Home » Lajme, Opinione » Si po e destabilizon Serbia Luginën e Preshevës?

Si po e destabilizon Serbia Luginën e Preshevës?

Shkruan: Nehat Hyseni

Lugina e Preshevës është në zor të madh dhe në gjendje alarmante nga agresiviteti shtetëror i Qeverisë së Serbisë dhe nga kryeministrja Ana Bërnabiq, si dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq.

Premierja Bërnabiq është e preferuara politike e Vuçiqit, i cili është pinjoll i Partisë Radikale Serbe të vojvodës Vojisllav Sheshel, procesi i gjykimit të të cilit akoma nuk ka përfunduar në Tribunalin (Gjykatën) Ndërkombëtar për krime lufte në Hagë.

Dikur Serbia pretendonte që me anë të Partisë dhe më vonë Lidhjes së Komunistëve, t’i zbatonte politikat e veta antishqiptare tek trevat e banuara me shqiptarë.

Destruktiviteti i Serbisë tek hoxhallarët e Luginës

Ndërsa tani, Serbia është duke e rikthyer “jaraninë e vjetër” në mesin e hoxhallarëve bashkëpunues, të cilët nuk ngurron madje t’i dekoroj e shpërblej me Mirënjohje e Dekorata shtetërore, si dhe me shpërblime e ndihma në të holla e privilegje të ndryshme për “kontributin” e tyre.

Suksesi i Qeverisë së Serbisë në përçarjen e imamëve e hoxhallarëve të Luginës ë Preshevës, dmth të Preshevës, Buhanocit e Medvegjës është tmerrësisht i madh dhe me pasoja katastrofale.

Pra, sot në vend që ta kemi një Bashkësi Islame të vetme dhe unike, si dikur, tani i kemi gjithsej katër Bashkësi Islame. Disa prej tyre janë të lidhura direkt me Serbinë, disa nëpërmes BI të Sanxhakut në Novi Pazar, si dhe pjesa më e nadhe e imamëve dhe hoxhallarëve të Luginës janë të lidhur dhe aktivitetin e vet fetar e zhvillojnë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, me seli në Prishtinë.

Duhet theksuar se këta të fundit sulmohen, atakohen e paditen vazhdimisht kolegët e tyre të lidhur me Qeverinë e Serbisë, të cilët mbajnë edhe monopolin apo të drejtën ekskluzive për caktimin e kuadrit mësimor të mësim-besimit islam nëpër shkollat publike të Luginës së Preshevës.

Prandaj, vetëm hoxhallarët e “përshtatshëm”, mund të punojnë si mësimdhënës të kësaj lënde dhe të punësohen e të sigurojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.

APN dhe SNS-i si aleatë antishqiptarë

Forma tjetër e ndikimit destruktiv e antishqiptar të Qeverisë së Serbisë ndaj organizimit dhe veprimit të mirëfilltë kombëtar të shqiptarve të Luginës së Preshevës është edhe mbështetja e radikalizmit islamik dhe vehabizmit të “importuar” nga diaspora shqiptare, kryesisht në Europën Perëndimore, nga Gjermania, Zvicra, etj.

Kështu, para dy-tre vitesh nga Gjermania na arriti si “parashutë”, ose si thonë preshevarët, “na piku nga qielli” Shqiprim Arifi, i cili ishte tejet agresiv dhe i zëshëm, duke bërtitur si i çmendur:

“Nuk i ka fajet Serbia për diskriminimin e shqiptarve të Luginës së Preshevës, por fajet i kan vet shqiptarët dhe partitë e tyre politike, sepse nuk po bashkëpunojnë me Serbinë”!

Kështu bërtiste Shqiprim Arifi sa kishte fuqi para përfaqësuesve ndërkombëtarë, ambasadave të BE-së e të shteteve të tjera në Beograd, si kryetar i Alternativës për Ndryshim, si parti politike të cilën e formoi brenda natës.

Pra, dy shtylla ishin kryesore të Shqiprim Arifit: radikalizimi fanatik i besimtarve shqiptarë, myslimanë dhe akuza kundër të gjitha partive politike të shqiptarve të Luginës, si dhe lavdratat e pakursyera dhe ngritja në qiell e Serbisë, si “shtet demokratik”.

Armiqë të përbetuar kundër Referendumit

Pastaj, Shqiprim Arifi e sulmoi në mënyrë të paskrupulltë Referendumin

“për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”, të 1 e 2 marsit 1992, të cilin ai e cilësoi si akt “separatist” dhe shqiptarët i quajti si “nacionalistë”?!

Në mënyrë të rrufeshme, si asnjëherë më parë, APN e Shqiprim Arifit fitoi 11 ulëse në Kuvendin Komunal të Preshevës në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016, doli si parti e dytë dhe në koalicion me PVD-në arriti të bëhet kryetar i Komunës së Preshevës.

Por, së shpejti dolën në shesh veprimet makabre dhe performanca korruptive e Shqiprim Arifit dhe manipulimet ekstreme, si dhe flirtimet antishqiptare me qarqet ekstremiste dhe Qeverinë e Serbisë, në dëm të shqiptarve.

Makinacionet korruptive

Shqiprim Arifi, meqë ishte mësuar me manipulime kriminale dhe korruptive me ndihma humanitare, si aktivist i organizatave shumë të dyshimta, që e “katapultua” ate në pushtet, ai me arrogancë e paturpësi nxorri nga sirtarët projekte të cilët i kishte mbuluar pluhuri dhe i vendosi në agjendë politike, duke ia dhuruar ato si peshqesh, pa konkurim tenderues sipas procedurës ligjore, një firme aleate të tij, për shumën astronomike me 26 milion dinarë (220 mijë euro) tejkalim të buxhetit të paraparë për rrugën “Karposh” në Preshevë. Kjo ishte një aferë korruptive, i kapur “me presh në dorë”  në vepër!

Por, për çudi, Qeveria e Serbisë nuk reagoi?!

Kurse, sikur ta kishte bërë një gjë të tillë ndokush nga partitë tjera shqiptare, do të burgosej automatikisht dhe policia e Serbisë do ia vente prangat në zyre dhe aty për aty do e arrestonte!

Por, Shqiprim Arifin askush nuk e “trazoi”, madje as qimja prej kresë nuk i mungoi!

Prandaj, koalicioni APN-PVD më tutje ishte i pamundur dhe më 10 mars 2017, u krijua mazhoranca e re qeverisëse e katër partive/ PVD (10), PDSH e Reformuar (9), BDL (2) dhe UDSH (1), dmth me 22 nga gjithsej 38 këshilltarë që i ka Kuvendi Komunal i Preshevës. Kurse, Ardita Sinani, nga radhët e PVD-së u zgjidh kryetare e komunës.

Vetëm për një muaj ditë nga zgjedhja e saj, kryetarja Ardita Sinani arriti t’i tejkaloj të gjitha rezultatet e Shqiprim Arifit, madje me implikime dhe shpenzime buxhetore shumëfishë më të vogla.

Bllokimi i punës së Kuvendit

Por, arroganca e paparë e APN-së së Shqiprim Arifit në Preshevë dhe sjellja e tij kriminale mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Preshevës rrezikonin të shndërrohen në arenë konflikti dhe gjakëderdhje me përmasa të paimagjinueshme e katastrofale, derisa ia arritën qëllimit të tyre final për bllokimin e punës dhe shpërbërjen e Kuvendit.

Majorizimi antishqiptar: APN-SNS(3), dhe PVD e PDSH (2)

Kurse, Qeveria e Serbisë, me vendimin e saj të 15 shtatorit 2017, për habinë e të gjithëve, Shqiprim Arifin e caktoi kryetar të Organit të Përkohshëm, Armend Aliun nga partia e tij, dhe një serb, anëtar të SNS-it të Aleksander Vuçiqit dmth tre anëtarë të tij, kundër dy anëtarve të tjerë: Ardita Sinanit nga PVD dhe Ragmi Mustafës nga PDSH.

Sipas këtij vendimi makabër të Qeverisë së Serbisë, në OP 27 këshilltarët shqiptarë do të  kryesohen dhe do të dominohen nga pakica prej 11 këshilltarëve (APN-SNS), dmth pakica prej 23%, përkundrejt shumicës prej 77%, duke e suguruar kështu ndikimin absolut të Qeverisë dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit në përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale për Kuvendin e Komunës së Preshevës!

Pushteti paralel serb në komunën e Bujanocit

Por, SNS-i dhe Aleksandar Vuçiqi nuk janë duke qëndruar duarkryq as në komunën e Bujanocit, e cila udhëhiqet nga kryetari Shaip Kamberi (PVD), duke krijuar pushtetin paralel në  Komunë të Bujanocit, me të ashtuquajturin “Aktiv Ekonomik”, i cili do e anashkalonte pushtetin komunal, të udhëhequr nga mazhoranca e partive politike shqiptare dhe do lidhej direkt me pushtetin qendror të Serbisë!

Pra, Shqiprim Arifi, i cili kohë më parë kishte firmë të përbashkët dhe ishte ortak me një serb, të afërt me SNS-in dhe me përfaqësitë diplomatike të Serbisë, në Gjermani, në komunën e Preshevës, nga njëra anë, si si dhe deputeti serb i SNS-it të Aleksandar Vuçiqit me tentativën e tij për ta instaluar pushtetin paralel serb, përkundrejt mazhorancës së partive politike shqiptare në komunën e Bujanocit, nga ana tjetër, aktualisht janë duke hedhur zjarr dhe duke e destabilizuar tmerrësisht situatën politike në Luginë të Preshevës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch