Home » Opinione » Skandali me “Planin Aksional”, APN dhe mesel(e)ja e “khanziriun”-it apo mishit të derrit

Skandali me “Planin Aksional”, APN dhe mesel(e)ja e “khanziriun”-it apo mishit të derrit

Shkruan: Nehat Hyseni
Komuna e Preshevës, aktualisht, në këto ditë të acarrit dimëror dhe në vigjilie të festave të fundvitit dhe të vitit të ri, pikërisht në ditën e Kërshëndellave, më 24 dhjetor 2017, do të ketë votimet për zgjedhjen e përbërjes së re të Asambleistëve, dmth të Kuvendit Komunal.
Karakteristikë e veçantë e kësaj fushate është se garojnë numri rekord prej dhjetë partive e subjekteve të ndryshme politike të shqiptarve, që mezi arrijmë t’i numërojmë, të regjistruara e të paregjistruara, që garojnë me shtatë lista zgjedhore dhe me disa koalicione parazgjedhore.
Fushata parazgjedhore, si dhe gjendja politike në Preshevë është e tensionuar maksimalisht, për hirë të së vërtetës, gjatë tërë vitit 2017, kryesisht nga arroganca dhe agresiviteti i shfrenuar i APN-së, që i ka shpallur luftë politikbërjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke mohuar Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe të gjitha veprimtaritë e deritanishme patriotike të shqiptarve.

Prishja e koalicionit APN-PVD

Kulmi i tensioneve politike midis koalicionit qeverisës APN-PVD u arrit në fundvitin e kaluar, kur Shqiprim Arifi, kryetar i APN-së dhe si kryetar i komunës së Preshevës, në mënyrë klandestine dhe me arrogancë banditeske, synoi që t’ia imponoj Këshillit Komunal një projekt, të hartuar nga Beogradi, “Planin Aksional Lokal (2017-2021)” për kolonizimin e Preshevës me serbë, apo kriminelë të shpërngulur nga luftërat Kroacia, Bosna dhe Kosova, të cilët për shkak se kanë bërë krime dhe për arsye të tjera, nuk mund të kthehen në vendlindjet e tyre.
Gjithashtu, më këtë Plan Aksional parashihet vendosja në Preshevë edhe të një numri të konsiderueshëm të refugjatëve nga Afganistani, Siria, Iraku, etj., për të cilët përcaktohet obligimi i komunës së Preshevës që t’ua ndaj ngastrat, t’ua ndërtoj shtëpitë, t’i “akomodoj dhe t’i integroj”, si dhe t’i punësoj.

Si plasi ky skandal?

Skandali reth “Planit Aksional Lokal”, që ishte hartuar në Beograd, i ishte imponuar edhe Riza Halimit, kryetar i PVD-së dhe asokohe kryetar i komunës së Preshevës, edhepse i përmsave shumë më të vogla, para pesëmbëdhjetë vitesh, meqë asokohe nuk kishte ndodhur akoma lufta në Bosne dhe në Kosovë, si dhe lufta në Siri dhe Irak dhe nuk kishte valë refugjatësh nga Lindja e Afërtë dhe nga Lindja e Mesme.
Asokohe, në Planin e tillë Aksional për serbizimin e komunës së Preshevës insistohej që kolonët e serbë nga Kroacia të vendoseshin në “vendbanime të urbanizuara”, dmth në qytet dhe pjesërisht në Stacionin Hekurudhor, që është vendbanim i urbanizuar, i banuar me popullatë të koncentruar serbë, një lloj i Fushë Kosovës së Prishtinës, si lokacion ku është e vendosur pothuajse e tërë ndërrmarrësia socialiste apo shtetërore.
Madje, në kohën e regjimit fashist të Sllobodan Millosheviqit filloi të qarkulloj edhe ideja për ndarjen e Preshevës në dy komuna: në komunën “perëndimore”, të banuar pothuajse 100%, dmth ekskluzivisht me shqiptarë, më selinë aktuale, dmth qytetin e Preshevës, për të cilin asokohe Serbia llogariste edhe në përkrahjen e shqiptarve, meqë Serbia pretendonte se me këtë do të krijohej iluzioni i përmbushjes së kërkesave të kahëmotëshme dhe dëshirat e shqiptarve për bashkim më Kosovën, që ishte edhe kauzë e Referendumit dhe Luftës së UÇPMB-së gjatë vitit 2000-2001.
Natyrisht se komuna “lindore”, me seli në Stacionin Hekurudhor, do të përfshinte Cakanocin dhe pothuajse të gjitha fshatrat e pjesës lindore, dmth nën hekurudhë dhe autostradë, apo në lindje të Korridorit 10, si aset gjeostrategjik kombëtar me rëndësi të jashtëzakonëshme të Serbisë dhe për gjeopolitikën rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, kjo ide e regjimit të Millosheviqit dhe pasuesve të tij, llogariste edhe në mbështetje të partive politikbërjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës, meqë nxiste emocionet dhe iluzionet për “Bashkim me Kosovën”, duke krijuar alibi dhe pretekst të shkëlqyer që Serbia t’i akuzoj shqiptarët e Luginës së Preshevës para faktorit ndërkombëtar se “shqiptarët në Serbi nuk janë të diskriminuar” dhe nuk kërkojnë të drejtat që atyre u garantohen me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Por, “shqiptarët e jugut të Serbisë kërkojnë ndryshimin e kufijve mdërshtetërorë dhe destabilizimin e rajonit të Ballkanit”, arsyetohej Serbia para ambasadave të shteteve demokratike në Beograd dhe para opinionit ndërkombëtar.
Përkundrazi, Serbia, duke keqpërdorur dhe përdhosur ndjenjat sublime të shqiptarve të Luginës së Preshevës për bashkimi me Kosovën, që ishin deklaruar edhe me Referendum, ushqente këtë iluzion, duke siguruar mbështetjen popullore për politikbërjen që premtonte “Bashkim me Kosovën “.
Pra, Serbia realizonte me sukses balancën midis interesave të strategjike të saja, shtetërore e pansllaviste, duke dirigjuar dhe duke orientuar skenën dhe kahet e politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Luginë të Preshevës në drejtimin e dëshiruar.
Duke komprometuar dhe minuar çdo tentativë institucionale të politikbërjes së shqiptarve për zgjidhjen e problemeve dhe për realizimin e të drejtave kombëtare të tyre në Serbi.
Në kushtet e mospërfilljes reale të kauzës kombëtare dhe të gjendjes alarmante të shqiptarve të Luginës së Preshevës nga Tirana dhe Prishtina, Serbisë i janë lënë duartë plotësisht të lira për të vepruar sipas interasave të saja antishqiptare e anticivilizuese ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë!

Misionarët

Kështu, Serbia e Aleksandar Vuçiqit, duke stimuluar, nxitur dhe duke trajnuar e financuar persona dhe parti politike shqiptare, për realizimin e synimeve dhe pretendimeve të kahëmotëshme gjenocidale ndaj shqiptarve dhe për ndryshimin e strukturës etnike të Luginës, me fokus të veçantë në komunën e Preshevës, si lidere dhe si strumbullare e politikbërjes së pavarur të shqiptarve në Serbi, i ka shpallur luftë të ashpër partive politike “të vjetra”, duke mbështetur dhe financuar nga “fonde të zeza”, mbështetjen nga radhët e politikbërjes aktuale të shqiptarve për Planin Aksional Lokal, dmth për ndryshimin e strukturës etnike të komunës Preshevës dhe Luginës.

Mesel(e)ja e “khanziriun”-it apo mishit të derrit

Në gjuhën arabe “khanziriun” (خنزيري) i thonë derrit, kurse “lahm khanziriun” (لحم خنزير) i thonë mishit të derrit, që sipas fesë islame, të cilës i përkasin pothuajse të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, është i ndaluar për ta konzumuar myslimanët. Pra, ngrënia, madje edhe vetëm prekja e derrit, është tabu ose “haram” për myslimanët.
Ky fakt është i njohur për të gjithë myslimanët kudo në botë. Prandaj edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe kjo është ditur për të gjithë.
Por, ajo që më shtyri t’i rrekem kësaj teme të mirënjohur nga të gjithë dhe me plotë të drejtë do të thotë ndokush nga lexuesit e nderuar se unë këtu nuk po e “zbuloj Amerikën”.
Po, lexuesë të nderuar, keni plotësisht të drejtë. Por, arsyeja e drejtpërdrejtë që më shtyri që ta bëjë një “sqarim” të kësaj çështjeje është pikërisht Plani Aksional i Beogradit, për kolonizimin e Preshevës me serbë dhe për ndryshimin e strukturës etnike të Luginës.
Po çfarë lidhje paska “khanziriun” apo konzumimi i mishit të derrit dhe Plani Aksional?
Keni të drejtë se, natyrisht se nuk ka kurrëfarë lidhjeje midis tabusë apo “haramit” të konzumimit të mishit të derrit dhe Planit Aksional, aq shumë të përfolur gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit 2017 në Preshevë.
Por, ajo që më shtyri për t’i bërë këto krahasime ka të bëjë më besimin dhe devotshmërinë ndaj një kauze apo ideologjie, qoftë kombëtare, fetare, etj.
Të kuptohemi dhe të sqarohemi deri në fund, miq të nderuar së unë këtu, e them me sinqeritetin më të madh se nuk kam për qëllim të predikoj fenë, e aq më pak të luaj rolin e predikuesit islamik.
Përkundrazi!
Por, hutia që pretendohet t’u imponohet qytetarëve të Luginës së Preshevës, kryesisht nga APN dhe ndonjë aleati tjetër të tyre ideologjik, që sillen si maca nën sofër, duke pritur që të përfitojnë ndonjë trohë buke, apo ndonjë asht për ta lëpirë nga zgjedhjet e 24 dhjetorit.

“Plani Aksional “ si “narezaku” jugosllav?

Meqë RSFJ e Titos kishte raporte shumë të mira me vendet arabe dhe shumë ndërmarrje dhe punëtorë ishin punësuar në Lindjen e Afërt, në Libi, Irak, etj., edhe një bashkëvendas preshevar, si mjeshtër i hidroizolimit, kishte punuar në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar në Irak.
Në motin e nxehtë, me temperatura të padurueshme, firmat jugosllave kishin punësuar edhe fuqinë e pakualifikuar, por shumë të lirë vendase.
Punëtorët jugosllavë, si të ortodoksë, ushqeheshin për “marendë” në kantiret e ndërtimit kryesisht me mish derri, sidomos me “narezakun” famoz të prodhuesve jugosllavë.
Duke e ditur se myslimanët vendas e kanë të ndaluar, ata qëllimisht ua ofronin punëtorëve vendës, të cilët refuzonin, duke bërtitur “haram”, “haram”!
Por, jugosllavët me djallëzi dashakeqe e tendencioze ua “sqaronin” atyre “no hanziriun”, “jedi, jedi” (“jo derri, ha, ha”).
Kurse, punëtorët vendës, thatanikë dhe dukshëm të paushqyer, tregonin me gisht konzervën e “narezakut”, ku ishte fotografia e kokës së derrit dhe teksti i shkruar i përmbajtjes së saj.
Atëherë, vazhdonte tregimin mjeshtri shqiptar nga Presheva, jugosllavët u “sqaronin”: “leysa, leysa, no, no hanziriun, akela, jedi, jedi!”… (jo derri, ha, ha).
Pas këtyre “sqarimeve” të punëtorëve jugosllavë, thoshte preshevari, fillonin “dilemat” tek punëtorët myslimanë vendas:
Vallë, a t’i besonin ata myslimanë të vobektë, të paushqyer mirë dhe të ndjerë, syve të tyre dhe fotografisë së qartë të derrit në konzervën e “narezakut” jugosllav dhe të mbeteshin të uritur, apo t’i besonin veshëve të tyre së çfarë u thoshin dhe i bindnin ata me “sqarimet” e tyre djallëzore?!
Kjo “dilemë hamletiane”, tregonte ky preshevar, nga punëtorët myslimanë vendas “zgjidhej”, duke i ndarë në dy grupe, apo taborre të ashpërsuara midis veti myslimanët vendës:
Në njërin taborr ishin ata të cilët, si myslimanë devotshëm, ishin të vendosur dhe kategorikisht refuzonin “narezakun” duke bërtitur se është haram, duke mos u besuar fjalëve të jugosllavëve, por syve të tyre, që ashiqare dhe shumë qartë shihej nga fotografia në të. Kuptohet se këta e refuzonin konzumin e këtij mishi të derrit dhe u sugjeronin që edhe myslimanët e tjerë, kategorikisht ta refuzojnë!
Kurse, nga ana tjetër ishte grupin i të luhatshmëve, të cilët donin që t’u besonin “sqarimeve” të jugosllavëve se, përkundrejt që është fotografia e derrit, megjithatë, ata nuk u besonin syve, por u besonin veshëve të tyre, pra fjalëve të jugosllavëve dhe mbushnin barkun e ngopeshin me mish derri nga “narezakut” jugosllav.

Kujt do i besojnë preshevarët?

Tani, kur jemi vetëm pak ditë para 24 dhjetorit, kur qytetarët e komunës së Preshevës do të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale, realisht, ata do të deklarohen midis dy opsioneve kryesore, si një Referendum i Dytë i tyre: “Pro” dhe “Kundër” kolonizimit të Preshevës me serbë dhe refugjatë të tjerë, duke ia ndryshuar përgjithmonë dhe në mënyrë të pakthyese strukturën etnike kësaj komune dhe Luginës së Preshevës.
Kështu, mbase do të “zgjidhej” çështja e shqiptarve në Luginë të Preshevës, sipas diktatit të koalicionit APN-SNS dhe do i sigurohej rrugëtimi i qetë drejtë anëtarësimit të saj në Unionin Europian dhe i pa brenga, obligime e telashe për plotësimin e kërkesave të vendosur e këmbëngulëse të “politikbërjes së vjetër”, të cilën, sipas misionarëve të Serbisë që janë futur si “kali i Trojës” brenda politikbërjes së pavarur të shqiptarve, për të na “sqaruar” se “Plani Aksional” nuk është projekt i regjimit antishqiptar të Serbisë për ndryshimin e strukturës etnike të Preshevës, ashtu siç nuk ishte “narezaku” Jugosllav me përbërje të mishit të derrit, që është kundër parimeve fetare myslimanë, ashtu siç është Plani Aksional, projekt antishqiptar i Serbisë, për kolonizimin dhe shkombëtarizimin e kësaj pjese Shqiptarisë.
Në pyetjen se, vallë, kujt duhet realisht t’i besojnë preshevarët dhe kë ta votojnë më 24 dhjetor, kemi vetëm një përgjigje. Të gjithë ata që i besojnë syve të vet, do të votojnë kundër “Planit Aksional” për kolonizimin e Preshevës me serbë dhe ndryshimin të strukturës së saj etnike, dmth kundër koalicionit APN-SNS dhe satelitëve të tyre.
Kurse, ata të cilët nuk u besojnë asaj që po shihet ashiqare si politik antishqiptare, por u besojnë veshëve të tyre, se çfarë po u thonë e po u “sqarojnë” misionarët e Serbisë, të cilët pohojnë të kundërtën, ata do të votojnë të kundërtën. Sikur, puna e “narezakut”!
Ndërkohë, duhet sqaruar se, sipas parimeve islame dhe ligjëratave të hoxhallarëve gjithandej, thuhet se mjafton vetëm dyshimi i bazuar se një ushqim ka përmbajtje të mishit të derrit, që të deklarohet si tabu apo “haram” për ta konzumuar.
Kurse, krerët e APN-SNS-it dhe satelitëve të fshehtë të tyre, mohojnë dyshimet dhe argumentimet tona eksplicite, të bazuara në atë se çfarë shkruhet “e zeza mbi të bardhë”. në 49 faqet e “Planit Aksional”, ku parashihet qartë projekti makabër për shkombëtarizimin e kësaj pjese të Shqiptarisë!
Shpresojmë dhe besojmë fuqimisht se preshevarët do t’i thonë jo këtij Plani dhe vasalëve të Serbisë, në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale, të dielën, më 24 dhjetor 2017.
Me fat!!!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch