Home » Kulturë, Lajme » Skicë: KUR SHKËMBËJMË LIBRAT TANË…

Nga: Murat Gecaj

Nga e djathta: E.Kanina, M.Gecaj e V.Kona…(Tiranë, 28 prill 2017)

Në të shumtën e rasteve, krijuesit tanë të fushave të ndryshme, në poezi ose prozë qofshin, takimet e tyre i bëjnë për të folur, diskutuar e shkëmbyer mendime, për librat e botuar ose dorëshkrimet, që presin radhën për t’u shtypur. Zakonisht, për këto organizohen veprimtari në salla të posaçme dhe me të ftuar të shumtë. Aty, mjaft autorë u dhurojnë kolegëve e miqëve ose lexuesve libra të tyre, me shënime dashamirëse…

Kësaj radhe, nuk e kam fjalën për një veprimtari të tillë masive.  Po, dëshiroj t’u tregoj për një takim miqësor, ndërmjet tre krijuesve. Pra, pata kënaqësinë që aty të isha dhe unë i pranishëm. “Kumbara” i këtij takimi ishte kolegu e miku ynë i përbashkët, arsimtari, publicisti dhe shkrimtari, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Siç është bërë e njohur, sidomos përmes Internetit, para disa ditëve atje u organizua, për të gjashtin vit radhazi, “Sofra poetike, Boras-2017”. Kishte të ftuar nga Shqipëria e Kosova dhe diaspora, në vende të ndryshme të Europës. Aty u përurua një Antologji poetike, me krijimet e 45 autorëve. Në këshillin e saj botues ishin: Sokol Demaku, Hamit Gurguri e Bahtir Latifi. Për poezitë më të arrira, juria shpërndau disa çmime.

Në këtë veprimtari mbresëlënëse nuk patën mundësinë që të merrnin pjesë të gjithë autorët, të cilat janë përfshirë në këtë Antologji. Prandaj, u mendua që atyre t’u dërgohej dhuratë nga një kopje e saj. Ja, kjo ishte dhe arsyeja, se përse shkrimtari e publicisti Viron Kona, pjesëmarrës në “Sofrën poetike” të Borasit,  kërkoi t’i dorëzonte poetes Eliverta (Eli) Kanina, një kopje të këtij botimi simbolik, dërguar nga Sokol Demaku. Gjithashtu, një kopje të tillë, ai kishte dërguar dhe për poeten Luljeta Gjosha-Pashollari, e cila ndodhet, aktualisht,  në Athinë.

Tri ballina, nga librat e dhuruar…

Por, është e kuptushme që, në takime të tilla për kafe, siç ishte ai i sotmi në lokalin “Bulevard”, afër ish-stacionit të trenit, nuk shkohet “duarbosh”. Ja,  Eli i dhuroi Vironit dy libra të saj, me poezi, “Mjellma  ëndrrash të purpurta” dhe, më të riun, “Ndez qirinj pengjesh”(Tiranë, 2016). Ndërsa autori i dhjetëra librave në  prozë, për të vegjëlit e të rriturit, Viron Kona i dhuroi asaj, me nënshkrim dashamirës, librin me shënime nga koha e emigracionit të tij në Greqi, “Drithërimat e yjeve”(Tiranë, 2004). Po edhe unë nuk mbeta “prapa” miqëve të mi. Pra, i dhurova Elit librin më të ri, “Kur flasin zemrat…”(dhjetor 2016), në të cilin flitet dhe për atë e miken tjetër poete, Lida Lazaj.

…Pas disa minutave bisedash të këndshme, ne u ndamë me dashamirësi nga njëri-tjetri. Njëherazi, morëm me vete mbresa të paharruara nga ai takim, ku në qendër të tij nuk ishte vetëm krijimtaria jonë, por dhe e miqëve tanë, si në poezi e prozë. Dhe, të gjithë ndiejmë kënaqësi, kur vërejmë se ajo po zhvillohet pandërprerje, si në trojet shqiptare, por dhe në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë emigrantatët tanë.

Tiranë, 28 prill 2017

No comments yet... Be the first to leave a reply!

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by wordpress