Home » Lajme, Opinione » SKEMA E PENSIONEVE ME PADREJTËSI LIGJORE, PA TRAJTIM TË BARABARTË PËR QYTETARËT, SHPËRBLIM I PAKËT

SKEMA E PENSIONEVE ME PADREJTËSI LIGJORE, PA TRAJTIM TË BARABARTË PËR QYTETARËT, SHPËRBLIM I PAKËT

Hilmi GASHI

 Gjermani

Për mendimin tim Skema aktuale e Pensioneve në Kosovën tonë i ka tre të meta kryesore, themeltare, problematike: ka padrejtësi ligjore, ka trajtim të pabarabartë për qytetarët e vet, ka shpërblim të pakët për të pensionuarit, edhe për ata që kanë punuar, luftuar e paguar kontribute.

Përndryshe: Skema e Pensioneve në Kosovë, sipas meje, nuk i plotëson kushtet që të kategorizohet në formën e pensionit përderisa aktualisht në Kosovën tonë asnjë pensioner nuk është në gjendje të jetojë i pavarur financiarisht. Sot kemi të bëjmë me një të vërtetë të hidhur, të rëndë, të papranueshme, të pafalshme, sepse pensionerët me aq pension sa marrin dhe e gëzojnë ligjërisht e financiarisht nuk janë në gjendje t’i mbulojnë kërkesat e tyre të domosdoshme për jetesë afër normales, për të pasë një jetë normale në Kosovë.

Në Kosovën tonë asnjë pensioner me aq pension që merr nga Shteti i Kosovës nuk e gëzon jetën e vet, nuk i gëzohet jetës së vet, pasi jetojnë me sakrifica veç sa për të hangër bukën e përditshme, pasi hanë bukë veç sa për të jetuar. Pra, jemi në një kohë të stërkeqe të pensioneve në Kosovë kur pensionerët nuk e jetojnë jetën me pensionet e tyre!

Skema e Pensioneve në Kosovë, e thënë ndryshe, figurshëm e reale, i ka katër “V” për pensionerët e Kosovës tonë. “V”-ja e parë: pensionerë të (Varfër).  “V”-ja e dytë: pensioner të (Varur) financiarisht nga të tjerët, tek të tjerët, deri te lypja për ndihma për jetesën e përditshme. “V”-ja e tretë: pensionerë të (Veçuar) nga të tjerët e punësuar e deri nga shoqëria e të pensionuarëve si dhe nga shembujt e mirë të pensioneve në botën euro-atlantike, në vendet e BE e të NATO-s drejt të cilave po don për të shkuar shteti ynë i Kosovës. “V”-ja e katërt: kemi pensionerë të (Vjetër), të cilët sa më të vjetër të jenë në moshë aq më keq e përjetojnë realitetin e jetësës së përditshme  dhe integrimet e tyre morale e jetësore në shoqërinë e sotme.

Shteti ynë i Kosovës për vitin 2017 ka paguar pensione për rreth 240 mijë qytetarë përfitues të tyre, në një shumë totale rreth 340 milionë euro, ndërkohë që buxheti i shtetit të Kosovës  i kishte vetëm 1.8 miliardë euro për vitin e kaluar kalendarik. Kjo do të thotë shumë për shumçka që nuk na vjen hiç mirë: edhe në vitin 2018, edhe më 2019, edhe më 2020 e në vazhdimësi kohe, shpenzimet totale për pensionet në Kosovë do të jenë në rritje, edhe më të larta, edhe më të mëdha, po prapëseprapë pensionet kanë me mbetë të ulta, pasi rritja e tyre do të jetë e pakët, do të jenë në shifra që nuk i ndjen ekonomia vetjake e familjare e pensionerit, nuk e gëzojnë asnjë pensionerë të Kosovës tonë.

Në këto kushte, përballë këtyre problemeve, në këtë udhë pa perspektivë të mirë të pensioneve duhet patjetër një reformim i shpejtë dhe i drejtë i Skemës së Pensioneve në Kosovë duke mos e parë si një zgjidhje politike, po për të ndryshuar gjendjen, për të mos pasë padrejtësi ligjore e financiare, e cila kërkohet e duhet si një domosdoshmëri financiare e jetese për pensionerët e Kosovës, për Kosovën tonë.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch