Home » Kulturë, Lajme » Skicë: KËNAQËSIA E NATYRSHME E ALBULENËS…

Skicë: KËNAQËSIA E NATYRSHME E ALBULENËS…

Nga: Murat Gecaj

A.Shaqiri dhe E.Jusufi 

Nga e djathta: A.Shaqiri dhe E.Jusufi

1.

Unë nuk kam qenë asnjëherë në Vushtrri. Por ka disa kohë që atë qytet të Kosovës ma ka bërë më të afërt mikja poete Ermira R.Jusufi. Ndërsa ajo e ka vizituar kryeqytetin tonë, ku ka marrë pjesë edhe në Panairin e Librit. Me këtë rast, është njohur e ka takuar disa veta. Ndër ta, janë: Sadulla Zendeli (Daja), nga Gostivari dhe me banim në Suedi; shkrimtari i mirënjohur Viron Kona; arsimtarja veterane Lumturi Vladi e tjerë.Kur u kthye në vendlindje, Ermira shkroi një poezi të bukur për Tiranën dhe miqtë, që njohu këtu. Ndërsa nuk ka shumë ditë që doli nga shtypi libri i saj me poezi, “Sonte zemra ime frymon”, për të cilin sërish e urojmë nga zemra.

Dhe ja, këto ditë u njoha me një poete tjetër të re, e cila banon po kështu në Vushtrri, Albulena Shaqirin. Edhe ky fakt dëshmon se kjo krahinë po nxjerr disa krijuese të talentuara, gjë që na gëzon. Kështu, në FB u publikua një njoftim, i cili tregonte që Albulena mori pjesë në edicionin e dytë, të manifestimit letrar të Art Club “Rifat Kukaj”, i emërtuar “Vjeshta dhe vargjet”,ku paraqiti poezinë e saj,”Përpëlitja”. Juria, e kryesuar nga Izet Avdyli, e nderoi atë, duke i dhënë vendin e parë, të Çmimit motivues për krijuesit e rinj, “Iljaz Prokshi”. Prandaj ishin të natyrshëm gëzimi dhe kënaqësia, që ajo përjetoi.

Me këtë rast, Albulena u shpreh me këto fjalë të sinqerta: “Sot, me 25 tetor 2015, me poezinë “Përpelitja”, u vlersova me çmimin e parë, si krijuesja e re më e mirë. Ndihem jashtëzakonisht e vlerësuar dhe e motivuar me këtë çmim .I falënderoj organizatorët, në përgjithësi dhe jurinë, në veçanti, për vlerësimin “Çmimi motivues për krijuesit e rinjë”.

Me këtë rast, ne e përgëzojmë dhe e urojmë krijuesen e re, Albulena Shaqiri, si për këtë çmim dhe tërë përkushtimin e treguar në krijimtarinë poetike të deritanishme, si dhe për arritje te reja, në të ardhmen!

 A.Shaqiri - Dëshmia e Çmimit, që meritoi poetja

Dëshmia e Çmimit, që meritoi poetja A.Shaqiri…

2.

Albulena Shaqiri ka lindur më 18 maj 1997, në Vushtrri, një qytet antik-arkeologjik, tashmë edhe modern. Mësimet e fillores i kreu me nota të shkëlqyeshme, në shkollën ‘Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’, në vendbanimin e saj, Patinë. Po kështu, e përfundoi edhe Gjimnazin ‘Eqrem Çabej”, në Vushtrri, në drejtimin e shkencave natyrore. Aktualisht, i vijon studimet e larta për shkenca mjekësore terapeutike, logopedi.

Qysh nga klasa e parë, ka nisur që të merret me krijimtari letrare. Gjatë këtyre viteve, ajo ka merituar çmime dhe mirënjohje, si nxënëse e dalluar e për krijimtari letrare. Shkruan në poezi dhe prozë, si skica, esse dhe tregime. Në shumë veprimtari, që janë organizuar, është paraqitur me recitale, po edhe moderatore.

Libri i parë i saj mban titullin “Duart që prekin botën”(Prishtinë, 2013). E ka të gatshëm edhe librin e dytë me poezi, të cilin pret që ta botojë, kur t’i ketë mundësitë fiananciare.

3.

Më mbyllje të këtyre shënimeve modeste, për poeten e re Albulena Shaqiri, po e publikojmë poezinë, me të cilën ajo zuri vendin e parë, në konkursin e organizuar kohët e fundit, në Vushtrri të Kosovës.

PËRPËLITJA…

Të shikoj,
Pastaj lundroj thellë
Në detin e imagjinatës,
Përpëlitem në mes të shtrëngatës.

 

Para teje,                                                                                                                 E venitur,
Faqemender,
Fytyrë e dremitur.

 

Më humbin fjalët,
Dua t’i gjej, por kot!
Koha ndalet,
Jo s’ecën dot!

 

Zemra drithëron,
Gjersa diç më flet,
Veten përdëllej,
Dridhem, hajmedet!

 

Punë e vështirë,
Që unë s’po e dija,
Marrëzi apo e mirë,
Qenka dashuria!?

 

Edhe një herë: Urime të përzemërta, autores Albulena Shaqiri dhe, për ju, faleminderit, që e lexuat poezinë e saj dhe këtë skicë!

Tiranë, 28 tetor 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress