Home » Lajme, Ndërkombëtare » S’ka marrëveshje, refuzon Serbia

S’ka marrëveshje, refuzon Serbia

“Sot ka qenë një ditë e gjatë dhe intensive. Jemi përpjekur të përafrojmë të gjitha idetë e ndryshme që kanë qenë në diskutim gjatë këtyre muajve të fundit dhe kemi kërkuar nga delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit që t’i shqyrtojnë këto propozime dhe të shohim nëse mund të arrihet marrëveshja.

Herën e kaluar kam thënë se marrëveshja është afër, se dallimet janë të ngushta, por të thella. Sot, mund të them me besim të vërtetë se dallimet janë të ngushta dhe të cekëta. Derisa përgatitemi për Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, i cili do të zërë vend të hënën dhe në të cilin unë do të bëj raportin, neve na mbesin edhe disa orë.

Shpresoj se në këtë kohë, të dyja delegacionet do të reflektojnë mbi atë nëse mund të marrin hapat e fundit, të nevojshëm për të finalizuar këtë marrëveshje dhe për të lëvizur përpara popullin e tyre”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të pranuar propozimin e Ashtonit, por Serbia po hamendësohet. Thaçi ka thënë se as sot nuk është arritur marrëveshje për shkak se këtë e ka refuzuar pala serbe.

Sipas tij, pala kosovare e ka pranuar propozimin e Ashton, por pala serbe ka treguar rezerva për këtë. “Serbia duhet të reflektoje dhe për këtë nuk i ka mbetur shumë kohë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shfaqur shpresën që marrëveshjen do pranoj edhe Beogradi në ditët e ardhshme. Sipas tij, është e rëndësishme që marrëveshja të arrihet deri më 22 prill.

Thaçi ka thënë se Serbia duhet ta ndryshoj qëndrimin, sepse jemi në shekullin XXI, e pala serbe nuk duhet të mendojë ende me kokën e Vojisllav Sheshelit.

Kurse kryeministri serb, Ivica Daçiq ka thënë se nuk është korrekte të thuhet se Kosova e ka pranuar marrëveshjen e Serbia e se ka refuzuar.

Ai ka thënë se propozimi i ka 15 pika, dhe se diskutabile është pika 14 që flet për integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Për Daçiqin, ky ishte kusht që në një mënyrë nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Parlamenti Evropian voton sot rezolutat për Kosovën dhe për Serbinë. Dokumentet vlerësojnë situatën në këto dy vende dhe rrugën e tyre në procesin e integrimeve evropiane.
Pritet që edhe kësaj radhe, Parlamenti Evropian t’iu bëjë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch