Home » Lajme, Vendore » Sindikata e policisë serbe kërkon nga Daçiqi largimin e lapidarit të dëshmorëve të kombit para godinës së KK të Preshevës

Sindikata e policisë serbe kërkon nga Daçiqi largimin e lapidarit të dëshmorëve të kombit para godinës së KK të Preshevës

Sindikata e policisë serbe ka kërkuar sot përgjigje nga ministri i punëve të brendshme serbe Ivica Daçiq se kur do të rrënohet lapidari i vendosur në qendër të Preshevës për dëshmorët e UÇPMB-së, për të cilën edhe ai ka premtuar se do ta rrënojë. “Zotëri Daçiq, në fund të muajit të kaluar, publikisht keni premtuar se do të hiqen të gjithë përmendoret e vendosura të UÇPMB-së. Edhe pas një muaji nuk ka rezultat, përveç deklarimeve mediale se janë arrestuar një grup të rinjsh që ishin nisur drejt Preshevës për ta rrënuar njërin nga përmendoret” thuhet në njoftim të sindikatave me drejtor Glisho Vidoviq. Sindikati i policisë ka thënë se të punësuarit në MUP-in serb tregojnë pakënaqësi të madhe për atë se pse shteti nuk ndërmerr asgjë të heq përmendoret e siç i quan “terroristëve”, ndërsa nuk ka ndërtuar asnjë përmendore “për heronjtë e vdekur” që kanë dhënë jetë për mbrojtjen e vendit. “Gjykojmë vendosjen e përmendores që është vendosur në qendër të Preshevës dhe kërkojmë nga ju, si kryeministër dhe ministër të punëve të brendshme të tregoni bashkim për këtë çështje. Nga ju zotëri Daçiq kërkojmë më në fund që të mbani fjalën që keni dhënë para tërë Serbisë” thuhet në njoftim. “Pyesim se a do të lejonte SHBA që të vendoset në shtetin e saj një përmendore për Al Kaidan? A do të lejonte Spanja që të vendosë për ETA? A do të lejonte Italia që të vendoset për brigadat e kuqe? A do të lejonte Gjermania që të vendoset për fraksionin Armata e kuqe? A do të lejonte Anglia që të vendoset për luftëtarët e IRA?” shkruan sindikata.

—————-

Personat që ishin arrestuar në autostradën e Nishit për shkak të posedimit të armëve të ftohta janë liruar me dënime me të holla. Tre personat e grupit që ishin ndaluar në pikën me pagesë në autostradë afër Nishit, ishin gjetur armë të ftohta dhe mjete të tjera që nuk janë të lejuara me ligj për armë dhe municion janë dënuar me të holla në procesin e shkallës së parë gjyqësor, ka thënë zëdhënësi i Gjyqit në Nish, Mishel Markoviq. Tek ata në vetura ishin gjetur thika, shufra të metalta, boks prej metali si dhe mjete për lidhjen e duarve, ka thënë Markoviq për media. Sipas fjalëve të tij, në procesin gjyqësor nuk është vërtetuar se pse ata janë pajisur me këto armë dhe për ku ishin të destinuara. Siç është raportuar dje, një grup prej 14 vet ishin nisur nga disa qytete të Serbisë drejt Preshevës për ta rrënuar lapidarin e ngritur për dëshmorët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës. Sasha S nga Mitrovica e Sremit është dënuar me 25.000 dinarë, Milutin M nga Bela Voda, komuna e Krushevcit është dënuar me 8000 dinarë, ndërsa Zoran A nga Beogradi është dënuar me 5000 dinarë

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, edhe një herë ka përsëritur se përmendorja e dëshmorëve pranë godinës së administratës komunale nuk do të hiqet. Mustafa i cili bëri zbulimin e pllakës përkujtimore të 27 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk e ka në plan ta heq atë edhe përkundër ftesës së dytë të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq. “Ne nuk e kemi vendosë lapidarin për të rrënuar, lapidari është një përkujtim ndaj ushtarëve të UÇPMB-së dhe një respekt ndaj familjarëve të dëshmorëve të kombit. Në këtë drejtim, padyshim se konsiderojë që nuk pengon askënd vendosja e këtij lapidari afër komunës”, i ka deklrauar kryetari Mustafa. Nismën e 14 të rinjve serbë për të rrëzuar përmendoren, Mustafa e konsideron si pasojë të deklaratave të Daçiqit. “Deklaratave kërcënuese që bënë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë nxitë një urrejtje më të madhe të serbëve ndaj shqiptarëve, në ndërkohë edhe nxitje të krimit dhe vandalizmit”, tha ndër të tjera Mustafa. Sipas tij kjo qeveri është kopje e atyre të viteve të 90-ta. “Konsiderojë se një qeveri e tillë e dal nga zgjedhjet e 6 majit është duke i përsërit qeveritë e viteve të 90-ta që për shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin vite të rënda”, ka përfunduar deklaruar Mustafa

RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch