Home » Lajme, Ndërkombëtare » S’ka marrëveshje – finalizohet më 2 prill

S’ka marrëveshje – finalizohet më 2 prill

Pas 12 orësh takimesh dy-palëshe e tre-palëshe dhe me pauza, ditëlindja e baroneshës Catherine Ashton nuk ka kulmuar me marrëveshje Kosovë – Serbi.

Për herë të parë me video, të dy kryeministrat janë parë bashkë kur kanë dalë në konferencë shtypi me baroneshën Ashton, por pa komunikuar pajtimin përfundimtar, raporton KTV. Të dy kryeministrat kanë thënë se është shënuar përparim në bisedime. Vetë Ashton, i ka falënderuar kryeministrat për angazhimin e tyre, duke thënë se palët janë shumë afër zgjidhjes për disa çështje shumë të rëndësishme, në lidhje me veriun e Kosovës. Kryeministri i vendit  Hashim Thaçi duke e quajtur këtë takim si jo të lehtë, ka thënë se takim është zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive. Ai shpreson që në ditët e ardhshme do të ndodhë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve. Nga ana tjetër kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se për të arritur zgjidhje, duhet shumë mund, dhe duhet të respektohen interesat e të dyja palëve. Daçiq është shprehur se Serbia është e përkushtuar për dialog dhe sipas tij, jo për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE, por për të gjetur zgjidhje. Është raportuar se gjatë takimit kryeministri serb Daçiq ka bërë një telefonatë me zëvendësin e tij, Vuçiq, pasi që plani i ofruar nga Catherine Ashton, nuk përmban asgjë nga kërkesat e Serbisë.  “Danas” shkruan se Vuqiqi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Serbisë pas arritjes së marrëveshjes. Në aeroplanin e njëjtë, Thaçi e Daçiq do të udhëtojnë për në New York, ku do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Ashtonit do t’i kthehen më 2 prill për marrëveshjen përfundimtare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch