëherë pasi Moska e vendosi nën presion.”

Andrej Ivanji shkruan se “serbët, edhe unë e shoh bombardimin si një vepër të turpshme, që SHBA e kreu me ndihmën e Tony Blair dhe Gerhard Schröder e BE. ” Andrej Ivanji shkruan, se regjimi i Millosheviqit mbështeti ushtarë serbë në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe ishte përgjegjës drejtpërdrejt ose jo drejtërdrejt për krime lufte serbe në Vukovar, Sarajevë apo Srebrenicë, si edhe me represionet kundër shqiptarëve…”Por kjo nuk justifikon akoma sulmet ajrore ndaj infrastrukturës civile të një shteti sovran, diktatorin e të cilit do ta heqësh qafe, në një kohë që unë, miqtë e kolegët e mi rrezikuan jetën në kuftë kundër këtij regjimi.”/DW

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch