Home » Opinione » Sikur ky Schmitt-i të na ishte shqiptar?!

Sikur ky Schmitt-i të na ishte shqiptar?!

E di që shumëve prej jush lexues,ky pohim do ju duket po aq pa kuptim sa edhe që toka nuk është e rrumbullakët,por kjo ide m’u shkrep kur këto ditë po thellohesha mbi këtë figurën groteske dhe thellësisht sharlatane që është ky i lartpërmenduri në titull.

Sepse zotëria e tij,me të cilin jam marrë edhe më parë,ashtu si me kolegun e tij po nga Zvicra e shumë kantoneve, bankave, orëve të markës më të mirë e çokollatave,pra z.Marty,ky Oliver Jens Schmitt-i pra,në mendimin tim,kurdo që është marrë me punët tona,ai një deriçkë (në mos portë të hapur cep e më cep) e ka gjetur gjithmonë nga të futet në hapsirën mediatike,shkencore apo historike shqiptare.

Kjo është ajo që më tepër m’i ngre mua nervat!

E them këtë gjë sepse këto ditë pas pohimeve mohuese të fundit të këtij humbamenos racist zvicerian,kam patur rastin që të bëhem pak më kurioz dhe që të shikoj me pak më shumë vëmendje çfarë të tjerë si puna e tij shkruajnë për ne.

Dhe ashtu siç edhe e kam ditur,gjej të njëjtin konfirmim që as serbët e aq më pak sllavët e Maqedonisë si dhe greqërit,nuk kanë lëvizur as edhe një copë milimetër nga gomarëritë e tyre të pafundme lidhur me ne,fqinjët e tyre shqiptarë.

Për serbët,neve përveçse jemi shfaqur nga asgjëja,që kemi rënë së bashku me borën në majat e maleve tona të larta,për ta edhe kemi ardhur “rastësisht” në këto troje,direkt e nga Kaukazi apo kushedi se nga ku!

Për t’a bërë të besueshme për sytë e tyre antishqiptarë këtë tezë,serbët shpikin fushata luftarake nga më të pabesueshmet dhe mes pushtuesve të ndryshëm (arabët për shembull,që këto anë s’i kanë parë e shkelur kurrë),na fusin pastaj edhe neve e kështu sipas tyre ia arrijnë qëllimit për të na bërë neve ardhacakë në tokën tonë.

Sllavët e Maqedonisë,kanë teoritë e tyre,që në përgjithësi janë në absolut më injorantet,të cektat dhe humoristiket,pasi i tillë është edhe nacionaliteti i tyre artificial,i cili mbështetet thelbësisht mbi shumë gënjeshtra,huazime që tendojnë drejt vjedhjes historike dhe një dialekti të ëmbël të bullgarishtes që ata e kanë vetëshpallur gjuhë më vete.

Si parim ata i bien shkurt teorisë së tyre lidhur me shqiptarët,duke e konsideruar veten,pa provën me të vogël historike,si pasaardhës të maqedonasve antikë dhe kështu sipas mendjes së tyre të currufjepsur,ata kanë më shumë të drejta në atë tokë se shqiptarët,sado të lashtë neve të jemi.

Se si i bëhet pastaj që Aleksandri i madh t’i ketë thënë “dobarden dhe kako si” të ëmës së tij ilire Olimbisë dhe të atit gjysëm ilir Filipit,këtë vetëm sllavët e sotëm të Maqedonisë mund të na e shpjegojnë,bashkë me metodat e “përzgjedhura” prej tyre për të arritur në këto shpjegime mahnitëse për trurin jo vetëm të ithtarëve humanoidë të maqedonizmës aktuale,por edhe të deleve dhe pulave të atij vendi.

Grekët i njohim,kemi dëgjuar për Epir Veriu,për Jorgji Kastriotisin,për një grumbull përrallash me mbret e mbretëreshë po deshe!

Fqinjët diku na paraqesin si kaçakë të pashpirt e të egjër,diku tjetër si vrasës,diku akoma në librat e tyre na shajnë si arnautashë apo si shiptari!

Deri vonë na përshkruanin zyrtarisht si njerëz të pajisur me një palo bisht dhe po ashtu si fise të pazhvilluar të cilët akoma jetonin në epokën e gurit!

Gjithë çfarë thashë besoj se ju  lexues e dini dhe s’keni asnjë iluzion pacifisto-romantik që t’u bëjë të besoni se në librat shkollore apo historike të fqinjëve tanë,neve të jemi paraqitur ndonjëherë nga burimet dhe shkencëtarët e tyre,në mënyrë tjetër përveç kësaj që përmenda.

Por ajo që po ashtu di unë,është se asnjëri prej këtyre serbëve,sllavëve të Maqedonisë apo grekërve,nuk hyn e del si t’ia dojë kokrra e qejfit në të dy shtetet shqiptare dhe aty t’a presin edhe me të gjitha nderimet e rastit,siç për shëmbull ndodh prej kohësh me këtë Schmitt-in për të cilin kaq shumë po flitet këto kohë.

Mirë e bëjnë njerëzit që flasin,s’them gjë unë!

Kurse Schmitt-i gjen gjithë audiencën e duhur mediatike dhe shkencore sa herë që ia thotë truri i tij racist e sa herë që vë këmbën në truall shqiptar!

E presin dhe e trajtojnë tjetrin plot me pekule dhe mirë e bëjnë se kështu vetëm tregojnë se më antishqiptarë se ky injorant i pagdhendur,i barabartë për nga aftësia e tij intelektuale me lopët qumështore në kullotat e gjelbërta të Zvicrës së tij mëmë,se të tillë janë ata vetë pra!

Sepse ky njeri së pari,sipas të gjitha të dhënave s’i plotëson as minimumin e kushteve për të qenë një albanolog i mirëfilltë.

Të kesh dëshirë të merresh me rrënimin e historisë së ndonjë populli,kjo gjë nuk të bën as historian e as studiues të zotin.

Kjo të bën thjesht një mashtrues,një njeri të ulët dhe një barbar të kohëve moderne,që ka “hobby” shkatërrimin e vlerave të të tjerëve!

Ky njeri,aq sa di unë të paktën,deri më sot nuk na ka sjellë as edhe një fakt të vetëm të ri që lidhet me origjinën tonë.

Ai s’paraqet asnjë risi përsa i përket albanologjisë.

Edhe tezat e tij antishqiptare,të cilat sipas tij na kontestojnë neve trashëgiminë ilire në gjakun tonë,ai i mbështet në asgjë dhe kaq!

Ky njeri është si për shëmbull një nga ato gratë me gojën plot thashetheme të lagjeve tona në Tiranë,të cilat ditën e tyre e ndajnë mes parukieres,manikyrit,kafes turke,telenovelës dhe pikërisht thashethemeve me të cilat ato englendisen dhe mbushin kohën e tyre duke përgojuar e sharë të tjerët.

Kësaj rrace njerëzish dikur i kemi thënë:”Radio Pazari” dhe këtu futen njerëz nga secila gjini dhe grup shoqëror.

E për tipa si ky akademiku dhe studiuesi e historiani Schmitt,neve është e nevojshme të institucionalizojmë një Akademi të Shkencave të Radio Pazarit Shqiptar,ku ky njeri do të merrte çmimin më të lartë dhe të nderuar!

Tek kjo akademi specifike,ky Schmitt-i do hynte si anëtar dhe bashkë me të,postet aty do t’i ndanin të gjithë pasuesit e ideve të tij në qarqet tona të shkencës e historisë,ata pra që këtë personazh kllounesk,e bëjnë të na imponohet me tezat e tij dhe të cilët për më tepër këto pretendime të pathemelta përpiqen tinëzisht të na i paraqesin si zbulime të mëdha e po ashtu si shërbime të paçmueshme për njohjen dhe punën mbi origjinën e historinë tonë.

Këtu është puna!

S’është çështja fare vetëm tek Schmitt-i,sepse ai vetë nuk bën aspak ndryshim nga shumë të tjerë si ai,të cilët kanë një “kunjë” të vjetër me ekzistencën e lashtë të shqiptarëve,historisë dhe gjuhës tonë.

Nuk është rastësi që Europën e kanë synuar miliona emigrantë afrikanë,afganë e nga Lindja e Mesme,por ajo që gjithë Perëndimi kujton me ëndje,janë gjithmonë vetëm mijëra të dëshpëruarit shqiptarë që kërkonin lirinë dhe tokën e premtuar 22 vite me parë në anijet që shkuan në portet italiane.

Ish-Jugosllavia u dogj e u poq,vëllezërit e një gjuhe serbë-kroatë e boshnjakë u vranë,masakruan e përdhunuan mes njëri-tjetrit,por ajo që Europa kujton sa herë mundet është vetëm pamja e kallashnikovëve në Shqipëri në 97-ën.

Krimin e organizuar,apo Mafien,e kanë shpikur italianët dhe perfeksionuar rusët,gjeorgjianët,serbët,ukrainasit,turqit,por si kryekriminelët e Europës,pasi na kanë dedikuar edhe filma Hollivudianë me këtë qëllim,njihemi vetëm ne shqiptarët.

Pra po thoja,që përshtypja ime,është që Schmitt-i apo shokët e tij në krim nga Zvicra,Marty apo Del Ponte,janë vetëm maja e një ajsbergu racizmi që përherë na synon dhe drejtohet kundër neve shqiptarëve.

Më tej vetëm shumë racistëve që shqiptarët s’i kanë tjetër gjë veç halës në sy,mund t’u binte në mend që marrinat e Marty-t për veshka serbësh të shkulura “pashpirtësisht” katundeve të varfëra të Matit,në shtëpi ku s’ka pasur në rastin më të gëzueshëm as 5 orë drita e 2 herë ujë në ditë,pa pastërti e higjenë minimale as për të therur një viç a derrkuc të shijshëm,që këto dokrra të mirëfillta pra,t’i merrnin për të themelta dhe për to të hapnin edhe hetime ndërkohë.

Kjo gjë në një kohë që krimet e luftës në ish-Jugosllavi s’janë sqaruar ende,që nga Libia në Siri gjindja civile e pambrojtur shkojnë përditë si “cjapi tek kasapi” nga njëri krim lufte në tjetrin në sy të tërë botës.

Ndërsa rrugëve të Europës,bijtë minorenë të romëve të shumtë apo qyqarëve emigrantë,përdoren realisht për zëvendësimin e organeve të dobëta e jofunksionale të pasanikëve anembanë pjesës së pasur të botës.

E këtu nuk po mohoj që shpesh neve e kemi bërë veten palaço në sytë e të tjerëve,por aq sa t’a meritojmë këtë përçmim e dëshirë për të na mohuar çdo vlerë,kurrë jo sidoqoftë!

Por fati ka dashur,që Schmitt-ët të mos jenë të shumtë vetëm në Zvicër apo Perëndim,Serbi apo Greqi e Turqi,por edhe brenda vetë botës sonë shqiptare!

Ky është problemi ynë i vërtetë me Schmitt-in si person dhe me Schmitt-izmin si teori antishqiptare më vete!

Ky Schmitt-izëm për të cilin po rrekem me kaq pathos të flas,në të vërtetë është një sëmundje e vjetër më shumë sesa e antishqiptarëve raciste rrotull nesh,ajo është një problem i brendshëm mes nesh shqiptarëve.

Sepse Schmitt-izmi ka rrënjë të thella tek nga njëra anë ndjesia e lashtë e inferioritetit që kanë shqiptarët ndaj kujtdo dhe nga ana tjetër,tek akademizmi shqiptar që nuk sheh kurrë me larg se hunda e vet e kështu lejon që historia apo trashëgimia jonë historike të dhunohet nga të gjithë Schmitt-ët e rradhës.

Deri tek Çabej,Hasan Ceka etj,shkenca jonë,arkeologjia mëtoi që të kërkonte vetë,me metodat më të mira të kohës,duke u mbështetur në artefakte,në rrënoja muresh e qytetesh ilire,në mbetje gjuhësore e toponime,që të gjente rrënjët iliro-arbërore të rracës sonë shqiptare.

Para tyre kishin vepruar e kërkuar të tjerë shqiptarë,ashtu si dhe një grup shumë i pasur albanologësh të njohur gjermanë,austriakë,kroatë e arkeologësh italianë e francezë,që të tërë me punën e tyre dëshmuan qënien tonë si vendas në këto troje.

Por prej vitesh tashmë,me përjashtim të punës së individëve të ndryshëm,të cilët shpesh janë shqiptarë që vijnë ose kanë lindur jashtë kufijve të Shqipërisë,arvanitas si i ndjeri Aristidh Kola,apo arbëreshë e bijë shqiptarësh Perëndimi,të tjerë që vërtetë t’i përkushtohen “me mish e me shpirt” çështjes së zbulimit e pasurimit të origjinës sonë,nuk ka!

Aristidh Kola shkroi dikur vepra të mrekullueshme si:”Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” apo “Gjuha e perëndive” dhe këto pasuri për të gjithë shqiptarët,ato mendime të tijat të ndritura,ai i shkroi në një vend që nuk njeh asnjë minoritet dhe që sidomos ndaj shqiptarëve vendas të Çamërisë apo arvanitasve,përherë prej 2 shekujsh ushtron një presion asimilues të padëgjuar.

Ju siguroj,se unë vetë që po shkruaj,librin e parë të të ndjerit dhe të madhit Aristidh Kola,e kam “përpirë” brenda një nate të vetme,pandalur edhe pse bëhej fjalë për një vepër voluminoze e cila për nga vëllimi i teorive e informacioneve që i ofron lexuesit,kërkon kohë që të përthithet siç nevojitet nga truri.

Por kaq e veçantë ishte ajo vepër,kaq shumë i sillte në vëmendje një lexuesi shqiptar,kaq të dhëna e shpjegime historike na falte,sa kujtoj që nuk pata duruar dot dhe e lexova menjëherë.

Milan Shuflaj,ky albanolog i madh kroat,përveçse studioi historinë e Shqipërisë dhe na solli fakte e dëshmi të panjohura të mesjetës tonë,ai siç e dimë u vra mizorisht nga dora serbe pikërisht për shkak  të punës e tij të madhe në shërbim të shqiptarëve.

Fati jonë është që siç ka pasur mjaft qëndrime akademike armiqësore ndaj ekzistencës sonë si popull autokton në tokën tonë,po aq kanë qenë të shumtë edhe ata studiues të cilët kanë bërë gjithçka,duke dalë shpesh edhe kundër një mendimi të përgjithshëm përçmues e racist ndaj nesh sheqiptarëve,kanë dhënë gjithë mundin e tyre në mënyrë që historia jonë të dali nga humbëtira dhe mosdijenia ku gjendej.

Është merita e tyre e madhe,që ne shqiptarët,me shumë pak kontestime të tipit Schmitt,apo Schmitt-asit shqiptarë e akademitë e shkencave të ndonjë fqinjit tonë xheloz e ziliqar,që ne sot pra,mos të na e kundërshtojë dot kush me argumenta e jo fallsitete të pabaza,origjinën tonë nga të njëjtat troje ku ne jetojmë sot e dikur kanë jetuar ilirët e arbërit,sa edhe qënien e gjuhës sonë të bukur,një degë më vete të familjes indo-europiane të gjuhëve.

Por çfarë ndodh ndërkohë në ditët e sotme,kur ka një shekull që Shqipëria është shtet më vete dhe kur Kosova tashmë prej një gjysëm dhjetëvjeçari ka fituar me gjak pavarësinë e saj?

Pra në një kohë kur mbi 6 milionë shqiptarë në këto dy shtete janë të lirë,ndër të tjera edhe që të njohin,hulumtojnë,studiojnë e mbrojnë historinë e autoktoninë e tyre në tokën e të parëve!

Në një kohë kur kemi dy copë akademi shkecash shqiptare pra.

Kur kemi një turmë shkencetarësh e historianësh të cilët gjallë në botë se i pengon kush që të merren me historinë e popullit të tyre.

Por jo ore njerëz,më rëndësi për këta historianë si dhe mediat shqiptare që u venë pas si qingji deles,është që të gjejnë të metat inekzistente të secilit rilindas të mundshëm.

Sesi ai personazh madhështor që ka qenë Faik Konica,ishte në të vërtetë sipas tyre paksa shumë i dhënë pas luksit… e tani kjo gjë na del më e rëndësishme se puna e tij e pallogaritshme në të mirë të vendit të tij,se avokatia e rrallë që ai njeri i ka bërë vendit të tij Shqipërisë kudo nëpër konferencat në të cilët atë donin t’a shqyenin e t’a copëtonin,derisa mbetet ende figura më e respektuar e një ambasadori shqiptar në histori,post që siç e dimë e mbajti plot nder në SHBA deri në pushtimin italian.

Për këta,më rëndësi kanë zënkat e vogëla të Qirjazëve (ata të Shkollës së parë shqipe në Korçë dhe të Kongresit të Manastirit) dhe Kristo Dakos në Amerikë.

Nuk ka rëndësi për këta as puna e palodhur e këtyre rilindasve për shkollën,abetaren e alfabetin shqip,as shpëtimin Korçës nga kthetrat greke,por vetëm fjalosjet mes tyre,se ato përbëjnë interes e shtojnë kërshërinë e publikut që doemos,kur nuk ka Big Brother për të parë,me këto punë do merret!

Prandaj studimi i origjinës sonë iliro-arbërore,historisë e gjuhës sonë të lashtë,janë degdisur sot në atë pikë,sa të na vijë si i dërguari i Zotit ky Schmitt-i,i cili pasi është përshëndetur “ngrohtësisht” me dhitë e egra në malet e Zvicrës së tij,më pas i futet me zell të rrallë shkatërrimit të origjinës sonë,pasi më parë të njëjtin krim historik kishte tentuar pa sukses t’a bënte edhe ndaj figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Ky njeri fundja kështu i mbush ditët e tij,ashtu si para tij Marty shihte ëndërra me sy hapur për ndonjë veshkë serbe të humbur në ndonjë fshat shqiptar!

Del Ponte qoftë edhe ndonjë shpullë në fytyrën e cilitdo serb në Kosovë,e shihte si krimin më të rëndë të luftës në historinë e njerëzimit dhe kështu s’i bënin fare përshtypje fundet llucore të liqeneve serbe plot me kufoma shqiptarësh e as furrat serbe ku ata ishin djegur pas masakrimit.

Por fajin s’e ka fare Schmitt-i,por ata që atij i shtrojnë tapetin e kuq kur ai e sjell kokën e tij raciste në trojet tona.

Më antishqiptarë se Schmitt-i dhe gjithë shpura e gjerë e atyre që në kantonet e Zvicrës dhe jo vetëm,neve s’na duan e dozat më të larta të racizmit na i dedikojnë pikërisht neve,më vetë-racistë pra,janë ata që këtij njeriu i hapin dyert të vijë e të lëshojë vrerin e tij racist në mes të Shqipërisë apo Kosovës!

Në këtë pikëpamje,ky Schmitt-i,del të jetë shumë shqiptar,po e vumë të krahasohet me këta njerëz të kombësisë shqiptare,që atë e mbështesin në tezat e tij idiote dhe që njëlloj ose më keq se ai mendojnë për popullin e tyre.

 

Elvi Sidheri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch